Dhiata e Vjetër 2022
26 Shtator – 2 Tetor. Isaia 50–57: “Ai Mbante Sëmundjet Tona dhe Kishte Marrë Përsipër Dhembjet Tona”


“26 Shtator – 2 Tetor. Isaia 50–57: ‘Ai Mbante Sëmundjet Tona dhe Kishte Marrë Përsipër Dhembjet Tona’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)

“26 Shtator – 2 Tetor. Isaia 50–57”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022

Krishti me kurorën e gjembave dhe duke u përqeshur nga ushtari

Përqeshja e Krishtit, nga Carl Heinrich Bloch

26 Shtator – 2 Tetor

Isaia 50–57

“Ai Mbante Sëmundjet Tona dhe Kishte Marrë Përsipër Dhembjet Tona”

Mënyra më e rëndësishme për t’u përgatitur që të jepni mësim, është të lexoni dhe të përsiatni shkrimet e shenjta. Çfarë ndieni dhe mësoni ndërsa lexoni kapitujt tek Isaia 50–57?

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Për t’i nxitur anëtarët e klasës që të tregojnë përvoja të cilat i patën ndërsa lexuan kapitujt tek Isaia 50–57, ju mund të shkruani në tabelë një fjali si Besimi im te Jezu Krishti u forcua kur lexova… Ftojini anëtarët e klasës të tregojnë se si do ta mbaronin fjalinë.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën

Isaia 50–52

E ardhmja është e shkëlqyer për njerëzit e Zotit.

  • Ne të gjithë kemi kohë kur ndihemi të dobët. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të mbështeten te forca e Zotit, ju mund t’i caktoni secilit prej tyre të lexojnë disa vargje nga Isaia 51–52 dhe të tregojnë diçka që gjejnë, e cila do ta forcojë dikë që ndihet i dobët ose i shkurajuar. Gjithashtu mund të vini në dukje se Shpëtimtari i ringjallur ua përsëriti disa nga fjalët e Isaias njerëzve në kontinentet amerikane (shih 3 Nefi 20:32–45). Çfarë i shtojnë fjalët e Shpëtimtarit te 3 Nefi 20:30–34 të kuptuarit tonë për kohën kur do të përmbushen këto profeci?

  • Përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet sugjeron që të renditni çdo gjë tek Isaia 50–52 që Zoti e fton të bëjë popullin e Tij. Ndoshta anëtarët e klasës mund të tregojnë atë që gjetën dhe të flasin rreth asaj që nënkuptojnë këto ftesa për ta. Ju mund të doni të përqendroheni te ftesat tek Isaia 51:1–2, 6–8; 52:1–3, 9–11. Si mund të veprojmë sipas këtyre ftesave? Ju mund të vini në dukje se Doktrina e Besëlidhje 113:7–10 jep një shpjegim të frymëzuar të vargjeve tek Isaia 52:1–2. Çfarë i shtojnë këto fjalë të kuptuarit tonë?

skulpturë e Krishtit duke mbajtur kryqin

Për Shkak të Dashurisë, nga skulptorja Angela Johnson

Isaia 52:13–15; 53

Jezu Krishti mori mbi veten e Tij mëkatet dhe dhembjet tona.

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të përfytyrojnë fjalët e Isaias tek Isaia 53, ju mund të paraqitni disa figura të ngjarjeve që ndodhën përreth Shlyerjes së Jezu Krishtit (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 56–60). Më pas mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës të gjejnë fraza tek Isaia 53 që përshkruajnë ngjarjet në figurat. Çfarë na mësojnë fjalët e Isaias rreth vuajtjes së Shpëtimtarit për ne? Çfarë sugjerojnë ato rreth arsyes pse Ai vuajti për ne? Çfarë na frymëzojnë këto mësime të bëjmë?

  • Për ta ftuar Frymën e Shenjtë që të dëshmojë për të vërtetat e dhëna mësim tek Isaia 52:13–15; 53, ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës që t’i lexojnë këto vargje në heshtje ndërkohë që luani një incizim të një himni rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ftojini anëtarët e klasës të kërkojnë fjalë ose fraza në shkrimet e shenjta që e ndiejnë se janë veçanërisht të rëndësishme. Më pas lejojini të tregojnë për atë që gjetën dhe mënyrën se si ndihen rreth Shpëtimtarit. Gjithashtu merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës të lexojnë vargjet te Mosia 15:10–12, në të cilat Abinadi shpjegoi se çfarë domethënieje ka fraza “farën e tij”. Si na ndihmon kjo që të kuptojmë vargun tek Isaia 53:10?

Isaia 54

Jezu Krishti dëshiron që ne të kthehemi tek Ai.

  • Studimi i kapitullit tek Isaia 54 mund t’i frymëzojë anëtarët e klasës që ndihen të shkurajuar për shkak të mëkateve ose dobësive të tyre. Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të kërkojnë kapitullin 54 për fraza ose vargje që tregojnë se si ndihet Shpëtimtari rreth nesh. Si dëshiron Ai që ne të ndihemi rreth mëkateve dhe dobësive tona të së shkuarës? Si dëshiron Ai që ne të ndihemi rreth Tij? Nxitini anëtarët e klasës që të tregojnë ndonjë gjë tjetër që e mësojnë rreth Jezu Krishtit nga ky kapitull. Thënia nga Presidenti Diter F. Uhtdorf te pjesa “Burime Shtesë” mund t’i shtohet diskutimit tuaj.

ikona e burimeve shtesë

Burime Shtesë

Nëpërmjet Jezu Krishtit ne mund të kemi shpresë.

Presidenti Diter F. Uhtdorf dha mësim:

“S’ka rëndësi se sa tërësisht e rrënuar mund të duket jeta jonë. S’ka rëndësi se sa të kuqe flakë janë mëkatet tona, sa e thellë hidhësia jonë, sa të vetmuara, të braktisura apo të thyera mund të jenë zemrat tona. Edhe ata që janë pa shpresë, që jetojnë në dëshpërim, që e kanë tradhtuar mirëbesimin, që e kanë braktisur integritetin e tyre moral apo janë larguar prej Perëndisë, mund të rindërtohen. …

Lajmi i gëzueshëm i ungjillit është ky: për shkak të planit të përjetshëm të lumturisë, të dhënë nga Ati ynë i dashur Qiellor, dhe nëpërmjet flijimit të pafundëm të Jezusit, Krishtit, jo vetëm që mund të shëlbohemi nga gjendja jonë e rënë dhe të rivendosemi në pastërti, por edhe mund ta tejkalojmë përfytyrimin e njeriut në vdekshmëri dhe të bëhemi trashëgimtarë të jetës së përjetshme dhe marrës të lavdisë së papërshkrueshme të Perëndisë” (“Ai do t’ju Vendosë mbi Supet e Tij dhe do t’ju Çojë në Shtëpi”, Liahona, maj 2016, f. 102).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Jetoni të denjë për udhërrëfimin e Shpirtit. Kur e jetoni ungjillin me denjësi, ju jeni i denjë për shoqërimin e Shpirtit, i cili është mësuesi më i mirë. Teksa kërkoni udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë, Ai do t’ju japë mendime, mbresa dhe ide krijuese rreth mënyrës se si t’i plotësoni nevojat e atyre të cilëve u jepni mësim. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 5.)