“2–8 Maj. Eksodi 35–40; Levitiku 1; 16; 19: ‘Shenjtëri Zotit’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“2–8 Maj. Eksodi 35–40; Levitiku 1; 16; 19”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
2–8 Maj
Eksodi 35–40; Levitiku 1; 16; 19
“Shenjtëri Zotit”
Teksa keni përvoja kuptimplota gjatë studimit të shkrimeve të shenjta, ju do të jeni në gjendje të jepni mësim e të dëshmoni kur takoheni me anëtarë të klasës të dielën. Çfarë mund të bëni për t’i nxitur anëtarët e klasës që të bëjnë të njëjtën gjë?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Kapitujt në leximin e kësaj jave përdorin simbole për të dhënë mësim rreth Jezu Krishtit dhe flijimit të Tij shlyes. Ju mund ta filloni orën mësimore duke i ftuar anëtarët e klasës që të shkruajnë ose vizatojnë në tabelë diçka që e gjetën tek Eksodi 35–40 ose Levitiku 1; 16; 19, e cila u mësoi rreth Shpëtimtarit. Ftojini të flasin për atë që mësuan.
Jepeni Mësim Doktrinën
Zoti dëshiron që ne të bëhemi të shenjtë siç është Ai.
-
Ndërkohë që anëtarët e klasës studiuan kapitujt tek Eksodi 35–40 këtë javë, ata mund të kenë përsiatur se si elemente të tabernakullit të lashtë ua kthyen mendimet drejt Jezu Krishtit. Nëse e bënë këtë, nxitini që të shprehin mendimet e tyre. Tabela në përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund t’ju ndihmojë për këtë diskutim. Gjithashtu mund të flisni për atë që na mësojnë rreth bërjes më të shenjtë këto simbole që lidhen me tabernakullin. Si na ndihmon Jezu Krishti që të bëhemi më të shenjtë?
-
Për shumë njerëz, ideja që të bëhemi më të shenjtë mund të duket e paarritshme. Si do t’i ndihmoni anëtarët e klasës të kuptojnë se bërja të shenjtë është pjesë e planit të Atit Qiellor për ne? Mund të lexoni së bashku thënien e Presidentit Henri B. Ajring te pjesa “Burime Shtesë”. Çfarë do të thotë të bëhesh i shenjtë? Si na ndihmojnë tempujt tanë të ditëve të mëvonshme dhe puna që bëjmë atje, për t’u bërë më të shenjtë? (Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 84:19–24; 109:6–26; 128:15–18.) Më pas mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës që të tregojnë se si këto gjëra – ose gjëra të tjera që i dinë – i kanë ndihmuar që të bëhen më të shenjtë.
-
Tabernakull i izraelitëve në vendin e shkretë është i ngjashëm në shumë mënyra me tempujt tanë të ditëve të mëvonshme. Mund t’i ftoni anëtarët e klasës të renditin gjëra që i mësuan rreth tabernakullit tek Eksodi 35–40, të cilat u kujtojnë atë që ne e përjetojmë në tempull. Nëse u nevojitet ndihmë, ju mund t’i drejtoni te vargjet tek Eksodi 40 që u referohen një veli, altarëve, veshjeve të shenjta, larjeve dhe vajosjeve. Si na ndihmon tempulli që të vijmë te Krishti? Çfarë mund të bëjmë që ta përqendrojmë tek Ai kohën tonë në tempull?
Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të falemi.
-
Edhe pse ideja e flijimit të kafshëve mund të duket e çuditshme për ne sot, ka shumë gjëra që mund t’i mësojmë nga kjo praktikë rreth flijimit shlyes të Jezu Krishtit. Për të filluar një diskutim, ju mund të paraqitni figura të Shpëtimtarit në Gjetseman dhe në kryq (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 56, 57). Anëtarët e klasës mund të tregojnë fjalë që e ndiejnë se lidhen me flijimin shlyes të Jezu Krishtit. Më pas, ftojini anëtarët e klasës që të shqyrtojnë vargjet te Levitiku 1:1–9 ose Levitiku 16, të cilat përshkruajnë flijimet e kafshëve, dhe të gjejnë fjalë që ata mendojnë se lidhen gjithashtu me flijimin e Shpëtimtarit. Si na ndihmojnë këto flijime të lashta për ta kuptuar më mirë Shlyerjen e Jezu Krishtin? Anëtarët e klasës mund të këndojnë një himn rreth Shpëtimtarit dhe të shprehin ndjenjat e tyre për Të.
-
Mund të jetë e dobishme që anëtarët e klasës t’i krahasojnë sakrificat [ose flijimet] që kërkoi Zoti në kohët e Dhiatës së Vjetër me sakrificat që Ai kërkon nga ne sot. Për shembull, ata mund të renditin mënyra se si ne bëjmë sakrifica për Zotin dhe veprën e Tij, të tilla si shërbimi në thirrje, pagimi i ofertave të agjërimit, bërja e punës për historinë familjare ose dhënia e shërbesës ndaj njëri‑tjetrit. Më pas mund të lexoni së bashku vargjet te Levitiku 1:1–9 dhe t’i ftoni anëtarët e klasës të kërkojnë elemente të ofertave të përshkruara në këto vargje, të cilat mund të lidhen me ofertat që Zoti na kërkon të japin sot (shih 3 Nefi 9:19–20; Doktrina e Besëlidhje 64:34). Çfarë mund të mësojmë nga Moisiu 5:7 rreth mënyrës se si duhet t’i shohim sakrificat tona për veprën e Zotit?
Burime Shtesë
Perëndia mund të na bëjë të shenjtë.
Presidenti Henri B. Ajring dha mësim:
“Lumturia më e madhe vjen nga shenjtëria më e madhe vetjake. … Shkrimet e shenjta na mësojnë se midis gjërave të tjera, ne mund të shenjtërohemi ose të bëhemi më të shenjtë kur ushtrojmë besim në Krisht, e shfaqim bindjen tonë, pendohemi, sakrifikojmë për Të, marrim ordinancat e shenjta dhe i mbajmë besëlidhjet me Të. …
Himni ‘Më Shum’ Shenjtëri m’Jep’ [Himne, nr. 69] sugjeron një mënyrë që të lutemi për ndihmë për t’u bërë më të shenjtë. Autori urtësisht sugjeron se shenjtëria që kërkojmë, është një dhuratë nga një Perëndi i dashur, që jepet me kalimin e kohës, pas gjithçkaje që mund të bëjmë” (“Shenjtëria dhe Plani i Lumturisë”, Liahona, nëntor 2019, f. 100–101, 103).