Bija të Dashura
Në thelb të gjithçkaje që bëjmë tek Të Rejat, është dëshira jonë për t’ju ndihmuar që të fitoni besim të patundur në Zotin Jezu Krisht.
Motrat e mia të dashura, është gëzim të jem me ju! Ne po dëshmojmë një bollëk zbulese që është sprovues si edhe gjallërues për shpirtin.
Teksa fillojmë, unë do të doja t’ju paraqitja disa mikesha; ato janë të reja të pashoqe prej talenteve, zakoneve dhe rrethanave individuale e familjare. Secila prej tyre, si ju të gjitha, më ka bërë për vete.
Fillimisht, njihuni me Belën. Ajo qëndron e fortë si e vetmja e re në degën e saj në Islandë.
Njihuni me Xhozefinën e përkushtuar nga Afrika, e cila është zotuar sërish që ta studiojë Librin e Mormonit çdo ditë. Ajo po zbulon fuqinë dhe bekimet që vijnë nga ky veprim i thjeshtë, besnik.
Dhe së fundi njihuni me miken time të dashur, Eshtënin, një e re e jashtëzakonshme e cila ndërroi jetë pas një beteje gjashtëvjeçare me kancerin. Dëshmia e saj e fortë për Shlyerjen e Jezu Krishtit ende jehon në zemrën time.
Ju jeni të gjitha të reja të mrekullueshme. Jeni të pashoqe, secila me dhuntitë dhe përvojat e veta, prapëseprapë të ngjashme në një mënyrë të rëndësishme e të përjetshme.
Ju jeni, në mënyrë të mirëfilltë, bijat shpirtërore të Prindërve Qiellorë dhe asgjë nuk mund t’ju veçojë nga dashuria e Tyre dhe nga dashuria e Shpëtimtarit tuaj. Kur i afroheni më shumë Atij, madje duke hedhur drejt Tij hapa fare të vegjël si të foshnjave, ju do të zbuloni paqen jetëgjatë që zë vend brenda shpirtit tuaj si dishepulle besnike e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.
Presidenti Rasëll M. Nelson, profeti ynë shumë i dashur, ka kërkuar që unë të tregoj për disa ndryshime të frymëzuara që do t’ju ndihmojnë ta “zhvillo[ni] potencialin [tuaj] të shenjtë vetjak” dhe ta rritni ndikimin tuaj të drejtë. Sonte do të flas për katër fusha përshtatjeje.
Tema e Të Rejave
Së pari, në thelb të gjithçkaje që bëjmë tek Të Rejat, është dëshira jonë për t’ju ndihmuar që të fitoni besim të patundur në Zotin Jezu Krisht dhe një dituri të sigurt për identitetin tuaj hyjnor si bijë e Perëndisë.
Sonte do të doja të shpallja një rishikim të temës së Të Rejave. Lutem që do ta ndieni Frymën e Shenjtë që t’ju dëshmojë për të vërtetën e këtyre fjalëve teksa e them temën e re:
Unë jam një bijë e dashur e prindërve qiellorë, me një natyrë hyjnore dhe fat të përjetshëm.
Si dishepulle e Jezu Krishtit, unë përpiqem fort të bëhem si Ai. Unë kërkoj dhe veproj sipas zbulesës vetjake dhe u jap shërbesë të tjerëve në emrin e Tij të shenjtë.
Unë do të qëndroj si dëshmitare e Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat, dhe në të gjitha vendet.
Teksa përpiqem fort që të kualifikohem për ekzaltimin, unë e vlerësoj pa masë dhuratën e pendimit dhe përpiqem të përmirësohem çdo ditë. Me besim, unë do ta forcoj shtëpinë dhe familjen time, do të bëj e do të mbaj besëlidhje të shenjta dhe do të marr ordinancat dhe bekimet e tempullit të shenjtë.
Vini re ndryshimin nga “ne” tek “unë”. Këto të vërteta gjejnë zbatim te ju individualisht. Ju jeni një bijë e dashur e Prindërve Qiellorë. Ju jeni një dishepulle që bëni besëlidhje me Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtin. Ju ftoj t’i studioni dhe t’i përsiatni këto fjalë. Unë e di, siç e dini edhe ju, se ju do të fitoni dëshmi për vërtetësinë e tyre. Të kuptuarit e këtyre të vërtetave do ta ndryshojë mënyrën se si përballeni me sfidat. Njohja e identitetit dhe qëllimit tuaj do t’ju ndihmojë ta përputhni vullnetin tuaj me atë të Shpëtimtarit.
