“11–17 Prill. Pashka: Ai ‘do të Shkatërrojë Përgjithnjë Vdekjen’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“11–17 Prill. Pashka”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
11–17 Prill
Pashka
Ai “do të Shkatërrojë Përgjithnjë Vdekjen”
Teksa përgatiteni të jepni mësim të dielën e Pashkës, merreni parasysh se si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës të fitojnë një vlerësim dhe dëshmi më të thellë për flijimin shlyes dhe Ringjalljen e Jezu Krishtit.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ndoshta ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë atë që bënë ata ose familja e tyre për ta forcuar besimin e tyre te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij gjatë kësaj periudhe të Pashkës.
Jepeni Mësim Doktrinën
Ngaqë Shpëtimtari e mposhti vdekjen, edhe ne do të jetojmë përsëri.
-
Meqë sot është e diela e Pashkës, merreni parasysh të rishikoni tregimin e shkrimit të shenjtë për Pashkën e parë – Ringjalljen e Jezu Krishtit (shih Gjoni 20:1–17). Ju mund të ftoni një anëtar të klasës që ta tregojë historinë me fjalët e veta. Ju gjithashtu mund të shfaqni materialin filmik “He Is Risen” [“Ai Është Ngritur”] (ChurchofJesusChrist.org). Anëtarët e klasës mund të kënaqen gjithashtu duke kënduar himne rreth Shpëtimtarit dhe duke lexuar shkrime të shenjta që lidhen me to (referencat renditen në fund të çdo kënge në librin e Himneve). Më pas anëtarët e klasës mund të tregojnë fraza të parapëlqyera nga himnet dhe të shprehin ndjenjat e tyre për Shpëtimtarin.
-
Për ta ndihmuar klasën tuaj që ta vlerësojë mënyrën se si Dhiata e Vjetër dëshmon për Jezu Krishtin, ju mund t’i ftoni të shqyrtojnë shkrimet e shenjta te tabela në përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet, si edhe fragmentet e Librit të Mormonit që e shoqërojnë tabelën. Çfarë mësojmë rreth Shpëtimtarit dhe misionit të Tij nga këto fragmente? Përse është me vlerë të dimë rreth këtyre profecive?
Ne mund të gjejmë paqe dhe gëzim nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit.
-
Përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet përfshin një listë të shkrimeve të shenjta që përshkruajnë paqen dhe gëzimin që vjen nëpërmjet Jezu Krishtit. Nëse anëtarët e klasës i lexuan këto shkrime të shenjta në shtëpi, nxitini të shprehin mendimet dhe ndjenjat e tyre për to. Ose ju mund të lexoni disa shkrime të shenjta si klasë dhe të flisni rreth paqes dhe gëzimit që ndiejmë për shkak të Shpëtimtarit dhe Shlyerjes së Tij. Si mund t’ua tregojmë këto bekime njerëzve të tjerë që mund të kenë vështirësi për të gjetur paqe dhe gëzim në jetën e tyre? Ju gjithashtu mund të ftoni një anëtar të klasës që të lexojë mesazhin e Presidentit Rasëll M. Nelson “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore” (Liahona, nëntor 2016, f. 81–84) gjatë javës përpara orës mësimore dhe të vijë në klasë i përgatitur për të treguar atë që na mëson ky mesazh rreth gjetjes së gëzimit te Shpëtimtari.
-
Ju mund të ndiheni të frymëzuar të udhëhiqni një diskutim rreth mënyrës se si t’i ndihmoni të tjerët të gjejnë paqe dhe gëzim te Krishti. Mund t’i ftoni anëtarët e klasës të mendojnë rreth dikujt që e njohin – ndoshta dikujt që i japin shërbesë – që mund të ketë nevojë për përkrahjen, shërbimin e tyre ose madje thjesht të dëgjojë dëshminë e tyre për Krishtin dhe Shlyerjen e Tij. Nxitini anëtarët e klasës që t’u drejtohen shkrimeve të shenjta (të tilla si ato te pjesa “Burime Shtesë”) ndërsa marrin parasysh shërbimin që mund të japin ose dëshmitë që mund të tregojnë për t’i forcuar njerëzit përreth tyre. Ftojini disa anëtarë të klasës që të shprehin mendimet e tyre rreth shërbimit ashtu siç shërbeu Jezusi.
Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti ka fuqi për të na ndihmuar që t’i mposhtim mëkatin, vdekjen, sprovat dhe dobësitë.
-
Një mënyrë për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të përsiatin për bekimet që vijnë nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit, mund të jetë që të shkruajnë në tabelë titujt Mëkati, Vdekja, Sprovat dhe Dobësitë. Çdo anëtar i klasës mund të lexojë njërin prej shkrimeve të shenjta të renditura te pjesa “Burime Shtesë” dhe të përsiatë mbi mënyrën se si na ndihmon Shpëtimtari që t’i mposhtim gjërat e shkruara në tabelë. Anëtarët e klasës mund t’i shkruajnë referencat e shkrimeve të tyre të shenjta nën njërin ose më shumë prej titujve në tabelë dhe të japin dëshmitë e tyre për Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij.
-
Historitë dhe analogjitë mund të na ndihmojnë për ta kuptuar Shlyerjen e Jezu Krishtit. Për shembull, ju mund ta ftoni një anëtar të klasës që të tregojë njërën nga historitë ose analogjitë e mesazhit të Plakut Uolter F. Gonzales “Prekja e Shpëtimtarit” (Liahona, nëntor. 2019, f. 90–92) ose mesazhit të Motrës Nill F. Mariot “Banimi në Perëndinë dhe Riparimi i të Çarës” (Liahona, nëntor 2017, f. 10–12). Çfarë na mësojnë këto histori dhe analogji rreth Shlyerjes së Krishtit? Ftojini anëtarët e klasës që të punojnë në dyshe për të menduar për vetë historitë ose analogjitë e tyre.
-
Çfarë mësojmë nga vargjet vijuese rreth çmimit që pagoi Jezu Krishti për shpëtimin tonë: Isaia 53:3–5; Mosia 3:7; Doktrina e Besëlidhje 19:16–19? Çfarë çmimi pagoi Ati ynë Qiellor? (Shih Gjoni 3:16.)