Shenjtëria dhe Plani i Lumturisë
Lumturia më e madhe vjen nga shenjtëria më e madhe vetjake.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jam lutur për fuqinë që t’ju ndihmoj në kërkimin tuaj vetjak për lumturinë. Disa mund të ndihen që tani të lumtur mjaftueshëm, e megjithatë askush nuk do ta refuzojë ofertën për më shumë lumturi. Gjithkush do të ishte i etur të pranonte një ofertë të garantuar për lumturi të pareshtur.
Kjo është ajo që Ati Qiellor; Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti dhe Fryma e Shenjtë i kanë dhënë çdo fëmije shpirtëror të Atit Qiellor që jeton tani, që do të jetojë ose që ka jetuar ndonjëherë në këtë botë. Ajo ofertë ndonjëherë quhet plani i lumturisë. U quajt kështu nga profeti Alma ndërsa ai e mësoi të birin, i cili kishte ngecur në mjerimin e mëkatit. Alma e dinte se ligësia nuk mund të ishte kurrë lumturi për birin e tij – ose për cilindo fëmijë të Atit Qiellor.
Ai e mësoi birin e tij se rritja në shenjtëri ishte i vetmi shteg drejt lumturisë. Ai e bëri të qartë se shenjtëria më e madhe bëhet e mundur nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit që na pastron dhe na përsos. Vetëm nëpërmjet besimit në Jezu Krisht, pendimit të vazhdueshëm dhe mbajtjes së besëlidhjeve, jemi në gjendje ta pretendojmë lumturinë e pareshtur që të gjithë jemi të etur ta përjetojmë dhe ta ruajmë.
Lutja ime për sot është që të mund t’ju ndihmoj ta kuptoni se lumturia më e madhe vjen nga shenjtëria më e madhe vetjake, në mënyrë që të veproni sipas asaj bindjeje. Më pas unë do të tregoj atë që di vetë rreth asaj që mund të bëjmë për t’u kualifikuar për atë dhuratë të bërjes edhe më të shenjtë.
Shkrimet e shenjta na mësojnë se midis gjërave të tjera, ne mund të shenjtërohemi ose të bëhemi më të shenjtë kur ushtrojmë besim në Krisht, e shfaqim bindjen tonë, pendohemi, sakrifikojmë për Të, marrim ordinancat e shenjta dhe i mbajmë besëlidhjet me Të. Procesi i kualifikimit për dhuratën e shenjtërisë kërkon përulësi, butësi dhe durim.
Një përvojë rreth dëshirës për më shumë shenjtëri e pata në Tempullin e Solt-Lejkut. Hyra në tempull për herë të parë pa më thënë shumë se çfarë të prisja. Kisha parë fjalët në ndërtesë: “Shenjtëri Zotit” dhe “Shtëpia e Zotit”. Kisha një ndjesi të madhe padurimi. E megjithatë, e vrava mendjen a isha i përgatitur për të hyrë.
Nëna dhe babai im kaluan përpara meje ndërsa hymë në tempull. Na kërkuan që të tregonim rekomandimet tona, për të vërtetuar denjësinë tonë.
Prindërit e mi e njihnin personin tek tryeza e rekomandimeve. Kështu që u zgjatën një çast në bisedë me të. Unë hyra i vetëm në një hapësirë të madhe ku gjithçka shndriste nga bardhësia. Vështrova tavanin që ishte aq lart sipër meje sa m’u duk si një qiell i hapur. Në atë çast, një mbresë e qartë më erdhi sikur kisha qenë atje më parë.
Por atëherë, dëgjova një zë shumë të butë – nuk ishte zëri im. Fjalët e shprehura butësisht ishin këto: “Ti nuk ke qenë kurrë më parë këtu. Ti po kujton një çast përpara se të lindeshe. Ti ishe në një vend të shenjtë si ky. Ti ndjeve se Shpëtimtari shpejt do të vinte në vendin ku ti qëndrove. Dhe ti ndjeve lumturi për shkak se prisje me padurim që ta shihje Atë.”
