Misionar me Shërbim
3. Sjellja Misionare


“3. Sjellja Misionare”, Standardet Misionare për Dishepujt e Jezu Krishtit – Misionet e Shërbimit (2021)

“3. Sjellja Misionare”, Standardet Misionare për Dishepujt e Jezu Krishtit – Misionet e Shërbimit

Every Knee Shall Bow [Çdo Gju do të Përkulet], nga J. Kirk Richards

3

Sjellja Misionare

3.0

Parathënia

Kjo pjesë përshkruan standardet misionare për sjelljen dhe cilësitë si të Krishtit. Nga ju pritet t’i ushtroni dhe zhvilloni këto standarde dhe cilësi teksa bëheni një dishepull/e më i/e përkushtuar i/e Jezu Krishtit. Siç dha këshillë profeti Moroni: “Mbaj mend fjalën e Perëndisë që thotë se ju do t’i njihni ata nga punët e tyre; pasi në qoftë se punët e tyre janë të mira, atëherë ata gjithashtu janë të mirë” (Moroni 7:5).

3.1

Sjellja si e Krishtit

Lutuni dhe punoni për të zhvilluar tipare ose veti të ngjashme me të Krishtit, sikurse përshkruhen në shkrimet e shenjta dhe në mësimet e profetëve të gjallë. Këto veti përfshijnë mirënjohjen, dashamirësinë, dashurinë, përulësinë, durimin, ndjeshmërinë dhe bindjen. Me ndihmën e Zotit dhe vetë përpjekjet tuaja të sinqerta e të zellshme, ju mund të zhvilloni veti si të Krishtit (shih Mosia 3:19).

Jini dashamirës, pozitivë dhe lartësues. Jini të vëmendshëm për situatën e çdo njeriu. Ju jeni një mik/e në vendndodhjen ku shërbeni dhe duhet t’i trajtoni njerëzit dhe vendet me respekt e vlerësim.

Ndërkohë që shërbeni në komunitet, respektojini gjithnjë zakonet, bindjet fetare dhe praktikat e të tjerëve në çdo kohë. Shmangeni fyerjen e të tjerëve. Mbajeni mend, ajo që thoni dhe ajo që bëni gjatë detyrave tuaja të shërbimit mund të dëgjohet, vëzhgohet dhe regjistrohet. Kudo që të shërbeni, jeni një përfaqësues/e i/e Jezu Krishtit dhe Kishës së Tij të rivendosur.

3.2

Denjësia për në Tempull

Misionarët/et nevojitet të jenë të denjë/a për në tempull gjatë gjithë misionit të tyre.

Zoti Jezu Krisht ju fton të “përgatiteni, dhe të shenjtëroheni; po, pastroni zemrat tuaja dhe pastroni duart e këmbët tuaja përpara meje, që unë të mund t’ju bëj të pastër” (Doktrina e Besëlidhje 88:74). Një pjesë e kësaj përgatitjeje është mbajtja e besëlidhjeve tuaja të tempullit nëse e keni marrë dhurimin tuaj në tempull.

3.2.1

Besëlidhjet e Tempullit (Nëse e Keni Marrë Dhurimin)

Mbajtja e besëlidhjeve të tempullit për bindjen, sakrificën dhe përkushtimin do t’ju fuqizojë dhe do t’ju ndihmojë të bëheni më shumë si Shpëtimtari.

Edhe nëse nuk ka tempull në zonën e misionarëve me shërbim, qëndroni të denjë për në tempull. Kërkojini peshkopit dhe presidentit tuaj të kunjit një intervistë për rekomandim tempulli përpara se t’i mbarojë vlefshmëria rekomandimit tuaj.

Mbajtja e veshjeve të brendshme të tempullit është privilegji i shenjtë i atyre që kanë bërë besëlidhjet e dhurimit. Lëreni Shpirtin e Shenjtë t’ju udhërrëfejë në shqyrtimin e zotimit tuaj vetjak për ta mbajtur veshjen e brendshme të tempullit.