Paqja dhe udhërrëfimi do të jenë tuajt nëse e ndiqni Jezu Krishtin.
Klasat e Të Rejave
Fusha e dytë e ndryshimit ndikon mbi klasat e Të Rejave. Plaku Nil A. Maksuell tha: “Mjaft shpesh ajo që ju nevojitet njerëzve kaq shumë, është të mbrohen nga stuhitë e jetës në shenjtëroren ku të gjithë ndihen se përkasin”. Klasat tona duhet të bëhen shenjtërore nga stuhitë, vende të sigurta të dashurisë dhe përkatësisë. Në përpjekje për të ndërtuar unitet më të madh, për të forcuar miqësitë dhe për ta rritur atë ndjenjë të përkatësisë brenda Të Rejave, ne po bëjmë disa përshtatje për strukturën e klasave.
Për më shumë se 100 vjet, të rejat janë ndarë në tri klasa. Duke filluar menjëherë, ne i ftojmë udhëheqëset e Të Rejave dhe peshkopët që të marrin parasysh me lutje nevojat e secilës së re dhe t’i organizojnë ato në përputhje me rrethanat e veçanta të lagjes. Këtu janë disa shembuj se si mund të duket kjo.
-
Nëse keni pak të reja, ju mund të keni një klasë të Të Rejave me të gjitha që mblidhen së bashku.
-
Ndoshta ju keni një grup të madh të të rejave të moshës 12 vjeçe dhe më pas një grup të vogël të të rejave që janë më të mëdha në moshë. Ju mund të vendosni të keni dy klasa: Të Rejat 12 vjeçe dhe Të Rejat 13–18 vjeçe.
-
Ose nëse keni një lagje të madhe me 60 të reja që marrin pjesë, ju mund të keni gjashtë klasa, një për secilën moshë, të organizuar sipas vitit.
Sido që të jenë organizuar klasat tuaja, ju të reja jeni jetike në ndërtimin e unitetit. Jini një dritë për njerëzit përreth jush. Jini burimi i dashurisë dhe kujdesit që shpresoni ta merrni nga të tjerët. Me lutje në zemrën tuaj, vazhdoni të ndihmoni dhe të jini ajo forcë për mirë. Ndërsa bëni kështu, jeta juaj do të mbushet me mirësi. Ju do të keni një ndjenjë më të mirë ndaj të tjerëve dhe do të filloni ta kuptoni mirësinë e tyre.
Emrat e Klasave të Të Rejave
Së treti, me këtë organizim të ri të klasave, të gjitha klasat do të quhen me emrin e përbashkët “Të Reja”. Nuk do t’i përdorim më emrat “Koshere”, “Trëndafile” dhe “Dafina”.
Forcojini Presidencat e Klasave
Fusha e fundit për të cilën dëshiroj të flas, është rëndësia e presidencave të klasave. Pavarësisht se si organizohen klasat e Të Rejave, çdo klasë duhet të ketë një presidencë klase! Është nëpërmjet planit hyjnor që të rejat thirren për të udhëhequr në rininë e tyre.
Roli dhe qëllimi i presidencave të klasave është forcuar dhe është përkufizuar më qartë. Puna e shpëtimit është një nga këto përgjegjësi të rëndësishme, veçanërisht në fushat e dhënies së shërbesës, punës misionare, aktivizimit dhe punës në tempull dhe për historinë familjare. Po, kjo është mënyra se si e mbledhim Izraelin – një punë e lavdishme për të gjitha të rejat si anëtare të batalionit të rinisë së Zotit.
