Manualet dhe Thirrjet
35. Përkujdesi dhe Përdorimi i Shtëpive të Mbledhjeve


“35. Përkujdesi dhe Përdorimi i Shtëpive të Mbledhjeve”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).

“35. Përkujdesi dhe Përdorimi i Shtëpive të Mbledhjeve”, Manuali i Përgjithshëm.

35.

Përkujdesi dhe Përdorimi i Shtëpive të Mbledhjeve

35.1

Qëllimi

Kisha siguron shtëpi mbledhjesh në mënyrë që të gjithë ata që hyjnë të mund:

  • Të bëjnë dhe përtërijnë besëlidhjet nëpërmjet ordinancave të shenjta (shih Doktrina e Besëlidhje 20:75; 59:9–12).

  • Të mblidhen së bashku (shih 3 Nefi 18:22–23).

  • Të adhurojnë dhe të luten së bashku (shih Mosia 18:25; Moroni 6:9).

  • T’i japin mësim dhe shërbesë njëri‑tjetrit (shih Moroni 6:4–5).

  • Të marrin pjesë në përdorime të tjera të miratuara të shtëpisë së mbledhjeve siç përshkruhen në këtë kapitull.

Një shtëpi mbledhjesh mund të marrë forma të ndryshme në varësi të rrethanave dhe nevojave vendore. Mund të jetë një hapësirë e ndërtuar nga Kisha ose e blerë nga Kisha, shtëpia e një anëtari, një shkollë vendore ose qendër e komunitetit, një hapësirë e marrë me qira ose një variant tjetër i miratuar.

35.2

Rolet dhe Përgjegjësitë

35.2.1

Sektori i Godinave të Shtëpive të Mbledhjeve

Sektori i Godinave të Shtëpive të Mbledhjeve në zyrat qendrore të Kishës vendos parime dhe orientime për pajisjen dhe mirëmbajtjen e vendeve të adhurimit. Ky sektor vepron nën drejtimin e Peshkopatës Kryesuese.

Punonjësit e Godinave të Shtëpive të Mbledhjeve janë përgjegjës për pajisjen dhe mirëmbajtjen e shtëpive të mbledhjeve dhe ndërtesave të tjera të Kishës. Kjo bëhet nën drejtimin e Presidencës së Zonës dhe drejtorit zonal për çështjet materiale.

35.2.2

Përgjegjësi/ja për Godinat e Kishës

Përgjegjësi i punësuar nga Kisha për godinat, e ndihmon çdo kunj të përdorë shtëpitë e mbledhjeve. Ai ose ajo organizon riparime të mëdha, pastrime të thella dhe mirëmbajtjen rutinë të ndërtesave.

Sipas nevojës, përgjegjësi për godinat ndihmon që të udhëzohen përfaqësuesit e kunjeve dhe të lagjeve për ndërtesat mbi mënyrën se si ta pastrojnë ndërtesën dhe t’i kryejnë detyrat e tjera vendore. Ai ose ajo siguron udhëzime, materiale dhe pajisje.

Përgjegjësi për godinat punon me përfaqësuesin e kunjit për ndërtesat që t’i administrojë këto shërbime dhe përkujdesin e përgjithshëm për ndërtesat. Ai ose ajo gjithashtu mund të rishikojë me peshkopatat shpenzimet për ndërtesat.

35.2.3

I Shtatëdhjeti Zonal

I Shtatëdhjeti Zonal i caktuar punon ngushtësisht me presidentët e kunjeve në procesin e planifikimit kryesor (shih 35.3).

35.2.4

Presidenca e Kunjit

Presidenca e kunjit i udhërrëfen peshkopët për përdorimin, përkujdesjen dhe sigurinë e shtëpive të mbledhjeve. Ata caktojnë një këshilltar të lartë që të jetë përfaqësuesi i kunjit për ndërtesat (shih 35.2.5). Ata këshillohen me të për të shqyrtuar nevojat dhe projektet përkatëse.

Nëse anëtarëve u nevojitet më tepër hapësirë për adhurim, presidenca e kunjit ia jep informacionin Të Shtatëdhjetit Zonal. Kjo bëhet nëpërmjet procesit të planifikimit kryesor (shih 35.3).

