2010–2019
Prekja e Shpëtimtarit
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2019


2:3

Prekja e Shpëtimtarit

Ndërsa vijmë tek Ai, Perëndia do të na vijë në ndihmë, qoftë për të na shëruar apo për të na dhënë forcën që ta përballojmë cilëndo situatë.

Rreth 2 000 vjet më parë, Shpëtimtari zbriti nga mali pasi kishte dhënë mësim Lumturitë dhe parime të tjera të ungjillit. Teksa po ecte, Atij iu afrua një i sëmurë me lebër. Burri tregoi nderim dhe respekt kur u gjunjëzua përpara Krishtit, duke kërkuar lehtësim për vuajtjet e tij. Kërkesa e tij qe e thjeshtë: “O Zot, po të duash, ti mund të më shërosh”.

Atëherë Shpëtimtari e shtriu dorën e Tij dhe duke e prekur i tha: “Po, unë dua, shërohu”.

Ne mësojmë këtu se Shpëtimtari ynë dëshiron gjithmonë të na bekojë. Disa bekime mund të vijnë menjëherë, të tjera mund të duan më shumë kohë dhe disa mund të vijnë madje pas kësaj jete, por bekimet do të vijnë në kohën e duhur.

Ashtu si lebrosi, ne mund të gjejmë forcë dhe ngushëllim në këtë jetë duke e pranuar vullnetin e Tij dhe duke e ditur se Ai dëshiron të na bekojë. Ne mund të gjejmë forcën për t’u përballur me çfarëdo sfide, t’i kapërcejmë tundimet dhe t’i kuptojmë e t’i durojmë rrethanat tona të vështira. Sigurisht, në një nga çastet më dërrmuese të jetës së Tij, forca e Shpëtimtarit për të duruar u thellua kur Ai i tha Atit të Tij: “U bëftë vullneti yt”.

Lebrosi nuk e bëri kërkesën e tij në një mënyrë arrogante ose detyruese. Fjalët e tij shpalosin një qëndrim të përulur, me pritshmëri të larta por edhe me një dëshirë të sinqertë që të bëhej vullneti i Shpëtimtarit. Ky është një shembull i qëndrimit me të cilin ne duhet të vijmë te Krishti. Ne mund të vijmë te Krishti me sigurinë se dëshira e Tij aktualisht është dhe do të jetë gjithmonë më e mira për jetën tonë në vdekshmëri dhe në përjetësi. Ai ka një këndvështrim të përjetshëm që ne nuk e kemi. Ne duhet të vijmë te Krishti me një dëshirë të sinqertë, që vullneti ynë të shkrihet në vullnetin e Atit, siç u shkri vullneti i Tij. Kjo gjë do të na përgatitë për jetën e përjetshme.

Është shumë e vështirë të përfytyrojmë vuajtjen fizike dhe emocionale që rëndonte mbi lebrosin, i cili erdhi te Shpëtimtari. Lebra prek nervat dhe lëkurën, duke shkaktuar shpërfytyrim dhe paaftësi. Përveç kësaj, ajo çonte në stigmatizim të madh shoqëror. Dikush i prekur nga lebra duhej të largohej nga njerëzit e dashur dhe të jetonte i veçuar nga shoqëria. Lebrosët konsideroheshin të papastër, si fizikisht edhe shpirtërisht. Për këtë arsye, ligji i Moisiut kërkonte që lebrosët të vishnin rroba të grisura dhe të bërtitnin: “[I] papastër!”, kur kalonin rrugës. Të sëmurë e të përçmuar, lebrosët përfundonin duke jetuar në shtëpi ose varre të braktisura. Nuk është e vështirë të përfytyrosh që lebrosi i cili iu afrua Shpëtimtarit, ishte i rrënuar.

Ndonjëherë – në një mënyrë ose në një tjetër – edhe ne mund të ndihemi të rrënuar, qoftë për shkak të veprimeve tona apo të veprimeve të të tjerëve, për shkak të rrethanave që mund t’i kontrollojmë vetë ose jo. Në çaste të tilla, ne mund ta vëmë vullnetin tonë në duart e Tij.

