1 Gjon 2–4; 2 Gjon
Shfaqja e Dashurisë për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin
Kur dikush e ndien se e duan ose do një person tjetër, shpesh veprimet e tij/saj ndryshojnë. Gjoni dha mësim se dashuria jonë për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin mund të na motivojë t’i zbatojmë urdhërimet e Tyre. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të kuptosh se si mund të shfaqësh dashuri për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin duke i zbatuar urdhërimet.
Mbrojtjet me dashuri të Perëndisë
Ndërkohë që ishte në një plazh në Australi, Plaku Von G. Kiç (1960–2018), i Të Shtatëdhjetëve, u takua me disa sërfistë që kishin shkuar atje në një udhëtim që bëhet vetëm një herë në jetë. Ata po ankoheshin për një pengesë me rrjetë të rëndë teli në ujë, që i pengonte të bënin sërf mbi dallgët e mëdha.
Për të zbuluar se çfarë ndodhi, shiko materialin filmik “Të Bekuar dhe të Lumtur Janë Ata Që i Zbatojnë Urdhërimet e Perëndisë” (05:41) nga kodi kohor 00:00 deri në 02:34. Ky material filmik është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. Ose lexo ndodhinë vijuese.
Zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë
Ne të gjithë kemi arsyet tona që ndikojnë a zgjedhim t’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë. Lexo vargjet vijuese duke kërkuar atë që dha mësim Apostulli Gjon, që mund të na motivojë t’i zbatojmë ato. Mund të jetë e dobishme të kujtosh se Gjoni ua drejtoi letrën e tij besimtarëve që po përballeshin me mësime të rreme.
(Mund të jetë gjithashtu e dobishme të lexosh mësimet e Shpëtimtarit te Gjoni 14:15, 23–24 .)
-
Çfarë të vërtetash gjete?
-
Si mund ta rritë njohja e këtyre të vërtetave dëshirën e dikujt për t’i zbatuar urdhërimet?
Gjoni dha mësim të vërteta të larmishme te këto vargje. Një prej atyre që mund ta kesh përcaktuar, është që sa më shumë dimë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit dhe i duam Ata, aq më shumë jemi të gatshëm t’i zbatojmë urdhërimet e Tyre (shih te 1 Gjon 1:5–7 ; 2:3–6 ; 2 Gjon 1:6–9).
1. Plotësoje veprimtarinë vijuese në ditarin tënd të studimit:
Përfytyro sikur mësuesja jote e Shkollës të së Dielës dëshiron t’i ndihmojë anëtarët e klasës tënde të ndihen të motivuar për t’i zbatuar urdhërimet. Ajo ju kërkon juve të përsiatni për pyetjet vijuese dhe të përgatiteni për t’i shprehur mendimet tuaja në klasë:
-
Përse mbajtja e urdhërimeve është një mënyrë për të shfaqur dashuri për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin?
-
Çfarë di ti për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin që të motivon t’i zbatosh urdhërimet e Tyre? Përse të motivon dijenia për këtë gjë?
-
Çfarë ke mësuar rreth Tyre teksa i ke zbatuar urdhërimet e Tyre?
Si do t’ia shfaqësh dashurinë tënde Atit Qiellor?
Shikoje këtë figurë dhe mendo për atë që di rreth Jezu Krishtit dhe Atit Qiellor dhe mënyrën se si Ata ndihen rreth teje. Ti mund të dëshirosh edhe të mendosh se si ndihesh rreth Tyre.
Ndërkohë që mund të duket e vështirë ta shfaqim dashurinë tonë për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin për shkak se ata nuk janë fizikisht të pranishëm me ne, ne mund ta shfaqim dashurinë tonë për Ta duke i zbatuar urdhërimet e Tyre. Gjej pak kohë për të përsiatur për atë që do të doje të mbaje mend ose të bëje për shkak të këtij mësimi. Në vijim janë disa mënyra se si mund ta bësh këtë:
-
Shkruaj një mënyrë se si dëshiron t’i njohësh dhe duash më shumë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
-
Mendo rreth urdhërimeve që po zbaton aktualisht dhe përse po i zbaton ato. Merre parasysh nëse je i motivuar nga dashuria për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin ose nëse mund të përmirësohesh në atë fushë.
-
Përcakto një ose më shumë urdhërime që mund t’i zbatosh në mënyrë më të plotë për të shfaqur dashurinë tënde për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Bëj një plan për mënyrën se si do t’i zbatosh më plotësisht këto urdhërime.
Fakultative: Dëshiron të mësosh më shumë?
Në ç’mënyrë urdhërimet janë një shprehje e dashurisë së Perëndisë për ne?
Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018), pohoi:
“Urdhërimet e Perëndisë nuk jepen për të na mërzitur ose që të bëhen pengesa ndaj lumturisë sonë. Pikërisht e kundërta është e vërtetë. Ai që na krijoi dhe që na do, e di në mënyrë të përsosur pikërisht se si nevojitet ta jetojmë jetën tonë me qëllim që të fitojmë lumturinë më të madhe të mundshme. Ai na ka siguruar udhëzime të cilat, në qoftë se i ndjekim, do të na udhëheqin të sigurt përmes këtij udhëtimi shpesh të pabesë në vdekshmëri. …
… Ai e kupton që, kur i zbatojmë urdhërimet, jeta jonë do të jetë më e lumtur, më përmbushëse dhe më pak e koklavitur. Sfidat dhe problemet tona do të jenë më të lehta për t’u duruar dhe ne do të marrim bekimet e premtuara prej Tij.”
(Tomas S. Monson, “Zbatojini Urdhërimet”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 83)
Në ç’mënyrë zbatimi i urdhërimeve i tregon Perëndisë dashurinë time?
Plaku Von G. Kiç (1960–2018), i Të Shtatëdhjetëve, pohoi:
“Ne e tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë – dhe besimin tonë tek Ai – duke bërë më të mirën tonë çdo ditë për të ndjekur drejtimin që Ai ka caktuar për ne, dhe duke i zbatuar urdhërimet që Ai na ka dhënë. Ne e shfaqim veçanërisht atë besim dhe dashuri në situata ku ne nuk e kuptojmë plotësisht arsyen e urdhrave të Perëndisë ose shtegun e veçantë që Ai na thotë të marrim.”
(Von G. Kiç, “Të Bekuar dhe Të Lumtur Janë Ata Që i Zbatojnë Urdhërimet e Perëndisë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 116)
Si mund ta rris dashurinë time për Perëndinë?
Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, shpjegoi:
“Ne e rrisim dashurinë tonë për Atin tonë Qiellor dhe e shfaqim atë dashuri duke i [përputhur] mendimet e veprimet tona me fjalën e Perëndisë. Dashuria e [dëlirë] e Tij na drejton e nxit gjithmonë të bëhemi më të dëlirë e më të shenjtë. Ajo na frymëzon të ecim në drejtësi – jo prej frike apo detyrimi por prej një dëshire të nxehtë që të bëhemi edhe më shumë si Ai, sepse e duam Atë.”
(Diter F. Uhtdorf, “Dashuria e Perëndisë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 23)