35.2.5

Përfaqësuesi i Kunjit për Ndërtesat

Përfaqësuesi i kunjit për ndërtesat i vjen në ndihmë presidencës së kunjit për përdorimin, përkujdesin dhe sigurinë e shtëpive të mbledhjeve duke:

  • I udhëzuar përfaqësuesit e lagjes për ndërtesat lidhur me detyrat e tyre (shih 35.2.9).

  • U shpërndarë çelësa udhëheqësve të njësisë.

  • Komunikuar me përgjegjësin e godinave të Kishës për mirëmbajtjen dhe nevojat operative për ndërtesat.

35.2.6

Specialistët e Kunjeve dhe të Lagjeve për Teknologjinë

Specialistët e kunjeve dhe të lagjeve për teknologjinë ndihmojnë për vendosjen dhe mirëmbajtjen e teknologjisë në ndërtesa. Kur duhet të instalohen aparatura të reja, ata bashkëpunojnë me përgjegjësin për godinat. Për më shumë informacion rreth këtyre thirrjeve, shihni 33.10 (shih edhe mhtech.ChurchofJesusChrist.org).

35.2.7

Peshkopata

Peshkopata (ose përfaqësuesi i lagjes për ndërtesat) u mëson anëtarëve se si ta përdorin, ta sigurojnë ndërtesën dhe të përkujdesen për të. Peshkopata gjithashtu ua shpërndan udhëheqësve të lagjes çelësat e ndërtesës.

Ata sigurohen që veprimtaritë në ndërtesë dhe në mjediset përreth kryhen në mënyrë të sigurt (shih 20.7).

Ata komunikojnë me përgjegjësin e Kishës për godinat rreth mirëmbajtjes dhe nevojave operative. Ata gjithashtu mund t’i shqyrtojnë shpenzimet përkatëse me përgjegjësin për godinat.

35.2.8

Peshkopi Përgjegjës

Nëse në një ndërtesë mblidhet më shumë se një lagje, presidenca e kunjit përzgjedh një peshkop përgjegjës që t’i bashkërendojë detyrat me peshkopët e tjerë. Këto detyra përfshijnë planifikimin, pastrimin dhe sigurimin e ndërtesës. Presidenca e kunjit ua cakton me radhë këtë përgjegjësi peshkopëve lagjet e të cilëve mblidhen në ndërtesë.

35.2.9

Përfaqësuesi i Lagjes për Ndërtesën

Peshkopata përcakton nëse duhet të thërrasë një përfaqësues të lagjes për ndërtesën. Nëse vendosin ta japin këtë thirrje, peshkopata mund të thërrasë një anëtar ose anëtare në moshë madhore. ikonë, orientimet për përshtatjen Nëse nuk thirret një përfaqësues i lagjes për ndërtesën, peshkopi mund t’ia caktojë këtë përgjegjësi njërit prej këshilltarëve të tij, nëpunësit të lagjes ose ndihmësnëpunësit të lagjes apo sekretarit ekzekutiv.

Përfaqësuesi i lagjes për ndërtesën i organizon anëtarët dhe vullnetarët për ta pastruar dhe mirëmbajtur ndërtesën. Ai ose ajo u mëson atyre se si ta bëjnë çdo detyrë me pajisjet dhe mjetet në dispozicion.

Nëse nevojitet, ai ose ajo merr udhëzime nga përfaqësuesi i kunjit për ndërtesat mbi funksionimin e sistemit zanor, ngrohjes, kondicionerit dhe sistemeve të tjera të ndërtesës.

35.2.10

Anëtarët

Nën drejtimin e peshkopit, udhëheqësit e personave në moshë madhore dhe udhëheqësit e të rinjve e të rejave i nxitin anëtarët që të ndihmojnë për përkujdesin dhe mirëmbajtjen e ndërtesave. Peshkopata dhe përfaqësuesi i lagjes për ndërtesat i përshtatin detyrat sipas zotësive dhe aftësive të atyre që e bëjnë punën. Përkujdesi i rregullt nga anëtarët ndihmon që burimet e Kishës të zgjatin sa më shumë që të jetë e mundur.

