2010–2019
Jini Besimplotë, Jo Besimpakë
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2019


2:3

Jini Besimplotë, Jo Besimpakë

Ne duhet të gjejmë kohë qëllimisht çdo ditë për t’u shkëputur nga bota dhe për t’u lidhur me qiellin.

Jo shumë kohë më parë u zgjova dhe u bëra gati për të studiuar shkrimet e shenjta. Mora telefonin inteligjent dhe u ula në një karrige pranë shtratit, me qëllim që të hapja programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. E shkyça telefonin dhe isha gati të filloja të studioja kur pashë një duzinë lajmërimesh për mesazhet në celular dhe postën elektronike që kishin ardhur gjatë natës. Mendova: “Do t’i kontrolloj shpejt ato mesazhe dhe më pas do t’u kthehem shkrimeve të shenjta.” Epo, dy orë më vonë unë isha ende duke lexuar mesazhet në celular, postën elektronike, përmbledhjet e lajmeve dhe materialet që publikohen në mediat shoqërore. Kur e kuptova se sa ishte ora, nxitova si i marrë të bëhesha gati për ditën. Atë mëngjes e humba studimin tim të shkrimeve të shenjta dhe, për pasojë, nuk e mora ushqimin shpirtëror për të cilin shpresoja.

Ushqimi Shpirtëror

Jam i sigurt se shumë nga ju kanë pasur përvoja të ngjashme. Teknologjia bashkëkohore na bekon në shumë mënyra. Ajo mund të na lidhë me miqtë e familjen, me informacionin dhe me lajmet rreth ngjarjeve të tanishme kudo në botë. Megjithatë, ajo mund të na shpërqendrojë gjithashtu nga lidhja më e rëndësishme: lidhja jonë me qiellin.

Po e përsëris atë që profeti ynë, Presidenti Rasëll M. Nelson, ka thënë: “Ne jetojmë në një botë që është e ndërlikuar dhe gjithnjë e më shumë kundërshtuese. [Prania e vazhdueshme] e mediave shoqërore dhe cikli 24-orësh i lajmeve na bombardojnë me mesazhe të pamëshirshme. Nëse duam të kemi ndonjë shpresë për ta shoshitur morinë e zërave dhe filozofive të njerëzve që e sulmojnë të vërtetën, ne duhet të mësojmë të marrim zbulesë.”

Presidenti Nelson vazhdoi duke paralajmëruar se “në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë”.

Vite më parë, Presidenti Bojd K. Paker tregoi për një tufë drerësh që, për shkak të dëborës së madhe, u bllokuan jashtë vendbanimit të tyre natyror dhe rrezikonin të ngordhnin urie. Disa njerëz nisur nga dëshira e mirë, në një përpjekje për t’i shpëtuar drerët, hodhën ngarkesa me kashtë përreth zonës – nuk ishte ajo që drerët zakonisht hanë, por ata shpresonin se të paktën do t’i ndihmonte drerët të kalonin dimrin. Fatkeqësisht, shumica e drerëve më vonë u gjendën të ngordhur. Ata e kishin ngrënë kashtën, por ajo nuk i kishte ushqyer ata, dhe ata ngordhën urie me stomakun plot.

Shumë prej mesazheve që na bombardojnë në epokën e informacionit janë e barasvlershmja shpirtërore e ushqyerjes së drerëve me kashtë – ne mund ta hamë atë gjatë gjithë ditës, por nuk do të na ushqejë.

Ku e gjejmë ne ushqimin e vërtetë shpirtëror? Shumicën e kohës, ai nuk është i përhapur në mediat shoqërore. Ne e gjejmë atë kur “shty[jmë] gjithnjë e më përpara” në shtegun e besëlidhjeve, “duke u mbajtur vazhdimisht me vendosmëri te shufra e hekurit” dhe marrim frutën e pemës së jetës. Kjo do të thotë që ne duhet të gjejmë kohë qëllimisht çdo ditë për t’u shkëputur nga bota dhe për t’u lidhur me qiellin.

Në ëndrrën e tij, Lehi pa njerëz të cilët morën nga fruta, por më pas e braktisën për shkak të ndikimit të ndërtesës së gjerë dhe të madhe, krenarisë së botës. Është e mundur që të rinjtë të rriten në një shtëpi shenjtore të ditëve të mëvonshme, të marrin pjesë në të gjitha mbledhjet dhe klasat e duhura të Kishës, madje të marrin pjesë në ordinancat në tempull, dhe më pas të ecin tutje “në shtigje të ndaluara dhe [të] humb[in]”. Përse ndodh kjo? Në shumë raste ndodh sepse, megjithëse mund të kenë bërë gjëra që duken shpirtërore, ata nuk qenë vërtet të kthyer në besim. Ata hëngrën, por nuk u ushqyen.

