“19–25 Shtator, Isaia 40–49: ‘Ngushëlloni Popullin Tim’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“19–25 Shtator, Isaia 40–49”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
19–25 Shtator
Isaia 40–49
“Ngushëlloni Popullin Tim”
Disa njerëz mund të ngurrojnë që t’i shprehin mendimet e tyre në klasë ngaqë ndiejnë se nuk i dinë mirë shkrimet e shenjta. Si mund t’i ndihmoni të gjithë anëtarët e klasës që të ndiejnë se idetë e tyre shpirtërore janë me vlerë?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Merreni parasysh të shkruani në tabelë një pyetje si ajo që vijon: Çfarë ju mësoi Shpirti ndërsa studionit kapitujt tek Isaia 40–49? Anëtarët e klasës mund ta përsiatin këtë pyetje e të shkruajnë përgjigje dhe disa mund të shprehin mendimet e tyre.
Jepeni Mësim Doktrinën
Jezu Krishti mund të na ngushëllojë dhe të na japë shpresë.
-
Përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet sugjeron kërkimin për mesazhe ngushëllimi e shprese tek Isaia 40–49 dhe rendit disa fragmente me të cilat të filloni. Ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës të tregojnë ndonjë mesazh që gjetën. Nxitini të flasin rreth arsyes përse këto mesazhe mund t’i kenë ndihmuar judenjtë në robëri dhe se si mund të na ndihmojnë ne sot. Gjithashtu mund t’i drejtoni te fragmente që i gjetët në studimin tuaj vetjak. Çfarë dëshiron Zoti që ne të dimë rreth Tij? Si na ngushëllon Ai? Ju mund t’u kujtoni anëtarëve të klasës se “Zoti” në Dhiatën e Vjetër i drejtohet Jehovës ose Jezu Krishtit.
-
Himni “Sa i Fortë një Themel” (Himne, nr. 41) nxjerr ide nga fjalët e Isaias tek Isaia 41:10; 43:2–5; 46:4. Pasi t’i lexojnë këto shkrime të shenjta dhe të këndojnë vargjet domethënëse të himnit, anëtarët e klasës mund të flasin rreth rasteve kur e kanë ndier se Zoti ishte me ta dhe mënyrën se si përvojat e tyre i ndihmuan të “mos k[enë] frikë”.
Isaia 40:1–3, 9–11; 43:8–13; 48:20–21; 49:1–9
“Dëshmitarët e mi jeni ju.”
-
Çfarë do të thotë të jemi “dëshmitarët” e Zotit? Anëtarët e klasës mund ta përsiatin këtë pyetje teksa lexojnë një ose më shumë prej fragmenteve vijuese: Isaia 40:1–3, 9–11; 48:20–21; 49:1–9. Citimi te pjesa “Burime Shtesë” mund të japë gjithashtu disa përgjigje. Cili është “lajmi [i] mirë” që përhapim si dëshmitarë të Zotit? Çfarë gjëje në këto vargje na ndihmon të “mos k[emi] frikë” për ta shprehur dëshminë tonë? (Isaia 40:9.) Anëtarët e klasës mund të flasin rreth mundësive që kanë për të qenë dëshmitarë të Zotit dhe rreth mënyrës se si dëshmitë e tyre mund t’i bekojnë të tjerët.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që t’i vënë në jetë mësimet tek Isaia 43:8–13, ju mund t’i ftoni që të përfytyrojnë sikur janë thirrur të dëshmojnë në gjyq. Në këtë gjyq, Jezu Krishti është akuzuar se ka bërë deklarimin që shënohet tek Isaia 43:11. Nëse do të thirreshim si dëshmitarë në përkrahje të deklarimit të Jezusit (shih vargun 10), çfarë dëshmie mund të ofrojmë? Çfarë prove nga jeta jonë do të paraqitnim?
Zoti mund të na rafinojë nëpërmjet pikëllimeve tona.
-
Ndoshta anëtarët e klasës mund të diskutojnë se si na ndihmojnë këto fjalë nga Plaku Kuentin L. Kuk për të kuptuar vargun tek Isaia 48:10: “Cilësitë e karakterit e të drejtësisë që janë farkëtuar në furrën e fatkeqësive, na përsosin dhe pastrojnë, dhe na përgatisin” (“Këngët që Ata Nuk Mundën t’i Këndonin”, Liahona, nëntor 2011, f. 106). Gjithashtu mund të flasin se si “[furra] e pikëllimit” i ka ndihmuar të rafinohen shpirtërisht. Si na ndihmon fragmenti tek Isaia 49:13–16 kur jemi të pikëlluar? Shih edhe materialin filmik “The Refiner’s Fire” [“Zjarri i Rafinuesit”] (ChurchofJesusChrist.org).
Burime Shtesë
Të qëndrojmë si dëshmitar/e.
Presidentja Margaret D. Nadall shpjegoi se çfarë do të thotë të “qëndro[jmë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet” (Mosia 18:9):
“Kur qëndrojmë si dëshmitar/e në të gjitha kohërat, ne premtojmë ta duam Zotin, ta nderojmë Atë gjatë gjithë kohës – ditën dhe natën, në verë dhe dimër, në kohë të mira dhe në kohë të këqija – ta duam Zotin dhe ta tregojmë atë dashuri nëpërmjet mënyrës se si jetojmë. …
Të qëndrojmë si dëshmitar/e në të gjitha gjërat do të thotë të gjitha gjërat – gjëra të mëdha, gjëra të vogla, në të gjitha bashkëbisedimet, në shakatë, në lojërat që luajmë, librat që lexojmë dhe muzikën që dëgjojmë, në kauzat që përkrahim, në shërbimin që japim, në rrobat që veshim, në miqtë që zëmë. …
Së fundi, ne themi se do të qëndrojmë si dëshmitar/e në të gjitha vendet. Kjo nënkupton jo vetëm vendet publike, por edhe vendet private, në fshehtësi, në vendet e errëta ose të ndriçuara; në kishë, shkollë, shtëpi ose makina; në vendet malore ose vendet bregdetare; në rrugë ose në park. …
Kur mendojmë për madhështinë e dhuratës [së Shpëtimtarit] për ne, çfarë gjëje të vogël mund të bëjmë për Të dhe për Atin tonë Qiellor që e dërgoi Atë? Ne mund të qëndrojmë si dëshmitarë/e të dashurisë dhe mësimeve të Tyre në të gjitha kohërat, në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet” (“Stand as a Witness”, Ensign, maj 2000, f. 93, 95).