Disa vite më parë, Zulma – bashkëshortja ime, gjysma ime më e mirë, pjesa më e mirë e imja – mori disa lajme të vështira vetëm dy javë përpara dasmës së njërit prej fëmijëve tanë. Ajo kishte një tumor në njërën nga gjëndrat e pështymës dhe ai po rritej me shpejtësi. Fytyra e saj filloi të ënjtej dhe duhej t’i nënshtrohej menjëherë një operacioni delikat. Mendime të shumta i shkuan në mendje dhe i rënduan në zemër. A ishte tumor malinj? Si do ta merrte veten trupi i saj? A do të mbetej e paralizuar në fytyrë? Sa e madhe do të ishte dhembja? A do të mbetej përherë me shenjë fytyra e saj? A do të shfaqej sërish tumori pasi ta hiqte? A do të ishte në gjendje që të merrte pjesë në dasmën e djalit tonë? Ndërsa ishte shtrirë në sallën e operimit, ajo u ndje e rrënuar.

Pikërisht në atë çast shumë të rëndësishëm, Shpirti i pëshpëriti asaj se duhej ta pranonte vullnetin e Atit. Më pas ajo vendosi ta vinte mirëbesimin e saj te Perëndia. Ajo ndjeu fuqishëm se sido që të ishte rezultati, vullneti i Tij do të ishte më i miri për të. Shpejt ajo ra në gjumë prej narkozës.

Më vonë, ajo shkroi në mënyrë poetike në ditarin e saj: “Në tryezën e operacionit u përkula para Teje dhe, duke iu dorëzuar vullnetit Tënd, rashë në gjumë. E dija se mund të kisha besim tek Ti, duke e ditur se asgjë e keqe nuk mund të vijë prej Teje.”

Ajo gjeti forcë dhe ngushëllim ngaqë ia dorëzoi vullnetin e saj vullnetit të Atit. Atë ditë, Perëndia e bekoi atë pa masë.

Sido që të jenë rrethanat tona, ne mund ta ushtrojmë besimin tonë që të vijmë te Krishti dhe të gjejmë një Perëndi që mund t’i mirëbesojmë. Ashtu si shkroi dikur njëri nga fëmijët e mi, Gabrieli:

Sipas profetit, fytyra e Perëndisë shkëlqen më shumë se dielli

dhe flokët e Tij janë më të bardhë se bora,

dhe zëri i Tij gjëmon si vërshimi i lumit,

dhe krahasuar me Të, njeriu është një hiç. …

Ndihem i dërrmuar kur kuptoj se edhe unë jam një hiç.

Dhe vetëm atëherë çapitem drejt udhës te një Perëndi, të cilit mund t’i mirëbesoj.

Dhe vetëm atëherë e gjej Perëndinë, të cilit mund t’i mirëbesoj.

Një Perëndi të cilit mund t’i mirëbesojmë, e kalit shpresën tonë. Ne mund t’i mirëbesojmë Atij sepse Ai na do dhe dëshiron atë që është më e mirë për ne në çdo rrethanë.

Lebrosi shkoi [te Krishti] për shkak të fuqisë së shpresës. Bota nuk i dha atij zgjidhje dhe madje as ngushëllim. Kështu që, prekja e lehtë e Shpëtimtarit duhet t’i jetë dukur si një përkëdhelje për gjithë shpirtin e tij. Ne vetëm sa mund t’i përfytyrojmë ndjenjat e thella të mirënjohjes që duhet të ketë pasur lebrosi nga prekja e Shpëtimtarit, veçanërisht kur ai dëgjoi fjalët: “Po, unë dua, shërohu”.

Historia pohon se “në atë çast u shërua nga lebra e tij”.

Edhe ne mund ta ndiejmë prekjen e dorës së dashur dhe shëruese të Shpëtimtarit. Çfarë gëzimi, shprese dhe mirënjohjeje i vjen shpirtit tonë nga dijenia se Ai dëshiron të na ndihmojë që të jemi të pastër! Ndërsa vijmë tek Ai, Perëndia do të na vijë në ndihmë, qoftë për të na shëruar apo për të na dhënë forcën që ta përballojmë cilëndo situatë.

