“25 Prill–1 Maj. Eksodi 24; 31–34: ‘Prania Ime do të Shkojë me Ty’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“25 Prill–1 Maj. Eksodi 24; 31–34”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
25 Prill–1 Maj
Eksodi 24; 31–34
“Prania Ime do të Shkojë me Ty”
Le ta udhërrëfejnë përgatitjen tuaj për të dhënë mësim këto fjalë nga Plaku Xhefri R. Holland: “Shumë njerëz nuk vijnë në kishë thjesht për të kërkuar disa fakte të reja të ungjillit. … Ata vijnë duke kërkuar një përvojë shpirtërore. … Ata duan që besimi i tyre të përforcohet dhe shpresa e tyre të përtërihet” (“A Teacher Come from God”, Ensign, maj 1998, f. 26).
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Anëtarët e klasës mund të përfytyrojnë sikur një mik/e thotë: “Nuk e lexoj Dhiatën e Vjetër; nuk më duket se ka lidhje me jetën time”. Kërkojuni të përgjigjen duke treguar diçka që e kanë gjetur kuptimplote në studimin prej tyre gjatë kohëve të fundit të Dhiatës së Vjetër.
Jepeni Mësim Doktrinën
Ne e nderojmë Shabatin si një shenjë të zotimit tonë ndaj Zotit.
-
Mund ta filloni duke i pyetur anëtarët e klasës nëse u është dashur ndonjëherë t’i shpjegojnë një pjesëtari të familjes ose miku/eje përse ata i trajtojnë të dielat ndryshe nga ditët e tjera. Ftojini të tregojnë atë që thanë ose atë që mund të thonë në të ardhmen. Leximi i vargjeve tek Eksodi 31:12–17 ose i thënies te pjesa “Burime Shtesë” mund t’u japë ide shtesë. Si e tregojnë zgjedhjet tona në ditën e Shabatit zotimin tonë ndaj Jezu Krishtit?
-
Edhe pse ndëshkimet e përshkruara tek Eksodi 31:14–15 nuk gjejnë zbatim sot, ato vërtet tregojnë se sa ndjenja të forta ka Zoti rreth Shabatit. Përse është ky urdhërim kaq i rëndësishëm? Diskutimi i këtyre shkrimeve të shenjta mund të ndihmojë: Eksodi 31:12–17; Isaia 58:13–14; Doktrina e Besëlidhje 59:9–13.
Mëkat do të thotë të largohesh nga Perëndia, por Ai ofron një mënyrë për t’u kthyer.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të përsiatin dhe ta përshtatin për veten e tyre tregimin tek Eksodi 32, fillimisht kërkojuni ta shqyrtojnë kapitullin vetë ose në grupe. Më pas kërkojuni disa prej anëtarëve të klasës që të luajnë rolin e izraelitëve të cilët filluan ta humbnin durimin ndërsa pritnin që Moisiu të kthehej, dhe vendosën të bënin një idhull prej ari. Cilat ndjenja mund t’i kenë çuar drejt adhurimit të idhullit? Anëtarë të tjerë të klasës mund të përpiqen t’ua mbushin mendjen që të qëndrojnë të vërtetë ndaj Zotit dhe profetit të Tij. Anëtarët e klasës mund të flasin rreth asaj që i frymëzon t’i mbajnë besëlidhjet e tyre. Çfarë mund të bëjmë ne për t’i ndihmuar ata që mund të jenë duke hasur vështirësi për t’i mbajtur besëlidhjet e tyre?
-
Kur njerëzit lexojnë Dhiatën e Vjetër, ata nganjëherë habiten me ndëshkimet e rrepta që Zoti përshkroi për mëkatin. Eksodi 34:1–9 mund t’i ndihmojë të kuptojnë se, ndërkohë që Perëndia nuk e shpërfill mëkatin, Ai është gjithashtu i mëshirshëm, duke u ofruar falje atyre që pendohen. Ndoshta anëtarët e klasës mund ta lexojnë këtë fragment dhe të përsiatin pyetje si këto: Çfarë mësojmë rreth Zotit nga këto vargje? Përse na nevojitet t’i dimë këto gjëra për Të? Ju mund të vini në dukje se Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Eksodi 34:7 (në Biblën në anglisht Eksodi 34:7, poshtëshënimi e) e sqaron se Perëndia nuk do t’i “nxjerrë pa faj rebelët”. Çfarë domethënie mund të ketë kjo? Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë se si e kanë dëshmuar mëshirën e Perëndisë. Si është e mundur që Perëndia të jetë si përsosmërisht i mëshirshëm ashtu edhe përsosmërisht i drejtë? (Shih Alma 42:13–15.)
-
Eksodi 34:6–17 mund të shihet si një udhëzim për t’i ndihmuar izraelitët të pendohen për mëkatin e tyre të idhujtarisë (të përshkruar tek Eksodi 32). Çfarë gjejmë në këto vargje që mund t’i kishin ndihmuar izraelitët të pendoheshin? Çfarë mësojmë rreth Zotit dhe pendimit nga ky udhëzim?
Ne kemi nevojë për praninë e Perëndisë në jetën tonë.
-
Si do t’i ndihmoni anëtarët e klasës ta vënë në jetë atë që Zoti i tha Moisiut tek Eksodi 33:11–17? Mund ta filloni duke shqyrtuar punën që Perëndia ende kishte nevojë që Moisiu ta përmbushte (shih Eksodi 33:1–3). Çfarë gjejmë te vargjet 11–17 që do ta kishte forcuar dhe ngushëlluar Moisiun? Anëtarët e klasës mund të mendojnë rreth diçkaje që Perëndia dëshiron që ata të bëjnë – të tillë si përmbushja e një thirrjeje në Kishë, e një përgjegjësie familjare ose e një mundësie për të dhënë shërbesë. Pastaj mund t’i lexojnë përsëri vargjet. Çfarë idesh marrim lidhur me mënyrën se si do të na përkrahë Perëndia?
Burime Shtesë
Shabati është një shenjë.
Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi: “Në vitet e mia më të hershme, unë studiova veprën e njerëzve të tjerë, të cilët kishin hartuar lista lidhur me gjërat që duheshin bërë dhe nuk duheshin bërë në Shabat. Kohë më vonë mësova nga shkrimet e shenjta se sjellja ime dhe qëndrimi im për Shabatin përbënte një shenjë midis meje dhe Atit tim Qiellor [shih Eksodi 31:13; Ezekiel 20:12, 20]. Me atë kuptueshmëri, unë nuk kisha më nevojë për lista të gjërave që duheshin bërë dhe nuk duheshin bërë. Kur më duhej të merrja një vendim nëse një veprimtari ishte e duhur apo jo për Shabatin, unë thjesht e pyesja veten: ‘Çfarë shenje dua t’i jap Perëndisë?’ Ajo pyetje i bënte zgjedhjet e mia për ditën e Shabatit tepër të qarta” (“Shabati Është një Kënaqësi”, Liahona, maj 2015, f. 130).