Misionar me Shërbim
1. Përvoja Juaj si Misionar/e


“1. Përvoja Juaj si Misionar/e”, Standardet Misionare për Dishepujt e Jezu Krishtit – Misionet e Shërbimit (2021)

“1. Përvoja Juaj si Misionar/e”, Standardet Misionare për Dishepujt e Jezu Krishtit – Misionet e Shërbimit

Christ and the Fishermen [Krishti dhe Peshkatarët], nga J. Kirk Richards

1

Përvoja Juaj si Misionar/e

1.0

Parathënia

Misioni juaj në të vërtetë nuk filloi ditën që u veçuat. Ai nuk do të mbarojë ditën që do të liroheni. Një mision shërbimi është më shumë sesa të veshësh një uniformë në mëngjes vetëm për ta hequr atë sërish kur dita mbaron.

Përvoja juaj në misionin e shërbimit demonstron zotimin tuaj ndaj Jezu Krishtit dhe dëshirën tuaj për t’u shërbyer të tjerëve në emrin e Tij. Që nga pagëzimi juaj, keni qenë në shtegun e besëlidhjeve që çon drejt lumturisë, gëzimit dhe paqes së përjetshme. Përvoja juaj në mision mund t’ju ndryshojë dhe duhet t’i mbani ato ndryshime në veten tuaj gjatë gjithë jetës në vazhdim.

I parë nga një këndvështrim i përjetshëm, misioni juaj është më tepër sesa një kuti përzgjedhjeje që duhet shënuar se misioni u krye. Ai është një mënyrë për t’ju ndihmuar në synimin tuaj për t’u bërë dishepuj të Jezu Krishtit për tërë jetën. Presidenti Marion G. Romni tha: “Shërbimi nuk është diçka që ne e durojmë në këtë tokë në mënyrë që të fitojmë të drejtën për të jetuar në mbretërinë çelestiale. Shërbimi është vetë thelbi nga i cili përbëhet jeta e ekzaltuar në mbretërinë çelestiale” (“The Celestial Nature of Self-reliance”, Ensign, nëntor 1982, f. 93).

Zoti tha: “Prandaj, nëse keni dëshirë t’i shërbeni Perëndisë, ju thirreni për veprën” (Doktrina e Besëlidhje 4:3). Qoftë nëse u caktuat fillimisht për të qenë një misionar me shërbim, u transferuat për t’u bërë një misionar me shërbim ose u rikthyet pas një pushimi si misionar me shërbim, ju keni privilegjin t’ia kushtoni këtë periudhë të jetës suaj shërbimit ndaj Zotit duke u shërbyer të tjerëve në emrin e Tij. Në këtë thirrje, do të keni mundësi për të dhënë shërbim që do të bekojë njerëz të tjerë, vetë jetën tuaj, familjen tuaj, Kishën dhe organizatat ku shërbeni.

Secili prej nesh është dërguar në tokë me aftësi dhe talente të ndryshme. Me talentet dhe aftësitë tuaja të pashoqe, mund të jepni një kontribut kuptimplotë në veprën e Perëndisë në tokë. Shërbimi juaj besnik si misionar/e është një ofertë e pranueshme për Zotin.

Gëzohuni me përvojën tuaj misionare teksa e doni Perëndinë dhe e doni të afërmin tuaj. Kjo është një kohë për t’u gëzuar dhe për të përjetuar lumturi dhe paqe të përhershme nëpërmjet Jezu Krishtit.

1.1

Bindja

Dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit janë të bindur. Shpëtimtari dha mësim: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15). Të zbatosh urdhërimet do të thotë të bësh me gatishmëri dhe besnikëri atë që të kërkon Zoti për shkak se e do Atë. Bindja do të thotë gjithashtu që i zbaton urdhërimet me “gëzim” (Kolosianëve 1:11) dhe “thjeshtësi zemre” (Veprat e Apostujve 2:46).

Jezu Krishti është shembulli i bindjes së përsosur. Gjithçka që bëri Ai, ishte vullneti i Atit. Ndiqeni Atë duke bërë më të mirën tuaj që t’i zbatoni të gjitha urdhërimet e Tij dhe që të jetoni standardet e misionarëve me shërbim. Të qenit i/e bindur dhe besnik/e gjithashtu do të thotë që përpiqeni të mësoni, të rriteni dhe të përmirësoheni. Korrigjojini shpejt gabimet. Tregoni se jeni besnik/e dhe i/e bindur duke mbajtur përgjegjësi vetjake për veprimet tuaja.

Kur i zbatoni urdhërimet dhe standardet misionare si dhe përdorni gjykimin e urtë do të bekoheni. Ju lutemi, kuptojeni se, edhe kur i zbatoni urdhërimet, ju mund të përjetoni shqetësim, sëmundje ose sfida (shih Gjoni 16:33). Shpëtimtari i përjetoi të gjitha këto gjëra (shih Alma 7:11–12; Doktrina e Besëlidhje 122:8). Ai premton: “Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju” (Gjoni 14:18).

Perëndia ju do. Zgjidhni t’i zbatoni urdhërimet ngaqë e doni Perëndinë. Mos u përpiqni të bëni marrëveshje me Zotin ose ta trajtoni bindjen tuaj si një veprim shitblerjeje për të fituar bekime të veçanta.

