“9–15 Maj. Numrat 11–14; 20–24; ‘Mos Ngrini Krye Kundër Zotit dhe Mos Kini Frikë’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“9–15 Maj. Numrat 11–14; 20–24”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
9–15 Maj
Numrat 11–14; 20–24
“Mos Ngrini Krye Kundër Zotit dhe Mos Kini Frikë”
Një nga mënyrat më të mira për të ditur se ku të përqendroheni gjatë orës mësimore, është t’u kërkoni anëtarëve të klasës atë që e gjetën kuptimplotë teksa studiuan shkrimet e shenjta. Kjo do të zbulojë atë që është e rëndësishme për ta dhe atë që janë gati të mësojnë.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Nganjëherë gjithçka që duhet për t’i nxitur anëtarët e klasës të shprehin ide nga studimi i tyre, është që të bëni një pyetje të thjeshtë si: “Çfarë ju mësoi Fryma e Shenjtë teksa i lexuat shkrimet e shenjta këtë javë?” Më pas jepuni kohë për të përsiatur dhe për të dhënë përgjigje.
Jepeni Mësim Doktrinën
Të folurit kundër profetit të Zotit e fyen Zotin.
-
Leximi i kapitullit Numrat 12 mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës ta kuptojnë se sa gjë e rëndë është të folurit kundër profetit të Zotit. Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës që ta lexojnë këtë kapitull dhe të flasin për mënyrën se si ndihet Zoti rreth shërbëtorëve të Tij. Bazuar te vargjet 1–2, çfarë mendoni se do të thotë të flisni kundër profetit të Zotit? Cilat janë rreziqet e bërjes së kësaj gjëje? Çfarë mund të mësojmë nga veprimet e Moisiut dhe të izraelitëve në vargjet 13 dhe 15?
“Moisiu ishte një njeri shumë zemërbutë.”
-
Disa njerëz mund të habiten që të lexojnë se një udhëheqës aq i fuqishëm sa Moisiu, i cili qëndroi përpara faraonit dhe kreu mrekulli mahnitëse me fuqinë e Zotit, ishte gjithashtu “shumë zemërbutë”. Ju mund të përdorni Numrat 12:3 që të filloni një diskutim se çfarë është zemërbutësia e vërtetë. Ju mund t’i referoheni përkufizimit te “Zemërbutë, Zemërbutësi” në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Si klasë, ju gjithashtu mund të kërkoni tregues të zemërbutësisë së Moisiut te Numrat 12.
-
Nga cilat prova të tjera të zemërbutësisë së Moisiut mund të mësojmë? (Shih, për shembull, Eksodi 18:13–25; Numrat 11:26–29; Hebrenjve 11:24–27; Moisiu 1:10–11). Ju gjithashtu mund të lexoni dhe diskutoni se si shfaqi zemërbutësi Shpëtimtari (shih Mateu 11:29; 27:11–14; Lluka 22:41–42; Gjoni 13:4–5). Çfarë na mësojnë rreth zemërbutësisë shembujt e Moisiut dhe Shpëtimtarit – ose të njerëzve që i njohim? Përse Perëndia do që ne të jemi zemërbutë?
Me besim te Zoti, ne mund të kemi shpresë për të ardhmen.
-
Teksa diskutoni historinë rreth 12 izraelitëve kur eksploruan tokën e premtuar dhe dhanë raportin e tyre, merreni parasysh t’i pyetni anëtarët e klasës se në ç’mënyrë e ndiejnë që kjo histori mund të gjejë zbatim në situatat me të cilat përballen. Që të ndihmoni, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të renditin gjëra nga Numrat 13:23–33 që mund të krahasohen me diçka në jetën e tyre. Për shembull, toka e premtuar mund të përfaqësojë diçka që Zoti dëshiron që ne ta përmbushim, vilet e rrushit mund të jenë bekimet, gjigantët mund të jenë sfidat që do të hasim, e kështu me radhë. Nxitini anëtarët e klasës që të shprehin çfarë ndiejnë se Zoti mund të donte të mësonin nga kjo histori.
Në qoftë se shikojmë te Jezu Krishti me besim, Ai mund të na shërojë shpirtërisht.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të diskutojnë rrëfimin te Numrat 21:4–9 dhe ta ngrenë besimin e tyre te Shpëtimtari, ju mund të shkruani pyetje si këto në tabelë: Çfarë përfaqëson gjarpri prej bronzi? Çfarë mund të përfaqësojnë kafshimet e gjarpërinjve? Përse disa njerëz refuzuan të shikonin te gjarpri prej bronzi? Si mund “ta shikojmë” ne atë sot? Anëtarët e klasës mund të tregojnë përgjigjet që i gjejnë ndërsa lexojnë te Numrat 21:4–9; 1 Nefi 17:40–41; Alma 33:18–22; dhe Helamani 8:13–15. Cilat janë disa prej gjërave të vogla që Shpëtimtari na fton të bëjmë për ta marrë shërimin e Tij? Përse është nganjëherë e vështirë që të bëjmë gjëra të tilla të thjeshta? (Shihni te pjesa “Burime Shtesë” për disa mendime mbi këtë gjë). Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë se si bërja e këtyre gjërave e ka sjellë fuqinë e Shpëtimtarit në jetën e tyre.
Burime Shtesë
“Gjëra të vogla dhe të thjeshta.”
Plaku L. Uitni Klejton tregoi për një peshkop që i këshilloi anëtarët e lagjes të cilët po përballeshin me një larmi sfidash të vështira në jetën e tyre:
“Këshilla e tij për anëtarët e lagjes shumë shpesh përfshinte kthimin te praktikat e thjeshta të besimit të tilla si: studimi i Librit të Mormonit[,] … pagimi i së dhjetës dhe shërbimi me përkushtim në Kishë. Gjithsesi, shpesh, reagimi i tyre ndaj tij ishte mosbesues: ‘… Ç’lidhje ka bërja e ndonjërës prej atyre gjërave me problemet me të cilat [unë] po përballem?’
… Ata që janë të kujdesshëm për t’i bërë ‘gjëra[t e] vogla dhe të thjeshta’ [Alma 37:6] – duke u bindur në mënyra në dukje të vogla – bekohen me besim dhe forcë që shkojnë përtej veprimeve ekzistuese të bindjes dhe, në fakt, mund të duken sikur nuk kanë fare lidhje me to” (“Bëni Gjithçka që Ai t’ju Thotë”, Liahona, maj 2017, f. 98).