“Rolet”, Fëmijët dhe Rinia e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme: Një Udhëzues Parashtrues për Prindërit dhe Udhëheqësit (2019)
“Rolet”
Rolet
Shtëpia dhe Prindërit
Cili është roli im?
Jini shembull i drejtë për fëmijët tuaj. Mësojuni atyre se si të rriten në të gjitha fushat e jetës së tyre. Gjeni mënyra për t’i ndihmuar ata të mësojnë gëzimin [që vjen] nga mbajtja e besëlidhjeve, zbulimi i talenteve të reja dhe bërja e gjërave të vështira. Ndihmojeni familjen tuaj t’i afrohet më shumë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit dhe ta jetojë ungjillin në jetën e përditshme.
Çfarë të bëj?
Bëjuani të ditur fëmijëve tuaj se sa shumë i doni. Jini të përfshirë në jetën e tyre. Me lutje përcaktojini nevojat e tyre individuale dhe planifikojeni studimin e ungjillit dhe aktivitete për t’i trajtuar ato nevoja. Jepeni rregullisht dëshminë tuaj para tyre. Flisni me udhëheqësit për mënyrën se si ata mund të ndihmojnë për t’i përkrahur fëmijët tuaj.
Nga t’ia nis?
Vazhdoni të flisni me fëmijët tuaj dhe t’i dëgjoni ata. Lutuni për mënyrën se si mund t’i përkrahni ata. Ndihmojini ata të zbulojnë dhe të fillojnë të punojnë me fushat e të mësuarit për të cilat janë të interesuar. Fillojeni ose vazhdojeni lutjen, studimin e ungjillit dhe mundësitë e shërbimit dhe aktivitetet si familje për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të rriten.
Udhëheqëset dhe Mësueset/it e Fillores
Cili është roli im?
Duajini dhe forcojini fëmijët. Ndihmojini prindërit që t’ju vijnë në ndihmë fëmijëve për ta ndier dashurinë e Atit Qiellor për ta, që ta kuptojnë ungjillin e Jezu Krishtit, ta ndiejnë dhe ta dallojnë ndikimin e Frymës së Shenjtë dhe të përgatiten për të bërë dhe mbajtur besëlidhje të shenjta.
Çfarë të bëj?
Sigurohuni që klasat e Fillores dhe koha e të kënduarit t’i ndihmojnë fëmijët që ta ndiejnë Shpirtin, të rriten në besim dhe ta ndiejnë gëzimin e ungjillit të Jezu Krishtit në jetën e tyre. Me fushat e rritjes që sugjerohen te Lluka 2:52 si udhëzues, planifikoni shërbim e aktivitete argëtuese dhe përfshirëse që ndërtojnë dëshmitë, i forcojnë familjet dhe ushqejnë unitet e rritje vetjake.
Nga t’ia nis?
Njihuni me fëmijët dhe familjet e tyre dhe jepni shërbesë sipas nevojave të tyre. Si presidencë e Fillores, me lutje kërkoni se si të mund t’i ndihmoni mësueset/it, drejtueset e muzikës dhe udhëheqëset tuaja të aktiviteteve që t’i ndihmojnë fëmijët për ta ndjekur Shpëtimtarin.
Udhëheqëset e Të Rejave
Cili është roli im?
Ndihmojini prindërit dhe peshkopatën që t’i udhërrëfejnë dhe frymëzojnë të rejat për ta kuptuar identitetin e tyre si bija të Perëndisë, të përgatiten për besëlidhjet e tempullit dhe t’i përmbushin qëllimet e tyre hyjnore. Udhëzojini presidencat e klasave ndërsa i drejtojnë, u japin shërbesë dhe u shërbejnë anëtareve të klasave të tyre.
Çfarë të bëj?
Jepni shembull si dishepulle e Jezu Krishtit. Udhëzojini presidencat e klasave ndërsa ato me lutje planifikojnë dhe ndihmojnë të jepen mësimet nga materiali Come, Follow Me—For Young Women [Eja, Më Ndiq: Për të Rejat]. Nxitini ato që të udhëheqin planifikimin dhe kryerjen e shërbimit dhe aktiviteteve që do t’i ndihmojnë të rejat të rriten në të gjitha fushat e jetës së tyre. Jepuni përkrahje shtesë të rejave që kanë nevojë për të.
Nga t’ia nis?
Njihuni me të rejat individualisht. Flisni me të rejat, prindërit e tyre dhe peshkopatën për mënyrën se si mund ta përkrahni rritjen e të rejave. Lutuni që të dini se si mund t’i ndihmoni presidencat e klasave tuaja që t’ia dalin në thirrjet e tyre.
Udhëheqësit e Priftërisë Aarone
Cili është roli im?