Veprimtari për rininë

Në dallim, kam takuar shumë prej jush, të rinj e të reja shenjtorë të ditëve të mëvonshme, të cilët janë të fortë, inteligjentë dhe besimplotë. Ju e dini se jeni bij dhe bija të Perëndisë dhe se Ai ka një punë që duhet bërë nga ju. Ju e doni Perëndinë me gjithë “zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën” tuaj. Ju i mbani besëlidhjet tuaja dhe u shërbeni të tjerëve, duke filluar nga shtëpia. Ju ushtroni besim, pendoheni e përmirësoheni çdo ditë, dhe kjo ju sjell gëzim të qëndrueshëm. Ju po përgatiteni për bekimet e tempullit dhe mundësi të tjera që ju do të keni si pasues të vërtetë të Shpëtimtarit. Dhe ju po ndihmoni që ta përgatitni botën për Ardhjen e Dytë, duke i ftuar të gjithë që të vijnë te Krishti dhe të marrin bekimet e Shlyerjes së Tij. Ju jeni të lidhur me qiellin.

Udhëtim për në tempull i të rinjve dhe të rejave

Po, ju ndesheni me sfida. Po kështu ndodh me çdo brez. Këto janë ditët tona dhe ne kemi nevojë të jemi besimplotë, jo besimpakë. Dëshmoj se Zoti është në dijeni të sfidave tona dhe përmes udhëheqjes së Presidentit Nelson, Ai po na përgatit që të përballemi me to. Besoj se thirrja e kohëve të fundit të profetit për një kishë të përqendruar te shtëpia, të përkrahur nga ajo që bëjmë në ndërtesat tona, ka për qëllim të na ndihmojë të mbijetojmë – madje të lulëzojmë – në këtë kohë kequshqyerjeje shpirtërore.

Të Përqendruar te Shtëpia

Çfarë do të thotë të jesh një kishë e përqendruar te shtëpia? Shtëpitë mund të duken shumë të ndryshme anembanë botës. Ju mund t’i përkisni një familjeje që ka qenë në Kishë për shumë breza. Ose, ju mund të jeni i vetmi anëtar i Kishës në familjen tuaj. Ju mund të jeni i martuar apo beqar, me ose pa fëmijë në shtëpi.

Pavarësisht nga rrethanat tuaja, ju mund ta bëni shtëpinë tuaj qendrën e të mësuarit dhe të jetuarit të ungjillit. Kjo thjesht do të thotë të merrni përsipër përgjegjësi vetjake për kthimin tuaj në besim dhe rritjen tuaj shpirtërore. Do të thotë të ndiqni këshillën e Presidentit Nelson për “ta shndërr[uar] shtëpinë [tuaj] në një shenjtërore besimi”.

Kundërshtari do të përpiqet t’ju bindë se ushqyerja shpirtërore nuk është e nevojshme ose, me dredhi, se ajo mund të presë. Ai është mjeshtri i shpërqendrimit dhe autori i zvarritjes së gjërave. Ai do të sjellë në vëmendjen tuaj gjëra të tjera që duken të ngutshme, por që, në të vërtetë, nuk janë aq të rëndësishme. Ai do që ju të “kujdese[ni] për [kaq] shumë gjëra” sa të lini pas dore “[atë] gjë [që] është e nevojshme”.

Sa mirënjohës jam për “prindër[it e mi] të mirë”, të cilët e rritën familjen e tyre në një shtëpi me ushqim të vazhdueshëm shpirtëror, marrëdhënie plot dashuri dhe veprimtari të shëndetshme argëtuese. Mësimet që më dhanë në rininë time dolën se ishin të dobishme. Prindër, ju lutemi ndërtoni marrëdhënie të forta me fëmijët tuaj. Ata kanë nevojë për më shumë nga koha juaj, jo për më pak.

