“Hyrje”, Përshtatja me Jetën si Misionar/e me Shërbim: Broshura e Burimeve (2020)
“Hyrje”, Përshtatja me Jetën si Misionar/e me Shërbim
Hyrje
Ju Mund të Jeni i/e Suksesshëm/me me Ndihmën e Zotit
Si misionar/e me shërbim, ju jeni thirrur për të përfaqësuar Jezu Krishtin. Ju po u jepni shërbesë fëmijëve të Atit Qiellor. Shpëtimtari ju do dhe Ai do t’ju ndihmojë të bëni përpara. Ai ka premtuar: “Unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart” (Doktrina e Besëlidhje 84:88).
Ushtrojeni besimin tuaj dhe veproni sipas vendimit që keni marrë për të bërë punën e Zotit. Nëpërmjet besimit tuaj të vazhdueshëm dhe përpjekjeve më të mira, ju do t’i zhvilloni më shpejt zotësitë, dhuratat dhe pikat e forta që ju nevojiten. Do ta ndieni ndihmën e Zotit. Do t’ju rritet vetëbesimi në aftësinë tuaj për t’i shërbyer Atij.
Zoti ka premtuar t’i ndihmojë misionarët. Por shumë nga misionarët më të mëdhenj në histori vuajtën dhe hasën vështirësi në punët e tyre misionare. Amoni dhe vëllezërit e tij “vuajtën shumë, si në trup ashtu dhe në mendje, si uri, etje dhe lodhje dhe gjithashtu shumë luftë në shpirt” (Alma 17:5). Nganjëherë, ata ishin të rraskapitur. “Tani, kur zemrat tona ishin të dëshpëruara dhe ishim gati të ktheheshim prapa, vini re, Zoti na ngushëlloi dhe tha: Shkoni mes vëllezërve tuaj, Lamanitëve dhe mbani me durim vuajtjet tuaja dhe unë do t’ju jap juve sukses” (Alma 26:27).
Ky premtim gjen zbatim për ju në shërbimin që ju është caktuar në familjen e Perëndisë. Ju mund të bëheni një shërbëtor i dobishëm i Zotit.
Tatsu Ito, i cili kishte atrofi muskulare kurrizore, është një shembull i përmbushjes së këtij premtimi. Kur familja Ito u shpërngul nga Japonia në Jutë, Tatsu vendosi të shërbente si misionar me shërbim. Vëllai më i vogël i Tatsus, Dani, “mund të shihte se si po ndryshonte Tatsui” gjatë misionit dhe e dinte se Tatsui po “përgatitej vërtet për t’u kthyer në qiell”.
Kur Tatsui ndërroi jetë, Dani, i cili kishte gjithashtu atrofi muskulare kurrizore, shkoi në tempull. Ai ndjeu nxitjen për të pyetur a mund të thirrej për të përfunduar të njëjtën detyrë misioni në të cilën kishte shërbyer Tatsui para se të vdiste. Dani u bekua duke qenë në gjendje ta bënte atë. Ai shërbeu në skuadrën që përgjigjej për faqen LDS.org dhe shqyrtoi në japonisht profilet për “I’m a Mormon” [“Unë jam Mormon/e”].
Dani tha se ishte edhe “një përfaqësues i Perëndisë në jetën e përditshme”. Nëse dikush kishte probleme, ai ishte “gjithmonë i lumtur për t’i dëgjuar dhe nxitur ata që të shkonin te peshkopët e tyre për të marrë një bekim”.
Ndërsa misioni i Plakut Ito nuk kishte një rutinë predikimi, ai tha se padyshim që e ndiente se ishte një misionar. Ai tha se misioni e ndihmoi “të rriste gatishmërinë për të shërbyer më shumë çdo ditë”.
Si të Përdoret Kjo Broshurë
Një mision shërbimi mund të jetë si i gëzueshëm, ashtu edhe stresues. Puna e palodhur dhe shërbimi janë mjete të vërtetuara për të kontrolluar shqetësimin, dëshpërimin dhe lodhjen. Ato janë thelbësore për këdo që përfshihet në punën e Zotit, si gjatë dhe pas shërbimit misionar. Por veç puna e palodhur dhe shërbimi nuk janë mjetet tuaja të vetme. Burime të tjera përfshijnë ndihmën profesionale, bekimet e priftërisë, këshillat nga të rritur me përvojë dhe këtë broshurë. Zoti do t’ju ndihmojë të zhvilloni zotësi dhe qëndrime që t’ju ndihmojnë t’ia dilni mbanë. Ju mund të gjeni kënaqësi dhe sukses në misionin tuaj të shërbimit dhe në jetë.
Kjo broshurë nuk është synuar të lexohet e gjitha njëherësh. Përdorini udhëzimet më poshtë. Ju do të udhërrëfeheni te sugjerimet për sfidat me të cilat përballeni. Këto ide do t’ju ndihmojnë gjithashtu të shërbeni dhe t’u jepni shërbesë të tjerëve.