Misionar me Shërbim
5. Autoriteti dhe Ordinancat e Priftërisë


“5. Autoriteti dhe Ordinancat e Priftërisë”, Standardet Misionare për Dishepujt e Jezu Krishtit – Misionet e Shërbimit (2021)

“5. Autoriteti dhe Ordinancat e Priftërisë”, Standardet Misionare për Dishepujt e Jezu Krishtit – Misionet e Shërbimit

Lift Up the Hands [Ngrini Duart (që Varen Poshtë)], nga J. Kirk Richards

5

Autoriteti dhe Ordinancat e Priftërisë

5.0

Parathënia

Priftëria është autoriteti që Perëndia ua jep fëmijëve të Tij për t’u sjellë shpëtim të gjithë njerëzve. Udhëheqësit e priftërisë që i marrin dhe i ushtrojnë çelësat e priftërisë, kanë autoritetin e priftërisë dhe mund t’ua japin autoritetin e priftërisë të tjerëve. Për shkak se “gjithë autoritetet [dhe] detyrat e tjera në kishë janë shtesa të kësaj priftërie [Melkizedeke]” (Doktrina e Besëlidhje 107:5), gjithçka që bëhet nën drejtimin e çelësave të priftërisë, bëhet me autoritetin e priftërisë.

Kur një grua veçohet si misionare, ajo vepron nën autoritetin e priftërisë për të kryer një funksion priftërie. Kushdo me një thirrje që merret nga një njeri që mban çelësat e priftërisë, ushtron autoritetin e priftërisë kur kryen detyrat që i janë caktuar asaj apo atij.

Nëse jeni mbajtës i Priftërisë Melkizedeke, ju do të keni mundësi të merrni pjesë në ordinancat dhe bekimet e priftërisë.

Përdorni këto orientime të përgjithshme për kryerjen e ordinancave dhe bekimeve të priftërisë. Informacioni në këtë pjesë është përmbledhur nga kapitulli 18 te Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Shënim: Siç shpjegohet te pjesët në vijim, disa ordinanca duhet të autorizohen nga autoriteti kryesues që mban çelësat e duhur.

5.1

Administrimi në Priftëri: Orientime të Përgjithshme për Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke

Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke gjithmonë duhet të përpiqen fort që të jenë të denjë dhe të udhërrëfehen nga Shpirti i Shenjtë. Ata duhet ta kryejnë çdo ordinancë dhe bekim në një mënyrë dinjitoze, duke u siguruar që ajo i plotëson kërkesat në vijim:

  1. Duhet të kryhet në emrin e Jezu Krishtit.

  2. Duhet të kryhet nëpërmjet autoritetit të priftërisë.

  3. Duhet të kryhet me çdo procedurë të nevojshme, të tillë si përdorimi i fjalëve të specifikuara ose i vajit të përkushtuar.

  4. Nëse është e nevojshme, duhet të autorizohet nga autoriteti kryesues i cili mban çelësat e duhur (normalisht peshkopi, presidenti i kunjit ose presidenti i misionit), në përputhje me udhëzimet në këtë pjesë.

Ata të cilët japin bekime priftërie, thonë fjalët e bekimit (“Unë [ose ne] të bekoj[më] ty që …”) në vend që të thonë një lutje (“Atë Qiellor, të lutem[i] bekoje këtë person që …”).

Kur disa burra marrin pjesë në një ordinancë ose bekim, secili e vendos dorën e tij të djathtë lehtë mbi kokën e personit (ose nën foshnjën që po bekohet) dhe dorën e tij të majtë në shpatullën e vëllait në të majtë të tij.

Vetëm ata që mbajnë priftërinë e nevojshme dhe janë të denjë, mund të kryejnë një ordinancë ose bekim. Sipas udhërrëfimit nga Shpirti, peshkopët dhe presidentët e kunjeve mund të ftojnë mbajtës të priftërisë që nuk janë plotësisht të denjë për në tempull, që të kryejnë ose të marrin pjesë në disa ordinanca dhe bekime (shih Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 18.3, ChurchofJesusChrist.org).

