“18–24 Prill. Eksodi 18–20: ‘Ne do të Bëjmë Gjithçka që Ka Thënë Zoti’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“18–24 Prill. Eksodi 18–20”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
18–24 Prill
Eksodi 18–20
“Ne do të Bëjmë Gjithçka që Ka Thënë Zoti”
Lexoni tek Eksodi 18–20 dhe shënojini mbresat që merrni rreth mënyrës se si t’i ndihmoni anëtarët e klasës suaj të mësojnë nga këta kapituj. Edhe mbresa të thjeshta mund të çojnë në përvoja domethënëse të të mësuarit.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Për t’i ftuar anëtarët e klasës që të tregojnë atë që mësuan, ju mund të shkruani në tabelë 18, 19 dhe 20 – kapitujt që lexuan tek Eksodi këtë javë. Kërkojuni anëtarëve të klasës që të shkruajnë pranë secilit numër të kapitullit, numrin e vargjeve që do t’u pëlqente të diskutonin nga secili kapitull. Ndërkohë që anëtarët e klasës i shprehin idetë e tyre, pyetini anëtarët e tjerë të klasës nëse patën ide rreth të njëjtave fragmente.
Jepeni Mësim Doktrinën
Ne mund të ndihmojmë për të “mbaj[tur] peshën” e bërjes së punës së Zotit.
-
Ju mund t’i nxitni anëtarët e klasës suaj të diskutojnë për këshillën që Jethro ia dha Moisiut (shih Eksodi 18:13–26) duke iu kërkuar të përfytyrojnë sikur po bëjnë një bashkëbisedim me dikë që e ndien se thirrjet e tij ose të saj në Kishë, detyrimet familjare ose përgjegjësi të tjera janë “shumë [të] vështir[a]” dhe se ai ose ajo do të “raskapite[t]” (Eksodi 18:18). Si mund të ndihmojë këshilla tek Eksodi 18:13–26? Çfarë këshille shtesë mund të japim nga përvojat tona vetjake?
-
Të folurit për vargjet tek Eksodi 18:13–26 mund të ofrojë një mundësi për të diskutuar se si dhënia e shërbesës mund të na ndihmojë të “mbaj[më] peshën bashkë me” udhëheqësit tanë në punën e Zotit (Eksodi 18:22). Cilat karakteristika sugjeroi Jethro që Moisiu t’i kërkonte tek ata që do të shërbenin si “krerë” të popullit? (Shih Eksodi 18:21.) Përse ato karakteristika janë të rëndësishme në përpjekjet tona për t’i dhënë shërbesë njëri‑tjetrit? Si ndihmon dhënia e shërbesës ndaj pjesëtarëve të familjes, anëtarëve të Kishës dhe të tjerëve për ta “mbaj[tur] peshën” e udhëheqësve tanë të Kishës? Si pjesë të diskutimit tuaj, ju mund të shfaqni njërin nga materialet filmike që lidhet me këtë, të cilat gjenden te ministering.ChurchofJesusChrist.org.
Ne duhet ta vëmë Zotin të parin në jetën tonë.
-
A mund të mendoni për një detyrë që funksionon më mirë kur plotësojmë së pari hapat më të rëndësishëm? (Shembujt mund të përfshijnë zgjidhjen e një ekuacioni matematikor ose ndjekjen e një recete gatimi). Tregojini klasës disa shembuj me të cilët njiheni mirë dhe ftojini të mendojnë për shembujt e tyre. Si lidhet plotësimi së pari i hapave më të rëndësishëm me urdhërimet tek Eksodi 20:2–11? Çfarë na mësojnë urdhërimet lidhur me vendosjen e Perëndisë të parin në jetën tonë? Çfarë gjërash mund të tundohemi t’i vëmë përpara Tij? (Për disa shembuj, shihni thënien te pjesa “Burime Shtesë”.) Rishikimi i vargjeve tek Eksodi 20:2–11 mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës suaj të reflektojnë mbi zotimin e tyre për ta vënë Perëndinë të parin.
Perëndia është i mëshirshëm.
-
Si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës suaj ta kuptojnë rëndësinë e Dhjetë Urdhërimeve në kohën tonë? Mund ta ndani klasën në dyshe dhe t’i ftoni të lexojnë tek Eksodi 20:2–17 dhe më pas të diskutojnë se si bindja ndaj çdo urdhërimi i bekon ata, familjet e tyre dhe njerëzit përreth tyre. Ju gjithashtu mund të shfaqni materialin filmik “Obedience to the Ten Commandments” [“Bindja ndaj Dhjetë Urdhërimeve”] (ChurchofJesusChrist.org). Çfarë bekimesh na premton Ati Qiellor për bindjen ndaj urdhërimeve të Tij? (Shih për shembull, Mosia 2:41.) Si e shfaqin këto urdhërime dashurinë e Perëndisë për ne?
Burime Shtesë
Nuk do të kesh perëndi të tjerë.
Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim se ka ngjashmëri midis adhurimit të lashtë të shëmbëlltyrave të gdhendura dhe sjelljes së njerëzve sot. Ai tha:
“Idhujtaria është mes mëkateve më të rënda. …
Idhuj modernë ose perëndi të rreme mund të marrin forma të tilla si veshje, shtëpi, biznese, makineri, automjete, barka argëtimi dhe gjëra të tjera të shumta materiale që na shmangin nga shtegu drejt perëndishmërisë. …
Gjëra jo të prekshme mund të bëhen po aq lehtë perëndi të rreme. Grada shkencore dhe çmime arritjeje, dhe tituj postesh mund të bëhen idhuj. …
Shumë njerëz ndërtojnë dhe e mobilojnë një shtëpi dhe blejnë një automobil fillimisht – dhe pastaj shohin se ‘nuk janë në gjendje’ të paguajnë të dhjetën. Cilin adhurojnë ata? Sigurisht jo Zotin e qiellit dhe të tokës. …
Shumë adhurojnë gjuetinë, udhëtimet për peshkim, pushimet, piknikët dhe shëtitjet për fundjavë. Të tjerë kanë si idhuj të tyre lojërat sportive, bejsbollin, futbollin, ndeshjet me dema ose golfin. …
Përsëri, një tjetër shëmbëlltyrë që njerëzit e adhurojnë, është ajo e pushtetit dhe prestigjit. … Këto perëndi të pushtetit, pasurisë dhe ndikimit janë më kërkuesit dhe janë po aq të vërtetë sa viçat e artë të fëmijëve të Izraelit në shkretëtirë” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 146–147).