“4. Mirëqenia Fizike dhe Emocionale”, Standardet Misionare për Dishepujt e Jezu Krishtit – Misionet e Shërbimit (2021)
“4. Mirëqenia Fizike dhe Emocionale”, Standardet Misionare për Dishepujt e Jezu Krishtit – Misionet e Shërbimit
4
Mirëqenia Fizike dhe Emocionale
4.0
Parathënia
Një mision mund të jetë edhe i gëzueshëm, edhe stresues. Standardet në këtë pjesë dhe në materialin Përshtatja me Jetën si Misionar me Shërbim do t’ju ndihmojnë që të përgatitni mendjen dhe trupin për t’i shërbyer më mirë Zotit. Rishikojini rregullisht këto standarde gjatë gjithë misionit tuaj.
4.1
Shëndeti Fizik
Shëndeti dhe siguria juaj janë të rëndësishme. Ruajeni shëndetin tuaj në mënyrë që të mund të shërbeni me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj.
Ju dhe familja juaj jeni përgjegjës për nevojat rreth kujdesit tuaj mjekësor. Vizitat te një mjek ose profesionistë të tjerë të kujdesit shëndetësor duhet të bashkërendohen paraprakisht me mbikëqyrësit tuaj.
4.1.1
Orientime të Përgjithshme për Ushqyerjen
Ju lutemi, përdorni orientimet e përgjithshme për ushqyerjen në vijim, me përshtatje individuale nëse nevojitet:
-
Pini ujë mjaftueshëm çdo ditë. Mund t’ju nevojitet më shumë ujë dhe kripë nëse djersiteni shumë gjatë gjithë ditës ose gjatë ushtrimit fizik.
-
Hani vakte ushqimore të baraspeshuara, të cilat përfshijnë perime, fruta, drithëra të plota, yndyra të shëndetshme dhe proteina.
-
Kufizoni ushqimet pa vlera ushqyese, pijet me gaz, ushqimet e përpunuara në mënyrë industriale dhe ushqimet e shpejta.
-
Ndiqni këshillat e profesionistëve tuaj mjekësorë në lidhje me regjimet, mjekimet ose praktika të tjera të veçanta shëndetësore që janë të posaçme për nevojat tuaja.
4.2
Ushtrimi Fizik
Ushtrimi fizik ju ndihmon të qëndroni i/e shëndetshëm/me dhe ju ndihmon ta lehtësoni stresin. Bëjini ushtrimet fizike një pjesë të rutinës suaj të përditshme, si t’jua lejojnë rrethanat.
4.3
Shëndeti Emocional
Puna misionare është kërkuese. Është normale të ndieni stres herë pas here. Mund ta përgatitni trupin dhe mendjen tuaj për ta përballuar më mirë stresin duke u mbështetur te përkrahja e familjes suaj. Mund të përgatiteni edhe me anë të ushtrimit të zakoneve të të ngrënit shëndetshëm, ushtrimeve të rregullta fizike, gjumit të rregullt, çlodhjes dhe veprimtarive shpirtërore (përfshirë lutjen, përsiatjen dhe studimin).
Gjatë gjithë misionit tuaj, përdorni materialin Përshtatja me Jetën si Misionar me Shërbim për t’ju ndihmuar ta mbani nën kontroll stresin. Nëse ndieni se e keni të vështirë ta mbani nën kontroll stresin, ose nëse keni një urgjencë të shëndetit mendor apo emocional, vihuni në kontakt me udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit.
Nëse ju kanë dhënë mjekime me recetë për ankthin ose çfarëdo gjendjeje apo sëmundjeje tjetër, ndiqni recetën dhe udhëzimet që ju ka dhënë mjeku.
4.4
Kujdesi Mjekësor
Trajtojeni me seriozitet shëndetin tuaj fizik dhe emocional. Sigurohuni që të merrni çfarëdo përkrahjeje të nevojshme nga prindërit ose kujdestarët tuaj për çfarëdo problemi mjekësor që keni (të tilla si mjekimet që po merrni, alergjitë që keni ose veprimtaritë që duhet të shmangni). Mund t’u jepni informacione të caktuara mjekësore edhe udhëheqësve tuaj të misionit të shërbimit ose mbikëqyrësve të veprimeve tuaja sipas nevojës.