35.3

Pajisja me Shtëpi Mbledhjesh

Shtëpitë e mbledhjeve ndryshojnë nga madhësia dhe lloji nisur nga nevojat dhe kushtet vendore. Shtëpia e mbledhjeve mund të jetë një hapësirë e ndërtuar ose e blerë nga Kisha, shtëpia e një anëtari, një shkollë vendore ose një qendër e komunitetit, një hapësirë e marrë me qira ose një variant tjetër i miratuar.

Udhëheqësit e zonës dhe ata vendorë përpiqen fort t’i përdorin plotësisht shtëpitë ekzistuese të mbledhjeve dhe të tregohen të urtë në rekomandimin e hapësirës shtesë. Ata ndjekin “Parimet dhe Orientimet për Pajisjen me Shtëpi Mbledhjeje” (Orientimet e Planifikimit Kryesor për Shtëpitë e Mbledhjeve [2021]).

Udhëheqësit përgatitin plane kryesore çdo vit duke përdorur Orientimet e Planifikimit Kryesor për Shtëpitë e Mbledhjeve (2021) për të siguruar që hapësira e shtëpisë së mbledhjeve është e përshtatshme. Udhëheqësit gjithashtu përdorin planet kryesore për të vlerësuar nevojat e ardhshme për zgjerimin ose ripërcaktimin e hapësirës për mbledhje, siç janë shitja ose lejimi i shtëpive të mbledhjeve dhe pronave për përdorime të tjera.

Për më shumë informacion, shihni “Sigurimi i Shtëpive të Mbledhjeve dhe Vendeve të Tjera të Adhurimit” (Sigurimi i Shtëpive të Mbledhjeve dhe Vendeve të Tjera të Adhurimit).

35.3.1

Shërbesat për Nisjen e Punimeve dhe Përkushtimi i Ndërtesave

Shërbesat për nisjen e punimeve mund të mbahen përpara ndërtimit. Sapo të përfundohen, ndërtesat e reja dhe vendet e tjera shtesë duhet të përkushtohen sa më shpejt të jetë e mundur. Edhe hapësirat e marra me qira mund të përkushtohen.

Për më shumë informacion, shihni “Shërbesat për Nisjen e Punimeve” dhe “Përkushtimi i Ndërtesave” te “Sigurimi i Shtëpive të Mbledhjeve dhe Vendeve të Tjera të Adhurimit” (Sigurimi i Shtëpive të Mbledhjeve dhe Vendeve të Tjera të Adhurimit).

35.4

Mirëmbajtja e Shtëpive të Mbledhjeve

35.4.1

Pastrimi dhe Mirëmbajtja e Shtëpive të Mbledhjeve

Udhëheqësit dhe anëtarët vendorë, përfshirë rininë, kanë përgjegjësinë për të ndihmuar për mbajtjen e çdo ndërtese të pastër dhe në gjendje të mirë. Kjo ndihmon që:

  • Të ruhet natyra e shenjtë e ndërtesës si një vend ku Shpirti mund të jetë i pranishëm.

  • Të nxitet nderim.

  • Të paraqitet një pamje dinjiteti e nderimi.

  • Ta zgjatë jetëgjatësinë e dobishme të ndërtesës.

Plani i pastrimit nuk duhet të jetë një barrë për anëtarët. Për shembull, nëse udhëtimi për te ndërtesa është sfidues, anëtarët mund ta bëjnë pastrimin si pjesë e veprimtarive javore kur të jenë tashmë në ndërtesë.

Për më shumë informacion, shihni “Mirëmbajtja e Shtëpive të Mbledhjeve” (Sigurimi i Shtëpive të Mbledhjeve dhe Vendeve të Tjera të Adhurimit).

35.4.2

Kërkesat për Riparime

Anëtarët e këshillave të lagjeve dhe kunjeve mund të raportojnë nevojat për riparime të ndërtesave. Kjo mund të bëhet duke përdorur mjetin Raportimi i Problemeve të Godinës (FIR [RPG]). Mjeti RPG u mundëson udhëheqësve të paraqesin, të ndjekin përparimin dhe të japin përshtypje mbi riparimet dhe kërkesa të tjera. Anëtarët e këshillit mund të vihen gjithashtu në kontakt për ndihmë me përgjegjësin e godinave.

Mjeti RPG është gjithashtu në dispozicion si program kompjuterik te Google Play dhe Apple App Store. Udhëzimet për përdorimin e mjetit RPG janë në dispozicion te Qendra e NdihmësChurchofJesusChrist.org.