3.2.2

Adhurimi në Tempull

Nëse një tempull është pranë, ju nxitim të shkoni në tempull si frekuentues gjatë gjithë misionit tuaj. Ky frekuentim mund të jetë edhe njëra nga mundësitë që ju caktohen për shërbim.

Frekuentimi i tempullit nuk duhet të krijojë përplasje me detyrat e tjera misionare. Kur jeni duke shërbyer në tempull, përmbusheni detyrën tuaj me dinjitet, respekt dhe nderim. Kur frekuentoni tempullin, mbani mend sa vijon:

  • Nëse thirreni nga presidenca e tempullit për të shërbyer si një punonjës ordinancash, do të shërbeni në tempull sipas drejtimit të tyre.

  • Mos sillni aparate fotografike, telefona celularë ose materiale për lexim (përfshirë bekimet patriarkale) që t’i përdorni brenda tempullit.

  • Mos u mblidhni si misionarë/e ose të gjunjëzoheni në lutje në dhomën çelestiale.

  • Me anë të çuarjes së emrave të familjarëve në tempull, mund të ndihmoni të mblidhet Izraeli në anën tjetër të velit dhe ta pasuroni përvojën tuaj në tempull.

3.3

Ligji i Dëlirësisë

Një pjesë e rëndësishme e të qenit i/e denjë për në tempull është t’i bindeni ligjit të dëlirësisë. Bëni gjithçka mundeni për ta mbrojtur vetveten prej tundimit seksual që mund të çojë në shkelje të kësaj besëlidhjeje të shenjtë. Bërja e gjërave që e shkelin ligjin e dëlirësisë, mundet edhe të rezultojë në kallëzim penal në disa zona.

Shmangeni çdo mendim ose veprim që do t’ju largonte nga Shpirti. Kjo përfshin, por nuk kufizohet vetëm me, shkeljen e kurorës; kurvërinë; ndërveprimin seksual brenda së njëjtës gjini; seksin gojor; nxitjen e ndjenjave seksuale; prekjen e papërshtatshme; dërgimin ose marrjen e mesazheve, figurave apo materialeve filmike që janë imorale ose seksuale nga natyra; masturbimin dhe shikimin ose përdorimin e pornografisë. Për më tepër informacion, shihni Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], “Pendimi”, f. 28–29.

Nëse po hasni vështirësi për t’i mbajtur këto standarde, kërkojini ndihmë Zotit dhe flisni menjëherë me presidentin tuaj të kunjit.

3.3.1

Shmangia e Pornografisë

Ka forma të shumta pornografie. Planifikimi paraprak dhe bërja e zgjedhjeve të drejta mund t’ju ndihmojnë ta shmangni pornografinë. Nëse e shihni, hiqini sytë që andej, fikeni pajisjen ose largohuni nga situata.

Përdorini sugjerimet në vijim për t’ju ndihmuar ta shmangni pornografinë:

  • Shmangini faqet e internetit, materialet dhe vendet ku ka të ngjarë të dëgjoni, lexoni ose shihni materiale sugjeruese ose pornografi.

  • Mësoni t’i njihni rastet kur tundoheni më shumë për ta përdorur teknologjinë në mënyrë të papërshtatshme, të tilla si kur jeni të lodhur ose të mërzitur.

  • Në vend të kësaj, kini një plan për atë që do të bëni në ato raste. Udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit mund t’ju vijnë në ndihmë. Gjithashtu mund të gjeni informacion te faqja ChurchofJesusChrist.org/addressing-pornography.

Çdokush që kërkon ta shmangë ose mposhtë pornografinë, mund të gjejë ndihmë dhe shërim nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Nëse po hasni vështirësi, flisni me presidentin tuaj të misionit, i cili duhet të sigurojë këshillë dhe përkrahje me dashuri.

