“5. Zhvillimi i Ripërtëritjes Mendore”, Përshtatja me Jetën si Misionar/e me Shërbim: Broshura e Burimeve (2020)
“5. Zhvillimi i Ripërtëritjes Mendore”, Përshtatja me Jetën si Misionar/e me Shërbim
5. Zhvillimi i Ripërtëritjes Mendore
Puna misionare është shumë kërkuese për njerëzit dhe këto kërkesa ndikojnë në mënyrë të ndryshme te çdo person. Aftësitë që ju keni, do t’ju ndihmojnë ta përmbushni punën e Perëndisë. Ju mund t’i mirëbesoni Atij për të bërë dallimin midis aftësive tuaja dhe asaj që nevojitet. Sugjerimet më poshtë mund t’ju ndihmojnë për disa çështje. Referojuni pjesës “1. Zhvillimi i Ripërtëritjes kur Jeni në Stres” për ide shtesë.
A. Të Mësuarit e një Detyre të Re
Fillimi i një detyre të re mund të jetë stresues. Jini i duruar me mbikëqyrësin tuaj, kolegët tuaj dhe veten. Përpiquni të mos shkurajoheni apo mërziteni ndërsa po mësoni detyrën tuaj. Zakonisht do t’i kuptoni gjërat brenda pak ditëve. Këtu janë disa këshilla për t’ju ndihmuar ndërsa filloni detyrën tuaj. Mund t’i diskutoni këto gjëra me udhëheqësin tuaj të misionit të shërbimit.
-
Rehatohuni. Njihuni me punën tuaj. Kujdesuni për çdo dokumentacion. Krijoni vendin tuaj të punës. Mësojini emrat e kolegëve dhe mbikëqyrësve.
-
Mos e humbni kurajën. Merrni një vendim për të punuar çdo ditë për të pasur një qëndrim pozitiv në punë. Edhe nëse jeni i lodhur apo i pasigurt për atë që pritet, zgjidhni të jeni miqësor. Jini pozitiv edhe nëse nuk ju pëlqejnë detyrat apo njerëzit me të cilët punoni. Kjo do t’ju ndihmojë t’ia dilni mbanë. Ajo do t’i ndihmojë ata përreth jush që të mësojnë t’ju mirëbesojnë dhe vlerësojnë.
-
Spikatni. Jini në kohë për të gjitha detyrat, veshur në mënyrë të përshtatshme dhe gati për të filluar. Shikoni përreth për mënyra për të ndihmuar dhe për t’u përfshirë. Njerëzit le ta shohin se jeni i/e gatshëm/me të provoni gjëra të reja dhe të ushtroni zotësi të reja.
-
Studioni. Nëse merrni materiale filmike ose materiale me shkrim që shpjegojnë punën tuaj, studiojini ato me kujdes. Mbani shënime për gjërat që duhet të mbani mend. Jini veçanërisht të vetëdijshëm për rregullat e sigurisë. Gjithashtu mbani shënime për rregullat për privatësinë ose konfidencialitetin. Mësoni standardet që priten për ta bërë punën tuaj me sukses.
-
Bëni pyetje. Me mirësjellje pyetini mbikëqyrësin dhe kolegët tuaj për çdo gjë që nuk e kuptoni. Mund të mbani një bllok të vogël shënimesh për të shkruar pyetjet dhe përgjigjet të cilave mund t’ju referoheni më vonë. Jini i duruar me ata që ju trajnojnë nëse nuk i shpjegojnë gjërat qartë. Përpiquni ta përsëritni atë që dëgjoni. Pyetni: “A e kuptova siç duhet? A ka ndonjë gjë tjetër?” Pyeteni mbikëqyrësin tuaj për pritshmëritë e tij ose të saj për ju. Pyeteni se çfarë ka më tepër rëndësi për ta bërë mirë punën tuaj.
-
Kërkoni rregullat e pashkruara. Çdo vend pune ka mënyrën e vet për t’i bërë gjërat. Disa prej këtyre gjërave nuk janë të shkruara, edhe pse janë të rëndësishme. Rregulla të tilla të pashkruara mund të përfshijnë mënyrën se si t’i përballoni mosmarrëveshjet dhe ku dhe kur të hani. Rregulla të tjera mund të përfshijnë atë se sa krijimtari pranohet dhe çfarë të bëni me punën që nuk është përfunduar para mbylljes së ditës së punës. Kijini kujdes këto rregulla të pashkruara dhe përpiquni t’i ndiqni.
-
Jini i/e duruar me veten dhe të tjerët. Ju do të bëni gabime! Kjo është pjesë e të mësuarit të diçkaje të re. Kërkojuni falje të tjerëve dhe pyetini se si mund t’i ndreqni gabimet tuaja. Zbuloni se çfarë duhet të bëni herën tjetër dhe përpiquni sërish. Mos e mbani mendjen te gabimet – tuajat apo të dikujt tjetër. Mësoni dhe vazhdoni përpara me një qëndrim pozitiv. Do të mësoni ta bëni mirë punën tuaj.
B. Të Qëndruarit i/e Organizuar me Synimet dhe Planet
-
Mbani një kalendar ose libër planifikimi. Në fillim të çdo jave, vendosini takimet te kalendari ose libri juaj i planifikimit. Përfshini detyrat në punë, mbledhjet e kishës dhe angazhime të tjera siç janë leximi i shkrimeve të shenjta dhe lutja. Shkruajini emrat, takimet, synimet dhe listat e gjërave që duhet të bëni.
