“12–18 Shtator. Isaia 13–14; 24–30; 35: ‘Mrekulli dhe Çudi’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“12–18 Shtator. Isaia 13–14; 24–30; 35”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
12–18 Shtator
Isaia 13–14; 24–30;35
“Mrekulli dhe Çudi”
Përpara se të mund t’i ndihmoni të tjerët të zbulojnë të vërtetat në librin e Isaias, ju keni nevojë të zbuloni të vërteta për vete. Teksa lexoni këtë javë, merrni parasysh se për cilat të vërteta ndieni mbresa që t’i theksoni në orën mësimore.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Për t’i nxitur anëtarët e klasës që të tregojnë atë që po mësojnë nga Isaia, ju mund t’i pyetni se si do t’i përgjigjeshin dikujt që thotë: “Libri i Isaias është thjesht tepër i vështirë për t’u kuptuar”. Çfarë na ka ndihmuar që të gjejmë kuptim në mësimet e Isaias? Cilat fragmente të shkrimeve të shenjta na kanë frymëzuar?
Jepeni Mësim Doktrinën
Isaia 24:21–23; 25:6–8; 26:19; 28:16
Shkrimet e Isaias na drejtojnë te Jezu Krishti.
-
Ashtu si Nefi, anëtarët e klasës suaj mund të kënaqen me dëshminë e Isaias për Jezu Krishtin (shih 2 Nefi 11:2). Ju mund t’u kërkoni të tregojnë ndonjë varg që e gjetën në leximin e tyre këtë javë, i cili u mësoi rreth Shpëtimtarit. Ose mund t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë atë që mësuan rreth Jezu Krishtit nga Isaia 24:21–23; 25:6–8; 26:19; 28:16 ose vargje të tjera që ju i gjetët në studimin tuaj. Përse këto të vërteta janë me vlerë për ne?
Isaia 24:1–5; 28:1–8; 29:7–10; 30:8–14
Braktisja nënkupton largimin nga Zoti dhe profetët e Tij.
-
Përvijimi i kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet sugjeron përsiatjen e disa prej metaforave që përdori Isaia për të përshkruar pasojat e largimit nga Zoti dhe mospranimit të profetëve të Tij. Ftojini anëtarët e klasës të tregojnë atë që mësuan. Ose mund t’i ftoni që secili të shqyrtojë një nga fragmentet vijuese: Isaia 24:1–5; 28:7–8; 29:7–10; 30:8–14. Nisur nga ajo që lexuan, ata mund të plotësojnë këtë fjali: “Nëse largohemi nga Zoti, ne jemi si …” Çfarë mund të bëjmë që të qëndrojmë besnikë ndaj Zotit dhe ta shmangim braktisjen? (Shih pjesën “Burime Shtesë” për disa sugjerime.) Si i bekon Zoti ata që i qëndrojnë besnikë Atij?
-
Për të filluar një diskutim rreth qëndrimeve dhe sjelljeve që mund të na çojnë drejt braktisjes, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të kërkojnë tek Isaia 24:1–5; 28:1–8; 29:7–10; 30:8–14. Bëjini të kërkojnë për gjëra që njerëzit në kohën e Isaias po i mendonin dhe po i bënin. Bëni një etiketë paralajmëruese në tabelë që thotë: Paralajmërim: Qëndrimet dhe sjelljet vijuese mund të çojnë në braktisje. Anëtarët e klasës mund t’i renditin në tabelë ato që gjejnë në këto vargje. Jepuni atyre mundësi për të treguar se si ta mbrojnë veten ose familjen e tyre nga braktisja.
Zoti mund t’i rivendosë gjërat që kanë humbur ose janë thyer.
-
Ja një pyetje që mund ta shkruani në tabelë, e cila mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës të përsiatin kapitullin tek Isaia 29: Si lidhen shkrimet e Isaias me Rivendosjen e ungjillit në kohën tonë? Nxitini të mendojnë rreth kësaj pyetjeje ndërsa lexojnë në heshtje vargjet tek Isaia 29:13–24. Nëse iu nevojitet ndihmë, ata gjithashtu mund të shqyrtojnë fragmente si këto: 2 Nefi 27:6–26; Joseph Smith – Historia 1:17–19, 63–65. Pasi të flasin rreth pyetjes në tabelë, ata mund të diskutojnë përse “mrekulli” dhe “çudi” (Isaia 29:14) janë fjalë të mira për ta përshkruar Rivendosjen e ungjillit. Çfarë mësojmë rreth Rivendosjes nga “Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës”? (ChurchofJesusChrist.org).
-
Kapitujt 30 dhe 35 të Isaias përmbajnë disa fragmente që mund të frymëzojnë besim më të madh te fuqia e Zotit për t’i bekuar ata që kthehen tek Ai. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që t’i zbulojnë këto fragmente, ju mund t’i ftoni të studiojnë ose fragmentin tek Isaia 30:18–26 ose kapitullin tek Isaia 35. Kërkojuni të tregojnë fjalë ose fraza që i gjejnë, të cilat mund ta ndihmojnë dikë që të kthehet te Zoti për shëlbim.
Burime Shtesë
Të qëndruarit besnikë ndaj Zotit dhe Kishës së Tij.
Presidenti M. Rasëll Ballard dha këshillën vijuese për të na ndihmuar që të qëndrojmë besnikë ndaj Zotit dhe Kishës së Tij:
“Na nevojitet të përjetojmë një kthim të vazhdueshëm në besim me anë të rritjes së besimit tonë te Jezu Krishti dhe të shtimit të besnikërisë sonë ndaj ungjillit të Tij gjatë gjithë jetës sonë – jo vetëm një herë, por rregullisht [shih Alma 5:26]. …
… Fjalët e Zotit gjenden në shkrimet e shenjta dhe në mësimet e apostujve dhe të profetëve. Ato na japin këshillë dhe drejtim që, kur i ndjekim, do të veprojnë si jelekë shpëtimi shpirtëror dhe do të na ndihmojnë të dimë se si të mbahemi me të dyja duart. …
Përveç zhvillimit të zakonit të leximit vetjak të shkrimeve të shenjta, ne kemi nevojë të bëjmë sikurse bënë bijtë e Mosias dhe të jepemi ‘pas lutjeve të shumta dhe agjërimit’ [Alma 17:3]” (“Qëndroni Brenda në Barkë dhe Mbahuni!” Liahona, nëntor 2014, f. 90–91).