3.4

Ndershmëria

Ne urdhërohemi të jemi të ndershëm. Denjësia për në tempull përfshin të qenit i ndershëm në të gjitha marrëdhëniet tuaja me të tjerët. Të qenit i/e ndershëm/me përfshin:

  • Të thënit e së vërtetës, veçanërisht udhëheqësve tuaj të misionit të shërbimit dhe presidentit tuaj të kunjit lidhur me sjelljen, dëshminë, zakonet e punës dhe shëndetin tuaj emocional e fizik.

  • Dhënien e raportimeve të sakta të shërbimit tuaj dhe mënyrës se si e keni shpenzuar kohën tuaj gjatë gjithë javës.

  • Të qenit i/e besueshëm/me dhe mosdhënien kurrë të një raportimi të rremë apo informacioni të rremë rreth askujt ose detyrës suaj të shërbimit.

  • Respektimin e të tjerëve duke mos marrë borxh, duke mos marrë ose përdorur pa leje gjërat personale të dikujt (të tilla si veshjet, librat, pajisjet elektronike dhe bizhuteritë).

3.5

Ndërveprimi me të Tjerët

Shpëtimtari dha mësim: “Ky është urdhërimi im: ta doni njëri‑tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve” (Gjoni 15:12). Zgjidhni të ndiqni shembullin e Shpëtimtarit dhe të veproni në mënyra që janë të sjellshme, të sigurta dhe të përshtatshme për situatën.

3.5.1

Standarde të Përgjithshme për Ndërveprimin me Familjarët dhe Miqtë

Jini një pikë e fortë dhe një shembull i mirë për familjarët dhe miqtë tuaj. Tregoni histori frymëzuese nga përvojat në misionin tuaj.

Pjesëtarët e familjes mund të duhet t’ju vijnë në ndihmë për nevojat fizike, me transport ose në mënyra të tjera, që ju të shërbeni me sukses. Do të bëhen disa përshtatje në jetën familjare gjatë shërbimit tuaj misionar. Juve dhe familjes suaj do t’ju duhet të bëni disa sakrifica për t’u siguruar që të keni një përvojë sa më kuptimplote dhe frytdhënëse që të jetë e mundur në mision.

3.5.2

Standarde të Përgjithshme për Ndërveprimin me të Rriturit

Ndërtoni marrëdhënie mirëbesimi dhe kuptimplota me ata që shërbeni. Jini profesionistë dhe të sjellshëm. Respektojini standardet vijuese:

  • Shmangini situatat që mund të bëhen të rrezikshme fizikisht apo shpirtërisht ose që mund të keqkuptohen.

  • Mos flirtoni, as mos u shoqëroni në mënyrë të papërshtatshme me askënd.

  • Mbani një të folur dinjitoz. Shmangeni përdorimin e zhargoneve. Përdorni tituj të përshtatshëm kur u drejtoheni të tjerëve. Për shembull, përdorni titullin “Plaku” [“Elder”] ose “Motra” kur u referoheni misionarëve të tjerë me shërbim dhe udhëheqësve të misionit të shërbimit që të tregoni respekt për thirrjet e tyre.

3.5.3

Standarde të Përgjithshme për Ndërveprimin me Fëmijët dhe Persona të Cenueshëm në Moshë Madhore

Për sigurinë tuaj, si dhe për sigurinë e fëmijëve dhe të personave të cenueshëm në moshë madhore, respektojini rreptësisht standardet vijuese për punën me këto grupe:

  • Mos jini asnjëherë vetëm me fëmijë ose me persona të cenueshëm në moshë madhore në asnjë rrethanë.

  • Mos u bëni dado për ta, mos i vishni, mos u jepni mjekime ose të kujdeseni për higjienën e tyre vetjake.

  • Shërbejuni vetëm në praninë e një personi tjetër në moshë madhore të përgjegjshëm. Ndiqni protokollet e sigurisë nga Kisha ose organizata bamirëse ku po shërbeni.

  • Nëse do të punoni me ta në një organizatë bamirëse, mund t’ju nevojitet së pari të kaloni një kontroll mbi dokumentacionin penal.

