Misionar me Shërbim
6. Zhvillimi i Ripërtëritjes Shpirtërore


“6. Zhvillimi i Ripërtëritjes Shpirtërore”, Përshtatja me Jetën si Misionar/e me Shërbim: Broshura e Burimeve (2020)

“6. Zhvillimi i Ripërtëritjes Shpirtërore”, Përshtatja me Jetën si Misionar/e me Shërbim

Pamja
misionar duke u lutur

6. Zhvillimi i Ripërtëritjes Shpirtërore

Ndonjëherë misionarët reagojnë ndaj stresit të tepërt duke e vënë në dyshim vërtetësinë e ungjillit. Misionarët shpesh reagojnë në këtë mënyrë sepse u mungojnë burimet për t’u përballur me stresin e tepërt. Nëse ndiheni në këtë mënyrë, provoni sugjerimet më poshtë. Përzgjidhni ato që duken të drejta për ju. Referojuni pjesës “1. Zhvillimi i Ripërtëritjes kur Jeni në Stres” për ide shtesë.

A. Forcimi i Dëshmisë Suaj

  • Kuptojeni se pyetjet janë diçka e shëndetshme. Profeti Jozef Smith mori shumë zbulesa si përgjigje ndaj pyetjeve të tij të sinqerta. Është diçka e shëndetshme që ju të keni pyetje rreth ungjillit. Ndërsa përpiqeni fort për t’i gjetur përgjigjet, kujtoni se shkrimet e shenjta, profetët, mësuesit dhe vetë aftësia juaj për të arsyetuar mund t’ju vijnë në ndihmë. Por vetëm Shpirti mund ta pohojë të vërtetën. Shpirti na tregon se Jezusi është Krishti dhe se Kisha është e vërtetë.

  • Kuptojeni se çfarë është besimi. Të kesh besim është të mirëbesosh te mirësia, dashuria, urtësia dhe paanësia e përsosur e Perëndisë. Është të mirëbesosh edhe kur nuk arrijmë të kuptojmë përsosurisht. Alma dha mësim se “besim nuk është që të kesh një njohuri të përsosur të gjërave; prandaj, në qoftë se keni besim, ju shpresoni për gjëra që nuk shihen, të cilat janë të vërteta” (Alma 32:21). Juve nuk ju duhet “njohuri [e] përsosur” për të pasur besim. Studiojeni kapitullin Alma 32 që t’ju ndihmojë të ndërtoni besimin tuaj.

  • Kini besim kur gjërat duhen sikur kanë dalë jashtë kontrollit. Ju mund të ndiheni i shqetësuar për rrethana ose rezultate të caktuara. Kur kjo ndodh, ushtrohuni që të jeni i/e qetë dhe i/e përqendruar tek e tashmja (shih “1. Zhvillimi i Ripërtëritjes kur Jeni në Stres”). Vini re emocionet që keni kur ndiheni sikur e keni humbur kontrollin. Ndonëse këto ndjenja mund të jenë të sikletshme, nuk mund t’ju lëndojnë. Me kalimin e kohës, do të mësoni të keni besim edhe më të madh. Ju mund të keni besim përballë pasigurisë dhe sfidës.

  • Zbatojini urdhërimet. Ne fitojmë mirëbesim te Zoti kur ua mësojmë vlerën mësimeve të Tij. Për ta fituar këtë mirëbesim, ne duhet të bëjmë vullnetin e Tij. “Në qoftë se dikush don të dijë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo unë flas nga vetja ime” (Gjoni 7:17).

  • Jini i/e duruar. Koha dhe përvoja do t’ju ndihmojnë të kuptoni disa gjëra që janë pështjelluese tani. Mbajeni mend mësimin e Nefit: “Unë e di se [Perëndia] i do fëmijët e tij; megjithatë, unë nuk e di kuptimin e të gjitha gjërave” (1 Nefi 11:17). Ndërtoni mbi atë që e dini nga Shpirti se është e vërtetë rreth Perëndisë.

