2010–2019
Gra në Besëlidhje në Ortakëri me Perëndinë
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2019


2:3

Gra në Besëlidhje në Ortakëri me Perëndinë

Bërja një grua në besëlidhje në ortakëri me Perëndinë është mënyra se si bijat e mrekullueshme dhe të mira të Perëndisë përherë janë kujdesur si nëna, kanë udhëhequr e kanë dhënë shërbesë.

Jam mirënjohës për bekimin që t’ju drejtohem juve, bijave në besëlidhje të Perëndisë. Sonte, qëllimi im është që t’ju inkurajoj në shërbimin e madh për të cilin jeni thirrur. Po, çdo bijë e Perëndisë që po e dëgjon zërin tim, ka marrë një thirrje nga Zoti Jezu Krisht.

Thirrja juaj filloi kur u sollët në vdekshmëri, në një vend dhe kohë që u zgjodh për ju nga një Perëndi që ju njeh në mënyrë të përsosur dhe ju do si bijën e Tij. Në botën e shpirtrave, Ai ju njihte dhe ju mësoi, dhe ju vendosi atje ku ju do të kishit mundësinë, të rrallë në historinë e botës, që tʼju ftonin në një vaskë pagëzimi. Atje, ju do të dëgjonit këto fjalë të thëna nga një shërbëtor i thirrur i Jezu Krishtit: “Duke qenë i autorizuar nga Jezu Krishti, unë të pagëzoj në emër të Atit dhe të Birit, dhe të Frymës së Shenjtë. Amen.”

Kur dolët nga uji, ju kishit pranuar një thirrje tjetër për të shërbyer. Si një bijë e re në besëlidhje me Perëndinë, ju bëtë një premtim dhe morët një detyrë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, në të cilën ju u konfirmuat një anëtare në atë kohë. Ju besëlidhët me Perëndinë që të merrnit mbi vete emrin e Jezu Krishtit, t’i zbatonit urdhërimet e Tij dhe t’i shërbenit Atij.

Për secilin/ën që i bën këto besëlidhje, shërbimi të cilin Zoti e thërret atë të kryejë, do t’i përshtatet atij personi në mënyrë të përsosur. Megjithatë, bijat dhe bijtë në besëlidhje me Perëndinë, të gjithë kanë një thirrje të rëndësishme dhe të gëzueshme. Ajo është që t’u shërbejnë të tjerëve në emër të Tij.

Duke u folur motrave, Presidenti Rasëll M. Nelson dha një përmbledhje të mrekullueshme të thirrjes së Zotit për ju, që të bashkoheni me Të në punën e Tij. Presidenti Nelson e përshkroi thirrjen tuaj në këtë mënyrë: “Zoti tha: ‘Vepra ime dhe lavdia ime [është] të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut.’ (Moisiu 1:39.) Pra, bija dhe dishepullja e Tij e përkushtuar mund të thotë me të vërtetë: ‘Puna ime dhe lavdia ime është t’i ndihmoj njerëzit e mi të dashur ta arrijnë atë synim qiellor’.

Ta ndihmosh një qenie tjetër njerëzore të arrijë potencialin e vet çelestial është pjesë e misionit hyjnor të gruas. Si nënë, mësuese apo shenjtore që edukon, ajo i jep trajtë argjilës njerëzore sipas formës së shpresës së saj. Në ortakëri me Perëndinë, misioni i saj hyjnor është t’i ndihmojë frymët të jetojnë dhe shpirtrat të ekzaltohen. Ky është qëllimi i krijimit të saj. Është fisnikërues, lartësues dhe ekzaltues.”

Ju nuk mund ta dini kur, ose për sa kohë, misioni juaj vetjak do të përqendrohet te shërbimi në thirrje të tilla si nënë, udhëheqëse apo motër shërbestare. Zoti, nga dashuria, nuk na e lë neve zgjedhjen e kohës, kohëzgjatjes ose radhës së detyrave tona. Megjithatë, ju e dini nga shkrimi i shenjtë dhe profetët e gjallë që të gjitha këto detyra do të vijnë, qoftë në këtë jetë apo në tjetrën, për çdo bijë të Perëndisë. Dhe të gjitha ato janë përgatitje për jetën e përjetshme në familje të dashura – “më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë”.

