Nderimi i Emrit të Tij
Me identitet dhe përkatësi në besëlidhje, ne thirremi me emrin e Jezu Krishtit.
Ndërkohë që prindërit presin të emocionuar lindjen e një fëmije, ata kanë përgjegjësinë e zgjedhjes së një emri për foshnjën e tyre të porsalindur. Ndoshta kur keni lindur ju, keni marrë një emër që është trashëguar në familjen tuaj për breza me radhë. Ose ndoshta, emri që ju kanë vënë, ishte i famshëm në vitin ose zonën në të cilën u lindët.
Profeti Helaman dhe bashkëshortja e tij iu vunë emra me kuptim foshnjave të tyre djem, Nefit dhe Lehit. Helamani më vonë u tha bijve të tij:
“Unë ju dhashë emrat e prindërve tanë të parë … që kur ju të kujtoni emrat tuaj, të mund të kujtoni ata; dhe kur t’i kujtoni ata, ju mund të kujtoni veprat e tyre … siç është thënë dhe gjithashtu shkruar, që ato qenë të mira.”
“Prandaj, bijtë e mi, unë do të doja që ju të bëni atë që është e mirë.”
Emrat e Nefit dhe Lehit i ndihmuan ata t’i kujtonin veprat e mira të paraardhësve të tyre dhe i nxitën ata të bënin mirë gjithashtu.
Motra, pavarësisht se ku jetojmë, se çfarë gjuhe flasim ose qoftë në jemi 8 apo 108 vjeçe, të gjitha ne kemi të përbashkët një emër të veçantë që ka të njëjtat qëllime.
“Sepse të gjithë [ne] që je[m]i pagëzuar në Krishtin, Krishtin ke[m]i veshur … sepse [ne] je[m]i një në Jezu Krishtin.”
Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, “premt[uam] vullnetin tonë për të marrë mbi vete emrin e Krishtit … me anë të ordinancës së pagëzimit”. Nëpërmjet kësaj besëlidhjeje, ne premtuam që gjithmonë ta kujtojmë Atë, t’i zbatojmë urdhërimet e Tij dhe t’u shërbejmë të tjerëve. Gatishmëria jonë për ta mbajtur këtë besëlidhje ripërtërihet çdo ditë Shabati, kur marrim sakramentin dhe gëzohemi edhe njëherë në bekimin e “ec[jes] në risinë e jetës”.
Emri që na vunë kur lindëm, pasqyron identitetin tonë individual dhe na siguron vendin brenda familjes tokësore. Sidoqoftë, kur ne u “lindëm sërish” në pagëzim, kuptueshmëria jonë për faktin se kush jemi, u zgjerua. “Për shkak të besëlidhjes që keni bërë, ju do të quheni fëmijët e Krishtit, … pasi vini re, … ai ju ka lindur juve shpirtërisht; meqë ju thoni se zemrat tuaja janë ndryshuar nëpërmjet besimit në emrin e tij; prandaj, ju keni lindur prej tij.”
Kështu, me identitet dhe përkatësi në besëlidhje, ne thirremi me emrin e Jezu Krishtit. Dhe “nuk [ka] asnjë emër tjetër të dhënë, as ndonjë mënyrë tjetër nëpërmjet së cilës shpëtimi mund të vijë te fëmijët e njerëzve, vetëm në dhe nëpërmjet emrit të Krishtit, Zotit të Plotfuqishëm”.
Emri i Jezusit dihej kohë përpara lindjes së Tij. Për Mbretin Beniamin, një engjëll profetizoi: “Dhe ai do të quhet Jezu Krisht, Biri i Perëndisë, … dhe nëna e tij do të quhet Maria”. Vepra e Tij e “dashurisë shëlbuese” iu bë gjithashtu e ditur fëmijëve të Perëndisë kudo ku ka qenë ungjilli në tokë, nga koha e Adamit dhe Evës, deri në ditët e sotme, që ata të mund “të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre”.
Vitin e kaluar, Presidenti Rasëll M. Nelson, u drejtoi motrave një “lutje profetike për t’i dhënë formë të ardhmes duke ndihmuar që të mblidhet Izraeli i shpërndarë”. Ai na ftoi që ta lexojmë Librin e Mormonit dhe “ta shenjo[jmë] çdo varg që flet për Shpëtimtarin ose i referohet Atij”. Ai kërkoi që të “j[emi] të qëllimshme për të folur për Krishtin, për t’u gëzuar në Krishtin dhe për të predikuar për Krishtin te familjet dhe miqtë [tanë].” Ndoshta keni filluar t’i dalloni frytet e premtimit të tij se “ju dhe ata do të shkoni më pranë Shpëtimtarit. … Dhe ndryshime, madje mrekulli, do të fillojnë të ndodhin.”
Premtimi ynë që gjithmonë ta kujtojmë Shpëtimtarin, na jep forcë të qëndrojmë për të vërtetën dhe drejtësinë – qofshim në një turmë të madhe apo në vendet tona të veçuara, ku askush nuk na i di veprimet përveçse Perëndisë. Kur e kujtojmë Atë dhe emrin e Tij, të cilin e mbajmë, nuk kemi hapësirë për krahasime vetëdenigruese ose gjykime të ashpra. Me sytë te Shpëtimtari, ne e shohim veten për atë që jemi në të vërtetë – një fëmijë i çmuar i Perëndisë.