Persona të cenueshëm në moshë madhore janë njerëz me probleme mendore ose fizike që ndikojnë ndjeshëm në aftësinë e tyre për t’i kuptuar situatat dhe për të mbrojtur veten nga keqtrajtimi, lënia pas dore ose shfrytëzimi. Përkufizimi Person i cenueshëm në moshë madhore gjen zbatim edhe për refugjatët që mund të mos e kuptojnë gjuhën ose ndryshimet kulturore.

3.5.4

Standarde të Përgjithshme për Ndërveprimin me Misionarët Mësimdhënës

Si anëtar/e i/e Kishës, mund të shoqëroni misionarët mësimdhënës në vizitat e tyre të mësimdhënies. Nuk duhet të paraqiteni si misionar/e mësimdhënës/e. Mos e mbani etiketën tuaj si misionar/e me shërbim në vizitat e mësimdhënies. Nuk duhet t’u bashkoheni misionarëve mësimdhënës për konferencat e distriktit dhe zonës përveç nëse ju fton presidenti i misionit.

3.5.5

Takimet për Njohje

Nuk ju lejohet të dilni në takime për njohje ndërkohë që jeni misionar/e. Ju nxitim të merrni pjesë në lagjet dhe veprimtaritë e TRMMB-ve, por nuk duhet të shkoni në mbrëmjet e vallëzimit. Duhet të jeni të kujdesshëm që të mos shkoni në asnjë veprimtari që mund t’u ngjajë takimeve për njohje.

3.5.6

Mbajtja e Etiketës së Misionarit

Është një nder dhe privilegj ta mbani etiketën e misionarit. Mbajeni gjithnjë atë ndërkohë që udhëtoni për në detyrën tuaj misionare ku u caktuat ose gjatë kthimit prej saj, në detyrën misionare ku jeni caktuar dhe në mbledhjet e Kishës.

Detyrat misionare përfshijnë mbledhjet dhe konferencat e misionarëve, kohën duke i shërbyer familjes suaj dhe detyra në Kishë dhe në organizata bamirëse që bëhen nga shtëpia. Nëse keni ndonjë pyetje rreth rasteve kur duhet ta mbani etiketën tuaj të misionarit, ju lutemi, pyetini udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit.

3.5.7

Të Jetuarit në Shtëpi

Në letrën e thirrjes suaj, u caktuat të punonit si misionar/e me shërbim në komunitetin tuaj vendor, për të dhënë shërbim si të Krishtit ndërkohë që jetoni në shtëpi.

3.5.8

Punësimi dhe Shkollimi

Punësimi dhe shkollimi – qoftë me kohë të plotë ose të pjesshme – nuk janë pjesë e një misioni shërbimi. Ju duhet t’ia kushtoni kohën, talentet, energjinë dhe burimet tuaja financiare misionit tuaj. Kjo është pjesë e ligjit të përkushtimit.

Mund të regjistroheni në institut dhe në programin PathwayConnect nëse dëshironi.

3.5.9

Orientime mbi Sigurinë për Aktivitetet

Orientimet mbi sigurinë për aktivitetet gjejnë zbatim për të rinjtë në moshë madhore beqarë, që do të thotë se gjejnë zbatim për ju si misionar/e me shërbim. Ka kufizime për aktivitetet me fjetje, për vizitat në tempull jashtë distriktit të tempullit që ju është caktuar, dhe udhëtimet shumë të largëta. Për këto aktivitete kërkohet që udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit të planifikojnë paraprakisht dhe të kërkojnë miratim nga udhëheqësit e caktuar të priftërisë. Prindërve ose kujdestarëve tuaj mund t’ju duhet të plotësojnë formularin Leja nga Prindi ose Kujdestari dhe formularin Leja për Trajtim Mjekësor që ju të merrni pjesë.