Ajo përvojë në Tempullin e Solt-Lejkut zgjati vetëm një çast. Por kujtimi i saj ende më sjell paqe, gëzim dhe lumturi të qetë.
Unë mora shumë mësime atë ditë. Një mësim ishte që Fryma e Shenjtë flet me një zë të vogël e të qetë. Mund ta dëgjoj Atë kur kam paqe shpirtërore në zemrën time. Ai sjell një ndjenjë lumturie dhe sigurie që po bëhem më i shenjtë. Dhe kjo gjithmonë më sjell lumturinë që ndjeva në ato çaste të para në një tempull të Perëndisë.
Ju e keni vërejtur në vetë jetën tuaj dhe jetën e të tjerëve mrekullinë e lumturisë që vjen nga rritja e shenjtërisë, duke u bërë më shumë si Shpëtimtari. Javët e fundit, kam qenë pranë shtratit të njerëzve që mund të përballeshin me vdekjen me besim të plotë te Shpëtimtari dhe me pamje të lumtur.
Një prej tyre ishte një burrë i rrethuar nga familja e tij. Ai dhe bashkëshortja e tij po bisedonin qetësisht ndërsa hymë im bir dhe unë. I njihja prej shumë vitesh. E kisha parë Shlyerjen e Jezu Krishtit që të vepronte në jetën e tyre dhe në jetën e pjesëtarëve të familjes së tyre.
Ata kishin zgjedhur së bashku t’u jepnin fund trajtimeve mjekësore që i zgjatnin jetën atij. Kishte një ndjenjë të qetë ndërsa ai na fliste neve. Ai buzëqeshi ndërsa shprehu mirënjohje për ungjillin dhe ndikimet e tij pastruese tek ai dhe te familja të cilën e donte. Ai foli për vitet e tij të lumtura të shërbimit në tempull. Me kërkesën e këtij burri, im bir ia vajosi kokën me vaj të përkushtuar. Unë ia vulosa vajosjen. Ndërsa po e bëja këtë, pata një mbresë të qartë për t’i thënë se ai së shpejti do ta shihte Shpëtimtarin e tij, ballë për ballë.
I premtova që ai do të ndiente lumturi, dashuri dhe miratimin e Shpëtimtarit. Ai buzëqeshi ngrohtësisht ndërsa u largua. Fjalët e tij të fundit për mua ishin: “Thuaji Kethit që e kam për zemër”. Bashkëshortja ime, Kethlina, prej shumë vitesh kishte nxitur breza në familjen e tij që ta pranonin ftesën e Shpëtimtarit që të vinin tek Ai, të bënin dhe të mbanin besëlidhjet e shenjta dhe në këtë mënyrë të kualifikoheshin për lumturinë që vjen si pasojë e asaj lumturie të shenjtë.
Ai vdiq disa orë më vonë. Pak javë pas varrimit, vejusha e tij na solli një dhuratë bashkëshortes sime dhe mua. Ajo buzëqeshte ndërsa bisedonim. Buzagaz ajo tha: “Prisja që të ndihesha e trishtuar dhe e vetmuar. Ndihem kaq e lumtur. A mendoni se kjo është diçka e mirë?”
Duke e ditur se sa shumë e dashuronte bashkëshortin e saj dhe se si të dy ata arritën ta njihnin, ta donin dhe t’i shërbenin Zotit, i thashë se ndjenjat e saj të lumturisë ishin një dhuratë e premtuar për shkak se, nëpërmjet shërbimit të saj besnik, ajo ishte bërë më e shenjtë. Shenjtëria e saj e kishte kualifikuar për atë lumturi.
Disa nga ju që dëgjoni sot, mund të jeni duke pyetur veten: “Përse unë nuk e ndiej paqen dhe lumturinë e premtuar ndaj atyre që kanë qenë besnikë? Kam qenë besnik gjatë disa fatkeqësive të tmerrshme, por nuk ndiej lumturi.”