Të kujtuarit e besëlidhjeve tona i fashit shqetësimet e botës, e kthen dyshimin te vetja në guxim dhe jep shpresë në kohë sprovash.
Dhe kur pengohemi dhe biem gjatë përparimit tonë nëpër shtegun e besëlidhjes, na duhet vetëm ta kujtojmë emrin e Tij dhe dashamirësinë e Tij kundrejt nesh. “Pasi ai ka gjithë fuqinë, gjithë diturinë dhe gjithë zgjuarsinë; ai kupton të gjitha gjërat dhe është një Qenie e mëshirshme … [për] ata që do të pendohen dhe do të besojnë në emrin e tij.” Sigurisht, nuk ka tingull më të ëmbël sesa emri i Jezusit për të gjithë ata që me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar, kërkojnë të “bëj[n]ë më mirë dhe të je[në] më të mirë”.
Presidenti Nelson dha mësim: “Iku dita kur ju mund të jeni një i krishterë i qetë dhe i rehatuar. Feja juaj nuk nënkupton që vetëm të vini në kishë të dielën. Ajo nënkupton që të vini si një dishepull i vërtetë nga mëngjesi i së dielës deri mbrëmjen e së shtunës. … Nuk ekziston diçka e tillë si dishepull me ‘kohë të pjesshme’ i Zotit Jezu Krisht.”
Gatishmëria jonë për ta marrë mbi vete emrin e Krishtit është më shumë se një këmbim formal fjalësh. Nuk është një premtim pasiv apo një shpikje kulturore. Nuk është një rit për ditë të shënuara ose një etiketë emri që e vëmë në veshje. Nuk është një thënie që e vendosim thjesht në një raft ose e varim në mur. Emri i Tij është një emër që e “ke[m]i veshur”, i shkruar në zemrën tonë dhe i “gdhendur mbi pamjen t[onë]”.
Flijimi shlyes i Shpëtimtarit duhet të kujtohet, gjithmonë, nëpërmjet mendimeve, veprimeve dhe ndërveprimeve tona me të tjerët. Ai jo vetëm që i kujton emrat tanë, por Ai kujtohet për ne gjithmonë. Shpëtimtari shpalli:
“Sepse, a mund të harrojë një grua foshnjën e gjirit, që ajo të mos ketë mëshirë për birin e barkut të saj? Po, ata mund të harrojnë, por unë nuk do të të harroj, O shtëpi e Izraelit.
Vër re, unë të kam gdhendur në pëllëmbët e duarve të mia.”
Presidenti Xhorxh Albert Smith dha mësim: “Nderojini emrat që mbani, sepse një ditë do të keni privilegjin dhe detyrimin t’i raportoni … Atit tuaj në qiell … se çfarë keni bërë me [ata emra].”
Ashtu si emrat e zgjedhur me kujdes të Nefit dhe Lehit, a mund të thuhet dhe të shkruhet për ne se jemi dishepuj të vërtetë të Zotit Jezu Krisht? A e nderojmë emrin e Jezu Krishtit që e kemi marrë me vullnet të lirë mbi vete? A jemi edhe “shërbyes dhe dëshmues” të dashamirësisë së Tij dhe fuqisë së Tij shëlbuese?
Jo shumë kohë më parë, unë po dëgjoja nga Libri i Mormonit. Në kapitullin e fundit te 2 Nefi, unë dëgjova se Nefi thoshte diçka që nuk e kisha lexuar kurrë në të njëjtën mënyrë më parë. Gjatë gjithë analit të tij, ai jep mësim dhe dëshmon për “Shëlbuesin”, “Të Shenjtin e Izraelit”, “Qengjin e Perëndisë” dhe “Mesian”. Por ndërsa e mbyllte rrëfimin e tij, e dëgjova të thoshte këto fjalë: “Unë ngazëllehem në qartësi, unë ngazëllehem në të vërtetën, unë ngazëllehem në Jezusin tim, pasi ai e ka shëlbuar shpirtin tim”. Kur i dëgjova këto fjalë, zemra m’u ngazëllye dhe desha ta dëgjoja shumë herë. E njoha dhe reagova ndaj atij vargu ashtu siç e njoh dhe reagoj ndaj vetë emrit tim.
Zoti ka thënë: “Po, i bekuar qoftë ky popull që ka dëshirë të mbajë emrin tim; pasi me emrin tim ata do të quhen; dhe ata janë të mitë”.
Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, e “m[arrshim] mbi vete me kënaqësi emrin e Krishtit” duke e nderuar emrin e Tij me dashuri, përkushtim dhe vepra të mira. Unë dëshmoj se Ai është “Qengji… [i] Perëndisë, po, madje Biri… [i] Atit të Amshuar”. Në emrin e fëmijës së Tij të shenjtë, Jezu Krishtit, amen.