-
Mos u mbështetni vetëm te kujtesa juaj. Kontrollojeni kalendarin ose librin tuaj të planifikimit gjatë gjithë ditës. Për gjërat e rëndësishme që duhet të bëni, vendosni shënime kujtese te dera, te frigoriferi ose pranë shtratit. Vendosni kujtues në telefon.
-
Vendoseni gjithçka që do t’ju duhet të nesërmen, në një vend të caktuar. Bëjeni këtë përpara se të shkoni në shtrat. Atëherë nuk do ta harroni diçka të rëndësishme. Mbajini gjërat tuaja të rëndësishme në të njëjtin vend. Në këtë mënyrë nuk do të humbisni kohë për t’i kërkuar.
-
Kërkoni ndihmë që t’i mbani mend gjërat. Kur ju duhet të mbani mend diçka që nuk është pjesë e rutinës suaj të zakonshme, kërkojuni të tjerëve t’ju ndihmojnë t’i mbani mend. Mund të thoni: “E di që kjo është ajo gjë që ka të ngjarë ta harroj. A mund të më kujtosh nëse harroj?”
-
Qëndroni i përqendruar tek ajo që po bëni. Kur vini re që jeni shpërqendruar nga një veprimtari misionare, kthejeni vëmendjen sërish te detyra juaj. Bëjeni këtë aq shpesh sa duhet.
-
Vendosni për synimet. Si të jetë e dobishme për ju, përcaktojini synimet në secilën kategori më poshtë. Bëni një plan për atë që do të bëni. Shtojeni planin në kalendarin ose librin tuaj të planifikimit çdo javë.
-
Synimet fizike si bërja e ushtrimeve, zhvillimi i zakoneve të të ngrënit të shëndetshëm dhe fjetjes, kujdesit për dhomën ose ambientin tuaj të punës, administrimin e parave, ofrimin e ndihmës në shtëpi ose luajtjen e sporteve.
-
Synimet emocionale si gjetja e kohës për t’u çlodhur ose reflektuar, meditimi, mbajtja shënim e ndjenjave ose përvojave, bërja e pushimeve ose kalimi i kohës në natyrë.
-
Synimet shoqërore si bërja e gjërave me miqtë dhe familjen, marrja pjesë në veprimtaritë e të rinjve në moshë madhore beqarë, ndihma ndaj të tjerëve, puna me historinë familjare, intervistimi i pjesëtarëve të familjes për jetën e tyre ose të mësuarit dhe të ushtruarit e zotësive shoqërore.
-
Synimet mendore që do t’ju bëjnë një shërbëtor më të mirë të Zotit, siç janë ndjekja e kurseve, të mësuarit e një gjuhe apo një instrumenti muzikor, leximi, eksplorimi i interesave për punë ose zhvillimi i zotësive për punë.
-
Synimet shpirtërore si bërja e lutjes më me sinqeritet, studimi më thellësisht i shkrimeve të shenjta, të vepruarit sipas nxitjeve shpirtërore, marrja pjesë në lagjen ose degën tuaj, frekuentimi i tempullit ose shërbimi ndaj të tjerëve jashtë detyrave tuaja të misionit.
-
-
Përkushtojani ditën Zotit. Bëni të pamundurën për ta planifikuar kohën dhe për ta përdorur atë mirë. Më pas në fillim të ditës, përkushtojani atë Zotit. Kërkojini Zotit të bëjë të mundur që të gjitha gjërat të veprojnë së bashku për të mirën tuaj. Gjatë gjithë ditës, jini elastik dhe veprues ndaj Shpirtit.
C. Mposhtja e Ndjenjave që Nuk Jeni i Aftë
-
Ruajeni ndjenjën e humorit kur bëni një gabim. Kërkoni falje për atë që bëtë gabim dhe më pas provojeni sërish. Mos harroni se të qenit i gatshëm për të kërkuar falje është shenjë e ripërtëritjes dhe forcës.
-
Gjeni forcë te një dobësi. Ndonjëherë të pasurit e një dobësie na ndihmon të zhvillojmë pika të forta si dhembshuria dhe ndjeshmëria. Përpjekja për të mposhtur një dobësi mund të na mësojë durim, përulësi dhe mbështetje te Zoti. Ndonjëherë një dobësi e tillë si të shpërqendruarit lehtësisht ka një pikë të fortë që e shoqëron. Ju mund të vini re gjëra që u mungojnë të tjerëve. Kërkoni pikat e forta që mund të vijnë nga dobësitë tuaja.
-
Punoni me dobësitë tuaja. Punoni me dobësitë një e nga një që të mos mbingarkoheni. Merrni ide nga të tjerët. Lutuni për udhërrëfim dhe ndihmë. Bëni një plan për mposhtjen e dobësisë suaj. Mendoni për pengesat që ka të ngjarë të hasni dhe mendoni se si t’i përballoni ato. Ushtroni. Përshtateni planin tuaj nëse është e nevojshme. Jini i/e duruar.
-
Përqendrojeni vemendjen te misioni juaj vetjak. A ndiheni xheloz për zotësitë e dikujt tjetër? Harxhojini energjitë për zhvillimin e pikave tuaja të forta dhe për përdorimin e tyre në punë. Ky është misioni juaj.