“Hyrje”, Fëmijët dhe Rinia e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme: Një Udhëzues Parashtrues për Prindërit dhe Udhëheqësit (2019)
“Hyrje”
Hyrje
Duke punuar së bashku, prindërit dhe udhëheqësit i ndihmojnë fëmijët dhe të rinjtë e të rejat që ta thellojnë kthimin e tyre në besim, të bëhen dishepuj të denjë të Zotit Jezu Krisht dhe të bëhen burra dhe gra me integritet moral nëpërmjet:
-
Të mësuarit e ungjillit që frymëzon zotim vetjak.
-
Shërbimit dhe aktiviteteve që e lartësojnë trupin dhe shpirtin.
-
Zhvillimit vetjak që sjell rritje përmbushëse.
Parimet udhëzuese dhe rolet e përgjithshme që përvijohen në këtë broshurë, mund të përshtaten. Nuk ka vetëm një mënyrë të drejtë për t’i vënë ato në zbatim. Disa ide dhe shembuj janë në dispozicion në internet te FemijetDheRinia.ChurchofJesusChrist.org. Kërkoni frymëzim për të ditur se çfarë është më e mira për secilin individ (shih “Rregulloni dhe Përshtatni”).
Brezi i Ri
Profetët kanë thënë se ky brez i fëmijëve dhe të rinjve e të rejave është mes brezave më të mirë që Zoti ka dërguar në tokë (shih Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit”, takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018, f. 16). Ata kanë potencialin për të pasur një ndikim të madh në botë. Ata janë ftuar që të ndihmojnë për ta mbledhur Izraelin në të dyja anët e velit. Nevojitet një qasje më e lartë dhe më e shenjtë për t’u kujdesur për ta dhe për t’iu dhënë shërbesë. Kjo qasje do t’i ndihmojë fëmijët dhe të rinjtë e të rejat:
-
Të dinë identitetin dhe qëllimin e tyre të përjetshëm.
-
Ta thellojnë kthimin e tyre në besim te Jezu Krishti, duke e futur ungjillin e Tij në zemrat e tyre dhe duke i frymëzuar ata që të zgjedhin ta ndjekin Atë.
-
T’i përmbushin detyrat e Priftërisë Aarone.
-
Të marrin pjesë së bashku në punën për shpëtim.
-
Të zhvillohen personalisht me përkrahjen e prindërve dhe të udhëheqësve që iu vijnë në ndihmë si të nevojitet.
-
Të bëhen të denjë për të marrë pjesë në tempull dhe për të pasur gëzim të qëndrueshëm në shtegun e besëlidhjes.
Kur fëmijët dhe të rinjtë e të rejat marrin zbulesë për jetën e tyre, ndërtojnë marrëdhënie të përqendruara tek ungjilli dhe e ushtrojnë lirinë e zgjedhjes teksa rriten, ata do të jenë të suksesshëm në përmbushjen e këtyre qëllimeve.
Përpiquni Fort ta Ndiqni Shpëtimtarin
Në fëmijërinë e Tij, Jezusi kishte nevojë t’i mësonte identitetin dhe misionin e Tij hyjnor, ashtu siç duhet të bëjë çdo fëmijë i Perëndisë. Ai “rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve” (Lluka 2:52). Ai u rrit në një mënyrë të baraspeshuar dhe ashtu mund të rriten të gjithë fëmijët dhe të rinjtë e të rejat.
Ndihmojini fëmijët dhe të rinjtë e të rejat ta kenë me vete Shpëtimtarin në të gjitha aspektet e jetës së tyre – jo vetëm në Shabat. Ndërsa përpiqen fort ta bëjnë Jezu Krishtin qendrën e jetës së tyre, Ai premton të dërgojë Frymën e Shenjtë që të jetë ngushëlluesi dhe udhërrëfyesi i tyre.
Ideale do të ishte që ndjekja e Shpëtimtarit të fillojë në shtëpi. Udhëheqësit e Kishës mund të japin përkrahje të rëndësishme për individët dhe familjet.
Të Përqendruar te Shtëpia
Prindërit planifikojnë përvoja dhe bashkëbisedime si familje që t’ia mësojnë ungjillin e Jezu Krishtit dhe t’ia përmbushin nevojat e pashoqe çdo fëmije. Kjo ndodh kur familjet punojnë dhe luajnë së bashku në mënyra që ua mësojnë aftësitë thelbësore, e forcojnë karakterin dhe sigurojnë mundësi për t’u rritur.
Nxiteni Rritjen
-
Lutuni për udhërrëfim. Ati Qiellor i njeh fëmijët tuaj dhe do t’ju ndihmojë t’u jepni mësim atyre.
-
Ndihmojini fëmijët tuaj ta kërkojnë dhe ta dallojnë ndikimin e Frymës së Shenjtë.
