“28 Mars – 3 Prill. Eksodi 7–13: ‘Mbajeni Mend Këtë Ditë, Gjatë së Cilës Dolët nga Egjipti’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“28 Mars – 3 Prill. Eksodi 7–13”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
28 Mars – 3 Prill
Eksodi 7–13
“Mbajeni Mend Këtë Ditë, Gjatë së Cilës Dolët nga Egjipti”
Aftësia juaj për t’u udhërrëfyer nga Shpirti në mësimdhënien tuaj do të përmirësohet shumë kur përjetoni vetë përvojën tuaj shpirtërore kur studioni kapitujt tek Eksodi 7–13.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Mendoni për një ose dy pyetje që do t’i nxitin anëtarët e klasës të tregojnë ide dhe përvoja që i patën teksa studiuan kapitujt tek Eksodi 7–13 individualisht dhe me familjet e tyre. Për shembull, ju mund të pyetni: “Çfarë lexuat këtë javë që e forcoi besimin tuaj te Jezu Krishti?” ose “Çfarë lexuat që ishte një bekim për familjen tuaj?”
Jepeni Mësim Doktrinën
Ne mund të zgjedhim që t’i zbutim zemrat tona.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të mendojnë rreth gatishmërisë së tyre për t’ia dorëzuar zemrat e tyre Perëndisë, ju mund t’i kërkoni secilit të lexojë njërin nga fragmentet vijuese të shkrimeve të shenjta: Eksodi 7:14–25; 8:5–15; 8:16–19; 8:20–32; 9:1–7; 9:8–12; 9:22–26; 10:12–15; 10:21–29; 12:29–33. Më pas ata mund të shkruajnë në tabelë fjalë ose fraza që përshkruajnë se si Faraoni iu përgjigj dhjetë plagëve që Perëndia ua dërgoi egjiptianëve. (Mund të doni të vini në dukje se rishikimet në Përkthimin prej Joseph Smith‑it tregojnë se Faraoni e ngurtësoi vetë zemrën e tij.) Përse Faraoni mund të jetë përgjigjur në mënyrën që u përgjigj? Përse është nganjëherë e vështirë t’ia dorëzojmë Perëndisë zemrën dhe vullnetin tonë? Si na ndihmojnë Ati Qiellor dhe Jezu Krishti që t’i kapërcejmë këto vështirësi?
-
Duke sjellë në klasë një send të ngurtë dhe një send të butë, ju mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës të kuptojnë atë që do të thotë të kesh një zemër të ngurtë ose të butë. Ju mund t’i kaloni të dy sendet nëpër klasë, ndërkohë që dikush lexon një nga përshkrimet për zemrën e Faraonit që gjenden tek Eksodi 7–10 (të tillë si Eksodi 9:22–35). Përse fjala “e ngurtë” është një përshkrim i mirë për zemrën e Faraonit? Çfarë na mësojnë këto vargje rreth asaj se çfarë do të thotë të kesh një zemër të butë? (Nëse ndihmon, anëtarët e klasës mund të kërkojnë ide në një ose më shumë nga këto shkrime të shenjta: 1 Nefi 2:16; Mosia 3:19; Alma 24:7–8; 62:41; Ethëri 12:27.) Si na ndihmon Shpëtimtari që ta zbutim zemrën tonë? Materiali filmik “A Change of Heart” [“Një Ndryshim i Zemrës”] (ChurchofJesusChrist.org) mund ta shtojë të kuptuarit e tyre.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të mendojnë rreth arsyes përse Zoti ia dërgoi plagët Egjiptit, ju mund ta ftoni çdo anëtar të klasës të zgjedhë një referencë nga lista vijuese dhe të gjejë arsyet e mundshme: Eksodi 3:20; 7:5, 17; 9:14–16; 10:1–2. Ju gjithashtu mund t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë se si kanë mësuar që “nuk ka asnjë të ngjashëm me [Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin] në gjithë dheun” (Eksodi 9:14).
Pashka judease dhe sakramenti na mësojnë rreth çlirimit nëpërmjet Jezu Krishtit.
-
Kremtimi i festës së Pashkës judease i ndihmoi fëmijët e Izraelit të kujtonin se Zoti i kishte çliruar nga robëria. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të kuptojnë simbolikën e Pashkës judease, ju mund të krijoni dy kolona në tabelë të emërtuara Simboli dhe Kuptimi i Mundshëm, me një figurë të Jezu Krishtit mbi kolonat. Anëtarët e klasës mund të studiojnë vargjet tek Eksodi 12:1–13 dhe të shkruajnë në tabelë diçka nga këto vargje që mund të simbolizojnë çlirimin tonë nëpërmjet Jezu Krishtit. Më pas mund të diskutoni se çfarë na mësojnë këto simbole rreth Shlyerjes së Shpëtimtarit (shih tabelën në pjesën “Burime Shtesë” për disa ide). Materiali filmik “The Passover” [“Pashka Judease”] (ChurchofJesusChrist.org) mund t’i ndihmojë të përfytyrojnë atë që lexuan tek Eksodi 12.
-
Për disa njerëz, sakramenti nuk është gjithmonë aq shpirtëror sa mund të jetë. Merreni parasysh se si një diskutim i kapitullit Eksodi 12 mund t’i ndihmojë të gjithë anëtarët e klasës të gjejnë kuptim më të thellë për sakramentin. Për shembull, pasi anëtarët e klasës ta shqyrtojnë kapitullin tek Eksodi 12, ju mund t’i ftoni të tregojnë atë që mund të kenë thënë izraelitët që nga ajo periudhë kohore, në qoftë se një bir ose bijë do t’i pyeste se çfarë kuptimi kishte për ta Pashka judease. Anëtarët e klasës më pas mund të diskutojnë atë që mund të thonë nëse dikush do t’i pyeste se çfarë domethënie ka sakramenti për ta, përfshirë ndonjë ide që e marrin nga Pashka judease. Ju mund t’u jepni kohë anëtarëve të klasës për të përsiatur atë që mund të bëjnë për ta kujtuar Shpëtimtarin çdo ditë. Materiali filmik “Always Remember Him” [“Gjithmonë Kujtojeni Atë”] (ChurchofJesusChrist.org) mund t’i ndihmojë.
5:28
Burime Shtesë
Pashka judease na mëson për Shpëtimtarin.
Simboli |
Kuptimi i Mundshëm |
---|---|
Simboli Qengji (Eksodi 12:3–5) | Kuptimi i Mundshëm Jezu Krishti |
Simboli Gjaku mbi arkitrarët (Eksodi 12:7) | Kuptimi i Mundshëm Gjaku shlyes i Jezu Krishtit, që na shpëton |
Simboli Ngrënia e qengjit (Eksodi 12:8) | Kuptimi i Mundshëm Bërja e Shpëtimtarit pjesë e jetës sonë |
Simboli Barishtet e hidhura (Eksodi 12:8) | Kuptimi i Mundshëm Hidhësia e robërisë (mëkatit) |