Parimet dhe Orientimet për Planifikimin e Shtëpive të Mbledhjeve
“Kisha pajis me shtëpi mbledhjesh në mënyrë që të gjithë ata që hyjnë të mund:
-
Të bëjnë dhe t’i përtërijnë besëlidhjet nëpërmjet ordinancave të shenjta (shih Doktrina e Besëlidhje 20:75; 59:9–12).
-
Të mblidhen së bashku (shih 3 Nefi 18:22–23).
-
Të adhurojnë dhe të luten së bashku (shih Mosia 18:25; Moroni 6:9).
-
T’i japin mësim dhe shërbesë njëri‑tjetrit (shih Moroni 6:4–5).
-
Të marrin pjesë në përdorime të tjera të miratuara siç përshkruhet te kapitulli 35 te Manuali i Përgjithshëm.
Një shtëpi mbledhjesh mund të marrë forma të ndryshme në varësi të rrethanave dhe nevojave vendore” (Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 35.1).
“Në mënyrë që ta forcojnë Kishën, zonat përgatitin plane kryesore afatgjata përpara se të marrin vendime për të shtuar apo ripërcaktuar hapësira në shtëpinë e mbledhjeve” (Parimet dhe Orientimet për Pajisjen me Shtëpi Mbledhjeje [2021], ChurchofJesusChrist.org). Parimet dhe orientimet e mëposhtme do ta ndihmojnë personelin e zonës ndërsa përkrah udhëheqësit e priftërisë të zonës dhe të kunjeve për të përmbushur këtë qëllim.
Parimet
Forcimi i Njësive
Forcimi i Kishës nëpërmjet rregullimit të madhësisë dhe kufijve të njësive është përgjegjësi e udhëheqjes së priftërisë siç drejtohet nga Presidenca e Zonës. Ndryshimet në kufijtë e njësive mund të përmirësojnë edhe vënien në përdorim të shtëpive të mbledhjeve.
Vënia në Përdorim
“Përpara pajisjes me hapësirë shtesë në shtëpinë e mbledhjeve, udhëheqësit sigurohen që shtëpitë e mbledhjeve në dispozicion brenda një kohe të arsyeshme udhëtimi po vihen në përdorim sipas kapacitetit të tyre” (Parimet dhe Orientimet për Pajisjen me Shtëpi Mbledhjeje). Kapaciteti i shtëpive të mbledhjeve përfshin si numrin e anëtarëve (kapacitetin e frekuentimit) ashtu edhe numrin e njësive (kapacitetin e njësive) që mund të gjejnë vend në një shtëpi mbledhjeje. Në zonat me luhatje të numrit të anëtarësisë, mund të merret në konsideratë ripërcaktimi (heqja nga përdorimi ose ndryshimi i përdorimit) i shtëpive të mbledhjeve dhe pronave me përdorim të ulët.
Parashikimi i Përshtatshëm
Parashikimi i rritjes së anëtarësisë dhe pjesëmarrjes është i domosdoshëm për të hartuar një plan kryesor të efektshëm dhe të përshtatshëm për shtëpitë e mbledhjeve. Parashikimet për anëtarësinë dhe pjesëmarrjen duhet të llogariten sipas metodologjisë së miratuar.
Vendosja Strategjike
Cilado godinë mbledhjesh duhet të vendoset në vendndodhjen më të përshtatshme për të strehuar me efektshmëri numrin optimal të anëtarëve, pavarësisht nga kufijtë e kunjeve. Kuptueshmëria për prirjet e rritjes, modelet e migrimit dhe transportin në dispozicion është e domosdoshme për t’i vendosur në mënyrë strategjike shtëpitë e mbledhjeve.
Përballueshmëria Ekonomike
“Udhëheqësit zonalë dhe vendorë kërkojnë zgjidhje të përshtatshme ekonomikisht, afatgjata dhe të qëndrueshme për nevojat për shtëpi mbledhjesh” (Parimet dhe Orientimet për Pajisjen me Shtëpi Mbledhjeje).
Zonat duhet t’i marrin parasysh të gjitha variantet e mundshme që përputhen me kushtet vendore. Zgjidhje të përshtatshme mund të përfshijnë shtëpinë e një anëtari; një shkollë vendore ose qendër të komunitetit; një godinë të marrë me qira; një hapësirë ku Kisha ka ndërtuar, e ka blerë, apo i ka dhënë trajtë tjetër, ose variante të tjera.
