Dhiata e Vjetër 2022
16–22 Maj. Ligji i Përtërirë 6–8; 15; 18; 29–30; 34: “Ki Kujdes të Mos Harrosh Zotin”


“16–22 Maj. Ligji i Përtërirë 6–8; 15; 18; 29–30; 34: ‘Ki Kujdes të Mos Harrosh Zotin’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“16–22 Maj. Ligji i Përtërirë 6–8; 15; 18; 29–30; 34”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022

Moisiu duke qëndruar në mal

Ilustrim i Moisiut në malin Nebo, © Providence Collection/licencuar nga goodsalt.com

16–22 Maj

Ligji i Përtërirë 6–8; 15; 18; 29–30; 34

“Ki Kujdes të Mos Harrosh Zotin”

Moisiu u frymëzua që t’u jepte mësim fëmijëve të Izraelit bazuar tek nevojat e tyre (shih Ligji i Përtërirë 6:1). Teksa studioni librin Ligji i Përtërirë, kërkoni frymëzim që të dini se cilat parime të jepni mësim, bazuar tek nevojat e anëtarëve të klasës.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ngaqë Ligji i Përtërirë përmban fjalët e fundit të Moisiut drejtuar fëmijëve të Izraelit, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë diçka që e gjetën te Ligji i Përtërirë, që ata do të donin ta përfshinin në fjalët e tyre të fundit për fëmijët, nipërit ose mbesat e tyre. Teksa tregojnë, kërkojuni të shpjegojnë përse i zgjodhën ato fjalë.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Ligji i Përtërirë 6:4–7, 20–25; 8:2–5, 11–17; 29:18–20; 30:6–10, 15–20

Zoti dëshiron që ne ta duam Atë me gjithë zemrën tonë.

  • Gjatë gjithë librit Ligji i Përtërirë, ka fragmente që mund të na nxitin të mendojmë rreth gjendjes shpirtërore të zemrave tona. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të shprehin mendimet e tyre rreth këtyre fragmenteve, ju mund të vizatoni një zemër në tabelë. Më pas ndajini shkrimet e shenjta vijuese mes anëtarëve të klasës: Ligji i Përtërirë 6:4–7, 20–25; 8:2–5, 11–17; 29:18–20; 30:6–10, 15–20. Ftojini anëtarët e klasës ta shkruajnë referencën brenda zemrës nëse na mëson rreth diçkaje që duhet ta kemi në zemrat tona ose ta shkruajnë referencën jashtë zemrës nëse na mëson diçka që duhet ta shmangim. Çfarë do të thotë t’ia kushtojmë gjithë zemrën tonë Atit Qiellor?

  • Në ç’mënyrë ua shpjegojmë familjes sonë dhe të tjerëve arsyen përse u bindemi urdhërimeve të Perëndisë? Pasi ta përsiatin këtë pyetje, anëtarët e klasës mund të lexojnë vargjet te Ligji i Përtërirë 6:4–7, 20–25 ose thënien te pjesa “Burime Shtesë” dhe të shprehin mendimet e tyre. Si ndikojnë këto ide mbi mënyrën se si ndihemi rreth urdhërimeve ose besëlidhjeve?

Ligji i Përtërirë 6:4–9, 20–25

“Ngulit[ua fjalët e Zotit] bijve të tu.”

  • Nganjëherë na ndihmon kur dëgjojmë ide rreth mënyrave se si të tjerët po e japin mësim dhe po e mësojnë vetë ungjillin në shtëpitë e tyre. Diskutimi se si anëtarët e klasës po e ndjekin këshillën te Ligji i Përtërirë 6:4–9, 20–25, mund t’i japë klasës suaj mundësi për të mësuar nga njëri‑tjetri. Çfarë bëjmë që ta japim mësim fjalën e Perëndisë dhe të “flas[im] për” të (vargu 7), siç e përshkruajnë këto vargje? Çfarë përvojash mund të tregoni në të cilat Zoti na udhërrëfeu në përpjekjet tona?

Ligji i Përtërirë 15:1–15

Të ndihmuarit e nevojtarëve përfshin duar bujare dhe zemra të gatshme.

