2010–2019
Të Dimë, Të Duam dhe Të Rritemi
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2019


2:3

Të Dimë, Të Duam dhe Të Rritemi

Arritshim të gjithë ta kuptojmë pjesën tonë në këtë punë të madhërishme të dhënies së shërbesës në mënyrë që të bëhemi më shumë si Ai!

Në vitin 2016, The Tabernacle Choir at Temple Square [Kori i Tabernakullit në Sheshin e Tempullit] erdhi për vizitë në Hollandë dhe Belgjikë. Dhe duke qenë se isha i përfshirë në atë ngjarje emocionuese, pata mundësinë ta shijoja dy herë shfaqjen e tyre.

Gongu

Gjatë shfaqjes së tyre po mendoja se çfarë sipërmarrjeje e hatashme ishte ta lëvizje një kor të asaj përmase. Mendja më shkoi te gongu i madh, i cili ishte i vështirë dhe me siguri i kushtueshëm për t’u transportuar në krahasim me violinën, trumbetën ose instrumente të tjera të cilat mund t’i mbash lehtësisht në krah. Por, kur e pashë përfshirjen reale të këtij gongu [në shfaqje], e kuptova se atij i ranë vetëm pak herë, ndërsa instrumentet e tjera më të vogla u përfshinë gjatë pjesës më të madhe të koncertit. Mendova se pa tingullin e gongut shfaqja nuk do të ishte njësoj dhe prandaj duhej bërë përpjekja për ta lëvizur këtë gong të madh deri matanë oqeanit.

Gongu me orkestrën

Nganjëherë mund të ndihemi se jemi si ai gong, të mirë vetëm aq sa për të pasur një pjesë të vogël në shfaqje. Por më lini t’ju them se tingulli juaj përbën të gjithë ndryshimin.

Na nevojiten të gjitha instrumentet. Disa nga ne mësojnë me lehtësi dhe dalin shumë mirë në shkollë, ndërkohë që të tjerët kanë talente artistike. Disa projektojnë dhe ndërtojnë gjëra ose përkujdesen, i mbrojnë ose u japin mësim të tjerëve. Ne të gjithë jemi të nevojshëm për t’i sjellë ngjyra dhe kuptim kësaj bote.

Unë do të doja t’ua drejtoja këtë mesazh atyre që ndiejnë se nuk kanë asgjë për të dhënë ose besojnë se janë të parëndësishëm ose pa ndikim për këdo, të tjerëve, të cilët mund të ndihen sikur kanë kapur majën dhe kujtdo që është në mes të këtyre dy gjendjeve.

Kudo qofshin në shtegun e jetës, disa nga ju mund të ndihen aq të mbingarkuar saqë nuk e marrin fare në konsideratë veten në atë shteg. Dëshiroj t’ju ftoj të dilni nga errësira në dritë. Drita e ungjillit do t’ju japë ngrohtësi dhe shërim e do t’ju ndihmojë ta kuptoni se cilët jeni në të vërtetë dhe cili është qëllimi juaj në jetë.

Disa prej nesh janë endur nëpër shtigje të ndaluara, duke u përpjekur të gjejnë lumturi atje.

Një Atë i dashur Qiellor na fton të ecim në shtegun e dishepullimit dhe të kthehemi tek Ai. Ai na do me dashuri të përsosur.

Cila është mënyra [për ta bërë këtë]? Mënyra është ta ndihmojmë njëri-tjetrin për ta kuptuar se cilët jemi duke i dhënë shërbesë njëri-tjetrit.

Për mua, dhënia e shërbesës është ushtrimi i dashurisë hyjnore. Në atë mënyrë ne krijojmë një mjedis ku edhe dhënësit, edhe marrësit i vjen një dëshirë për t’u penduar. Me fjalë të tjera, ne ndryshojmë drejtim dhe i afrohemi më shumë dhe bëhemi më shumë si Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti.

Për shembull, nuk ka nevojë që vazhdimisht t’i themi bashkëshortit/es ose fëmijëve tanë mënyrën si mund të përmirësohen; ata e dinë atë tashmë. Falë krijimit të këtij mjedisi dashurie, ata do të fuqizohen për të bërë ndryshimet e nevojshme në jetën e tyre dhe për t’u bërë njerëz më të mirë.

Në këtë mënyrë pendimi bëhet një proces i përditshëm përmirësimi që mund të përfshijë ndjesën për sjellje jo të duhura. Më kujtohen dhe ende përjetoj situata ku kam qenë i shpejtë për të gjykuar ose i ngathët për të dëgjuar. Dhe në mbarim të ditës, gjatë lutjes sime vetjake, e ndieja këshillën dashamirëse nga qielli për t’u penduar e për t’u bërë më i mirë. Mjedisi me dashuri i krijuar së pari nga prindërit, vëllai dhe motrat e mia dhe më vonë nga bashkëshortja, fëmijët dhe miqtë e mi, më ka ndihmuar të jem një njeri më i mirë.

Ne të gjithë e dimë se në ç’drejtim mund të bëjmë më mirë. Nuk ka nevojë t’ia kujtojmë herë pas here njëri-tjetrit, por është nevoja ta duam dhe t’i japim shërbesë njëri-tjetrit dhe, duke bërë kështu, të sigurojmë një klimë gatishmërie për të ndryshuar.