Sido që të jetë, pranimi i vullnetit të Tij – jo i vullnetit tonë – do të na ndihmojë që t’i kuptojmë rrethanat tona. Asgjë e keqe nuk mund të vijë nga Perëndia. Ai e di se çfarë është më e mira për ne. Ndoshta Ai nuk do të na i heqë menjëherë barrët tona. Ndonjëherë Ai mund të bëjë që ato barrë tʼi ndiejmë më të lehta, ashtu siç bëri me Almën dhe popullin e tij. Përfundimisht, për shkak të besëlidhjeve, barrët do të na lehtësohen, ose në këtë jetë ose në Ringjalljen e shenjtë.

Një dëshirë e sinqertë që të bëhet vullneti i Tij, bashkë me një kuptueshmëri për natyrën hyjnore të Shëlbuesit tonë, na ndihmon që të zhvillojmë llojin e besimit që tregoi lebrosi me qëllim që të pastrohej. Jezu Krishti është një Perëndi dashurie, një Perëndi shprese, një Perëndi shërimi, një Perëndi që dëshiron të na bekojë dhe të na ndihmojë të jemi të pastër. Kjo është ajo që Ai dëshironte përpara se të vinte në këtë tokë kur Ai doli vullnetar për të na shpëtuar kur biem në shkelje. Kjo është ajo që Ai dëshironte në Gjetseman kur Ai u përball me dhembjen e paperceptueshme njerëzore gjatë agonisë kur pagoi çmimin për mëkatin. Kjo është ajo që Ai dëshiron tani kur lutet në emrin tonë përpara Atit. Kjo është arsyeja pse zëri i Tij jehon ende: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje”.

Ai mund të na shërojë dhe të na lartësojë shpirtërisht sepse Ai e ka aftësinë për ta bërë këtë. Ai mori mbi Vete të gjithë dhembjet e trupit dhe të shpirtit, në mënyrë që zemra e Tij të mbushej me mëshirë që të ishte i aftë të na ndihmojë në të gjitha gjërat dhe të na shërojë e lartësojë shpirtërisht. Fjalët e Isaias, siç u cituan nga Abinadi, e shprehin bukur dhe në mënyrë prekëse:

“Me siguri, ai ka mbajtur brengat tona dhe qe i ngarkuar me dhimbjet tona. …

… Ai u plagos për shkeljet tona, ai u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi i paqes sonë ishte mbi të; dhe me vurratat e tij, ne u shëruam.”

I njëjti koncept na mësohet në këtë poezi:

“O Zdrukthëtar i Nazaretit,

këtë zemër të thyer që shërim s’ka,

këtë jetë të rrënuar në prag të vdekjes,

O, a mund ta rimëkëmbësh, Zdrukthëtar?”

Dhe, me mirësinë e [të gatshmen dorë],

thuret e ëmbla jeta e Tij,

me jetën tonë të rrënuar, derisa bashkë qëndrojnë,

si “gjithë gjërat të reja” – si një Krijim i Ri.

“Brenda zemrës sime, shpirtit të thyer,

dëshirës, ambicjes, shpresës e besimit,

jepu formë deri në përsosje,

Ti, o Zdrukthëtar i Nazaretit!”

Nëse ndieni që në ndonjë mënyrë nuk jeni të pastër, nëse ndiheni të rrënuar, ju lutem dijeni se mund të bëheni të pastër, ju mund të rimëkëmbeni, për shkak se Ai ju do. Mirëbesoni se asgjë e keqe nuk mund të vijë prej Tij.

Për shkak se Ai “zbriti nën gjithçka”, Ai e bën të mundur që të gjitha gjërat që janë të rrënuara në jetën tonë, të rimëkëmben dhe kështu ne të mund të paqtohemi me Perëndinë. Nëpërmjet Tij, të gjitha gjërat bashkohen, si ato që janë mbi dhe ashtu dhe ato që janë në qiejt duke bërë “paqen me anë të gjakut të kryqit të tij”.

Le të vijmë te Krishti duke ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm. Ndërsa e bëjmë këtë, qoftë qëndrimi ynë i tillë që të themi: “O Zot, po të duash, ti mund të më shërosh”. Nëse veprojmë kështu, ne mund të marrim prekjen shëruese të Mësuesit, së bashku me tingullin e ëmbël të zërit të Tij: “Po, unë dua, shërohu”.

Shpëtimtari është një Perëndi të cilit mund t’i mirëbesojmë. Ai është Krishti, i Vajosuri, Mesia për të cilin dëshmoj, në emrin e Tij të shenjtë, madje Jezu Krishtit, amen.