Edhe Profeti Jozef Smith u përball me këtë sprovë. Ai u lut për prehje kur u burgos në një burg të Libertisë në Misuri. Ai kishte qenë besnik ndaj Zotit. Ai ishte rritur në shenjtëri. E megjithatë ai ndjeu që lumturia i ishte mohuar.
Zoti i mësoi atij mësimin e durimit që të gjithëve do të na duhet në disa raste dhe ndoshta për periudha të gjata, gjatë provës sonë në vdekshmëri. Këtu kemi mesazhin e Zotit ndaj profetit të Tij besnik që po vuante:
“Në qoftë se ti do të hidhesh në gropë apo në duart e vrasësve dhe vendimi me vdekje jepet mbi ty, në qoftë se do të hidhesh në thellësi, në qoftë se dallgët e trazuara komplotojnë kundër teje, në qoftë se erërat e forta bëhen armiku yt, në qoftë se qiejt mbledhin errësirë dhe gjithë elementet ndërthuren për të penguar rrugën; dhe, mbi të gjitha, në qoftë se edhe grykat e ferrit do ta shqyejnë gojën për ty, dije, biri im, se gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde.
Biri i Njeriut ka zbritur nën këto të gjitha. A je ti më i madh se ai?
Si rrjedhim, qëndro në udhën tënde dhe priftëria do të mbetet me ty; sepse kufijtë e tyre janë caktuar, ata s’mund të kalojnë. Ditët e tua njihen dhe vitet e tua s’do të numërohen më pak; si rrjedhim, mos ki frikë se ç’mund të bëjë njeriu, sepse Perëndia do të jetë me ty përherë e përgjithmonë.”
Ai ishte i njëjti mësim udhëzues që Zoti i dha Jobit, i cili pagoi një çmim të rëndë për ta lejuar Shlyerjen që ta bënte atë më të shenjtë. Ne e dimë se Jobi ishte i shenjtë, sipas fjalëve paraqitëse që kemi për të: “Në vendin e Uzit ishte një njeri i quajtur Job. Ky njeri ishte i ndershëm dhe i drejtë, kishte frikë nga Perëndia dhe i largohej së keqes”.
Më pas Jobi e humbi pasurinë e vet, familjen e vet dhe madje shëndetin e vet. Ju mund të kujtoni që Jobi dyshoi se shenjtëria e tij më madhe, e fituar nëpërmjet fatkeqësive më të mëdha, e kishte kualifikuar atë për lumturi më të madhe. Jobit i dukej sikur shenjtëria e tij i kishte sjellë mjerim.
E megjithatë, Zoti i dha Jobit të njëjtin mësim korrigjues që i dha Jozef Smithit. Ai e la Jobin ta shihte situatën e tij zemërcopëtuese me sy shpirtërorë. Ai tha:
“Mirë, pra, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh.
Ku ishe kur unë hidhja themelet e tokës? Thuaje, në rast se ke aq zgjuarsi.
Kush ka vendosur përmasat e saj, në rast se e di, ose kush ka vënë mbi të litarin për ta matur?
Ku janë vendosur themelet e saj, ose kush ia vuri gurin qoshes,
kur yjet e mëngjesit këndonin të gjithë së bashku dhe tërë bijtë e Perëndisë lëshonin britma gëzimi?”
Pastaj, pasi Jobi u pendua që i thirri Perëndisë padrejtësisht, Jobi u lejua që t’i shihte sprovat e tij në një mënyrë më të lartë dhe më të shenjtë. Ai ishte penduar.
“Atëherë Jobi iu përgjigj Zotit dhe tha:
E pranoj që mund të bësh gjithçka, dhe që asnjë nga planet e tua nuk mund të pengohet.
Kush është ai që, pa pasur gjykim, errëson mendjen tënde? Prandaj thashë gjëra që nuk i kuptoja, gjëra shumë të larta për mua që nuk i njihja.
Dëgjomë, pra, dhe unë do të flas; unë do të të bëj pyetje dhe ti do të më përgjigjesh.
Veshi im kishte dëgjuar të flitej për ty por tani syri im të sheh.
Prandaj ndjej neveri ndaj vetes dhe pendohem mbi pluhurin dhe hirin.”