35.4.3

Inspektimi i Shtëpive të Mbledhjeve

Çdo ndërtesë inspektohet çdo vit nga një përgjegjës për godinat. Synimi është të përcaktohen nevojat dhe riparimet afatgjata të ndërtesës. Përgjegjësi për godinat më pas i diskuton rezultatet e inspektimit dhe veprimet e nevojshme me përfaqësuesin e kunjit për ndërtesat ose peshkopin përgjegjës.

35.4.4

Kursimi i Energjisë Elektrike dhe Ujit

Kisha përpiqet fort të kursejë ujin, energjinë elektrike dhe burimet e tjera. Udhëheqësit i nxitin anëtarët që ta kursejnë energjinë elektrike dhe ujin në ndërtesë. Për shembull, kur anëtarët largohen nga një dhomë, ata duhet të fikin dritat, të mbyllin rubinetat e ujit dhe pajisjet e ngrohjes e të ftohjes apo veçoritë e tyre që u përdorën gjatë mbledhjes ose aktivitetit. Anëtarët ua raportojnë udhëheqësve të tyre çdo gjendje që luan rol në humbje.

Anëtarët gjithashtu mund të përkrahin projektet e kursimit të energjisë elektrike dhe ujit të financuara nga komuniteti. Këto përpjekje mund t’i zvogëlojnë shpenzimet për dritat, ngrohjen ose ftohjen dhe ujin.

Udhëheqësit dhe anëtarët mund të vihen në kontakt me përgjegjësin e godinave për më shumë informacion rreth përdorimit dhe kursimit të ujit dhe energjisë elektrike.

35.4.5

Siguria dhe Mbrojtja

Udhëheqësit dhe anëtarët duhet:

  • T’i mbajnë të lira korridoret, shkallët, daljet dhe dhomat e aparaturave për hyrje e dalje të sigurta.

  • Të mos përdorin ose ruajnë materiale të rrezikshme ose të djegshme në ndërtesa (shih edhe 35.5.14).

  • Të krijojnë dhe ndjekin procedurat për kyçjen e ndërtesave.

  • T’i ruajnë nga vjedhja aparatet që janë pronë e Kishës.

  • Të dinë se si t’i mbyllin pajisjet për shërbimet si uji, dritat, gazi ose lëndët djegëse.

Sipas nevojës, përgjegjësi për godinat mund të sigurojë një hartë që tregon se ku ndodhen pajisjet për fikjen e zjarrit, kutitë e ndihmës së shpejtë dhe vendndodhjet për të mbyllur dritat dhe ujin. Informacion shtesë për sigurinë është në dispozicion te “Procedurat e Sigurimit dhe të Mbylljes” në pjesën “Mirëmbajtja e Shtëpive të Mbledhjeve” (Sigurimi i Shtëpive të Mbledhjeve dhe Vendeve të Tjera të Adhurimit). Shihni edhe 20.7.

35.5

Rregulloret për Përdorimin e Pronave të Kishës

Kisha zotëron, merr me qira ose miraton të gjitha ndërtesat dhe pronat për përdorim nga lagjet vendore. Ndërtesat dhe pronat e Kishës përdoren për adhurim, udhëzim fetar dhe aktivitete të tjera që lidhen me Kishën.

Kjo pjesë përmban rregulloret për përdorimin e pronave të Kishës. Më shumë informacion është në dispozicion te “Informacion Tjetër që Lidhet me Godinat e Shtëpive të Mbledhjeve” (Sigurimi i Shtëpive të Mbledhjeve dhe Vendeve të Tjera të Adhurimit). Ky burim përfshin informacione rreth pajisjeve, tarifave, përdorimit të pronës boshe të Kishës dhe tema të tjera.

35.5.1

Veprat Artistike

Shtëpitë e mbledhjeve duhet të pasqyrojnë një sjellje nderimi për Jezu Krishtin dhe të dëshmojnë për besimin e anëtarëve tek Ai. Në mjediset e hyrjeve në shtëpinë e mbledhjeve duhet të vendosen vepra artistike që paraqitin Jezu Krishtin për të ndihmuar që të shfaqet ky besim qendror. Mjediset e hyrjeve nuk duhet të kenë gjëra që e largojnë vëmendjen, si vitrina, tabela njoftimesh, tavolina dhe këmbalecë. Për korridoret dhe klasat janë të përshtatshme vepra artistike që paraqitin Jezu Krishtin, skena nga shkrimet e shenjta dhe historia e Kishës.