Në po këtë mjedis, ne po mësojmë se cilët jemi me të vërtetë dhe cili do të jetë roli ynë në këtë kapitull të fundit të historisë së botës përpara Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit.

Nëse po pyetni veten për pjesën tuaj, do të doja t’ju ftoja të gjenit një vend ku mund të jeni vetëm dhe t’i kërkoni Atit Qiellor që t’jua bëjë të ditur se çfarë pjese të luani. Përgjigjja me gjasë do të vijë gradualisht dhe më pas më qartë kur t’i kemi ngulur këmbët më fort në shtegun e besëlidhjes dhe të dhënies së shërbesës.

Ne po përjetojmë disa nga të njëjtat vështirësi me të cilat u ballafaqua Jozef Smithi kur “ishte në mes të një lufte fjalësh dhe ngatërrese opinionesh”. Sikurse e lexojmë në vetë rrëfimin e tij, ai shpesh tha me vete: “Çfarë duhet të bëhet? Cili nga të gjitha grupet ka të drejtë; ose, a janë që të gjithë së bashku gabim? Në qoftë se ndonjëri prej tyre kishte të drejtë, cili është ai dhe si do ta njoh unë atë?”

Me njohurinë që gjeti te Letra e Jakobit, e cila shpall: “Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim dhe pa qortuar, dhe atij do t’i jepet”, Jozefi arriti në vendosmërinë për të ‘kërk[uar] nga Perëndia’”.

Më tej lexojmë se “ishte hera e parë në jetën e tij që kishte bërë një përpjekje të tillë, sepse në mes të gjithë shqetësimeve të [tij], [ai] kurrë nuk kishte bërë përpjekje për t’u lutur me zë”.

Dhe kështu, për ne mund të jetë hera e parë që i drejtohemi Bërësit tonë në një mënyrë që nuk e kemi bërë kurrë më parë.

Për shkak të përpjekjes së Jozefit, Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, iu shfaqën atij, duke e thirrur në emër dhe si rrjedhojë ne kemi një kuptueshmëri shumë më të qartë për faktin se cilët jemi dhe që kemi vërtet rëndësi.

Më tutje lexojmë se në vitet e brishta të adoleshencës, Jozefi ishte “i përndjekur prej atyre që duhej të kishin qenë miqtë e [tij] dhe t[a] kishin trajtuar me mirësi”. Dhe kështu, ne mund të presim njëfarë kundërshtimi teksa bëjmë një jetë dishepullimi.

Nëse aktualisht ndieni se nuk jeni në gjendje të jeni pjesë e orkestrës dhe shtegu i pendimit ju duket i vështirë, ju lutem, dijeni se nëse ngulmojmë në të, barra do të na hiqet nga supet dhe do të ketë dritë sërish. Ati Qiellor kurrë nuk do të na braktisë kur ne zgjatemi drejt Tij. Mund të rrëzohemi e të ngrihemi dhe Ai do të na ndihmojë ta shkundim pluhurin nga gjunjët.

Disa nga ne janë të plagosur, por kutia e ndihmës së shpejtë e Zotit ka fasha që janë aq të mëdha sa të na i mbulojnë të gjitha plagët.

Kështu është ajo dashuri, ajo dashuri e përsosur, që ne e quajmë edhe “dashuria e pastër e Krishtit”, e cila na nevojitet në shtëpitë tona ku prindërit u japin shërbesë fëmijëve dhe fëmijët prindërve. Nëpërmjet asaj dashurie, zemrat do të na ndryshojnë dhe do të na lindë dëshira për të bërë vullnetin e Tij.

Është ajo dashuri që nevojitet në të gjitha marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin si fëmijë të Atit tonë Qiellor dhe si anëtarë të Kishës së Tij, që do të na mundësojë t’i përfshijmë të gjitha instrumentet muzikore në orkestrat tona, në mënyrë që të jemi në gjendje të interpretojmë me lavdi me koret engjëllore të qiellit kur Shpëtimtari të vijë përsëri.

Është ajo dashuri, ajo dritë që nevojitet të shndrijë e të na ndriçojë çka kemi përreth teksa vazhdojmë jetën tonë të përditshme. Njerëzit do ta vënë re dritën dhe do të tërhiqen prej saj. Ky është lloji i punës misionare që do t’i tërheqë të tjerët që të “vijnë e … të shohin, do vijnë e … të ndihmojnë, dhe … të vijnë e … të qëndrojnë. Ju lutem, kur ta kemi marrë dëshminë tonë rreth kësaj pune të madhërishme dhe pjesën tonë në të, le të gëzohemi së bashku me profetin tonë të dashur,Jozef Smith, i cili shpalli: “Sepse unë kisha parë një vegim; unë e dija atë dhe e dija se Perëndia e dinte atë dhe nuk mund ta mohoja”.

Ju dëshmoj se unë e di se kush jam dhe e di se cilët jeni ju. Ne të gjithë jemi fëmijë të një Ati Qiellor i cili na do. Dhe Ai nuk na dërgoi këtu që të dështojmë, por që të kthehemi me lavdi tek Ai. Arritshim të gjithë ta kuptojmë pjesën tonë në këtë punë të madhërishme të dhënies së shërbesës, që të bëhemi më shumë si Ai, kur Shpëtimtari të vijë përsëri, është lutja ime në emrin e Jezu Krishtit, amen.