Gjithnjë Vigjilentë në Lutje (Alma 34:39; Moroni 6:4; Lluka 21:36)
Kërkohet vigjilencë e vazhdueshme për të kundërvepruar ndaj vetëkënaqësisë dhe shkujdesjes.
Lutem me zell për ndihmën e Frymës së Shenjtë për ju dhe për vete teksa gëzohemi dhe adhurojmë së bashku.
Në prill të vitit 1976, Plaku Bojd K. Paker i foli posaçërisht rinisë së Kishës në konferencë të përgjithshme. Në mesazhin e tij klasik me titull “Krokodilët Shpirtërorë”, ai përshkroi mënyrën se si gjatë një detyre në Afrikë vëzhgoi krokodilë të kamufluar mirë duke pritur që të gjuanin viktima që nuk dyshonin. Më pas ai i krahasoi krokodilët me Satanin, i cili gjuan të rinj e të reja të pakujdesshëm duke e kamufluar natyrën vdekjeprurëse të mëkatit.
Isha 23 vjeç kur Plaku Paker e dha atë bisedë, dhe unë e Suzana po prisnim lindjen e fëmijës sonë të parë për punë ditësh. Na bëri përshtypje përmbajtja e mesazhit të tij rreth shmangies së mëkatit dhe mënyra mjeshtërore se si e përdori ai sjelljen e zakonshme të kafshëve për të dhënë një mësim të rëndësishëm shpirtëror.
Suzana dhe unë gjithashtu kemi udhëtuar në Afrikë në shumë detyra. Dhe ne kemi pasur mundësi t’i shohim kafshët e mahnitshme që jetojnë në atë kontinent. Duke kujtuar ndikimin e bisedës së Plakut Paker në jetën tonë, ne jemi munduar të vëzhgojmë dhe mësojmë mësime nga sjellja e jetës së egër afrikane.
Dua të përshkruaj karakteristikat dhe taktikat e dy çitave që unë dhe Suzana i pamë duke gjuajtur prenë e tyre, dhe t’i lidh disa nga gjërat që vëzhguam me të jetuarit e përditshëm të ungjillit të Jezu Krishtit.
Çitat dhe Antilopat
Çitat janë kafshët më të shpejta në tokë dhe arrijnë një shpejtësi vrapimi deri në 120 km/orë. Këto kafshë të bukura mund ta përshpejtojnë hapin nga një pozicion në pritje dhe të fillojnë të vrapojnë me një shpejtësi deri në 109 km/orë në më pak se tre sekonda. Çitat janë kafshë grabitqare që e presin në mënyrë tinëzare prenë e tyre dhe vrapojnë shpejt në një distancë të shkurtër për ta ndjekur e sulmuar atë.
Unë dhe Suzana kaluam pothuajse dy orë duke parë dy çita që i ishin vënë pas një grupi të madh antilopash, llojit të antilopave më të zakonshme dhe të përhapura në Afrikë. Bari i gjatë dhe i thatë i savanës afrikane ishte në ngjyrë kafe të artë dhe pothuajse i fshihte tërësisht kafshët grabitqare ndërsa ndiqnin një grup antilopash. Çitat i ndanin gati 91 metra nga njëra-tjetra, por ato punuan së bashku.
Ndërkohë që njëra prej çitave u ul në këmbët e pasme në bar dhe nuk lëvizte, çita tjetër u ul rrafsh me tokën dhe dalëngadalë u zvarrit më afër antilopave që nuk po dyshonin për asgjë. Më pas çita që ishte ulur në këmbët e pasme, u zhduk në bar pikërisht në të njëjtin çast kur çita tjetër u ul në këmbët e pasme. Ky model këmbimi ku një çitë ulej rrafsh me tokën dhe zvarritej duke shkuar përpara ndërkohë që çita tjetër qëndronte e ulur në këmbët e pasme në bar, vazhdoi për një kohë të gjatë. Mprehtësia pa zhurmë e strategjisë kishte për qëllim t’i shpërqendronte dhe t’i mashtronte antilopat dhe në këtë mënyrë ta largonte vëmendjen e tyre nga rreziku që u kanosej. Me durim dhe ngulm, të dy çitat punuan si një ekip për të siguruar vaktin e tyre të ardhshëm.