3.6

Koha e Lirë dhe Argëtimi

Zgjidhni veprimtari që janë lartësuese dhe që ju ndihmojnë të çlodheni. Në këshillim me profesionistët e kujdesit shëndetësor, ushtrohuni dhe jini aktivë për ta mbajtur trupin dhe mendjen tuaj në formë për shërbim. Shmangini veprimtaritë e kohës së lirë që mund të shkaktojnë dëmtim ose lodhje të skajshme.

3.6.1

Lojërat, Filmat dhe Televizioni

Veprimtaritë gjatë orëve që nuk ju është caktuar një detyrë shërbimi, të tilla si videolojëra, filma dhe shfaqje televizive të përshtatshme, janë të pranueshme me miratimin e presidentit tuaj të kunjit dhe udhëheqësve tuaj të misionit të shërbimit.

Veprimtari të tilla nuk duhet të bëhen pengesë për përgatitjen tuaj vetjake, studimin ose kohën e shërbimit. Shmangni gjithçka që jua heq Shpirtin. Ju lutemi, përdorni gjykim të urtë për mbajtjen e etikës së emrit tuaj gjatë këtyre llojeve të veprimtarive.

3.6.2

Frekuentimi i Lagjes dhe Institutit

Gjatë shërbimit tuaj si misionar/e, dokumentet tuaja të anëtarësisë duhet të qëndrojnë në lagjen e vendbanimit tuaj. Atje ku autorizohet, mund të frekuentoni lagjen e të rinjve në moshë madhore beqarë në zonën tuaj.

Jeni i/e nxitur të merrni pjesë në orët mësimore dhe aktivitetet e institutit. Mund të merrni pjesë gjithashtu në aktivitetet e të rinjve në moshë madhore beqarë të financuara nga lagjja ose kunji juaj të tilla si aktivitetet e mbrëmjeve të shtëpisë, udhëtimet për në tempull, takimet shpirtërore, lojërat dhe piknikët, por me përjashtim të mbrëmjeve të vallëzimeve.

3.6.3

Veprimtaritë Kulturore dhe të Kohës së Lirë

Mbajeni mend, ju jeni misionar/e. Veprimtaritë tuaja duhet të jenë gjithnjë të shëndosha, lartësuese dhe në përputhje me standardet e këtij manuali.

Gjithmonë qëndroni në siguri dhe përdorni gjykim të urtë kur merrni pjesë në veprimtari argëtuese. Gjatë misionit tuaj, nuk duhet të merrni pjesë në veprimtari që përfshijnë rrezik të shtuar.

Mund të organizoni ose merrni pjesë në mbledhje shoqërore me misionarë të tjerë me shërbim kur ju nuk jeni në detyrat tuaja të shërbimit. Megjithatë, në këto veprimtari duhet të zbatohen standardet e misionarëve me shërbim dhe nuk duhet të zhvillohen kurrë me fjetje natën.

Mund të merrni pjesë në pushime familjare me njoftim paraprak për udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit dhe mbikëqyrësit e veprimeve tuaja. Hartoni një plan me udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit për ta pasuruar përvojën e misionit tuaj ndërkohë që jeni me pushime.

3.6.4

Muzika

Dëgjoni muzikë që është në përputhje me thirrjen tuaj të shenjtë. Muzika duhet të ftojë Shpirtin, t’ju ndihmojë të përqendroheni te puna dhe t’i drejtojë mendimet dhe ndjenjat tuaj te Shpëtimtari.

Mos dëgjoni muzikë që nxit imoralitetin, i thur lavde dhunës, përdor gjuhë fyese ose e zbeh ndjeshmërinë tuaj shpirtërore nëpërmjet ritmit, orkestrimit, volumit, tekstit ose intensitetit të saj.

3.6.5

Pajisjet Elektronike dhe Kompjuterike

I gjithë përdorimi i pajisjeve elektronike dhe mjeteve të informimit, përfshirë përdorimi i telefonave celularë dhe kompjuterave, duhet të jetë në harmoni me parimet e ungjillit. Përdorimi i pajisjeve elektronike nuk duhet t’ju shkëputë në asnjë mënyrë nga Shpirti dhe thirrja e misionit tuaj.

