Dhiata e Vjetër 2022
5–11 Shtator. Isaia 1–12: “Perëndia Është Shpëtimi Im”


“5–11 Shtator. Isaia 1–12: ‘Perëndia Është Shpëtimi Im’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“5–11 Shtator. Isaia 1–12”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022

profet i lashtë duke shkruar

Profeti Isaia Parashikon Lindjen e Krishtit, nga Harry Anderson

5–11 Shtator

Isaia 1–12

“Perëndia Është Shpëtimi Im”

Merrni parasysh mënyra se si t’i nxitni anëtarët e klasës të tregojnë mbresat dhe kuptimin që morën gjatë studimit të tyre vetjak e familjar.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet jep ide për t’i kuptuar shkrimet e Isaias. Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës që të tregojnë se si një nga këto ide, ose diçka tjetër, i ndihmoi të mësojnë nga Isaia 1–12.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Isaia 1–12

Fjalët e Isaias do të përmbushen të gjitha.

  • Duke folur për Isaian, Shpëtimtari dha mësim se “të gjitha gjërat që tha, janë vërtetuar dhe do të vërtetohen, madje, sipas fjalëve që ai tha” (3 Nefi 23:3). Ju mund ta filloni një diskutim rreth Isaias duke lexuar këtë shkrim të shenjtë dhe citim te pjesa “Burime Shtesë”. Më pas mund të shkruani në tabelë Dita e Isaias, Shërbesa e Shpëtimtarit në vdekshmëri dhe Ditët e mëvonshme. Anëtarët e klasës mund të kërkojnë fragmente tek Isaia 1–12 të cilat mund të gjejnë zbatim te një ose më shumë nga frazat në tabelë (për shembull, Isaia 2:1–5; 7:1–7; 7:10–14; 9:2–7; 10:20; 11:10; 12:1). Përse është bekim t’i kemi këto profeci në dispozicion për ne sot?

Isaia 1; 3; 5

“Mos bëni më keq.”

  • Ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës të tregojnë për atë që mësuan nga studimi i tyre vetjak dhe familjar i kapitujve tek Isaia 1, 3, 5 rreth gjendjes shpirtërore të mbretërisë së Judës në ditët e Isaias. Ndoshta ata mund t’i rishikojnë këta kapituj dhe të krijojnë një listë të vargjeve dhe kushteve që përshkruajnë ata. Çfarë mesazhesh shprese gjetët në këta kapituj? (Nëse nevojitet, mund t’i drejtoni anëtarët e klasës tek Isaia 1:16–20, 25–27; 3:10.) Nëse Juda e lashtë kishte një mesazh për ne, cili mund të ishte ai mesazh?

  • Anëtarët e klasës mund të hiqen sikur po jetonin në Jerusalem kur profetizonte Isaia. Ju mund të intervistoni disa prej tyre, duke i pyetur se çfarë tha Isaia dhe se si u ndien rreth saj. Për shembull, ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës që të flasin rreth fjalëve të Isaias që gjenden tek Isaia 1:16–20; 3:16–26; 5:20–23. Çfarë tha Isaia që na frymëzon të pendohemi?

Isaia 2; 4; 11–12

Perëndia do të bëjë një vepër të madhe në ditët e mëvonshme.

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të përsiatin se si janë duke u përmbushur profecitë e Isaias rreth ditëve të fundit, ju mund të përzgjidhni disa vargje nga Isaia 2; 4; 11–12 (të tilla si Isaia 2:2–3; 4:5–6). Pastaj kërkojuni anëtarëve të klasës të gjejnë foljet në kohën e ardhshme te këto vargje (të tilla si “do të ngrihet” ose “do të vijnë”). Ftojini t’i zëvendësojnë disa nga këto fjalë me folje në kohën e tashme (të tilla si “po ngrihet” ose “po vijnë”). Si janë duke u përmbushur këto profeci në jetën tonë? Përse është e rëndësishme të dimë rreth këtyre profecive?

  • Mund të vini në dukje se kur Moroni vizitoi Jozef Smithin në vitin 1823, ai citoi kapitullin tek Isaia 11 dhe tha se ishte gati të përmbushej (shih Joseph Smith – Historia 1:40; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 113:1–6). Anëtarët e klasës mund të lexojnë disa vargje nga Isaia 11 (të tilla si vargjet 6–12) dhe të përmbledhin me fjalët e veta atë që parashikoi Isaia. Cili është roli ynë në përmbushjen e këtyre profecive?

grua duke mbajtur një foshnjë

“Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë” (Isaia 9:6).

Isaia 7–9

Isaia profetizoi për Jezu Krishtin.

  • Ju mund t’i pyetni anëtarët e klasës se çfarë mësuan rreth Jezu Krishtit nga fragmente të tilla si Isaia 7:14; 8:13–14; 9:2, 6–7. Për shembull, përse është Emanuel një titull i mirë për Shpëtimtarin? (Shih Mateu 1:23.) Si ka qenë Jezu Krishti një “Këshilltar” ose “Princ i paqes” për ne? Anëtarët e klasës gjithashtu mund të tregojnë fragmente të tjera që i gjetën tek Isaia 1–12, të cilat u sjellin ndërmend Jezu Krishtin. Çfarë na mësojnë këto fragmente rreth Tij?

  • Përpara orës mësimore, ju mund të ftoni anëtarë të klasës që të sjellin një figurë të Krishtit, për të cilën ndiejnë se përfaqëson një nga përshkrimet e Shpëtimtarit që gjendet tek Isaia 7–9. Gjatë orës mësimore jepuni kohë ta tregojnë figurën që sollën dhe të shpjegojnë se si lidhet me fjalët e Isaias.

ikona e burimeve shtesë

Burime Shtesë

Profecitë e Isaias mund të kenë përmbushje të shumëfishta.

Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim: “Libri i Isaias përmban profeci të shumta të cilat duket se kanë përmbushje të shumëfishta. Një duket se përfshin njerëzit e kohës së Isaias ose rrethanat e brezit tjetër. Një tjetër kuptim, shpesh simbolik, duket se iu referohet ngjarjeve në meridianin e kohës, kur Jerusalemi ishte shkatërruar dhe njerëzit e tij ishin shpërndarë pas kryqëzimit të Birit të Perëndisë. Prapë një tjetër kuptim apo përmbushje e së njëjtës profeci duket se lidhet me ngjarjet që shoqërojnë Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. Fakti që shumë nga këto profeci mund të kenë domethënie të shumëfishta thekson rëndësinë e përpjekjes sonë për zbulesë nga Fryma e Shenjtë që të na ndihmojë t’i interpretojmë ato” (“Scripture Reading and Revelation”, Ensign, janar 1995, f. 8).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ftojeni Shpirtin. “Muzika e shenjtë, shkrimet e shenjta, fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme, shprehjet e dashurisë dhe të dëshmisë, si dhe çaste të meditimit të qetë, të gjitha mund ta ftojnë praninë e Shpirtit” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 10).