  • Ende nuk e kemi arritur ditën kur “nuk do të ketë asnjë nevojtar midis jush” (Ligji i Përtërirë 15:4), prandaj parimet rreth ndihmës për të varfrit te Ligji i Përtërirë 15 janë ende me vlerë, edhe nëse kanë ndryshuar praktikat e veçanta lidhur me borxhet dhe shërbëtorët. Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të shqyrtojnë vargjet 1–15 dhe të gjejnë parime rreth ndihmës për të varfrit dhe nevojtarët, të cilat do të dëshironin t’i diskutonin. Pyetje si këto mund ta ndihmojnë diskutimin: Çfarë do të thotë që ta “hapësh me zemërgjerësi dorën tënde” ndaj nevojtarëve? (Vargjet 8, 11.) Çfarë roli luan zemra jonë në ndihmën ndaj të tjerëve? (Shih vargjet 7, 9–10.) Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Zotit rreth të ndihmuarit të nevojtarëve? (Shih vargun 15.)

Ligji i Përtërirë 29:9; 30:15–20

Zoti na fton të zgjedhim midis “jetë[s] dhe të mirë[s], vdekje[s] dhe të keqe[s]”.

  • Mund të jetë interesante që t’i krahasoni fjalët e Moisiut te Ligji i Përtërirë me disa nga mësimet përfundimtare të Lehit drejtuar familjes së tij te 2 Nefi 1–4. Ndoshta anëtarët e klasës mund të gjejnë ngjashmëri dhe ndryshime midis këtyre fragmenteve: Ligji i Përtërirë 29:9 dhe 2 Nefi 4:4; Ligji i Përtërirë 30:15–20 dhe 2 Nefi 2:26–29. Si e zgjeroi Lehi atë që dha mësim Moisiu? Përse fjalët jetë dhe vdekje janë një mënyrë e mirë për të përshkruar zgjedhjet tona që t’i “respektojmë” [zbatojmë] urdhërimet e Perëndisë ose të “shiko[jmë] gjetiu” [largohemi] prej tyre? (Ligji i Përtërirë 30:16–17.) Anëtarët e klasës mund të tregojnë atë që gjejnë në këto fragmente që i frymëzon ata të “zgj[edhin] … jetën” (Ligji i Përtërirë 30:19).

ikona e burimeve shtesë

Burime Shtesë

Ne i mbajmë besëlidhjet tona, sepse e duam Perëndinë.

Presidentja Linda K. Barton dha mësim:

“Nga të gjitha arsyet për të cilat duhet të jemi më të zellsh[ëm] në mbajtjen e besëlidhjeve tona, kjo arsye është më detyruese se të gjitha – dashuria. …

‘Nëse i vlerësojmë plotësisht bekimet e shumta që janë tonat përmes shëlbimit të bërë për ne, nuk ka asgjë që Zoti mund të na kërkojë që nuk do të ishim të zellsh[ëm] e të gatsh[ëm] për ta bërë’ [Joseph Fielding Smith, “Importance of the Sacrament Meeting”, Relief Society Magazine, tetor 1943, f. 592]. Sipas kësaj thënieje nga Presidenti Jozef Filding Smith, mbajtja e besëlidhjeve është një mënyrë për të shprehur dashurinë tonë për Shlyerjen e pakonceptueshme e të pafundme të Shpëtimtarit e Shëlbuesit tonë dhe për dashurinë e përsosur të Atit tonë në Qiell” (“Fuqia, Gëzimi dhe Dashuria e Mbajtjes së Besëlidhjeve”, Liahona, nëntor 2013, f. 114).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Dëgjoni. “Dëgjimi është një veprim dashurie. … Kërkojini Atit Qiellor që t’ju ndihmojë të kuptoni atë që thonë anëtarët e klasës suaj. Teksa u kushtoni vëmendje të kujdesshme mesazheve të tyre të shprehura dhe të pashprehura, ju do të arrini t’i kuptoni më mirë nevojat e tyre, shqetësimet e tyre dhe dëshirat e tyre” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 34).