Të ftuarit e një numri të madh familjarësh, miqsh dhe udhëheqësish për të ndihmuar në një ordinancë ose bekim nuk inkurajohet, sepse disave mund t’ju duket e çuditshme. Një grup tepër i madh mund ta bëjë të pakëndshme edhe fizikisht që të kryhet ordinanca.

5.2

Pagëzimi

Nën drejtimin e autoritetit kryesues, një prift i denjë ose një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke mund të kryejë ordinancën e pagëzimit. Për ta bërë këtë, ai duhet të ndjekë hapat shoqërues:

  1. Ai qëndron në këmbë në ujë bashkë me personin që do të pagëzohet.

  2. Mban kyçin e dorës së djathtë të personit me dorën e vet të majtë (për lehtësi dhe siguri). Personi që po pagëzohet, mban kyçin e dorës së majtë të mbajtësit të priftërisë me dorën e tij ose të saj të majtë.

  3. Ai ngre krahun e djathtë në formë skuadre.

  4. Ai shqipton emrin e plotë të personit dhe thotë: “Duke qenë i autorizuar nga Jezu Krishti, unë të pagëzoj në emër të Atit dhe të Birit, dhe të Frymës së Shenjtë. Amen” (Doktrina e Besëlidhje 20:73).

  5. Ai e lejon personin të mbajë hundën e vet me dorën e djathtë (për lehtësi). Mbajtësi i priftërisë e vendos dorën e tij të djathtë lart në kurrizin e personit dhe e zhyt atë plotësisht, përfshirë veshjen e personit.

  6. Ai e ndihmon personin të dalë nga uji.

Siç përshkruhet te Manuali i Përgjithshëm, 18.7.6, dy dëshmitarë sigurohen që çdo pagëzim të kryhet në mënyrën e duhur. Pagëzimi duhet të përsëritet nëse fjalët nuk thuhen saktësisht siç janë dhënë te Doktrina e Besëlidhje 20:73. Pagëzimi gjithashtu do të duhet të përsëritet nëse një pjesë e trupit ose veshjes së personit nuk zhytet tërësisht nën ujë.

5.3

Konfirmimi

Në një konfirmim mund të marrin pjesë një ose më shumë mbajtës të Priftërisë Melkizedeke. Ata i vënë duart e tyre lehtë mbi kokën e personit. Më pas personi që kryen ordinancën, bën sa vijon:

  1. Ai shqipton emrin e plotë të personit.

  2. Thotë se ordinanca po kryhet me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke.

  3. E konfirmon personin një anëtar të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

  4. Përdor fjalët “Merre Frymën e Shenjtë” (jo “Merre dhuratën e Frymës së Shenjtë”).

  5. Ai jep një bekim sipas drejtimit të Shpirtit.

  6. Ai e mbyll në emrin e Jezu Krishtit.

5.4

Përkushtimi i Vajit

Një ose më shumë mbajtës të Priftërisë Melkizedeke duhet ta përkushtojnë vajin e ullirit përpara se ai të përdoret për të vajosur të sëmurët ose të munduarit. Nuk mund të përdoret asnjë vaj tjetër. Për ta përkushtuar vajin, një mbajtës i priftërisë ndjek këta hapa:

  1. Ai mban një enë të hapur me vaj ulliri.

  2. Ai i drejtohet Atit Qiellor.

  3. Ai thotë se po vepron me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke.

  4. Ai e përkushton vajin (jo enën) dhe e veçon për vajosjen dhe bekimin e të sëmurëve dhe të munduarve.

  5. Ai e mbyll në emrin e Jezu Krishtit.

5.5

Administrimi ndaj të Sëmurëve dhe të Munduarve

Jezusi iu dha autoritetin e priftërisë Apostujve të Tij “[për] të shër[uar] sëmundjet dhe [për] të dëb[uar] demonët” (Marku 3:15). Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke kanë të njëjtin autoritet. Përdoreni këtë dhuratë siç duhet dhe aq shpesh sa nevojitet.