Shmangni gjithçka që është vulgare, imorale, e dhunshme ose pornografike. Mos e përdorni telefonin tuaj celular gjatë orëve të detyrës së shërbimit.

3.6.6

Mjetet e Informimit

Media shoqërore mund të jetë një mënyrë e efektshme për të treguar se po e ndiqni Shpëtimtarin si misionar/e. Publikimet rreth veprimtarive jomisionare duhet prapëseprapë të pasqyrojnë dinjitetin e thirrjes suaj misionare.

Zgjidhni me urtësi ndërkohë që përdorni mjetet e informimit. Çfarëdo gjëje që lexoni, dëgjoni, apo shihni ka ndikim te ju. Përzgjidhni vetëm mjetet e informimit që ju ngrenë shpirtërisht.

Ruani sigurinë tuaj dhe atë të të tjerëve duke qenë i/e kujdesshëm/me për ato informacione vetjake dhe figura që shpërndani nëpërmjet teknologjisë. Mos e përdorni titullin “Plaku” [“Elder”] ose “Motra” në emrin e llogarisë suaj. Mos përçoni asgjë në internet ose përmes shkrimit të mesazheve nga celulari që do të jetë e pahijshme për t’u treguar ballë për ballë. Mos shpërndani pikëpamje politike. Bindjuni ligjeve që drejtojnë shpërndarjen e muzikës, filmave dhe materialeve të tjera me të drejtë autori. Publikimet tuaja nuk duhet të lënë të kuptohet se janë komunikime zyrtare të Kishës.

Shpenzimi i një kohe të tepërt duke përdorur internetin, një aparat celular ose mjet tjetër informimi mund t’ju pengojë t’i përmbushni programin dhe detyrat e misionit tuaj të shërbimit.

Po qe se nuk jeni të sigurt nëse diçka është e përshtatshme për t’u parë ose për t’u dëgjuar, flisni me prindërit, peshkopin, presidentin e kunjit ose udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit. Fryma e Shenjtë do t’ju japë forcë të bëni zgjedhje të drejta.

3.7

Përjashtime për Rregulloren

Çdo përjashtim në standardet e shpjeguara në këto standarde misionare nuk është një vendim për t’u marrë vetëm nga presidenti i kunjit, peshkopi, prindërit ose udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit. Nëse ndieni se duhet të merret parasysh një përjashtim, flisni me presidentin tuaj të kunjit dhe udhëheqësit e misionit të shërbimit për të diskutuar rrethanat. Udhëheqësit e misionit të shërbimit mund të flasin më pas me Zyrën e Misionit të Shërbimit për të marrë parasysh kërkesën.

3.8

Komunikimi me Udhëheqësit e Misionit të Shërbimit, Udhëheqësit e Priftërisë dhe Mbikëqyrësit në Vendndodhjen e Shërbimit

Shërbimi si misionar/e përfshin një përgjegjësi për të qenë të përgjegjshëm para Zotit dhe udhëheqësve tuaj. Këtë ju e bëni duke bërë raportime të rregullta si misionar/e. Këto raportime mund të jenë për:

  • Detyrat dhe programin tuaj misionar

  • Mirëqenien tuaj fizike dhe emocionale

  • Përvojat dhe zhvillimin tuaj shpirtëror

  • Sukseset dhe sfidat tuaja kohët e fundit

Duhet të njoftoni mbikëqyrësin në vendndodhjen tuaj të shërbimit dhe udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit sa herë që mund të mos jeni në gjendje të kryeni detyrën tuaj të shërbimit. Ky komunikim duhet të ndodhë shumë kohë më parë nëse është e mundur.

Gjatë misionit tuaj, përdorni llogarinë e postës elektronike që ju është caktuar si misionar/e në vend të çfarëdo llogarie personale.