Presidenti i kunjit ose udhëheqës të tjerë të caktuar vendorë i zgjedhin veprat artistike nga një katalog i veprave artistike të miratuara nga Kisha për shtëpitë e mbledhjeve. Përgjegjësi për godinat mund t’ua tregojë udhëheqësve katalogun me veprat artistike kur nevojiten vepra të reja artistike. Vepra artistike nga burime të tjera në përgjithësi nuk lejohen. Kërkesat për përjashtime duhet të bëhen nëpërmjet përgjegjësit për godinat.

Vepra artistike nuk duhet të vendoset në sallën e mbledhjes apo pranë vaskës së pagëzimit. Statujat, monumentet, përkujtimoret, afresket dhe mozaikët nuk lejohen brenda ose jashtë ndërtesës. Kjo rregullore mund të mos zbatohet për veprat arti që kanë qenë të paraqitura për shumë vite.

35.5.2

Përdorime të Ndërtesave që Nuk Lejohen

35.5.2.1

Përdorime për Tregti

Prona e Kishës nuk mund të përdoret për qëllime tregtare. Për shembull, ajo nuk duhet të përdoret për të përkrahur asnjë lloj biznesi (shih 38.8.5). Një përdorim i tillë nuk përputhet me qëllimet e pronave të Kishës. Ajo gjithashtu mund të bjerë ndesh me ligjet vendore ose kombëtare që mund të lejojnë përjashtimin e pronave të Kishës nga tatimet (shih 34.8.1).

Në vijim jepen shembuj të përdorimeve për tregti që nuk miratohen:

  • Reklamimi ose financimi i bizneseve apo investimeve

  • Blerja, shitja apo reklamimi i produkteve, shërbimeve, publikimeve ose veprave krijuese

  • Zhvillimi i veprimtarive të paautorizuara për mbledhje fondesh (shih 20.6.5)

  • Të ftuarit e folësve apo instruktorëve që rekrutojnë pjesëmarrës, kërkojnë blerës apo klientë ose që marrin pagesë ndërkohë që japin seminare, mësime (me përjashtim të mësimeve private të pianos ose organos; shih 19.7.2), klasa për ushtrim fizik dhe veprimtari të tjera

35.5.2.2

Qëllime Politike

Pronat e Kishës nuk duhet të përdoren për qëllime politike. Këto përfshijnë zhvillimin e mbledhjeve ose fushatave politike. Kisha nga ana politike është asnjanëse (shih 38.8.29).

35.5.2.3

Përdorime të Tjera

Përdorime të tjera të pronave të Kishës që nuk lejohen, përfshijnë:

  • Zhvillimin e praktikave të organizuara atletike apo ngjarjeve të tjera që nuk financohen nga Kisha. Koret e komunitetit dhe martesat civile mund të jenë përjashtime (shih 19.7.3 rreth koreve dhe 38.3.4 rreth martesave civile).

  • Lejimin e strehimit gjatë natës (me përjashtim të urgjencave, shih 35.5.4).

  • Kampingun ose aktivitete të tjera që përfshijnë qëndrimin tërë natën.

Përdorimet që vijojnë në përgjithësi nuk miratohen. Udhëheqësit vendorë vihen në kontakt me përgjegjësin për godinat nëse mendojnë se nevojitet një përjashtim.

  • Marrjen ose dhënien me qira të ndërtesave dhe pronave të Kishës

  • Përdorimin e pronave për regjistrimin politik të votuesve ose si qendra votimi; një përjashtim mund të bëhet me kërkesën e zyrtarëve qeveritarë kur nuk ka një mundësi tjetër të arsyeshme dhe ngjarja nuk do ta dëmtojë figurën ose pozicionin asnjanës të Kishës (shih 35.5.8)

35.5.3

Zbukurimet

Zbukurimet për aktivitetet festive, ftesat e dasmave dhe ngjarje të ngjashme mund të vendosen përkohësisht brenda ose jashtë një ndërtese. Zbukurime të tjera përveç luleve, nuk duhet të vendosen në sallën e mbledhjes gjatë mbledhjeve të sakramentit. Nuk inkurajohen zbukurimet nëpër korridore, për ta mbajtur përqendrimin te nderimi për Shpëtimtarin.

