“Harmonizimi i Jetës Misionare me Atë Jomisionare”, Përshtatja me Jetën si Misionar/e me Shërbim: Broshura e Burimeve (2020)
“Harmonizimi i Jetës Misionare me Atë Jomisionare”, Përshtatja me Jetën si Misionar/e me Shërbim
Harmonizimi i Jetës Misionare me Atë Jomisionare
Një nga qëllimet e një misioni shërbimi është “ta ndihmojë çdo misionar/e me shërbim të përgatitet për një jetë të tërë shërbimi” (“Service Missions for Young Missionaries”, bashkëlidhur letrës së Presidencës së Parë, 16 nëntor 2018). Ju mund të punoni drejt këtij qëllimi ndërsa e përmbushni detyrën tuaj të shërbimit teksa jetoni në shtëpi. Në të njëjtën kohë bërja e këtyre gjërave mund të jetë një sfidë. Do t’ju duhet ta administroni kohën tuaj me kujdes. Ndërsa jeni duke shërbyer në misionin tuaj, gjithashtu do të mësoni të bëni atë që do të kërkohet nga ju në jetën pas misionit. Do t’ju duhet të baraspeshoni punën, familjen, arsimin, kishën, shërbimet e tjera dhe kohën e lirë.
Misioni juaj i shërbimit është koha dhe mjedisi i përsosur për të zhvilluar zotësitë e administrimit të kohës. Ju do të keni elasticitetin dhe strukturën përkrahëse për të përcaktuar talentet tuaja të pashoqe dhe për t’i zhvilluar ato. Më pas mund t’i përdorni ato për t’u shërbyer të tjerëve.
Këshillohuni me udhëheqësin tuaj të misionit të shërbimit dhe presidentin tuaj të kunjit për vendosjen e synimeve. Udhëheqësit tuaj gjithashtu do t’ju ndihmojnë të përcaktoni talentet tuaja. Zhvillimi i talenteve tuaja duhet të përfshihet te synimet tuaja. Këto synime janë pjesë e planit të përshtatur të misionit tuaj që t’ju ndihmojnë t’i baraspeshoni përparësitë tuaja. Ju do të jeni hartuesi kryesor i planit tuaj. Ky do të jetë plani juaj. Ai është përshtatur për pikat tuaja të forta, talentet, kapacitetin tuaj aktual dhe shpresat dhe ëndrrat e ardhshme. Skuadra juaj e përkrahjes mund t’ju këshillojë dhe inkurajojë, por zgjedhjet janë tuajat.
Me skuadrën tuaj të përkrahjes, ju do të vendosni synime të arritshme për kohën pas misionit dhe plane për t’i arritur ato. Zotësitë që zhvilloni do t’ju bekojnë ju dhe të tjerët gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës suaj. Ju mund të bëheni ai ose ajo që Ati juaj i dashur Qiellor dëshiron që të bëheni. Zoti gjithashtu do t’ju ndihmojë në këtë rrugëtim emocionues.
Duke mësuar që ta përdorni kohën tuaj me urtësi, ju do të përgatiteni për një jetë të tërë shërbimi. Ju do të jeni në gjendje të jetoni dy urdhërimet më të mëdha. Ato janë: “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe më gjithë mendjen tënde” dhe “duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Mateu 22:37, 39).