-
Shprehuni dashuri dhe përgëzojini shpesh fëmijët tuaj gjatë përpjekjeve të tyre për të vepruar mirë dhe për cilësitë si të Krishtit që shihni tek ta.
-
Kërkoni mundësi për t’u shërbyer të tjerëve si familje.
Siguroni Udhërrëfim
-
Ndihmojini fëmijët tuaj të kuptojnë se si ata mund ta vënë në zbatim ungjillin në të gjitha fushat e jetës së tyre.
-
Udhëzojini fëmijët tuaj dhe nxitini ata të vendosin vetë synimet dhe planet e tyre.
-
Ndihmojini ata t’i gjejnë vetë zgjidhjet e tyre për problemet.
-
Jepni përkrahje, ndihmë dhe nxitje përgjatë ecurisë.
Flisni me Udhëheqësit
Komunikoni me mësuesit dhe udhëheqësit për të përcaktuar se si ata mund t’i përkrahin më së miri fëmijët tuaj. Jini të kujdesshëm që të mos e shkelni mirëbesimin e fëmijëve tuaj ose t’i vini në siklet.
Të Përkrahura nga Kisha
Roli i Kishës përfshin dhënien mësim të ungjillit të Jezu Krishtit, sigurimin e ordinancave dhe përkrahjen e shtëpisë. Udhëheqësit dhe mësuesit i përkrahin prindërit duke krijuar marrëdhënie të forta, edukative me fëmijët dhe të rinjtë e të rejat të cilëve u shërbejnë.
Flisni me Prindërit
-
Komunikoni në mënyrë joformale me prindërit që të zbuloni se si t’i përkrahni fëmijët e tyre. Tregojini pikat e forta që vini re.
-
Pyetini se çfarë shpresojnë ata se do të përjetojnë dhe mësojnë fëmijët e tyre në kuorumet e Priftërisë Aarone, në klasat e Të Rejave dhe në aktivitete.
Kur prindërit nuk janë anëtarë aktivë të Kishës:
-
Shpjegojuani prindërve këtë përpjekje për t’i përkrahur fëmijët dhe të rinjtë e të rejat dhe pyetini nëse dhe si do të donin ata që të përfshiheshin fëmijët e tyre.
-
Pyetini fëmijët ose të rinjtë e të rejat se çfarë lloj përkrahjeje do të donin.
-
Flisni me këshillin e lagjes për mënyrën se si t’i përfshijnë prindërit sa më shumë të jetë e mundur.
Përkrahini Fëmijët dhe Të Rinjtë e Të Rejat
-
Ndihmojini fëmijët dhe të rinjtë e të rejat ta dallojnë ndikimin e Frymës së Shenjtë.
-
Pyetini ata se çfarë dëshirojnë të mësojnë dhe përjetojnë në kuorume, klasa dhe në aktivitete.
-
Nxitini ata që të marrin drejtimin për planifikimin dhe kryerjen e aktiviteteve.
-
Përkrahini mbajtësit e Priftërisë Aarone në përmbushjen e përgjegjësive të kuorumit.
Të Mësuarit e Ungjillit
Në Shtëpi
Studimi i shkrimeve të shenjta dhe lutja vetjake dhe familjare do t’i ndihmojnë fëmijët dhe të rinjtë e të rejat ta ndiejnë dhe dallojnë ndikimin e Frymës së Shenjtë dhe të mësojnë ta duan Shpëtimtarin. Individët dhe familjet nxiten të përdorin manualin Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe fjalët e profetëve të gjallë për ta studiuar ungjillin e Jezu Krishtit.
Në Kishë
Fëmijët dhe të rinjtë e të rejat takohen së bashku për të mësuar për ungjillin e Jezu Krishtit. Fëmijët e mësojnë ungjillin nëpërmjet udhëzimeve në klasë dhe kohës së të kënduarit në Fillore. Të rinjtë e të rejat e mësojnë doktrinën në klasa dhe kuorume. Fëmijët dhe të rinjtë e të rejat ftohen ta tregojnë atë që mësojnë në shtëpi, dhe ta vënë në zbatim ungjillin në jetën e tyre.
Shërbimi dhe Aktivitetet
Në Shtëpi
Shërbimi dhe aktivitetet krijojnë zakone të përditshme të drejta, ndërtojnë marrëdhënie familjare, u mësojnë aftësitë për jetën, zhvillojnë cilësi si të Krishtit dhe i ndihmojnë të rriten fëmijët dhe të rinjtë e të rejat. Shërbimi dhe aktivitetet si familje mund të përqendrohen te nevojat individuale dhe familjare dhe sigurojnë mundësi për t’i vënë në zbatim parimet e ungjillit në përvojat e përditshme.
