“31 Tetor – 6 Nëntor. Daniel 1–6: ‘Nuk Ka Asnjë Perëndi që Mund të të Shpëtojë’”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Vjetër 2022 (2021)
“31 Tetor – 6 Nëntor. Daniel 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2022
31 Tetor – 6 Nëntor
Daniel 1–6
“Nuk Ka Asnjë Perëndi që Mund të të Shpëtojë”
Shumë anëtarë të klasës do t’i dinë disa nga historitë në librin e Danielit. Teksa studioni dhe përgatiteni të jepni mësim, kërkoni udhërrëfim nga Shpirti rreth mënyrës se si mund t’i ndihmoni anëtarët e klasës që të gjejnë domethënie vetjake nga këta kapituj.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Mund të jetë e dobishme që anëtarët e klasës të tregojnë se si po shkon studimi i tyre vetjak ose familjar i shkrimeve të shenjta. Kur anëtarët e klasës tregojnë një ide rreth diçkaje që Shpirti ua mësoi këtë javë, ju mund t’i pyetni se çfarë po bënin që i çoi tek ato ide.
Jepeni Mësim Doktrinën
Ne mund të mirëbesojmë te Zoti kur vihet në provë besimi ynë.
-
Për të filluar një diskutim rreth mënyrës se si Danieli, Shadraku, Meshaku dhe Abed-negoja treguan besim te Zoti, ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës të përmbledhin sfidat me të cilat u përballën këta katër burra që përshkruhen te Daniel 1, 3 dhe 6. Përse do të kishte qenë e vështirë që të ishin besnikë në këto situata? Me çfarë situatash përballemi që e sfidojnë besimin tonë? Anëtarët e klasës mund të hulumtojnë te Daniel 1:10–13; 3:15–18; 6:10, duke kërkuar se si këta katër burra iu përgjigjën sfidave të tyre. Si mund të na ndihmojnë shembujt e tyre në përpjekjet tona për të qenë dishepuj besnikë të Jezu Krishtit?
-
Shumica prej nesh, ashtu si Danieli dhe shokët e tij, e kemi ndier shtytjen për të vepruar në kundërshtim me standardet tona. Cilat janë disa nga burimet e kësaj shtytjeje në jetën tonë? Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të mësojnë nga shembulli i Danielit dhe shokëve të tij, ju mund ta ndani klasën në tre grupe dhe t’i caktoni secilit grup që të shqyrtojë njërin nga kapitujt vijues: Daniel 1, 3 ose 6. Si i bekoi Zoti Danielin, Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon kur zgjodhën të ishin besnikë pavarësisht nga shtytja me të cilën u përballën? Secili grup mund t’i tregojë klasës atë që gjeti. Anëtarët e klasës më pas mund të këshillohen së bashku rreth mënyrës se si të qëndrojnë besnikë pavarësisht nga shtytja shoqërore apo lloje të tjera shtytjesh. Ata gjithashtu mund të diskutojnë për rëndësinë e kërkimit të miqve të mirë, të cilët do të na mbështetin në standardet tona.
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është mbretëria e Perëndisë në tokë.
-
Diskutimi i kapitullit te Daniel 2 mund ta ndihmojë klasën tuaj që të kuptojë se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme po e përmbush fatin e saj si guri i profetizuar që “shkëputet nga mali” (vargu 45). Për të filluar, ju mund të shqyrtoni si klasë përshkrimin dhe interpretimin e Danielit për ëndrrën e Nebukadnetsarit, që gjendet te Daniel 2:31–45. Më pas mund të shfaqni një figurë të një guri (ose vizatoni një të tillë në tabelë). Ftojini anëtarët e klasës që të tregojnë çfarë mësojnë rreth mbretërisë së Perëndisë duke e krahasuar atë me përshkrimet e gurit te Daniel 2:34–35, 44–45. Ndoshta anëtarët e klasës mund të dinë diçka nga historia e Kishës në zonën tuaj të cilën mund ta tregojnë. Si i kemi parë profecitë e Danielit të përmbushen në jetën tonë individuale?
Marrja e zbulesës kërkon përgatitje shpirtërore.
-
Ndoshta anëtarët e klasës mund të përfitojnë nga leximi rreth mënyrës se si Danieli u përgatit që të merrte zbulesën e nevojshme për të përshkruar dhe interpretuar ëndrrën e Nebukadnetsarit. Ju mund të filloni duke u kërkuar anëtarëve të klasës të shqyrtojnë vargjet te Daniel 2:1–15 dhe më pas të tregojnë se si do të ndiheshin nëse do të gjendeshin në vendin e Danielit. Ftojini të kërkojnë te Daniel 2:16–18 për të mësuar atë që bëri Danieli. Çfarë mësojmë nga Daniel 1:17 rreth mënyrës se si Perëndia e përgatiti Danielin? Çfarë mund të mësojmë nga Danieli që mund të na ndihmojë teksa kërkojmë zbulesë vetjake? Çfarë mund të mësojmë nga fjalët dhe veprimet e Danielit pasi e mori ndihmën e Zotit? (Shih Daniel 2:20–30.)
Kur rezultati është i pasigurt, ne ende mund të zgjedhim besimin.
-
Përvoja e Shadrakut, Meshakut dhe Abed-negos, që gjendet te Daniel 3, mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës që të kuptojnë më plotësisht atë që do të thotë të kenë besim te Jezu Krishti. Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të përmbledhin sfidën me të cilën u ndeshën Shadraku, Meshaku dhe Abed-negoja (shih Daniel 3:1–12) dhe më pas diskutoni se si mund të përgjigjen ata (shih Daniel 3:13–18). Çfarë mësojmë rreth besimit nga përgjigjja e këtyre burrave? Mund të shkruani në tabelë frazat Perëndia ynë është në gjendje të… dhe Por edhe sikur të mos e bënte… nga vargjet 17–18. Anëtarët e klasës mund të sugjerojnë se si mund t’i plotësojnë hapësirat bosh me situata me të cilat mund të përballen ata. Për shembull, ata mund të sugjerojnë se “Perëndia im është në gjendje t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve të mia” dhe “Por edhe sikur të mos e bënte, unë do të mirëbesoj me durim tek Ai”. Teksa anëtarët e klasës tregojnë shembuj, nxitini të flasin rreth mënyrës se si Shpëtimtari na ka përkrahur dhe forcuar edhe kur nuk dimë se si do të përfundojnë gjërat.