B. Të Mësuarit për t’u Penduar

Pendimi përfshin përputhjen e vullnetit tuaj me vullnetin e Shpëtimtarit. Parimet në vijim do t’ju ndihmojnë ndërsa përpiqeni fort të pendoheni.

  • Jini i/e ndershëm/me me presidentin tuaj të kunjit. Nëse keni mëkate të rënda me të cilat nuk jeni përballur dot, flisni me presidentin tuaj të kunjit. Jini i/e hapur dhe i/e ndershëm/me. Ai do t’ju ndihmojë t’i ndreqni këto gjëra.

  • Faleni veten pas pendimit. Ndonjëherë njerëzit ndihen ende fajtorë dhe të turpëruar pasi pendohen. Mbajeni mend që të gjithë ne ndiejmë keqardhje për mëkatet dhe gabimet e kaluara. Mirëbesoni se Shlyerja e Krishtit është e mjaftueshme edhe për ju. Mbajeni mend që pendimi nuk është thjesht plani rezervë. Pendimi është plani i lumturisë për çdo person.

  • Përqendrohuni te gjërat që kanë vërtet rëndësi. Bëni më të mirën tuaj për t’u penduar çdo ditë. Më pas sigurohuni që gjërat për të cilat shqetësoheni, të jenë gjëra që kanë vërtet rëndësi. Një shembull mund të jetë shërbimi me dashuri. Mos u shqetësoni për çështjet e krenarisë vetjake, e tillë si ajo që të tjerët mendojnë për ju.

  • Kuptojeni rolin e rrëfimit. Nuk është e nevojshme të rrëfeni mëkate më pak të rënda ose të rrëfeni vazhdimisht të njëjtin mëkat. Udhëheqësit e priftërisë do t’ju tregojnë se kur është i mjaftueshëm rrëfimi juaj. Të vazhdosh të ndiesh keqardhje dhe trishtim për mëkatet e kaluara është diçka normale. Por kjo nuk do të thotë se keni nevojë të rrëfeheni vazhdimisht për të njëjtën gjë. Shpërqendroheni veten nga mendime të tilla me aktivitete të tjera. Bëni zgjedhjen e qëllimshme për të besuar te falja e Zotit. Shpërfilleni tundimin për të qenë në ankth ose turpëruar.

  • Flisni me presidentin tuaj të kunjit ose peshkopin nëse vazhdoni të keni probleme.

C. Të Mësuarit për t’u Lutur me Qëllim të Vërtetë

  • Përpiquni të luteni me zë, edhe nëse vetëm pëshpëritni. Përpiquni të përgatiteni për lutjen duke i shkruar pyetjet ose shqetësimet tuaja. Përfytyrojeni Perëndinë pranë. Pyeteni Atë se çfarë mund të bëni për Të sot. Më pas veproni sipas ideve që ju vijnë në mendje. Me raste, përdoreni lutjen vetëm për ta falënderuar Perëndinë. Falënderojeni Atë për të gjitha të mirat që ju ka dhënë.

    Pamja
    misionare me shërbim duke u lutur

D. Të Mësuarit për t’i Pëlqyer Shumë Shkrimet e Shenjta

  • Lutuni veçanërisht për ndihmë për t’i kuptuar dhe për t’u kënaqur me shkrimet e shenjta. Përdoreni një pjesë të kohës suaj të studimit për të shkruar ndjenjat rreth shkrimeve të shenjta dhe reagimet tuaja ndaj tyre. Shkruajeni atë që mësoni ose mbresat shpirtërore që merrni.

E. Të Mësuarit për t’u Mbështetur te Shpirti

  • Ushtrohuni me durim. Të mësuarit për ta dalluar zërin e Shpirtit është e ngjashme me të mësuarit e një gjuhe. Kërkon ushtrim, durim dhe përulësi. Përpiquni fort të mësoni nga gabimet pa hequr dorë.

  • Mësoni nga konferencat e përgjithshme. Për ide mbi mënyrën se si të mund të merrni zbulesë vetjake, studojini bisedat e konferencës së përgjithshme për këtë temë.

Shtyp në Letër