Në Kishë
Shërbimi – që përfshin mbajtësit e Priftërisë Aarone që kryejnë detyrën në ordinancën e sakramentit – dhe aktivitetet e rregullta sigurojnë mundësi për të mbledhur, për të mësuar aftësi të reja, për të përmbushur detyra të vështira dhe për të ndërtuar marrëdhënie me bashkëmoshatarët dhe udhëheqësit që përqendrohen tek ungjilli. Këto mundësi i ndihmojnë fëmijët dhe të rinjtë e të rejat të rriten nga ana shpirtërore, shoqërore, fizike e intelektuale dhe t’u japin shërbim domethënës të tjerëve. JustServe [ThjeshtShërbe] (JustServe.org) është një burim i vlefshëm për mundësi shërbimi në komunitet.
Aktivitetet shumëditore për të rinjtë e të rejat përfshijnë konferencat Për Forcën e Rinisë (FSY), konferencat e të rinjve dhe të rejave, kampet dhe mbledhje të tjera. Këto aktivitete mund t’i ndihmojnë të rinjtë e të rejat ta thellojnë dëshirën e tyre për ta ndjekur Shpëtimtarin, t’i largojnë nga rutina e tyre e zakonshme dhe t’i ndihmojnë për ta kuptuar se janë pjesë e një grupi më të madh të rinjsh e të rejash që kanë së bashku synime të drejta.
Zhvillimi Vetjak
Në Shtëpi
Fëmijët dhe të rinjtë e të rejat zgjedhin se çfarë mund të bëjnë për t’u rritur dhe për të mësuar që ta ndjekin Shpëtimtarin. Prindërit mund t’i ndihmojnë ata të dallojnë se si po rriten tashmë dhe ku mund të kenë nevojë të përmirësohen. Të gjitha aktivitetet, përfshirë kishën, shkollën, miqësitë, sportet, artet, punën dhe interesa të tjera individuale mund t’i ndihmojnë fëmijët dhe të rinjtë e të rejat ta ndjekin Jezu Krishtin.
Në Kishë
Udhëheqësit e duan dhe i shërbejnë çdo fëmije dhe të riu e të reje dhe bëhen të vetëdijshëm për nevojat dhe interesat e tyre. Nëpërmjet marrëdhënieve të dashura, udhëheqësit mund të kenë një ndikim të pashoq dhe të fuqishëm për t’i përkrahur dhe nxitur fëmijët dhe të rinjtë e të rejat në shërbimin dhe rritjen e tyre individuale.
Rregulloni dhe Përshtatni
Çdo individ, familje dhe bashkësi janë të pashoqe. Ajo që funksionon më së miri për një individ, familje ose bashkësi, mund të mos funksionojë për një tjetër. Bëni atë që funksionon për familjen, klasën, kuorumin ose lagjen tuaj. Flisni për mundësitë e shqetësimet tuaja dhe kërkoni zbulesë për mënyrën se si ta përshtatni këtë nismë për t’i ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë e të rejat individualisht që të arrijnë potencialin e tyre hyjnor.
Për shembull, fëmijët dhe të rinjtë e të rejat do të ndryshojnë nga mënyra se si i qasen rritjes vetjake: lloji, numri dhe shpeshtësia e synimeve, si dhe sa përkrahje u nevojitet, duhet të përcaktohen në mënyrë individuale. Klasat dhe kuorumet gjithashtu përshtaten për t’i plotësuar nevojat. Përveç këtyre, lloji dhe shpeshtësia e aktiviteteve mund të ndryshojnë sipas rrethanave të vendit.
Shtysa dhe Vlerësimi
Shtysa
Fëmijët dhe të rinjtë e të rejat do të marrin shtysë në mënyrë të natyrshme kur ta ndiejnë se i duan, që po rriten, përmirësohen dhe e ndiejnë Frymën e Shenjtë në jetën e tyre. Kur ndryshimi dhe rritja bëhen të vështira për ta, nxitini që të kërkojnë mënyra për t’i mposhtur sfidat ose për t’i rregulluar planet e tyre. Marrëdhëniet e forta dhe të besuara me prindërit, udhëheqësit dhe bashkëmoshatarët mund t’u japin atyre forcë që të vazhdojnë të përpiqen.
Vlerësimi
Ndërsa fëmijët dhe të rinjtë e të rejat përparojnë, lavdërojini përpjekjet e tyre dhe nxitini ata. Jepuni mundësi që të tregojnë se çfarë po mësojnë dhe ta kremtojnë rritjen. Përveç këtyre, të gjithë fëmijët dhe të rinjtë e të rejat mund të marrin artikuj si një unazë ose medaljon për t’iu kujtuar se janë pjesë e një grupi mbarëbotëror që përpiqet fort ta ndjekë Jezu Krishtin. Kur fëmijët dhe të rinjtë e të rejat i përmbushin synimet shpirtërore, shoqërore, fizike dhe intelektuale, ata mund të marrin emblema të tjera.