Nëse keni një urgjencë shëndetësore, ndërmerrni veprime me logjikë të shëndoshë për sigurinë apo përkujdesjen tuaj të menjëhershme. Merrni në telefon shërbimet vendore të urgjencës (të tilla si 112 në Shqipëri) në qoftë se nuk ju janë dhënë udhëzime të tjera. Sa më shpejt që të jetë e mundur, vihuni në kontakt me udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit.
Nëse ju nevojitet kujdes mjekësor që nuk është urgjent gjatë një detyre, telefonojuni prindërve ose kujdestarëve tuaj menjëherë. Ata do t’ju thonë se çfarë të bëni. Përpiquni ta planifikoni paraprakisht kujdesin mjekësor që nuk është urgjent në mënyrë që të mos krijojë përplasje me detyrat ose programin e shërbimit tuaj.
4.5
Situatat e Rrezikshme dhe Kërcënimet
Shumë rreziqe të mundshme mund të shmangen me anë të ushtrimit të gjykimit të urtë dhe me anë të respektimit të standardeve misionare. Megjithatë, njerëzit mund të orvaten t’ju lëndojnë edhe kur përpiqeni të jeni të sigurt. Nëse keni një problem, raportojuani menjëherë udhëheqësve tuaj të misionit të shërbimit.
Largohuni menjëherë nëse nuk ndiheni mirë prej një vendndodhjeje, personi ose situate. Vëruani veshin nxitjeve shpirtërore.
4.6
Banimi
Ndihmoni të kujdeseni për shtëpinë e familjes dhe bëni pjesën tuaj të punëve të shtëpisë. Mbajeni të pastër e të sistemuar dhomën tuaj. Mbajini zotërimet tuaja vetjake, përfshirë pajisjet elektronike, në gjendje të mirë pune.
4.7
Transporti
Gjithmonë ndiqni rregullat, ligjet dhe zakonet vendore të trafikut teksa udhëtoni. Nëse e ngitni makinën, ngiteni me kujdes.
Transporti publik është zakonisht më pak i kushtueshëm sesa përdorimi i makinës. Merreni parasysh të përdorni transportin publik për të shkuar te detyra e misionit tuaj dhe për t’u kthyer që andej.
Përdorni gjykim të urtë, jini të vetëdijshëm për mjedisin që keni përreth, dhe familjarizohuni me zonën tuaj. Ndiqni standardet e përgjithshme të sigurisë në këtë manual.
4.7.1
Udhëtimet me Makinë
Nëse jua lejojnë rrethanat e familjes, mund të ngitni automjetin tuaj personal ose të familjes për në detyrat dhe veprimtaritë e misionit tuaj. Misionarët me shërbim janë përgjegjës për të gjitha shpenzimet e makinës, përfshirë karburantin, mirëmbajtjen e makinës dhe siguracionin.
Misionarët me shërbim dhe familjet e tyre i marrin përsipër ta gjitha rreziqet dhe përgjegjësitë vetjake kur ngasin makinën. Misionarët me shërbim nuk ngasin automjete që zotërohen nga Kisha ndërkohë që shërbejnë. Kërkohen plane për trajnime nëse ngitni automjete të komunitetit ose të organizatës bamirëse gjatë detyrës suaj të shërbimit.
4.8
Fondet ose Kursimet Vetjake
Jeni i/e nxitur të krijoni një buxhet dhe t’i shpenzoni me maturi fondet tuaja vetjake. Mbajini mend gjithnjë parimet e pagimit të së dhjetës dhe ofertave dhe të kursimeve vetjake.
Paratë që përdorni gjatë misionit tuaj, përfaqësojnë sakrificat e bëra nga ju, familja juaj dhe të tjerë. Mos kërkoni fonde për përkrahje financiare vetjake ose për organizatat ku shërbeni.
