“22–28 Gusht. Psalmeve 102–103; 110; 116–119; 127–128; 135–139; 146–150: ‘Çdo Gjë që Merr Frymë le të Lëvdojë Zotin’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“22–28 Gusht. Psalmeve 102–103; 110; 116–119; 127–128; 135–139; 146–150”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
22–28 Gusht
Psalmeve 102–103; 110; 116–119; 127–128; 135–139; 146–150
“Çdo Gjë që Merr Frymë le të Lëvdojë Zotin”
Cili nga mësimet në librin e Psalmeve e ndieni se do të jetë më i dobishmi për anëtarët e klasës suaj? Ndërsa studioni këtë javë, përsiatni se si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës të gjejnë domethënie në fjalët e këtyre psalmeve.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Jepuni anëtarëve të klasës disa minuta që t’i rishikojnë psalmet që i lexuan këtë javë, dhe i ftoni disa të tregojnë një fragment të parapëlqyer. Nxitini të tregojnë atë që Shpirti ua mësoi atyre. Si e kanë shtuar psalmet adhurimin tonë vetjak për Zotin?
Jepeni Mësim Doktrinën
Zoti mund të na ngushëllojë në vuajtjen tonë.
-
A janë ndier ndonjëherë anëtarët e klasës suaj në mënyrën se si u ndie shkruesi i Psalmit 102? Si mund të kthehemi drejt Zotit kur ndihemi të shkurajuar ose të shqetësuar? Teksa studiuan Psalmeve 102, 103 dhe 116 në shtëpi këtë javë, anëtarët e klasës mund të kenë gjetur fraza që i frymëzojnë të kthehen drejt Zotit gjatë sprovave të tyre. Nxitini të tregojnë atë që gjetën ose të kërkojnë së bashku si klasë disa fraza frymëzuese. Anëtarët e klasës mund të flasin gjithashtu rreth mënyrës se si i ka përkrahur Zoti në kohë fatkeqësie.
-
Anëtarëve të klasës suaj mund t’u pëlqejë të shkruajnë vetë psalmin e tyre rreth mënyrës se si i ka ndihmuar Zoti gjatë kohëve të sprovës. Nuk nevojitet që këta të jenë psalme të gjata apo të ndërlikuara – vetëm shprehje të thjeshta të besimit, mirënjohjes dhe përlëvdimit. Anëtarët e klasës mund të punojnë vetëm ose në dyshe dhe mund të rishikojnë Psalmeve 102, 103 dhe 116 për ide. Ftojini disa veta t’i lexojnë psalmet e tyre, nëse janë të gatshëm. Ata gjithashtu mund të këndojnë së bashku himne rreth mënyrës se si na ngushëllon Zoti, të tillë si “Ku Mund të Gjej Paqe?” (Himne, nr. 67).
Perëndia do të na mbajë në shtegun e Tij.
-
Për ta filluar diskutimin rreth Psalmeve 119, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës që të flasin rreth një kohe kur ndoqën një shteg për të arritur te një vendmbërritje (mund të jetë e dobishme që të viheni në kontakt me dikë që më parë dhe t’i kërkoni atij ose asaj që të përgatitet për të folur rreth kësaj). Cilat përvoja e bënë të vështirë që ata të qëndronin në shteg? Çfarë i ndihmoi që të qëndronin në atë shteg? Më pas mund të vizatoni një shteg në tabelë dhe tʼi ftoni anëtarët e klasës të shkruajnë fraza nga Psalmi 119, të cilat tregojnë atë që ka bërë Zoti për të na ndihmuar që të qëndrojmë në shtegun e Tij të besëlidhjeve. Merreni parasysh të lexoni citimin nga Presidenti Rasëll M. Nelson te “Burime Shtesë” si pjesë të diskutimit tuaj.
-
Anëtarët e klasës suaj mund të përfitojnë nga krahasimi i asaj që mësojmë te Psalmi 119 për qëndrimin në shtegun e Zotit, me shkrime të tjera të shenjta që na mësojnë të vërteta të ngjashme. Merreni parasysh ta ndani klasën në grupe dhe t’i kërkoni secilit grup të shqyrtojë fragmente të shkrimeve të shenjta si këto: Psalmeve 119:33–40, 105; Fjalët e Urta 4:11–19; 1 Nefi 8:20–28; 11:25; 2 Nefi 31:17–21; Alma 7:9, 19–20. Kërkojini secilit grup të tregojë atë që mësoi. Jepuni kohë anëtarëve të klasës për ta përsiatur atë që frymëzohen të bëjnë nisur nga ajo që mësuan.
Zoti i njeh zemrat tona.
-
Të kuptuarit se Zoti është i vetëdijshëm për ne – për mendimet dhe veprimet, anët tona të forta dhe të dobëta – dhe se Ai na do, mund të ketë ndikim të fuqishëm në zgjedhjet që bëjmë. Ju mund ta ftoni klasën të kërkojë frazat te Psalmi 139 që na e mësojnë këtë të vërtetë të rëndësishme. Çfarë ndikimi ka në jetën tonë dijenia për këtë të vërtetë? Anëtarët e klasës gjithashtu mund të diskutojnë mënyra se si çdo njeri mund ta ftojë Zotin: “Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time” (vargu 23).
Burime Shtesë
Shtegu i ngushtë dhe i ngushtuar.
Presidenti Rasëll M. Nelson tha:
“Që udhëtimi ynë përmes jetës të jetë i suksesshëm, na nevojitet të ndjekim drejtimin hyjnor. Zoti tha: ‘Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë’ [Doktrina e Besëlidhje 6:36]. Dhe psalmisti shkroi: ‘Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim’ [Psalmeve 119:105]. …
Në udhëtimin tuaj përgjatë jetës, ju do të ndeshni shumë pengesa dhe do të bëni disa gabime. Udhërrëfimi nga shkrimet e shenjta ju ndihmon ta dalloni gabimin dhe të bëni korrigjimin e domosdoshëm. Ju e ndalni lëvizjen në drejtimin e gabuar. Me kujdes studioni hartën e udhës së shkrimeve të shenjta. Më pas ju vazhdoni përpara me pendimin dhe dëmshpërblimin që kërkohet për të hyrë në ‘shteg[un e] ngushtë dhe të ngushtuar që … çon në jetën e përjetshme’ [2 Nefi 31:18]” (“Living by Scriptural Guidance”, Ensign, nëntor 2000, f. 17).