Vetëm mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke mund të administrojnë ndaj të sëmurëve ose të munduarve. Zakonisht dy ose më shumë mbajtës të priftërisë administrojnë ndaj të sëmurit së bashku, por njëri mund ta kryejë i vetëm edhe vajosjen edhe vulosjen e bekimit nëse është e nevojshme.

Nëse nuk ka në dispozicion vaj të përkushtuar, mund të jepet një bekim me anë të autoritetit të priftërisë pa vajosje.

Një bashkëshort ose baba i denjë që mban Priftërinë Melkizedeke, normalisht duhet të administrojë ndaj pjesëtarëve të sëmurë të familjes së vet.

Mbajtësit e priftërisë duhet të administrojnë ndaj të sëmurit me kërkesën e personit të sëmurë ose të atyre që janë shumë të afërm me personin, me qëllim që bekimi të jetë në përputhje me besimin e tyre. Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke që vizitojnë spitalet, nuk duhet të kërkojnë mundësi për të administruar ndaj të sëmurëve.

Nëse një person kërkon më shumë se një bekim për të njëjtën sëmundje, mbajtësi i priftërisë nuk ka nevojë ta vajosë me vaj pas bekimit të parë. Në vend të kësaj, ai i jep një bekim me anë të vendosjes së duarve dhe me anë të autoritetit të priftërisë.

Administrimi ndaj të sëmurëve ka dy pjesë: 1) vajosjen me vaj të përkushtuar dhe 2) vulosjen e vajosjes.

Vajosja me Vaj të Përkushtuar

Vajosja me vaj bëhet nga një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke.

  1. Ai hedh një pikë vaji të përkushtuar mbi kokën e personit.

  2. Ai i vendos duart e tij lehtë mbi kokën e personit dhe e thërret personin me emrin e tij ose të saj të plotë.

  3. Ai thotë se po vepron me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke.

  4. Ai thotë se po vajos me vaj i cili është përkushtuar për vajosjen dhe bekimin ndaj të sëmurëve dhe të munduarve.

  5. Ai e mbyll në emrin e Jezu Krishtit.

Vulosja e Vajosjes

Zakonisht, dy ose më shumë mbajtës të Priftërisë Melkizedeke i vendosin duart e tyre lehtë mbi kokën e personit për të vulosur vajosjen. Megjithatë, një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke mund ta bëjë këtë i vetëm nëse është e nevojshme. Kur vulos vajosjen, mbajtësi i Priftërisë Melkizedeke bën sa vijon:

  1. Ai e thërret personin me emrin e tij ose të saj të plotë.

  2. Ai thotë se po e vulos vajosjen me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke.

  3. Ai jep fjalët e bekimit sipas mënyrës që e drejton Shpirti.

  4. Ai e mbyll në emrin e Jezu Krishtit.

5.6

Dhënia e Bekimeve për Ngushëllim dhe Këshillim

Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke mund t’u japin bekime ngushëllimi dhe këshillimi atyre që i kërkojnë. Për bekime të tilla, një ose më shumë mbajtës të priftërisë i vendosin duart e tyre lehtë mbi kokën e personit. Pastaj mbajtësi i priftërisë i cili jep bekimin, bën sa vijon:

  1. Ai e thërret personin me emrin e tij ose të saj të plotë.

  2. Ai thotë se bekimi po kryhet me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke.

  3. Ai jep fjalët e bekimit sipas mënyrës që e drejton Shpirti.

  4. Ai e mbyll në emrin e Jezu Krishtit.

Misionarët të cilët u japin bekime anëtarëve, duhet t’ia raportojnë bekimin drejtpërdrejt peshkopit të anëtarit ose nëpërmjet presidentit të kuorumit të pleqve apo udhëheqësit të misionit të lagjes, i cili më pas i tregon peshkopit.