Ndihmojini prindërit dhe peshkopatën t’i përgatitë të rinjtë për shugurimin në detyrat e priftërisë, besëlidhjet e tempullit, misionet dhe rolet hyjnore. Frymëzojini ata ta kuptojnë qëllimin dhe identitetin e tyre si bij të Perëndisë. Udhëzojini presidencat e kuorumeve ndërsa i drejtojnë, u japin shërbesë dhe u shërbejnë anëtarëve të kuorumeve të tyre dhe ndërsa kryejnë detyrën në ordinancën e sakramentit.
Çfarë të bëj?
Jepni shembull si dishepull i Jezu Krishtit. Udhëzojini presidencat e kuorumeve ndërsa i ushtrojnë çelësat e tyre, kryejnë detyrën në ordinancën e sakramentit dhe me lutje planifikojnë dhe ndihmojnë që të jepen mësimet nga materiali Come, Follow Me—For Young Men [Eja, Më Ndiq: Për Të Rinjtë]. Ndihmojini ata të planifikojnë dhe t’i përmbushin shërbimin dhe aktivitetet që do t’i ndihmojnë të rinjtë të rriten në të gjitha fushat e jetës së tyre. Lërini të drejtojnë. Jepuni përkrahje shtesë të rinjve që kanë nevojë për të.
Nga t’ia nis?
Kaloni kohë me të rinjtë. Njihuni me ta dhe duajeni secilin. Flisni me peshkopatën, të rinjtë dhe prindërit e tyre për të përcaktuar se si mund t’i përkrahni ata ndërsa rriten për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari. Lutuni që të dini se si mund t’i ndihmoni presidencat e kuorumeve tuaja që t’i ushtrojnë çelësat e tyre dhe t’ia dalin në thirrjet e tyre.
Mësuesit/et e Shkollës të së Dielës
Cili është roli im?
Përpiquni fort t’i ndihmoni të rinjtë e të rejat që të vijnë te Krishti duke e mësuar dhe ndjekur doktrinën e Tij. Mësojuni të rinjve e të rejave ta kuptojnë, ta shpërndajnë dhe ta jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit.
Çfarë të bëj?
Jepni shembull si dishepuj ose dishepulle të Jezu Krishtit dhe ndihmojini të rinjtë e të rejat ta ndërtojnë besimin e tyre. Nxitini ata t’i studiojnë shkrimet e shenjta në shtëpi – individualisht dhe me familjet e tyre. Ndihmojini ata që t’i përgatitin dhe t’i japin mësim parimet e doktrinës. Ftojini ata ta vënë në zbatim atë që po mësojnë për zhvillimin e tyre vetjak.
Nga t’ia nis?
Përpiquni të jepni mësim siç dha Shpëtimtari. Njihuni me të rinjtë dhe të rejat individualisht. Lutuni që të dini se si mund t’i ndihmoni ata dhe ato për t’u rritur që të bëhen më shumë si Shpëtimtari. Forcojini anëtarët e klasës dhe prindërit e tyre gjatë përpjekjeve për ta mësuar dhe dhënë mësim ungjillin në kishë dhe në shtëpitë e tyre.
Peshkopata dhe Presidencat e Kuorumeve dhe të Klasave
Cili është roli i tyre?
Peshkopata është presidenca e Priftërisë Aarone në lagje dhe është përgjegjëse për të rejat dhe të rinjtë. Presidencat e kuorumeve të Priftërisë Aarone funksionojnë me çelësat që iu jepen kur veçohen presidentët e kuorumeve. Presidencat e klasave të Të Rejave funksionojnë nën autoritetin e priftërisë pasi ato të jenë veçuar nga një anëtar i peshkopatës.
Çfarë bëjnë ata?
Presidencat duhet të përpiqen fort të jenë dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit ndërsa e ndihmojnë çdo anëtar të kuorumit ose çdo anëtare të klasës të ndiejë se e duan dhe të zbulojë gëzimin nga të jetuarit e ungjillit. Nën drejtimin e peshkopatës, presidencat e kuorumeve i udhëheqin mbajtësit e Priftërisë Aarone ndërsa ata kryejnë detyrën në ordinancën e sakramentit. Edhe presidencat e kuorumeve, edhe ato të klasave udhëheqin mbledhjen e Izraelit në të dyja anët e velit dhe përkujdesjen ndaj njerëzve në nevojë.
Nga t’ia nisin?
Presidencat i mësojnë detyrat e tyre nga Zoti dhe nga udhëheqësit e tyre. Ata luten për anëtarët e kuorumit ose anëtaret e klasave dhe njihen me nevojat e tyre. Ata i përkrahin anëtarët dhe anëtaret për t’u bërë dishepuj dhe dishepulle të Jezu Krishtit. Ata këshillohen së bashku rreth mësimeve, aktiviteteve dhe shërbimeve që do t’i bekojnë dhe forcojnë të rinjtë e të rejat dhe do të sjellin unitet në kuorumet ose klasat e tyre.