Të vendosura mes grupit të madh të antilopave dhe çitave që po afroheshin ishin disa antilopa më të mëdha në moshë dhe më të forta, të cilat qëndronin si roja në një kodrinë termitesh. Pamja e mirë e kullotave nga kodrat e vogla u dha mundësinë këtyre antilopave mbrojtëse që të bënin rojë për shenja rreziku.
Pastaj papritur, ndërsa çitat dukeshin sikur ishin brenda rrezes së goditjes, i gjithë grupi i antilopave u kthye dhe ia mbathi me vrap. Nuk e di nëse apo se si komunikuan antilopat roja me grupin më të madh, por në njëfarë mënyre një paralajmërim u dha, dhe të gjitha antilopat lëvizën drejt një vendi të sigurt.
Dhe çfarë bënë më pas çitat? Pa asnjë vonesë, të dy çitat rifilluan modelin e tyre të këmbimit ku një çitë ulej rrafsh me tokën dhe zvarritej duke shkuar përpara ndërkohë që çita tjetër qëndronte ulur në këmbët e pasme në bar. Modeli i ndjekjes vazhdoi. Ato nuk ndaluan. Ato nuk u çlodhën ose nuk bënë pushim. Ato ishin këmbëngulëse në ndjekjen e strategjisë së tyre të shpërqendrimit e largimit të vëmendjes. Unë dhe Suzana i pamë çitat të zhdukeshin në distancë, duke lëvizur gjithnjë e më afër grupit të antilopave.
Atë natë, unë dhe Suzana bëmë një bisedë të paharruar për ato që kishim vëzhguar e mësuar. Ne e diskutuam këtë përvojë edhe me fëmijët e nipërit tanë, dhe përcaktuam shumë mësime me vlerë. Tani do të përshkruaj tre nga ato mësime.
Mësimi 1 – Ruhuni nga Maskimet Mashtruese të të Ligut
Për mua, çitat janë krijesa elegante, joshëse dhe magjepsëse. Gëzofi ngjyrë kafe në të verdhë dhe gri në të bardhë me njolla të zeza i një çite vepron si një maskim i bukur që i bën këto kafshë thuajse të padukshme, teksa i vihen pas presë së tyre në kullotat afrikane.
Në mënyrë të ngjashme, idetë dhe veprimet e rrezikshme shpirtërore shpesh mund të duken tërheqëse, të dëshirueshme ose të këndshme. Pra, në botën tonë bashkëkohore, secili prej nesh duhet të ruhet nga e keqja mashtruese që hiqet sikur është e mirë. Ashtu siç paralajmëroi Isaia: “Mjerë ata që e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën, që ndërrojnë terrin në dritë dhe dritën në terr, që ndërrojnë hidhësirën në ëmbëlsi dhe ëmbëlsinë në hidhësi!”
Në një periudhë paradoksale kur shkelja e shenjtërisë së jetës njerëzore përshëndetet si një e drejtë dhe kaosi përshkruhet si liri, sa të bekuar jemi që jetojmë në këtë periudhë ungjillore të ditëve të mëvonshme kur drita e ungjillit të rivendosur mund të ndriçojë fort në jetën tonë dhe të na ndihmojë t’i dallojmë mashtrimet dhe shpërqendrimet e errëta të kundërshtarit.
“Sepse ata që janë të urtë dhe e kanë pranuar të vërtetën, dhe kanë marrë Shpirtin e Shenjtë si udhëzuesin e tyre, dhe nuk janë mashtruar – në të vërtetë unë ju them, ata nuk do të priten e nuk do të hidhen në zjarr, por do t’i qëndrojnë ditës.”
Mësimi 2 – Qëndroni Zgjuar dhe Jini Syçelë
Për një antilopë, një çast i shkurtër pakujdesie ose mungesë vëmendjeje mund t’i japë shkas një sulmi të shpejtë nga një çitë. Po kështu, vetëkënaqësia dhe shkujdesja shpirtërore na bëjnë të cenueshëm ndaj përparimeve të kundërshtarit. Moskokëçarja shpirtërore sjell rrezik të madh në jetën tonë.