Ju do të jeni të mençura të bëni çdo përpjekje që të përgatiteni tani me synimin përfundimtar në mendje. Kjo punë bëhet më e lehtë ngaqë secila prej këtyre detyrave kërkon gati të njëjtën përgatitje.

Le ta fillojmë me detyrën për të qenë një motër shërbestare. Qoftë nëse e keni atë detyrë si një vajzë 10‑vjeçare në një familje ku babai ka vdekur, ose si presidente e Shoqatës së Ndihmës qyteti i së cilës u prek nga zjarri kohët e fundit, apo kur jeni në një spital duke u shëruar nga një operacion – ju keni një mundësi për ta përmbushur thirrjen tuaj nga Zoti për të qenë bija e Tij shërbestare.

Ato situata duken sikur janë detyra shumë të ndryshme të dhënies së shërbesës. Megjithatë, të gjitha ato kërkojnë përgatitjen e një zemre të fuqishme, të dashur, një besim të patrembur se Zoti nuk jep urdhërim pa përgatitur një udhë, dhe një dëshirë për të shkuar e për të bërë në emër të Tij.

Për shkak se ajo qe e përgatitur, vajza 10‑vjeçare i hodhi krahët rreth nënës së saj të ve dhe u lut që të dinte se si ta ndihmonte familjen e saj. Dhe ajo vazhdon të lutet.

Presidentja e Shoqatës së Ndihmës ishte përgatitur të jepte shërbesë përpara zjarrit të papritur në zonën e saj. Ajo kishte arritur t’i njihte dhe t’i donte njerëzit. Besimi i saj te Jezu Krishti ishte rritur ndër vite ngaqë kishte marrë përgjigje për lutjet e saj që Zoti ta ndihmonte në shërbime të vogla në emër të Tij. Për shkak të përgatitjes së saj të gjatë, ajo ishte e gatshme dhe e etur për t’i organizuar motrat e saj që t’u jepnin shërbesë njerëzve dhe familjeve në pikëllim.

Një motër që po shërohej nga operacioni në një spital, ishte përgatitur që t’u jepte shërbesë pacientëve që ishin si ajo vetë. Ajo kishte kaluar një jetë të tërë duke i dhënë shërbesë në emër të Zotit çdo të huaji sikur ai ose ajo të ishte një fqinj/e dhe një mik/mikeshë. Kur e ndjeu në zemrën e saj thirrjen për të dhënë shërbesë në spital, ajo u shërbeu të tjerëve me aq guxim dhe me një dashuri të tillë sa pacientët e tjerë filluan të shpresonin se ajo nuk do të shërohej shumë shpejt.

Në të njëjtën mënyrë që ju përgatiteni për të dhënë shërbesë, ju mund dhe duhet të përgatiteni për thirrjen tuaj që të jeni një udhëheqëse për Zotin kur ajo të vijë. Kjo do të kërkojë besim te Jezu Krishti, të rrënjosur në dashurinë tuaj të thellë për shkrimet e shenjta, për t’i udhëhequr njerëzit dhe për ta dhënë mësim fjalën e Tij pa frikë. Atëherë ju do të jeni të përgatitura për ta pasur Frymën e Shenjtë si shoqëruesin tuaj të vazhdueshëm. Ju do të jeni të etura që të thoni “Do ta bëj unë”, kur këshilltarja juaj në presidencën e Të Rejave të thotë, me panik në zërin e saj: “Motra Alvarez sot është e sëmurë. Kush do ta zhvillojë orën e saj mësimore?”