Siç e dini, në çdo nivel të Kishës, Zoti thërret presidenca për të udhëhequr njerëzit e Tij. Të reja, të qenit anëtare e një presidence të klasës mund të jetë mundësia juaj e parë për të marrë pjesë në këtë model të frymëzuar udhëheqjeje. Udhëheqës në moshë madhore, bëjeni përparësi thirrjen e presidencave të klasave dhe më pas udhëhiqni krah për krah me to, duke i këshilluar dhe udhërrëfyer që të mund të kenë sukses. Çfarëdo niveli të përvojës udhëheqëse që e ka një presidencë klase, fillojeni atje ku janë ato dhe ndihmojini të zhvillojnë aftësi dhe vetëbesim që do t’i bekojnë ato si udhëheqëse. Qëndrojuni pranë, por mos e merrni drejtimin. Shpirti do t’ju udhërrëfejë teksa i udhërrëfeni ato.
Për ta ilustruar rolin jetik të prindërve dhe udhëheqësve si këshillues, më lejoni të tregoj një histori. Kloi u thirr të shërbente si presidente klase. Udhëheqësi i saj i urtë i priftërisë e nxiti të kërkonte ndihmën e Zotit për rekomandimin e emrave për vajzat në presidencën e saj. Kloi u lut dhe mori zbulesë vërtet shpejt se kë të rekomandonte si këshilltaret e saj. Teksa vazhdoi të përsiaste dhe të lutej për një sekretare, Shpirti në mënyrë të përsëritur ia tërhoqi vëmendjen te një e re që e befasoi – dikush që rrallë vinte në kishë ose aktivitete.
Ngaqë ndihej pak e pasigurt për nxitjen, Kloi foli me nënën e vet, e cila i shpjegoi se një nga mënyrat se si mund të marrim zbulesë është nëpërmjet mendimeve të përsëritura. Me vetëbesimin të ripërtërirë, Kloi e ndjeu se ajo mund ta rekomandonte këtë të re. Peshkopi e dha thirrjen dhe e reja e pranoi. Pasi u veçua, kjo sekretare e këndshme tha: “E pra, nuk e kam ndier kurrë se kisha një vend apo se isha e nevojshme diku. Nuk e ndieja se bëja pjesë. Por me këtë thirrje, ndiej sikur Ati Qiellor ka një qëllim dhe një vend për mua.” Teksa Kloi dhe nëna e saj u larguan nga mbledhja, Kloi iu kthye nënës dhe tha me lot në sy: “Zbulesa është e vërtetë!” Zbulesa funksionon vërtet!”
Presidenca të klasave, ju jeni thirrur nga Perëndia dhe ju është dhënë mirëbesim që të udhëhiqni një grup të bijave të Tij. “Zoti ju njeh. … Ai ju zgjodhi ju.” Ju jeni veçuar nga dikush që ka autoritetin e priftërisë; kjo do të thotë që teksa kryeni detyrat e thirrjes suaj, ju ushtroni autoritetin e priftërisë. Ju keni një punë të rëndësishme për të bërë. Jini të ndjeshme ndaj nxitjeve të Frymës së Shenjtë dhe veproni sipas tyre. Kur e bëni këtë, ju mund të shërbeni me vetëbesim, sepse ju nuk shërbeni e vetme!
Presidente të klasave, ne kemi nevojë për urtësinë, mendimin dhe energjinë tuaj në këshillin e ri të lagjes për rininë që Plaku Kuentin L. Kuk e shpalli sot. Ju jeni një pjesë thelbësore e zgjidhjes për të plotësuar nevojat e vëllezërve dhe motrave tuaja.
Këto ndryshime në organizimin dhe udhëheqjen e klasave do të fillojnë sapo të jenë gati lagjet dhe degët, por duhet të jenë në funksionim më 1 janar 2020.
Motrat e mia të dashura, jap dëshmi se këto përshtatje për të cilat kam folur sot, janë drejtimi i frymëzuar nga Zoti. Teksa i vëmë në jetë me zell këto përshtatje, kurrë mos e harrofshim qëllimin tonë: të forcojmë vendosmërinë tonë për ta ndjekur Jezu Krishtin dhe t’i ndihmojmë të tjerët që të vijnë tek Ai. Unë dëshmoj se kjo është Kisha e Tij. Sa mirënjohëse jam që Ai na lejon të jemi një pjesë shumë e rëndësishme e veprës së Tij të shenjtë!
Lutem që i njëjti Shpirt që i ka udhërrëfyer këto përshtatje, do t’ju udhërrëfejë teksa shkoni përpara në shtegun e besëlidhjeve. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.