“3–9 Tetor. Isaia 58–66: ‘Një Çlirues do të Vijë në Sion’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“3–9 Tetor. Isaia 58–66”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
3–9 Tetor
Isaia 58–66
“Një Çlirues do të Vijë në Sion”
Teksa studioni doktrinën e bukur në këta kapituj, ftojeni Shpirtin t’ju udhërrëfejë drejt mesazheve që do të jenë më domethënëset për anëtarët e klasës.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës që të shkruajnë në tabelë referencat për vargjet që i frymëzuan gjatë studimit të tyre të shkrimeve të shenjta këtë javë. Si klasë, më pas ju mund t’i shihni ato vargje dhe të flitni rreth të vërtetave që gjenden atje. Këto ide mund të çojnë drejt diskutimit më të thellë për një ose më shumë nga parimet e renditura më poshtë.
Jepeni Mësim Doktrinën
Agjërimi sjell bekime.
-
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të diskutojnë përse dhe se si Zoti na ka urdhëruar të agjërojmë, ju mund të krijoni dy kolona në tabelë të emërtuara “Duke [Mos] Agjëruar Ashtu si Bëni Sot” dhe “Agjërimi që më Pëlqen”. Më pas anëtarët e klasës mund të lexojnë tek Isaia 58:3–7, duke e plotësuar kolonën e parë me përshkrime të mënyrës se si izraelitët po agjëronin dhe kolonën e dytë me përshkrime të agjërimit siç e ka për qëllim Zoti. Si ndikojnë këto përshkrime te mënyra se si e shohim agjërimin? Anëtarët e klasës gjithashtu mund të tregojnë se si, në përvojat e tyre, agjërimi çon te bekimet që Zoti i premtoi në vargjet 8–12.
-
Disa anëtarë të klasës mund të kenë pasur përvoja ku ata u shpjeguan të tjerëve përse ne agjërojmë. Ftojini të tregojnë atë që thanë. Ju gjithashtu mund të ftoni një anëtar të peshkopatës që të flasë rreth mënyrës se si përdoren ofertat e agjërimit. Ose mund të tregoni njërin prej shembujve nga mesazhi i Presidentit Henri B. Ajring “Agjërimi që më Pëlqen a Nuk Është Vallë Ky?” (Liahona, 2015, f. 22–25). Si ndihmojnë agjërimi dhe pagimi i ofertave të agjërimit që të “zgjidh[im] verigat e zgjedhës” për veten tonë dhe të tjerët? (Isaia 58:6.)
Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë.
-
Kur Jezu Krishti i shpalli popullit të Nazaretit se Ai ishte Mesia, Ai citoi nga Isaia 61:1–3 (shih Lluka 4:16–21; shih edhe materialin filmik “Jesus Declares He Is the Messiah” [“Jezusi Shpall se Ai Është Mesia”], ChurchofJesusChrist.org). Ndoshta anëtarët e klasës mund të lexojnë nga Isaia 61:1–3 dhe të flasin rreth arsyes përse këto vargje janë një përshkrim i mirë i misionit të Shpëtimtarit. Mund të renditni në tabelë secilën gjë që u vajos të bënte Shpëtimtari dhe të diskutoni se çfarë do të thotë secila gjë. Si i përmbushi Shpëtimtari këto aspekte të misionit të Tij gjatë jetës së Tij në vdekshmëri? Si i ka përmbushur Ai këto aspekte në jetën tonë?
-
Anëtarët e klasës mund të lexojnë gjithashtu vargjet tek Isaia 63:7–9 dhe të tregojnë se si Shpëtimtari i ka bekuar në këto mënyra.
-
Isaia 61:1–3 përdor gjuhë të bukur dhe poetike që të përshkruajë fuqinë e Jezu Krishtit për të shëlbuar atë që duket e rrënuar. Për të ndihmuar që të ilustrohen këto vargje, merrni parasysh të tregoni një histori rreth diçkaje që mendohej se kishte humbur ose ishte e rrënuar, por u kthye në diçka edhe më të bukur. Për shembull, shihni materialin filmik “Provo City Center Temple” [“Tempulli i Provo-Siti-Sentërit”] (ChurchofJesusChrist.org; shih edhe pjesën “Burime Shtesë”) ose historinë në fillim të mesazhit nga Presidenti Diter F. Uhtdorf “Ai do t’ju Vendosë mbi Supet e Tij dhe do t’ju Çojë në Shtëpi” (Liahona, maj 2016, f. 101–104). Anëtarët e klasës mund të flasin rreth mënyrës se si e kanë parë Zotin t’u japë njerëzve diçka të bukur kur mendonin se jeta e tyre u shkatërrua.
Në Ardhjen e Tij të Dytë, Zoti do të “krijoj[ë] qiej të rinj dhe një tokë të re”.
-
Isaia 65:17–25 përshkruan kushtet në tokë pas Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit. Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të rishikojnë këto vargje duke kërkuar përgjigje për pyetje si këto: Si do të jetë jeta në “tokë[n e] re” e ndryshme nga mënyra se si është jeta aktualisht në tokë? Çfarë gjeni në këto vargje që ju bën të gëzoheni?
Burime Shtesë
Zoti “nuk na le në hi”.
Pasi tregoi se si një zjarr pothuajse e shkatërroi Tabernakullin e Provos, duke e lejuar të rindërtohet më vonë si Tempulli i Provo-Siti-Sentërit, Motra Linda S. Rivs tha: “Zoti na lejon të vihemi në provë e të provohemi, ndonjëherë deri në skaj të mundësisë sonë. Ne e kemi parë jetën e njerëzve të dashur – dhe ndoshta tonën – të digjet në mënyrë figurative deri në fund dhe kemi pyetur veten pse një Atë i dashur dhe përkujdesës Qiellor i lejon gjëra të tilla të ndodhin. Por Ai nuk na le në hi; Ai qëndron në këmbë me krahë të hapur, duke na ftuar me padurim që të vijmë tek Ai. Ai po i ndërton jetët tona për t’i kthyer në tempuj të mahnitshëm ku Shpirti i Tij mund të banojë përjetësisht” (“Kërkoni Bekimet e Besëlidhjeve Tuaja”, Liahona, nëntor 2013, f. 119).