“7–13 Nëntor. Osea 1–6; 10–14; Joel: ‘Do t’i Dua Shumë’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“7–13 Nëntor. Osea 1–6; 10–14; Joel”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
7–13 Nëntor
Osea 1–6; 10–14; Joel
“Do t’i Dua Shumë”
Teksa studioni dhe përgatiteni këtë javë, merrni parasysh se cili nga mesazhet e bukura dhe lartësuese moralisht nga librat e Oseas dhe Joelit mund t’i plotësojnë më mirë nevojat e atyre të cilëve u jepni mësim.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të tregojnë atë që mësuan këtë javë, ju mund t’i ftoni të shkruajnë në tabelë një fjalë ose frazë që i frymëzoi gjatë studimit të tyre. Më pas ata mund të tregojnë përse fjala ose fraza është domethënëse për ta. Këto fjalë e fraza mund të ndihmojnë për ta udhërrëfyer pjesën në vazhdim të diskutimit tuaj.
Jepeni Mësim Doktrinën
Zoti gjithmonë na fton të kthehemi tek Ai.
-
Ju mund të doni ta filloni një diskutim të kapitujve tek Osea 1–3 duke shkruar fjalën martesa në tabelë dhe duke iu kërkuar anëtarëve të klasës të renditin fjalë të cilat i lidhin me martesën. Si është bërja e një besëlidhjeje me Zotin sikurse nisja e një martese? Si është shkelja e asaj besëlidhjeje si të mos jesh besnik ndaj një bashkëshorti/eje? (Shih Osea 2:5–7, 13.) Më pas klasa mund të flasë rreth mënyrës se si marrëdhënia midis Oseas dhe Gomeres simbolizon marrëdhënien midis Zotit dhe popullit të Tij. Çfarë na mësojnë Osea 2:14–23 dhe Osea 14 rreth dashurisë dhe mëshirës së Zotit? Si ia tregojmë Zotit dashurinë dhe besnikërinë tonë ndaj Tij?
-
Osea 14 përshkruan shumë premtime të bukura që Zoti ia bëri shtëpisë së Izraelit, në qoftë se ata do të ktheheshin tek Ai. Ndoshta anëtarët e klasës mund ta hulumtojnë këtë kapitull duke i kërkuar këto premtime. Çfarë tha Zoti se do të bënte? Çfarë kuptimi mund të ketë fraza “dua shumë”? (Vargu 4.) Çfarë na mësojnë metaforat për bimët te vargjet 5–8 rreth bekimeve të Zotit për ne, përfshirë bekimet e pendimit?
Përkushtimi ndaj Perëndisë duhet të ndihet brenda vetes, jo thjesht të shprehet nga jashtë.
-
Vargjet tek Osea 6:6 dhe Joel 2:12–13 u referohen flijimeve të kafshëve dhe grisjes së rrobave si shenja të keqardhjes. Ndërkohë që praktika të tilla mund të jenë të panjohura sot, këto vargje mund të çojnë drejt një diskutimi rreth asaj që është më e rëndësishme për Zotin. Ju mund të lexoni së bashku vargun tek Osea 6:6 dhe të diskutoni se çfarë domethënie ka ky varg. Ftojini disa anëtarë të klasës të lexojnë vargjet te Mateu 9:10–13 dhe të tjerë të lexojnë vargjet te Mateu 12:1–8. Më pas anëtarët e klasës mund t’i mësojnë njëri‑tjetrit se si këto ngjarje në shërbesën e Shpëtimtarit na ndihmojnë të kuptojmë parimin e dhënë mësim tek Osea 6:6. Si mund ta jetojmë këtë parim në kohën tonë?
Ju gjithashtu mund të lexoni së bashku vargjet te Joel 2:12–13 dhe të diskutoni se çfarë do të thotë të grisim zemrat tona dhe jo thjesht rrobat tona. Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth asaj që do të thotë të jemi dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit?
“Unë do të përhap Frymën tim[e] mbi çdo mish.”
-
Për të filluar një diskutim të kapitullit te Joel 2, ju mund t’i tregoni klasës atë që Moroni tha rreth kësaj profecie kur ai vizitoi Jozef Smithin në vitin 1823 (shih Joseph Smith – Historia 1:41). Anëtarët e klasës mund të tregojnë se si e ndiejnë që profecitë te Joel 2:28–32 po përmbushen në kohën tonë. Gjithashtu mund të diskutoni se si fjalët e Plakut Dejvid A. Bednar te pjesa “Burime Shtesë” lidhen me profecinë e Joelit. Anëtarët e klasës mund të diskutojnë se çfarë do të thotë për ta që të ndiejnë një derdhje të Frymës së Shenjtë në jetën e tyre të përditshme. Çfarë mund të bëjmë nëse ndiejmë se nuk po e marrim këtë derdhje? Si mund t’i ndihmojmë “bijtë t[anë] dhe bijat t[ona] që ta marrin atë? (Vargu 28.)
Burime Shtesë
“Ne mund të mbështetemi te Fryma e Shenjtë për të na udhërrëfyer.”
Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim:
“Ne shpesh e vështirësojmë vetë marrjen e zbulesës vetjake. Me këtë dua të them që premtimi besëlidhës është që, kur i nderojmë besëlidhjet tona, ne gjithmonë mund ta kemi Frymën e Shenjtë që të jetë shoqëruesi ynë i vazhdueshëm. Por ne flasim rreth kësaj dhe e trajtojmë sikur të dëgjuarit e zërit të Zotit nëpërmjet Shpirtit të Tij është një ngjarje e rrallë. … [Shpirti] duhet të jetë me ne gjatë gjithë kohës. Por nëse një njeri po bën më të mirën e vet – nuk ju duhet të jeni të përsosur – por nëse ju dhe unë po bëjmë më të mirën dhe nuk po bëjmë shkelje të rënda, atëherë ne mund të mbështetemi tek udhërrëfimi i Frymës së Shenjtë. …
… Duket sikur besojmë që Fryma e Shenjtë është një zë dramatik, i madh dhe befasues, ndërkohë që ai është i qetë, i vogël e duke u rritur me kalimin e kohës. Nuk ju duhet ta dalloni se po merrni zbulesë në çastin që po merrni zbulesë” (“Diskutimi i Plakut Dejvid A. Bednar” [mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm, 7 shkurt 2020], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org).