“1. Zhvillimi i Ripërtëritjes kur Jeni në Stres”, Përshtatja me Jetën si Misionar/e me Shërbim: Broshura e Burimeve (2020)
“1. Zhvillimi i Ripërtëritjes kur Jeni në Stres”, Përshtatja me Jetën si Misionar/e me Shërbim
1. Zhvillimi i Ripërtëritjes kur Jeni në Stres
Kjo pjesë përmban sugjerime të përgjithshme për të parandaluar stresin e tepërt dhe për të përballuar kohët stresuese kur ato ndodhin. Këto sugjerime mund të jenë të dobishme për të gjithë misionarët.
A. Përgjigjja ndaj Stresit në Mënyrë Pozitive
-
Lutuni me zjarr dhe shpesh. Tregojani Zotit ndjenjat, përvojat, planet dhe shqetësimet tuaja. Kërkoni që Shpirti të jetë me ju në të gjitha gjërat. Shkruajini mbresat që merrni ndërsa luteni dhe i studioni shkrimet e shenjta. Jini vigjilent ndaj udhërrëfimit shpirtëror që mund të merrni gjatë gjithë ditës. Vërjani veshin zërit të Shpirtit. Ndërsa e bëni këtë, do të vazhdoni të merrni udhërrëfim, ngushëllim dhe ndihmë. “Pasi vini re, përsëri unë ju them se, në qoftë se ju do të hyni nëpërmjet udhës dhe do të merrni Frymën e Shenjtë, ai do t’ju tregojë të gjitha gjërat që duhet të bëni” (2 Nefi 32:5). Kërkojini Zotit t’ju ndihmojë t’i dalloni dhe ndiqni nxitjet shpirtërore.
-
Jini i/e qetë. Qetësia nuk do të thotë thjesht të jeni i/e qetë fizikisht, ndonëse sigurisht që mund ta përfshijë këtë. Të qenit i/e qetë është një qëndrim i brendshëm. Është një gjendje qetësie e brendshme që e fton praninë e Perëndisë. “[Jini i qetë] dhe pranoni që jam Perëndi” (Psalmeve 46:10). Mësoni të jeni i/e qetë. Atëherë do të jeni më i/e ndjeshëm/me ndaj nxitjeve të Shpirtit. Do të jeni më në gjendje t’i përmbushni kërkesat e misionit tuaj. Sa herë të ndieni shumë stres, mund të ushtroni qëndrimin në qetësi. Në vend që të përqendroheni te mendimet që keni në mendje, kushtojuni vëmendje ndjesive në trupin tuaj. Vëreni a i keni muskujt të tendosur ose të shtendosur dhe vërejini tingujt dhe aromat përreth jush. Është veçanërisht e dobishme t’i kushtoni vëmendje frymëmarrjes suaj (shih Ushtrimi për Frymëmarrjen). Ju nuk po përpiqeni të ndrydhni ndonjë mendim apo të ndaloni së menduari. Thjesht po e largoni vëmendjen nga shqetësimet dhe gjërat që ju frikësojnë. Kjo bën më shumë vend në mendjen tuaj për Shpirtin. Gjithashtu mund t’ju ndihmojë të ndieni më shumë paqe.
-
Dallojeni dorën e Zotit në të gjitha gjërat. Ju keni privilegjin të merrni pjesë në punën e mrekullueshme të Perëndisë për të bekuar fëmijët e Tij. Ushtrohuni që të përqendroheni çdo ditë te bekimet për të cilat jeni mirënjohës. Vërejeni ndikimin e Shpirtit në jetën tuaj dhe shkruani për të në ditarin tuaj (shih Moroni 10:3).
-
Shërbeni me anë të pikave tuaja të forta dhe talenteve. Bëni një listë me pikat tuaja të forta, talentet dhe dhuratat tuaja shpirtërore. Pikat tuaja të forta janë pjesë e shtëpisë së ruajtjes së Zotit. Ai mbështetet tek ato për t’i bekuar fëmijët e Tij dhe për të ndërtuar mbretërinë e Tij. Një pjesë vendimtare e misionit tuaj është kultivimi i dhuratave tuaja. Përdorini pikat tuaja të forta në një mënyrë të ngjashme me të Krishtit për të ndihmuar të tjerët. Merrni parasysh atë që Shpirti i pëshpëriti një misionari: “Nuk të thirra për dobësitë e tua. Të thirra për pikat e tua të forta.” Përqendrohuni më tepër tek ajo që bëni mirë sesa ajo që bëni keq. Planifikoni çdo javë mënyra për t’i zhvilluar dhe përdorur dhuratat tuaja që t’u shërbeni dhe t’i bekoni të tjerët. (Shih te Doktrina e Besëlidhje 82:18–19.)