1.2

Liria e Zgjedhjes

Liria e zgjedhjes, ose aftësia për të zgjedhur dhe vepruar për veten tuaj, është njëra prej dhuratave më të mëdha të Perëndisë për fëmijët e Tij. Përparimi ynë i përjetshëm varet nga mënyra se si e përdorim këtë dhuratë. Ne duhet të zgjedhim a ta ndjekim Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij. Liria e zgjedhjes ju lejon të mësoni, të përparoni dhe të ndiqni Shpëtimtarin. Me të ju jeni i/e “lirë të zgj[idhni] lirinë dhe jetën e përjetshme, nëpërmjet Ndërmjetësit të madh të të gjithë njerëzve” (2 Nefi 2:27).

Ju jeni përgjegjës për vendimet që merrni. Jeni një fëmijë i Perëndisë me forcë të madhe. Keni aftësinë për të zgjedhur drejtësinë dhe lumturinë pavarësisht nga rrethanat tuaja.

Ju gjithashtu keni përgjegjësinë të zhvilloni aftësitë dhe talentet që Perëndia ju ka dhënë. Misioni juaj është një kohë për të mësuar të jeni përgjegjës/e para Tij për atë që bëni me aftësitë tuaja dhe për mënyrën se si e përdorni kohën tuaj. Mos e çoni kohën dëm duke qenë përtacë. Jini të gatshëm të punoni fort. Zgjidhni të keni vazhdimësi dhe të jeni i/e besueshëm/me dhe të bëni shumë gjëra të mira me vullnetin tuaj të lirë.

1.3

Qëllimi i Misionarëve me Shërbim

Shërbesa e Shpëtimtarit është mishërim i dy urdhërimeve të mëdha: “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde” dhe “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Mateu 22:37, 39). Ne e shprehim dashurinë për të afërmit tanë kur u shërbejmë atyre. Ndërsa u shërbejmë të tjerëve, ne gjithashtu i demonstrojmë Perëndisë dashurinë tonë: “Kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj” (Mosia 2:17).

Presidenca e Parë dha një qëllim për misionarët me shërbim për t’ju udhërrëfyer në thirrjen tuaj të shenjtë për të shërbyer:

“Qëllimi ynë është t’i ndihmojmë të tjerët që të vijnë te Krishti duke u shërbyer sikurse do t’u shërbente Shpëtimtari. Ne shërbejmë vullnetarisht në organizata bamirëse, në funksione të Kishës dhe brenda komunitetit. Ne do t’i japim shërbesë individit në emër të Tij, sikurse e bëri Ai, duke shprehur mirësinë e Tij plot dashuri.”

Mbajeni mend se mënyra se si i shërbeni Shpëtimtarit është më e rëndësishme sesa vendi ku shërbeni ose ajo çfarë bëni. Presidenti Rasëll M. Nelson deklaroi: “Nëpërmjet një jete të tërë shërbimi në këtë Kishë, unë kam mësuar se me të vërtetë nuk ka rëndësi vendi se ku shërben dikush. Ajo për të cilën interesohet Zoti është mënyra se si shërben dikush” (“Dhënia e Shërbesës me Fuqinë dhe Autoritetin e Perëndisë”, Liahona, maj 2018, f. 68). Shërbimi juaj është për Mësuesin dhe jeni i/e ftuar të shërbeni si Ai!

1.4

Objektivat e Misionarëve

Presidenca e Parë dha edhe objektivat vijuese për misionin e shërbimit:

  • T’u sigurojë të gjithë të rejave dhe të rinjve të gatshëm një mundësi për t’i shërbyer Zotit dhe për ta rritur dëshminë për Të.

  • Ta ndihmojë çdo misionar/e me shërbim të përgatitet për jetë të tërë shërbimi.

  • Të japë shërbimin e nevojshëm dhe të çmuar ndaj Zotit nëpërmjet shërbimit në Kishë dhe në organizatat e komunitetit.

Teksa i shërbeni me besnikëri Shpëtimtarit në emrin e Tij dhe sipas mënyrës së Tij si gjatë misionit tuaj edhe pas tij, ju do të zhvilloni tipare të ngjashme me të Krishtit. Këto tipare ose veti, do t’ju ndihmojë t’i arrini objektivat tuaja si misionar/e.

Ju keni mundësinë për të ndërtuar zotësi të reja shpirtërore, shoqërore, fizike dhe intelektuale që do t’ju bekojnë dhe do të ndikojnë te ju në të gjitha aspektet e jetës suaj.

1.5

Standarde për Gjithë Jetën

Perëndia ju fton t’i përkushtoheni Atij gjatë gjithë jetës suaj. Standardet e misionit, të tilla si studimi vetjak, vënia e synimeve dhe përdorimi siç duhet i teknologjisë, do t’ju bekojnë gjatë misionit tuaj dhe gjatë gjithë jetës suaj në vazhdim.

Le të bëhen parime udhërrëfyese për tërë jetën tuaj urdhërimet në shkrimet e shenjta dhe këto standarde të misionarëve/eve. Teksa i zbatoni urdhërimet dhe standardet e Perëndisë, Ai do t’ju drejtojë, bekojë dhe udhërrëfejë gjatë gjithë jetës suaj.