4.9
Aksidentet
Nëse përfshiheni në një aksident ndërkohë që shkoni me makinë drejt detyrës suaj misionare, mbledhjeve ose konferencave apo ktheheni prej tyre, telefonojini policisë ose shërbimeve të urgjencës sipas nevojës. Sa më shpejt të jetë e mundur, vihuni në kontakt edhe me familjen tuaj. Më pas vihuni në kontakt me udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit dhe me mbikëqyrësit e detyrës suaj.
Nëse përfshiheni në një aksident ndërkohë që shërbeni në detyrën tuaj misionare, flisni me mbikëqyrësin tuaj në vendndodhjen e shërbimit. Ai person do t’i telefonojë policisë ose shërbimeve të urgjencës sipas nevojës. Sa më shpejt të jetë e mundur, vihuni në kontakt edhe me udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit dhe me familjen tuaj. Presidenti juaj i kunjit do të vihet në kontakt edhe me familjen tuaj.
4.10
Paraqitja e Misionarëve me Shërbim
Mënyra se si e paraqitni veten si misionar/e ndikon te mënyra se si mendojnë njerëzit për ju dhe Kishën e Zotit, si dhe mund të ndihmojë për t’ju mbrojtur nga lëndimi. Paraqitja juaj është shpesh mesazhi i parë që të tjerë marrin rreth jush dhe ajo duhet të përkrahë atë që thoni dhe bëni.
Përdorimi i veshjes dhe pamjes së duhur është një zotësi e rëndësishme jetësore që do t’ju ndihmojë edhe pas misionit tuaj. Mbani veshje që janë të përshtatshme për detyrat tuaja të shërbimit dhe që janë në përputhje me thirrjen tuaj të shenjtë.
4.10.1
Për Të Gjithë Misionarët
Jini të rregullt e të pastër. Bëni dush ose banjë çdo ditë. Lani dhëmbët rregullisht. Përdorni deodorant. Lajini duart mirë e mirë rregullisht., veçanërisht pas përdorimit të tualetit. Mbajini veshjet tuaja të pastra, të qepura e të rregullta. Mos lejoni kurrë që paraqitja ose sjellja juaj të tërheqë vëmendjen nga thirrja juaj.
Mbani një standard të lartë thjeshtësie. Shmangni veshje që janë:
-
Tepër të ngushta ose tepër të gjera
-
Të tejdukshme ose që nxjerrin pjesë të trupit në pah
-
Tërheqëse të vëmendjes në çfarëdo pjese të trupit
-
Të çrregullta ose të modës së çastit
Tregoni respekt për Zotin dhe veten duke u veshur në mënyrë të përshtatshme për mbledhjet dhe aktivitetet e veçanërisht për mbledhjet e sakramentit.
4.10.2
Për Djemtë Misionarë
-
Flokët. Lajini flokët shpesh. Mbajini relativisht të shkurtra dhe të prera drejt. Stile të skajshme ose moderne, të tilla si të ngritura me majë, të rregulluara në floktore me kimikate që zgjatin apo të zbardhura me çngjyrues, nuk janë të përshtatshme. Basetat nuk duhet të zgjaten përtej gjysmës së veshit. Duhet ta keni mjekrën të rruar plotësisht pa qime në fytyrë përveç nëse kërkohet ndryshe për ndonjë gjendje mjekësore.
-
Bizhuteritë. Mos mbani vëthë ose varëse. Unazat në hundë dhe shpimet në trup janë të papranueshme. Nëse keni tatuazhe, ato duhet të mbulohen kur është e mundur.
4.10.3
Për Motrat Misionare
-
Flokët. Lajini flokët shpesh. Stili, ngjyra dhe gjatësia e flokëve tuaj nuk duhet të tërheqë vëmendje në vetvete.
-
Zbukurimet. Bizhuteritë dhe zbukurimet e tjera duhet të jenë të thjeshta dhe profesionale. Mos mbani më shumë se një vath në secilin vesh. Unazat në hundë dhe shpimet në trup janë të papranueshme. Nëse keni tatuazhe, ato duhet të mbulohen kur është e mundur. Grimi, stolisjet e flokëve dhe manikyri duhet të jenë të përmbajtura.