-
Përcaktoni shkrime të shenjta ngushëlluese dhe mësojini ato përmendsh. Ndërsa i studioni shkrimet e shenjta, renditni vargje që ju forcojnë dhe ngushëllojnë. Mund t’i lexoni, dëgjoni ose mësoni ato përmendsh.
-
Përqendrohuni te nevojat e njerëzve të cilëve po u shërbeni. Mendoni për atë që mund të bëni për t’i bekuar njerëzit të cilëve po u shërbeni. Kërkoni frymëzim për të ditur se si mund t’i ndihmoni ata më mirë. Përpiquni ta forconi besimin e tyre.
-
Lidheni punën tuaj me njerëz që i njihni. Mendoni për atë se si shërbimi juaj i ndihmon njerëzit që njihni për probleme reale. Në ditarin tuaj, mbani shënim shembuj të mënyrave se si shërbimi juaj sjell një ndryshim tek të tjerët.
-
Shqyrtojini pritshmëritë tuaja. Misioni juaj i shërbimit mund të mos jetë gjithmonë ajo që prisnit. Ndonjëherë gjërat nuk do të shkojnë ashtu siç shpresonit. Detyra juaj mund të mos jetë përherë sfiduese ose shpërblyese. Mund të mos e bëni çdo gjë në mënyrë të përsosur. Por mbani mend këshillën e Zotit ndaj Jozef Smithit në Burgun e Libertisë: “Gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde. … Si rrjedhim, qëndro në udhën tënde” (Doktrina e Besëlidhje 122:7, 9).
-
Kërkoni leje për të bërë një pushim nga çdo gjë që jeni duke bërë. Ndoshta mund të mos e bëni pushimin pikërisht në atë çast. Nëse është kështu, mund të thoni me vete: “Mund të pres derisa të vijë koha e pushimit”.
-
Ushtrohuni. Ushtrimi në mënyrë të rregullt është një mënyrë e efektshme për ta mbajtur stresin nën kontroll. Përpiquni të merrni pjesë në një larmi veprimtarish që janë të këndshme dhe sfiduese fizikisht. Teksa përqendroheni te këto veprimtari, mund ta gjeni veten plot energji. Do të jeni në gjendje t’i harroni shqetësimet e ditës. Çdo ushtrim mund të ndihmojë për ta rritur rezistencën dhe kapacitetin tuaj për t’i shërbyer Zotit. Gjeni një mënyrë për ta shpërblyer veten që gjetët mënyra për ta rritur të ushtruarit nga ana juaj.
-
Mos u përpiqni të kontrolloni gjëra që nuk mund t’i kontrolloni. Rezultatet e përpjekjeve tuaja të drejta mund të varen nga liria e zgjedhjes së të tjerëve. Nuk mund t’i kontrolloni njerëzit ose t’i detyroni të bëjnë gjëra. “Asnjë fuqi apo ndikim nuk mund ose nuk duhet të mbahet me anë të priftërisë, veçse nëpërmjet bindjes, nëpërmjet durimit, nëpërmjet mirësjelljes e zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur” (Doktrina e Besëlidhje 121:41). “Si rrjedhim, vëllezër shumë të dashur, le të bëjmë me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë tonë; dhe atëherë qëndrofshim të patundur, me sigurinë më të madhe, për të parë shpëtimin e Perëndisë dhe që krahu i tij të zbulohet” (Doktrina e Besëlidhje 123:17).
-
Ushtrojeni ndërgjegjësimin. Ndërgjegjësimi është një teknikë për të përballuar stresin. Ajo përfshin të kushtuarit e vëmendjes ndaj përvojave në çastin e dhënë. Përdoreni kur ndiheni tepër i/e stresuar ose i/e frikësuar. Përpiquni ta përqendroni vetëdijen tuaj tek ajo që po ndodh përreth. Përqendrohuni tek e tanishmja dhe çasti, jo tek e ardhmja. Vini re se si po reagon mendja juaj ndaj kësaj vetëdijeje.
-
Merrni frymë thellë, mbyllini sytë nëse është e nevojshme dhe përpiquni të shtendoseni.
-
Bëni një shëtitje të shkurtër nëse kjo është e dobishme.
