“10–16 Tetor. Jeremia 1–3; 7; 16–18; 20: ‘Para se Unë të të Formoja në Barkun e Nënës Sate, të Kam Njohur’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“10–16 Tetor. Jeremia 1–3; 7; 16–18; 20”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
10–16 Tetor
Jeremia 1–3; 7; 16–18; 20
“Para se Unë të të Formoja në Barkun e Nënës Sate, të Kam Njohur”
Teksa studioni, mendoni rreth anëtarëve të klasës suaj dhe kërkoni udhërrëfimin e Shpirtit që të dini se cilat mesazhe mund të jenë më të rëndësishmet për ta.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Një mënyrë se si mund t’i nxitni të tregojnë, është t’i ftoni anëtarët e klasës të shkruajnë në një fletë letre një të vërtetë të ungjillit që e mësuan gjatë studimit të tyre të librit Jeremia këtë javë. Më pas mund t’i mblidhni fletët e letrës dhe të zgjidhni disa për t’i diskutuar si klasë. Si na ndihmojnë shkrimet e Jeremias për t’i kuptuar këto të vërteta?
Jepeni Mësim Doktrinën
Profetët thirren që të thonë fjalën e Zotit.
-
Ju mund të filloni një diskutim rreth thirrjes së Jeremias si profet duke paraqitur një figurë të profetit të gjallë dhe duke u kërkuar anëtarëve të klasës të tregojnë se si arritën ta dinë që ai u thirr nga Perëndia. Gjithashtu mund t’u kërkoni të tregojnë se si i kanë ndihmuar të tjerët të arrijnë ta dinë këtë të vërtetë të rëndësishme. Si e bekon kjo njohuri jetën tonë? Anëtarët e klasës më pas mund të renditin në tabelë gjëra që i mësojnë rreth profetëve nga Jeremia 1:4–19. Çfarë “çrrënjos[in]” ose “rrën[ojnë]” profetët në kohën tonë? Çfarë “ndërt[ojnë]” dhe “mbjell[in]”? (Vargu 10.)
-
Ftojini anëtarët e klasës të tregojnë atë që Jeremia mësoi vetë te Jeremia 1:5. Si mund të ketë ndikuar kjo njohuri në shërbesën e tij? Anëtarët e klasës mund të lexojnë thënien te pjesa “Burime Shtesë” dhe shkrimet e shenjta vijuese që e përkrahin këtë të vërtetë: Alma 13:1–4; Doktrina e Besëlidhje 138:53–56; Abraham 3:22–23. Si ndikojnë këto të vërteta rreth jetës sonë para lindjes te mënyra se si e jetojmë jetën tonë në vdekshmëri?
“Më ka braktisur mua, burimin e ujit që rrjedh.”
-
Për të nxitur një diskutim rreth vargut te Jeremia 2:13, ju mund të vizatoni një sternë (një rezervuar të madh nëntokësor) dhe një burim (të tillë si një rrëke natyrore). Anëtarët e klasës më pas mund të lexojnë te Jeremia 2:13 dhe të flasin rreth arsyes përse është më e mirë të merret ujë nga një burim sesa të gërmohet një sternë. Cili mund të jetë barasvlerësi shpirtëror i bërjes së sternave të prishura? Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të lexojnë nga vargjet te Jeremia 2 dhe 7 dhe të tregojnë disa mënyra se si izraelitët e kishin braktisur “burimin e ujit që rrjedh” (shih, për shembull, Jeremia 2:26–28; 7:2–11). Përse “uji që rrjedh” është një simbol i mirë për atë që na jep Shpëtimtari?
Zoti do ta mbledhë popullin e Tij.
-
Ngaqë Jeremia e krahasoi mbledhjen e Izraelit në ditët e mëvonshme me çlirimin e Izraelit nga Egjipti nëpërmjet Moisiut, ju mund të tregoni një figurë të Eksodit (shih përvijimin e javës 4–10 prill tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Ftojini anëtarët e klasës që të diskutojnë se sa domethënës ishte Eksodi për izraelitët për breza të tërë. Anëtarët e klasës më pas mund të lexojnë vargjet te Jeremia 16:14–15 dhe të flasin rreth mënyrës se si mbledhja e Izraelit në ditët e mëvonshme do të jetë edhe më e rëndësishme për popullin e Perëndisë (shih edhe Jeremia 3:14–18). Anëtarët e klasës që e shqyrtuan bisedën “Shpresa e Izraelit” si pjesë të studimit të tyre vetjak, mund të tregojnë atë që mësuan rreth rëndësisë së mbledhjes së Izraelit (shih Rasëll M. Nelson dhe Uendi W. Nelson, “Shpresa e Izraelit” [takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018], material shtesë për revistat New Era dhe Ensign, gusht 2018, f. 2–17, ChurchofJesusChrist.org). Ose mund të rishikoni pjesë të atij mesazhi si klasë. Si po mblidhet Izraeli në zonën tonë?
Burime Shtesë
Ati Qiellor ju njeh.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Shpirti juaj është qenie e përjetshme. Zoti i tha profetit të Tij Abraham: ‘Ti u zgjodhe përpara se të lindeshe’ [Abraham 3:23]. Zoti tha diçka të ngjashme rreth Jeremias [shih Jeremia 1:5] dhe shumë të tjerëve [shih Alma 13:2–3]. Ai madje e tha këtë edhe për ju [shih Doktrina e Besëlidhje 138:55–56].
Ati juaj Qiellor ju ka njohur për një kohë shumë të gjatë. Juve, si bir ose bijë e Tij, Ai ju zgjodhi të vini në tokë pikërisht në këtë kohë, që të jeni një udhëheqës në veprën e Tij të madhe mbi tokë. Ju u zgjodhët jo nga veçoritë tuaja trupore, por nga cilësitë tuaja shpirtërore, siç janë trimëria, guximi, integriteti i zemrës, një etje për të vërtetën, një uri për mençuri dhe një dëshirë për t’u shërbyer të tjerëve.
Ju i zhvilluat disa prej këtyre cilësive para jetës tokësore. Të tjerat mund t’i zhvilloni këtu në tokë, kur i kërkoni ato me ngulm” (“Vendime Përjetësie”, Liahona, nëntor 2013, f. 107).