“29 Gusht – 4 Shtator. Fjalët e Urta 1–4; 15–16; 22; 31; Predikuesit 1–3; 11–12: ‘Frika e Zotit Është Parimi i Diturisë’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“29 Gusht – 4 Shtator. Fjalët e Urta 1–4; 15–16; 22; 31; Predikuesit 1–3; 11–12”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
29 Gusht – 4 Shtator
Fjalët e Urta 1–4; 15–16; 22; 31; Predikuesit 1–3; 11–12
“Frika e Zotit Është Parimi i Diturisë”
Si mund ta bekojnë mesazhet te Fjalët e Urta dhe Predikuesit jetën e atyre të cilëve u jepni mësim? Ndiqini nxitjet dhe mbresat që merrni teksa studioni dhe përgatiteni për të dhënë mësim.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ka shumë mesazhe të bukura dhe të fuqishme te Fjalët e Urta dhe Predikuesit. Përpara se të diskutoni fragmente të caktuara, të tilla si ato që sugjerohen më poshtë, ftojini anëtarët e klasës të tregojnë disa nga fragmentet e tyre të parapëlqyera nga studimi i tyre vetjak ose familjar i shkrimeve të shenjta këtë javë.
Jepeni Mësim Doktrinën
Fjalët e Urta 1–4; 15–16; Predikuesit 1–3; 11–12
“Duke i vënë veshin diturisë.”
-
Ftesa për të kërkuar dituri dhe mirëkuptim përsëritet gjatë gjithë librit Fjalët e Urta. Në ç’mënyrë mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës të tregojnë atë që mësuan rreth diturisë gjatë studimit të tyre? Një mënyrë mund të jetë që të shkruani në tabelë fjalën dituri dhe t’i ftoni anëtarët e klasës të shtojnë numra vargjesh ose fraza nga Fjalët e Urta ose Predikuesit që e ndiejnë se japin ide rreth diturisë. (Nëse do të ishte e dobishme, ju mund të sugjeroni që anëtarët e klasës të kërkojnë te Fjalët e Urta 1–4; 15–16; Predikuesit 1–3; 11–12.) Çfarë mësojmë rreth diturisë nga këto shkrime të shenjta? Si bekohemi kur kërkojmë dituri nga Perëndia?
Fjalët e Urta 1:7; 2:5; 3:7; 8:13; 15:33; 16:6; 31:30; Predikuesit 12:13
“Mos e mbaj veten të ditur në sytë e tu, ki frikë nga Zoti.”
-
Një temë tjetër që gjendet gjatë gjithë librave Fjalët e Urta dhe Predikuesit është “frika e Zotit” (Fjalët e Urta 1:7; shih edhe Fjalët e Urta 2:5; 3:7; 8:13; 15:33; 16:6; 31:30; Predikuesit 12:13). Ndoshta anëtarët e klasës mund t’i lexojnë disa nga këto vargje dhe të tregojnë se çfarë mendojnë se do të thotë të kesh frikë nga Zoti. Si është frika nga Zoti e ndryshme nga llojet e tjera të frikës? Ju mund të tregoni ide nga shpjegimi i Plakut Dejvid A. Bednar që gjendet te pjesa “Burime Shtesë”.
“Ki besim tek Zoti me gjithë zemër.”
-
Anëtarëve të klasës mund t’u pëlqejë një mësim me sende që i ndihmon të kuptojnë se çfarë do të thotë të “k[enë] besim tek Zoti” dhe të “mos … mbështet[en] në gjykimin [e tyre]” (Fjalët e Urta 3:5). Për shembull, ju mund ta ftoni një anëtar të klasës që të mbështetet te diçka e fortë dhe e palëvizshme, të tillë si një mur. Më pas personi mund të përpiqet të mbështetet te diçka që nuk është e fortë, të tillë si një fshesë. Si na ndihmon ky demonstrim që të kuptojmë vargun te Fjalët e Urta 3:5? Çfarë na mëson Fjalët e Urta 3:5–7 rreth asaj që do të thotë të kemi besim tek Zoti? Përse është diçka jo e urtë që të mbështetemi në vetë gjykimin tonë? Si e kemi ndier Zotin t’i drejtojë shtigjet tona teksa kemi pasur besim tek Ai?
Fjalët e Urta 15:1–2, 4, 18, 28; 16:24–32
“Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin.”
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të diskutojnë për mënyrën se si mund të kenë më shumë paqe ose më pak grindje në jetën e tyre, ju mund t’i ftoni të lexojnë te Fjalët e Urta 15:1–2, 18; 16:32. Më pas ata mund të tregojnë përvoja që i kanë pasur, të cilat ilustrojnë të vërtetat në këto vargje. Për shembull, kur ka ndihmuar “përgjigja e ëmbël” për ta “fashit[ur] zemërimin”? (Fjalët e Urta 15:1.) Ose ata mund të mendojnë për raste kur Shpëtimtari ishte shembulli për atë që jepet mësim në këto vargje (shih Gjoni 8:1–11; 18:1–11). Si mund ta ndjekim shembullin e Tij ndërkohë që ndërveprojmë me njerëz të tjerë?
-
Ndërkohë që shkruesit e librit Fjalët e Urta nuk dinin rreth metodave të shumta të komunikimit që ekzistojnë në kohën tonë, këshillat te Fjalët e Urta 15 dhe 16 mund të gjejnë zbatim për të gjitha format e komunikimit. Për t’i ndihmuar studentët që ta kuptojnë këtë, ju mund ta ftoni secilin person të zgjedhë për të lexuar një nga shkrimet e shenjta vijuese: Fjalët e Urta 15:1–2, 4, 18, 28; 16:24, 27–30. Anëtarët e klasës më pas mund ta shprehin sërish fjalën e tyre të urtë në formën e këshillës lidhur me ndërveprimin me të tjerët në mediat shoqërore, nëpërmjet dërgimit të mesazheve sms apo internetit. Ata mund të gjejnë këshillë të dobishme shtesë në pjesën “Fjalori” te broshura Për Forcën e Rinisë (2011), f. 20–21.
Burime Shtesë
“Le të jemi besnikë dhe duke mirëbesuar tek Ai.”
Plaku Dejvid A. Bednar shpjegoi:
“Si rrjedhim, frika nga Perëndia rritet prej një të kuptuari të saktë të natyrës dhe misionit hyjnor të Zotit Jezu Krisht, prej një gatishmërie për t’ia nënshtruar vullnetin tonë vullnetit të Tij dhe prej një diturie që çdo burrë e çdo grua do të jenë të përgjegjshëm për mëkatet e tyre vetjake në Ditën e Gjykimit. …
Frika nga Perëndia është e dashur dhe besuese tek Ai. Kur e kemi frikë Perëndinë në mënyrë më tërësore, ne e duam Atë në mënyrë më të përsosur. Dhe ‘dashuria e përkryer zhduk çdo frikë’ (Moroni 8:16). Unë premtoj se drita e shkëlqyeshme e frikës nga Perëndia do t’i largojë hijet e errëta të frikës njerëzore (shih Doktrina e Besëlidhje 50:25) kur shohim te Shpëtimtari, ndërtojmë mbi Të si themelin tonë dhe shkojmë përpara në shtegun e Tij të besëlidhje[ve] me zotim të përkushtuar” (“Prandaj, Ata e Përmbajtën Frikën”, Liahona, maj 2015, f. 48–49).