Zbukurimet duhet të jenë të thjeshta dhe jo të kushtueshme. Ato nuk duhet të jenë një rrezik për zjarr. Duhet të zbatohen gjithmonë kodet dhe urdhëresat vendore për zjarrin dhe sigurinë.

35.5.4

Urgjencat

Gjatë një urgjence, presidenti i kunjit vendos nëse duhen zhvilluar mbledhjet e lagjes dhe kunjit. Ai gjithashtu mund të lejojë që ndërtesat dhe pronat e Kishës të përdoren nga agjencitë e ndihmës ndaj fatkeqësive dhe për përpjekjet që lidhen me to (shih 35.5.8). Ai punon me përgjegjësin për godinat ose përfaqësues të tjerë të Kishës, të cilët gjithashtu do të bashkërendojnë sipas nevojës me Presidencën e Zonës (shih 22.9.1.3).

35.5.5

Armë Zjarri dhe Armë të Tjera

Armët e zjarrit dhe armët e tjera vdekjeprurëse nuk lejohen në pronën e Kishës. Kjo përfshin armët që nuk duken. Kjo nuk gjen zbatim për oficerët aktualë të forcave të rendit.

35.5.6

Flamujt

Flamuri kombëtar mund të valëvitet në pronën e Kishës për aq kohë sa ndiqen orientimet vendore. Flamuri mund të vendoset brenda ndërtesave të Kishës në raste të veçanta. Patriotizmi nuk kërkon vendosjen e vazhdueshme të flamurit kombëtar në vendet e adhurimit.

35.5.7

Ruajtja e Historisë

Për informacion rreth ruajtjes së pronës ose ndërtesave të Kishës, shihni “Ruajtja e Historisë” (Sigurimi i Shtëpive të Mbledhjeve dhe Vendeve të Tjera të Adhurimit). Për informacion rreth ruajtjes së sendeve historike, veprave artistike ose dokumenteve, shihni 33.7.2.

35.5.8

Përdorimi pa Qëllime Përfitimi i Pronës së Kishës

Me kërkesën e presidentit të kunjit, përgjegjësi për godinat mund të miratojë përdorimet nga grupet jofitimprurëse në komunitet sipas nevojës. Përgjegjësi për godinat e bën këtë duke nënshkruar një Marrëveshje të Përkohshme Përdorimi (në dispozicion nga zyra e zonës). Mund të kërkohet edhe një certifikatë sigurimi, në varësi të rregulloreve vendore.

Për përdorimin e përkohshëm të pronës së Kishës duhet të ndiqen këto orientime:

  • Duhet të jetë i pranishëm një udhëheqës vendor.

  • Udhëheqësit e Kishës kanë të drejtë t’i kërkojnë çdo grupi që ta ndalojë përdorimin e pronës në çdo kohë dhe për çfarëdo arsye.

  • Përdorimi duhet të jetë në përputhje me qëllimet e ndërtesës dhe me statusin e përjashtimit nga tatimet për Kishën, atje ku gjen zbatim.

  • Përdorimi nuk duhet të bjerë ndesh me veprimtaritë e planifikuara të Kishës.

  • Standardet e Kishës duhet të respektohen gjithmonë brenda pronës.

  • Përdorimi i burimeve të Kishës nuk duhet të rrezikojë që të lëndojë pjesëmarrësit ose të dëmtojë pronën.

  • Përdorimi nuk duhet ta bëjë Kishën të mbajë përgjegjësi apo të shqetësojë fqinjët.

Rezervimet në pronat e kampeve të Kishës për veprimtari argëtuese nuk duhet të bëhen në emër të organizatave komunitare, sipërmarrjeve tregtare dhe individëve të besimeve të tjera fetare. Megjithatë, anëtarët e Kishës janë të mirëpritur që t’i ftojnë miqtë e besimeve të tjera që të marrin pjesë me ta.