-
Vëzhgoni, thuajse si një njeri i jashtëm, se për çfarë po shqetësoheshit. Çfarë ndieni rreth saj?
-
Lëreni të kalojë çdo gjë që po ju shqetëson. Përqendrohuni tek ajo që mund ose duhet të bëni në minutat e ardhshme.
-
Nëse situata nuk ka ndryshim, bëjani të ditur udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit.
-
-
Bëhuni miq me kolegët tuaj dhe misionarët e tjerë. Jepni ide, shërbejini njëri-tjetrit, ndihmojeni njëri-tjetrin dhe faleni njëri-tjetrin.
-
Përdoreni muzikën. Kujtojini fjalët e disa këngëve ose shkrimeve të shenjta që ju pëlqejnë shumë. Kur ndiheni të stresuar ose shkurajuar, kujtoni fjalët. Pyetni a mund të përdorni kufje gjatë detyrës suaj të shërbimit. Dëgjoni muzikë qetësuese nëse nuk ju pengon në detyrën tuaj. Merrni parasysh të përdorni programin “Calm” [“Qetësim”] ose një program të ngjashëm në telefonin tuaj inteligjent.
-
Kujtojini ato që keni mësuar. Ju jeni përballur me ndryshime dhe vështirësi gjatë gjithë jetës suaj. Renditini ato që keni mësuar nga periudhat e mëparshme me stres të lartë (një shpërngulje, humbje të një personi ose një shkollë apo punë e re). Si mund t’i përdorni këto zotësi tani?
B. Përgjigjja ndaj një “Urgjence nga Stresi”
Një urgjencë nga stresi ndodh kur papritmas kaloni në zonën portokalli ose në zonën e kuqe të stresit. Nëse jeni në rrezik fizik ose emocional, merrini menjëherë në telefon prindërit tuaj ose udhëheqësin tuaj të misionit të shërbimit. Për situata të tjera, provojini sugjerimet në vijim:
-
Bëni një pushim të shkurtër. Nëse ndiheni tepër i/e mërzitur ose i/e stresuar, bëni pushim. Bëni disa frymëmarrje të ngadalta e të thella, shtriquni dhe shtendosuni fizikisht. Kur trupi dhe mendja juaj të jenë sërish të qetë, do të mendoni më qartë. Bëni një shëtitje, hani ushqim ose pini një pije. Thjesht uluni dhe rrini të qetë për pak minuta. Thjesht emërtimi i asaj që ndieni (për shembull, ndihem i/e acaruar ose i/e refuzuar) mund ta ndihmojë trurin tuaj të fillojë të merret me problemin.
-
Jini i/e mirë me veten. Flitini vetvetes me të njëjtat fjalë dashamirëse e ngushëlluese që do t’i përdornit me dikë tjetër. Të gjithë njerëzit ndonjëherë acarohen ose bëjnë gabime. Dijeni se Zoti e kupton. Përfytyrojeni Atë sikur është ulur pranë jush, duke ju dëgjuar dhe ofruar përkrahje. Kujtoni se mendimet rreth pafuqisë, të qenit i pashpresë ose rreth dënimit të ashpër nuk janë prej Zotit.
-
Përqendrohuni sërish te mirënjohja. Vini re atë që keni rrotull. Përqendrohuni tek ajo që është e drejtë, e mirë dhe pozitive te vetja juaj dhe në botë. Bëni një lutje mirënjohjeje për të paktën pesë gjëra specifike. Thuajini vetes: “Unë jam një dishepull i Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë. Unë u thirra prej tij të njoftoj fjalën e tij mes popullit të tij” (3 Nefi 5:13).
-
Hidhini hapat një e nga një. Përcaktojeni problemin e ngutshëm dhe hidhini hapat një e nga një për ta zgjidhur atë. Kujtojani vetes: “Gjithçka që duhet të bëj pikërisht tani, është ”.
-
Ndihmoni dikë tjetër. Përqendrojeni sërish energjinë tuaj nëpërmjet shërbimit ndaj dikujt tjetër. Buzëqeshuni njerëzve, ndihmojini dhe ofrojuni shërbim. Nisni një bashkëbisedim me dikë që t’jua kthejë mendimet tek e tashmja.
-
Kundërshtojini mendimet negative. Në këtë çast, ose përpara se të flini sonte, renditini në letër mendimet negative të ditës së sotme. Më pas rishkruajini ato por që të jenë mendime më shpresëdhënëse, të vërteta dhe inkurajuese (shih shembullin në vijim).