Nefi e përshkroi mënyrën se si në ditët e mëvonshme Satani do të orvatej t’i paqësonte dhe do t’i përkundte fëmijët e Perëndisë në një ndjesi të rreme “siguri[e] trupore, që ata do të thonë: Gjithçka është mirë në Sion; po, Sioni lulëzon, gjithçka është mirë – dhe kështu djalli gënjen shpirtrat e tyre dhe ai i çon me kujdes poshtë në ferr”.
Kërkohet vigjilencë e vazhdueshme për të kundërvepruar ndaj vetëkënaqësisë dhe shkujdesjes. Të qenit vigjilent është gjendja ose veprimi i bërjes rojë me kujdes për rreziqe apo vështirësi të mundshme. Dhe bërja e rojës me kujdes nënkupton veprimin e qëndrimit zgjuar për të ruajtur e për të mbrojtur. Duke folur nga pikëpamja shpirtërore, ne kemi nevojë të qëndrojmë zgjuar dhe të jemi syçelë ndaj mbresave të Frymës së Shenjtë dhe sinjaleve që vijnë nga rojat e Zotit në kulla.
“Po, dhe unë po ju këshilloj … që të jeni gjithnjë vigjilentë në lutje, që të mos drejtoheni nga tundimet e djallit … pasi vini re, ai nuk ju shpërblen me asgjë të mirë.”
Përqendrimi i jetës sonë në dhe te Shpëtimtari e ungjilli i Tij, na mundëson që ta mposhtim prirjen e njeriut natyror për të qenë shpirtërisht të përgjumur dhe përtacë. Teksa bekohemi me sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar, Fryma e Shenjtë mund ta rritë aftësinë tonë për të vështruar e për të dëgjuar, kur ne zakonisht mund të mendojmë se nuk kemi nevojë të vështrojmë ose të dëgjojmë, apo kur ne mund të mendojmë se asgjë nuk mund të shihet ose të dëgjohet.
Mësimi 3 – Kuptojeni Qëllimin e Armikut
Një çitë është një kafshë grabitqare që për nga natyra gjuan kafshët e tjera. Gjatë gjithë ditës, çdo ditë, një çitë është një kafshë grabitqare.
Satani “është armiku i drejtësisë dhe i atyre që kërkojnë të bëjnë vullnetin e Perëndisë”. Gjatë gjithë ditës, çdo ditë, qëllimi i tij i vetëm dhe synimi i tij i veçantë është që t’i bëjë bijtë dhe bijat e Perëndisë të mjeruar sikurse është ai vetë.
Plani i Atit për lumturinë është hartuar që të sigurojë drejtim për fëmijët e Tij, t’i ndihmojë ata të përjetojnë lumturi të qëndrueshme dhe t’i kthejë të sigurt në shtëpi tek Ai, me trupa të ringjallur e të ekzaltuar. Djalli punon për t’i bërë bijtë dhe bijat e Perëndisë të pështjelluar e të pakënaqur dhe për ta penguar përparimin e tyre të përjetshëm. Kundërshtari punon pa ndërprerje për të sulmuar elementet e planit të Atit që ai urren më shumë.
Satani nuk ka një trup dhe përparimi i tij i përjetshëm ka ndaluar. Ashtu siç ndalet uji që rrjedh në një shtrat lumi nga një digë, kështu përparimi i përjetshëm i kundërshtarit pengohet ngaqë ai nuk ka një trup fizik. Për shkak të rebelimit të tij, Luciferi ia ka mohuar vetes të gjitha bekimet dhe përvojat e vdekshmërisë që bëhen të mundura nëpërmjet një tabernakulli me mish e kocka. Një nga kuptimet e fuqishme të fjalës i mallkuar nga pikëpamja e shkrimeve të shenjta ilustrohet nga paaftësia e tij që të vazhdojë të përparojë dhe të bëhet si Ati ynë Qiellor.