Orientimet
Udhëheqësit e priftërisë duhet të marrin parasysh sa vijon kur përcaktojnë se sa lagje të përdorin një shtëpi mbledhjesh:
-
Oraret e mbledhjeve të së dielës fillojnë në një kohë të arsyeshme dhe përfundojnë jo më vonë se ora 16:00, për t’u dhënë mundësi të gjitha familjeve që ta studiojnë ungjillin në shtëpi.
-
Anëtarët jetojnë brenda një distance me kohë të përshtatshme udhëtimi për në shtëpinë e mbledhjeve.
-
Përshtatjet për shtëpinë e mbledhjeve, po të nevojiten, janë të vogla dhe me kosto të ulët.
Zonat vënë në zbatim parimet e planifikimit për shtëpitë e mbledhjeve dhe hartojnë plane kryesore pesëvjeçare përpara se të marrin vendime për të shtuar apo ripërcaktuar hapësira në shtëpinë e mbledhjeve.
Hartimi i Planeve Kryesore nga Shumë Kunje ose Këshill Bashkërendues
Planet kryesore mund të krijohen në nivel shumëkunjësh ose këshilli bashkërendues kur:
-
Ekzistojnë mundësi përdorimi të përbashkët për godinat aktuale ose të propozuara për kunje të shumta.
-
Ricaktimet e kufijve mund të ndikojnë te shumë kunje.
-
Rritja dhe vënia në përdorim e parashikuar tregojnë nevojën për hapësirë të re.
-
Luhatja në anëtarësi ka krijuar hapësirë të tepërt që mund të ripërcaktohet.
Përgjegjësit zonalë për planifikimin punojnë me Të Shtatëdhjetët Zonalë dhe presidentët e kunjeve përkatës për të përgatitur rekomandimet për miratim nga Presidenca e Zonës.
Planifikimi në Nivel Kunji
Kur merret parasysh nevoja për të shtuar apo ripërcaktuar hapësira në shtëpinë e mbledhjeve që nuk përfshihet në një plan kryesor nga shumë kunje ose këshilli bashkërendues, përgjegjësi zonal për planifikimin punon me presidentin e kunjit përkatës për të përgatitur rekomandimet për miratim nga Presidenca e Zonës.
Miratimi dhe Financimi i Projektit
Projektet për hapësirë të re ose ripërcaktim të identifikuara në procesin e planifikimit, mund të dorëzohen si pjesë e planit vjetor ose nëpërmjet procesit shtesë të miratimit.
Rolet dhe Përgjegjësitë
Presidenca e Zonës
Presidenca e Zonës siguron orientim për strategjitë, vendimet dhe rezultatet e dëshiruara të planifikimit për shtëpitë e mbledhjeve. Presidenca e Zonës identifikon fushat e veçanta të shqetësimit, i udhëzon Të Shtatëdhjetët Zonalë mbi doktrinat e parimet dhe miraton përparësitë për planifikimin kryesor dhe rekomandimet përfundimtare.
I Shtatëdhjeti Zonal dhe Udhëheqësit Vendorë të Priftërisë
I Shtatëdhjeti Zonal u mëson doktrinën dhe parimet presidentëve të kunjeve e të misioneve dhe gjithashtu këshillohet me personelin e zonës. I Shtatëdhjeti Zonal, presidentët e kunjeve dhe presidentët e misioneve i shqyrtojnë dhe japin përshtypje mbi planet kryesore për shtëpitë e mbledhjeve. Ata ia dorëzojnë për shqyrtim Presidencës së Zonës çdo ndryshim kufiri të njësisë.
Drejtori për Çështjet Materiale (DTA) [DÇM] dhe Personeli i Zonës
Drejtori për Çështjet Materiale (DTA) [DÇM] dhe personeli i zonës u sigurojnë udhëheqësve kishtarë të dhëna të sakta, raporte, analiza dhe rekomandime. Në përputhje me drejtimin e Presidencës së Zonës dhe Programin Zonal për Shtëpitë e Mbledhjeve, përgjegjësi zonal për planifikimin përgatit planet kryesore pesëvjeçare, të cilat përfshijnë zëra nga planifikimi në nivel këshilli bashkërendues, shumëkunjësh dhe kunji. Përgjegjësi për planifikimin bashkëpunon me udhëheqësit e priftërisë për të marrë vendime të informuara dhe për të përfunduar rekomandimet.
Shënim: Termi presidencë kunji i drejtohet edhe presidencës së distriktit.