Kjo kërkon gati të njëjtën përgatitje për ditën e mrekullueshme kur Zoti ju thërret në një detyrë si nënë. Por do të kërkojë gjithashtu një zemër edhe më të dashur sesa ju nevojitej më parë. Do të kërkojë besim te Jezu Krishti përtej atij që ka qenë ndonjëherë më parë në zemrën tuaj. Dhe do të kërkojë aftësi për t’u lutur për ndikimin, drejtimin dhe ngushëllimin e Frymës së Shenjtë përtej asaj që mund të keni ndier se ishte madje e mundur.

Ju me logjikë mund të pyetni se si mund ta dijë një burrë i çfarëdo moshe se për çfarë kanë nevojë nënat. Kjo është një pyetje e vlefshme. Burrat nuk mund të dinë gjithçka, por ne mund të marrim disa mësime nëpërmjet zbulesës së dhënë nga Perëndia. Dhe ne gjithashtu mund të mësojmë shumë nëpërmjet vëzhgimit, kur shfrytëzojmë rastin që ta kërkojmë Shpirtin për të na ndihmuar të kuptojmë atë që vëzhgojmë.

Unë e kam vëzhguar Kethlin Xhonson Ajringun gjatë të 57 vjetëve që kemi qenë të martuar. Ajo është nëna e katër djemve dhe dy vajzave. Deri më tani, ajo ka pranuar thirrjen për të pasur një ndikim amësor te më shumë se njëqind pjesëtarë të drejtpërdrejtë të familjes dhe qindra të tjerë të cilët i ka birësuar në zemrën e saj prej nëne.

Ju e kujtoni përshkrimin e përsosur të Presidentit Nelson për misionin hyjnor të një gruaje – përfshirë këtu misionin e saj për të treguar kujdes si të nënës: “Si nënë, mësuese ose shenjtore që edukon, ajo i jep trajtë argjilës njerëzore sipas formës së shpresës së saj. Në ortakëri me Perëndinë, misioni i saj hyjnor është t’i ndihmojë frymët të jetojnë dhe shpirtrat të ekzaltohen. Ky është qëllimi i krijimit të saj.”

Nga ajo që di, bashkëshortja ime, Kethlina, e ka zbatuar atë detyrë, që u është dhënë bijave të Atit tonë. Çelësi më duket sikur janë fjalët: “Ajo i jep trajtë argjilës njerëzore sipas formës së shpresës së saj … në ortakëri me Perëndinë”. Ajo nuk i detyroi. Ajo iu dha trajtë. Dhe ajo kishte një model për shpresën e saj dhe sipas atij u përpoq t’iu jepte trajtë atyre që i donte dhe për të cilët u kujdes si nënë. Modeli i saj ishte ungjilli i Jezu Krishtit – siç mund ta shihja përmes vëzhgimit plot lutje përgjatë viteve.

Bërja një grua në besëlidhje në ortakëri me Perëndinë është mënyra se si bijat e mrekullueshme dhe të mira të Perëndisë përherë janë kujdesur si nëna, kanë udhëhequr e kanë dhënë shërbesë, duke shërbyer në çfarëdo mënyre dhe vendi që Ai ka përgatitur për to. Premtoj se ju do të gjeni gëzim në udhëtimin tuaj drejt shtëpisë suaj qiellore ndërsa ktheheni tek Ai si një bijë e Perëndisë që i mban besëlidhjet.

Dëshmoj se Perëndia, Ati, jeton dhe Ai ju do. Ai do t’u përgjigjet lutjeve tuaja. Biri i Tij i Dashur udhëheq, në çdo hollësi, Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Presidenti Rasëll M. Nelson është profeti i Tij i gjallë. Dhe Jozef Smithi i pa dhe foli me Perëndinë, Atin, dhe Jezu Krishtin, në një korije pemësh në Palmira të Nju‑Jorkut. E di se kjo është e vërtetë. Dëshmoj gjithashtu se Jezu Krishti është Shpëtimtari juaj; Ai ju do. Dhe nëpërmjet Shlyerjes së Tij, ju mund të pastroheni e të lartësoheni në thirrjet e larta e të shenjta që do t’ju vijnë. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.