35.5.9

Vendparkimet

Përdorimi i vendparkimeve të Kishës duhet të pajtohet me orientimet te 35.5.8. Përveç kësaj, vendparkimet nuk duhet të përdoren si parkim për udhëtarë të rastit ose nga grupe të tjera apo individë pa lejen nga drejtori i zonës për çështjet materiale. Për kërkesat, udhëheqësit mund të vihen në kontakt me përgjegjësin për godinat. Automjetet dhe pajisjet e tjera personale nuk duhet të lihen në pronën e Kishës.

Për më shumë informacion rreth vendparkimeve dhe parkimit për njerëzit me aftësi të kufizuar, shihni “Vendparkimet në Shtëpitë e Mbledhjeve” (Sigurimi i Shtëpive të Mbledhjeve dhe Vendeve të Tjera të Adhurimit).

35.5.10

Fotografitë dhe Regjistrimet Filmike gjatë Mbledhjes së Sakramentit

Mbledhjet e sakramentit janë të shenjta. Për këtë arsye, bërja e fotografive ose regjistrimi i mbledhjeve të sakramentit nuk lejohet.

Për informacion rreth transmetimit në mbledhjet e sakramentit ose mbledhje të tjera, shihni 29.7.

35.5.11

Pronat për Argëtim

Për informacion rreth administrimit të kampeve ose pronave për argëtim, shihni “Kampet për Veprimtari Argëtuese” (Sigurimi i Shtëpive të Mbledhjeve dhe Vendeve të Tjera të Adhurimit). Për të rezervuar një kamp ose pronë për argëtim, shihni camping.ChurchofJesusChrist.org.

35.5.12

Zonat e Shërbimit të Ushqimeve

Në shtëpitë e mbledhjeve mund të shërbehen vakte ushqimesh dhe pije freskuese. Megjithatë, ushqimi nuk duhet të përgatitet ose të gatuhet në kuzhinat e shtëpive të mbledhjeve dhe në mjediset kur shërbehen ushqimet. Përkundrazi, ushqimi duhet të përgatitet diku tjetër dhe të sillet në shtëpinë e mbledhjeve. Kuzhina dhe zonat ku shërbehen ushqimet mund të përdoren për ta mbajtur ushqimin të ngrohtë ose të ftohtë. Këto orientime e pakësojnë rrezikun për zjarre dhe ndihmojnë që të jemi në pajtim me rregulloret për përgatitjen e ushqimeve. Për më shumë informacion, shihni safety.ChurchofJesusChrist.org.

Demonstrimet e përgatitjes së ushqimeve janë i vetmi përjashtim nga orientimet për përgatitjen dhe gatimin e ushqimeve në kuzhinat e shtëpive të mbledhjeve dhe mjediset e shërbimit të ushqimeve.

35.5.13

Shenjat

Nëse një president kunji ka pyetje rreth shenjave për ndërtesat e Kishës, ai vihet në kontakt me përgjegjësin për godinat.

35.5.14

Ruajtja

Në ndërtesa mund të ruhen vetëm pajisjet për mirëmbajtje dhe mjetet e miratuara. Artikujt për mirëqenien mund të ruhen në shtëpitë e mbledhjeve gjatë urgjencave (shih 35.5.4). Për pyetje udhëheqësit mund të vihen në kontakt me përgjegjësin për godinat.

35.5.15

Martesat dhe Festat e Dasmave

Një martesë ose një festë dasme mund të zhvillohet në një shtëpi mbledhjesh në rrethanat vijuese:

  • Ajo duhet të përputhet me standardet e Kishës (shih 20.2.3).

  • Ajo nuk duhet ta prishë programin e mbledhjeve të Kishës.

  • Festat e dasmave nuk mund të zhvillohen në sallën e mbledhjes së sakramentit, në qoftë se ajo nuk është një zonë që përdoret për shumë qëllime.

  • Martesat dhe festat e dasmave nuk duhet të zhvillohen të dielave ose në mbrëmjet e të hënave.

  • Ata që janë përgjegjës për martesën ose festën e dasmës, duhet t’i pastrojnë mjediset që përdorin.

Për më shumë informacion, shihni 38.3.4.

Shtëpitë e mbledhjeve dhe pronat e Kishës nuk duhet të përdoren për asnjë qëllim që lidhet me martesat mes së njëjtës gjini, martesat e shumëfishta, martesat e paligjshme ose martesa të tjera që nuk janë në përputhje me doktrinën apo rregulloren e Kishës.