Pasi Jobi u pendua dhe kështu u bë më i shenjtë, Zoti e bekoi atë përtej gjithçkaje që kishte humbur. Por ndoshta bekimi më i madh për Jobin ishte që qe rritur në shenjtëri nëpërmjet fatkeqësive dhe pendimit. Ai ishte kualifikuar që të kishte lumturi më të madhe gjatë ditëve që kishte ende për të jetuar.
Shenjtëria më e madhe nuk do të vijë thjesht duke e kërkuar atë. Ajo do të vijë duke bërë atë çka është e nevojshme që Perëndia të na ndryshojë.
Presidenti Rasëll M. Nelson, ka dhënë atë që mua më duket këshilla më e mirë mbi mënyrën se si të përparojmë përgjatë shtegut të besëlidhjes drejt shenjtërisë më të madhe. Ai e tregoi rrugën kur këshilloi:
“Përjetojeni fuqinë forcuese të pendimit të përditshëm – të bërjes dhe të të qenit pak më i mirë çdo ditë.
Kur zgjedhim të pendohemi, ne zgjedhim të ndryshojmë! Ne e lejojmë Shpëtimtarin që të na shndërrojë në variantin më të mirë të vetes sonë. Ne zgjedhim të rritemi shpirtërisht dhe të marrim gëzim – gëzimin e shëlbimit tek Ai. Kur zgjedhim të pendohemi, ne zgjedhim të bëhemi më shumë si Jezu Krishti!”
Presidenti Nelson vazhdoi duke na dhënë këtë inkurajim lidhur me përpjekjet tona për t’u bërë më të shenjtë: “Zoti nuk pret përsosuri prej nesh në këtë pikë. … Por Ai vërtet pret që ne të bëhemi gjithnjë e më të pastër. Pendimi i përditshëm është shtegu drejt pastërtisë.”
Presidenti Dallin H. Ouks gjithashtu, në një bisedë më të hershme në konferencë, më ndihmoi ta kuptoja më qartë se si rritemi në shenjtëri dhe si mund ta dimë që jemi duke përparuar drejt saj. Ai tha: “Si e arrijmë ne shpirtshmërinë? Si ta arrijmë atë nivel shenjtërie ku mund të kemi shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë? Si të arrijmë t’i shohim dhe t’i vlerësojmë gjërat e kësaj bote me këndvështrimin e të përjetshmes?”
Përgjigjja e Presidentit Ouks fillon me besim më të madh te Jezu Krishti si Shpëtimtari ynë i dashur. Kjo na shtyn që të kërkojmë falje çdo ditë dhe ta kujtojmë Atë çdo ditë duke i zbatuar urdhërimet e Tij. Ai besim më i madh te Jezu Krishti vjen ndërsa ne ushqehemi çdo ditë me fjalën e Tij.
Himni “Më Shum’ Shenjtëri m’Jep”, sugjeron një mënyrë që të lutemi për ndihmë për t’u bërë më shumë të shenjtë. Autori urtësisht sugjeron se shenjtëria që kërkojmë, është një dhuratë nga një Perëndi i dashur, që jepet me kalimin e kohës, pas gjithçkaje që mund të bëjmë. Strofën e fundit e mbani mend:
Cilatdo qofshin rrethanat tona vetjake, kudo qofshim në shtegun e besëlidhjes drejt shtëpisë, marrshin përgjigje lutjet tona për më shumë shenjtëri! Unë e di se teksa ajo që kërkojmë na jepet, lumturia jonë do të rritet. Mund të vijë me ngadalë, por do të vijë. Unë e kam atë sigurim nga një Atë i dashur Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti.
Unë dëshmoj se Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë, se Presidenti Rasëll M. Nelson është profeti ynë i gjallë sot. Perëndia Ati jeton dhe na do. Ai dëshiron që ne të kthehemi në shtëpi tek Ai si familje. Shpëtimtari ynë i dashur na fton që ta ndjekim Atë gjatë udhëtimit tonë për atje. Ata e kanë përgatitur udhën. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.