Për shkak se një trup fizik është kaq thelbësor në planin e Atit për lumturinë dhe zhvillimin tonë shpirtëror, Luciferi kërkon ta pengojë përparimin tonë duke na tunduar që t’i përdorim trupat tanë në mënyrë të papërshtatshme. Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim se siguria shpirtërore përfundimisht qëndron në atë që “‘kurrë të mos e ndërmerrni hapin e parë joshës për të shkuar atje ku nuk duhet të shkoni dhe të bëni atë që nuk duhet ta bëni’. … Si qenie njerëzore të gjithë ne kemi orekse [fizike] të domosdoshme për mbijetesën tonë. ‘Këto orekse janë absolutisht thelbësore për vazhdimësinë e jetës. Atëherë, çfarë bën kundërshtari? … Ai na sulmon nëpërmjet orekseve tona. Ai na tundon të hamë gjëra që nuk duhet t’i hamë, të pimë gjëra që nuk duhet t’i pimë dhe të dashurojmë ashtu siç nuk duhet të dashurojmë!’”
Një nga ironitë më të mëdha të përjetësisë është se kundërshtari, i cili është i mjeruar pikërisht ngaqë nuk ka një trup fizik, na fton dhe na josh ta përjetojmë mjerimin e tij nëpërmjet përdorimit të papërshtatshëm të trupave tanë. Vetë mjeti që ai nuk e ka dhe nuk mund ta përdorë, është, pra, objektivi kryesor i orvatjeve të tij për të na tërhequr drejt shkatërrimit fizik dhe shpirtëror.
Të kuptuarit e qëllimit të një armiku është jetik për përgatitjen në mënyrë të efektshme për sulme të mundshme. Pikërisht ngaqë kapiten Moroni e dinte qëllimin e lamanitëve, ai ishte i përgatitur për t’u ndeshur me ta në kohën e ardhjes së tyre dhe doli fitimtar. Dhe i njëjti parim e premtim gjen zbatim për secilin prej nesh.
“Nëse jeni të përgatitur, ju s’do të frikësoheni.
Ftesë, Premtim dhe Dëshmi
Ashtu siç mund të nxirren mësime të rëndësishme duke vëzhguar sjelljen e çitave dhe të antilopave, kështu secili prej nesh duhet të kërkojë mësimet dhe paralajmërimet që gjenden në ngjarjet e thjeshta të jetës së përditshme. Teksa kërkojmë një mendje dhe zemër të hapur për të marrë drejtim qiellor nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, atëherë disa nga udhëzimet më të mëdha që mund të marrim dhe shumë prej paralajmërimeve më të fuqishme që mund të na mbrojnë, do të burojnë nga vetë përvojat tona të zakonshme. Shëmbëlltyrat e fuqishme përfshihen si në shkrimet e shenjta, ashtu edhe në jetën tonë të përditshme.
Kam theksuar vetëm tre nga shumë mësime që mund të përcaktohen në aventurën që patëm unë dhe Suzana në Afrikë. Ju ftoj dhe ju inkurajoj të reflektoni mbi këtë histori me çita e antilopa, dhe të përcaktoni mësime të tjera për ju dhe familjen tuaj. Ju lutem, mbajeni mend gjithmonë se shtëpia juaj është qendra e vërtetë e të mësuarit dhe të jetuarit të ungjillit.
Ndërsa reagoni me besim ndaj kësaj ftese, mendime të frymëzuara do të vijnë në mendjen tuaj, ndjenja shpirtërore do të shtohen në zemrën tuaj, dhe ju do të dalloni veprimet që duhet të ndërmerrni ose të vazhdoni në mënyrë që të mund të “merrni mbi vete gjithë armaturën [e Perëndisë], që të mund të jeni në gjendje t’i bëni ballë ditës së ligë, duke bërë gjithçka, që ju të mund të jeni në gjendje të qëndroni të fortë”.
Unë premtoj se bekimet e përgatitjes me efektshmëri dhe të mbrojtjes shpirtërore do të vërshojnë në jetën tuaj, ndërsa jeni gjithnjë dhe vazhdimisht vigjilentë në lutje.
Dëshmoj se shkuarja përpara në shtegun e besëlidhjeve krijon siguri shpirtërore dhe fton gëzim të qëndrueshëm në jetën tonë. Dhe unë dëshmoj se Shpëtimtari i ringjallur dhe i gjallë do të na përkrahë e forcojë si në kohë të mira, ashtu dhe në kohë të këqija. Për këto të vërteta unë dëshmoj, në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.