C. Ndihma ndaj të Tjerëve që Janë Tepër të Stresuar
-
Vërejini të tjerët që po hasin vështirësi. Bëjuani të ditur se i kuptoni . Ofrohuni për t’i ndihmuar. Gjeni kohë që të dëgjoni shqetësimin e tyre. Sugjerojuni që të bëjnë një pushim të shkurtër.
-
Mendoni për besëlidhjen tuaj të pagëzimit. Ne kemi premtuar që “të mba[jmë] barrat e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta; … të vajto[jmë] me ata që vajtojnë; po, dhe të ngushëllo[jmë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen dhe të qëndro[jmë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat” (Mosia 18:8–9). Vëreni në zbatim këtë besëlidhje duke 1) mbajtur barrën e tjetrit, 2) duke ofruar mirëkuptim e ngushëllim dhe 3) duke dëshmuar për dashurinë e Perëndisë.
-
Bëni pak pyetje, por mos e detyroni personin të flasë. Përpiquni të thoni: “Dukeni i/e mërzitur. Çfarë ndodhi?” ose “A do të ishte i/e gatshëm/me të më tregoje për të?” Komente të tjera të mira mund të përfshijnë:
-
“Nuk di se ç’të them tani, por jam shumë i/e lumtur që ma the”.
-
“Më trego atë që po ndien në këtë çast.”
-
“Interesohem për ty.”
-
“Jam këtu për ty.”
-
“Është e natyrshme të ndihesh kështu. Nuk ka diçka që nuk shkon me ty.”
-
-
Kujtojini personit tjetër atë që ai ose ajo bën mirë. Për shembull, mund të thoni: “E çmoj vërtet integritetin tënd dhe dëshirën tënde për t’i shërbyer Perëndisë”.
-
Dëgjoni me qëllim që të kuptoni, dhe ofroni përkrahje dhe inkurajim. Derisa një person të ndihet i mirëkuptuar, shpesh ofrimi i këshillave dhe sugjerimi i zgjedhjeve nuk është i dobishëm. Bëni pyetje dhe ndihmojeni personin t’i gjejë vetë përgjigjet e tij ose të saj. Nuk duhet të merrni rolin e këshilluesit me të tjerët, por mund të jeni një dëgjues/e i/e ndjeshëm/me që i ndihmon dhe përkrah ata.
-
Jepeni dëshminë tuaj. Tregoni bindjet tuaja për dashurinë e Perëndisë dhe gatishmërinë e Tij për të ndihmuar.
-
Jini i urtë ndërsa u jepni shërbesë të tjerëve. Thirrja juaj është një thirrje e shenjtë. Jini i besueshëm dhe mbajini informacionet për vete.
-
Përqendrohuni te vendimi që duhet të merret tani. Ndihmojini individët tepër të stresuar t’i lënë mënjanë problemet e mëdha dhe të përqendrohen te vendimet e menjëhershme që duhen ndërmarrë. Ofrohuni që t’i ndihmoni ata. Nxitini ata që t’i rikthehen problemit më të madh kur gjërat të jenë qetësuar. Më pas ndihmojini të kërkojnë zgjidhje. Kujtojuni atyre që Zoti mund t’i ndihmojë me zgjidhje me kalimin e kohës. Ne duhet të bëjmë aq sa mundemi dhe t’ia lëmë Atij në dorë problemet tona.
D. Përballimi i një Sfide Vetjake
Ju jeni një person unik me pika të forta dhe dobësi të pashoqe. Nëse keni një sfidë vetjake me të cilën do të donit të punonit, shkruajeni këtu:
Bëni një listë me gjërat që keni mësuar tashmë, që ju ndihmojnë ta përballoni atë:
Gjithashtu renditni gjëra të reja për t’i provuar. Mund të nxirrni mësime nga njerëzit përreth jush, profesionistë ose nga kërkimet vetjake. Mendoni për qasjet fizike, emocionale, shoqërore, intelektuale ose shpirtërore që mund t’ju ndihmojnë. Mos harroni se ndoshta do t’ju duhet të ushtroni një qasje të re për disa javë. Më pas do ta dini se sa mirë funksionon ajo.
Ushtrojeni shpjegimin e sfidës suaj të tjerëve dhe kërkimin e ndihmës për ta mbajtur atë nën kontroll. Ushtrohuni me prindërit tuaj ose udhëheqësit e misionit të shërbimit.