Të Përkrahur nga Kisha

Ndërsa e bëni këtë, Kisha është këtu për t’ju përkrahur. Përvojat tona në kishë mund ta forcojnë ushqimin shpirtëror që merret në shtëpi. Deri tani këtë vit, ne e kemi parë këtë lloj përkrahjeje të Kishës në Shkollën e së Dielës dhe Fillore. Ne do ta shohim atë më shumë edhe në mbledhjet e Priftërisë Aarone dhe të Të Rejave. Duke filluar nga ky janar, programi mësimor për këto mbledhje, do të përshtatet paksa. Ai ende do të përqendrohet tek tema të ungjillit, por ato tema do të përputhen me manualin Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Ky është një ndryshim i vogël, por mund të ketë një ndikim të madh tek ushqyerja shpirtërore e të rinjve dhe të rejave.

Ç’lloje të tjera përkrahjesh siguron Kisha? Në Kishë ne marrim sakramentin, i cili na ndihmon ta ripërtërijmë zotimin tonë ndaj Shpëtimtarit çdo javë. Dhe në Kishë ne mblidhemi me besimtarë të tjerë që kanë bërë të njëjtat besëlidhje. Marrëdhëniet plot dashuri që zhvillojmë me bashkëdishepujt e Jezu Krishtit mund të jenë një përkrahje e fuqishme për vetë dishepullimin tonë të përqendruar në shtëpi.

Kur isha 14 vjeç, familja ime u shpërngul në një lagje të re. Tani, kjo mund të mos duket si një tragjedi e tmerrshme për ju, por në mendjen time, në atë kohë, ishte shkatërrimtare. Do të thoshte të rrethohesha nga njerëz që nuk i njihja. Do të thoshte që të gjithë të rinjtë e tjerë në lagjen time [në kishë] do të frekuentonin një shkollë tjetër dhe jo timen. Dhe me mendjen time 14‑vjeçare, mendova: “Si mund ta ma bëjnë këtë prindërit e mi?” Ndihesha sikur jeta ime ishte shkatërruar.

Sidoqoftë, nëpërmjet veprimtarive tona të Të Rinjve, unë munda të krijoj marrëdhënie me anëtarët e tjerë të kuorumit tim, dhe ata u bënë miqtë e mi. Për më tepër, anëtarët e peshkopatës dhe këshilltarët në Priftërinë Aarone filluan të kishin një interesim të veçantë për jetën time. Ata merrnin pjesë në ngjarjet e mia sportive. Ata më shkruanin shënime inkurajuese që i kam ruajtur edhe sot e kësaj dite. Ata vazhduan të mbanin lidhje me mua pasi shkova në kolegj dhe kur u largova për në mision. Njëri prej tyre ishte madje në aeroport kur u ktheva në shtëpi. Do të jem përgjithmonë mirënjohës për këta vëllezër të mirë dhe që e ndërthurën dashurinë e tyre me pritshmëri të larta. Ata më udhëhoqën drejt qiellit dhe jeta u bë e shndritshme, e lumtur dhe e gëzueshme.

Në ç’mënyrë ne, si udhëheqës dhe prindër, i ndihmojmë të rinjtë e të rejat të dinë se nuk janë vetëm ndërsa ecin në shtegun e besëlidhjeve? Përveç ndërtimit të marrëdhënieve vetjake, ne i ftojmë ata në mbledhje të mëdha e të vogla – nga konferencat Për Forcën e Rinisë dhe kampet rinore deri te veprimtaritë e përjavshme të kuorumit ose të klasës. Asnjëherë mos e nënvlerësoni forcën që vjen nga qëndrimi së bashku me të tjerët që gjithashtu po përpiqen të jenë të fortë. Peshkopë dhe udhëheqës të tjerë, ju lutemi përqendrohuni tek ushqyerja e fëmijëve dhe e të rinjve dhe të rejave në lagjen tuaj. Ata kanë nevojë për më shumë nga koha juaj, jo për më pak.

Nëse jeni një udhëheqës, një fqinj, një anëtar i kuorumit apo thjesht një bashkëshenjtor, nëse keni mundësinë për të prekur jetën e një të riu ose të reje, ndihmojeni atë të lidhet me qiellin. Ndikimi juaj mund të jetë pikërisht “përkrahja nga Kisha” për të cilën ka nevojë i riu ose e reja.

Vëllezër dhe motra, dëshmoj se Jezu Krishti është në krye të kësaj Kishe. Ai po i frymëzon udhëheqësit tanë dhe po na udhërrëfen drejt ushqimit shpirtëror që na nevojitet për të mbijetuar dhe për t’u gëzuar në ditët e mëvonshme. Ai ushqim shpirtëror do të na ndihmojë të jemi besimplotë dhe jo besimpakë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.