1 Thesalonikasve 1–3
Ndjekja e Jezu Krishtit Duke Dhënë Shërbesë me Dashuri
Kur të ka kujtuar Jezu Krishtin shërbimi i dikujt? Pali dhe shokët e tij misionarë u dhanë shërbesë shenjtorëve thesalonikas në mënyra të ngjashme me të Krishtit, duke i frymëzuar ata të vazhdonin ta jetonin ungjillin me besnikëri pavarësisht se përballeshin me përndjekje. Ky mësim mund të të ndihmojë t’i bekosh dhe të ndikosh tek të tjerët teksa përpiqesh të japësh shërbesë ashtu siç dha Shpëtimtari ynë Jezu Krisht.
Shembulli i Jezu Krishtit
Shikoji këto figura të Jezu Krishtit ose mendo për ndodhi të tjera nga shkrimet e shenjta të ndërveprimeve të Tij me të tjerët. Në ditarin tënd të studimit, rendit fjalë dhe fraza që përshkruajnë atë që Shpëtimtari po bën për individët me të cilët Ai ndërvepron.
-
Po të kishe qenë një nga individët pranë Shpëtimtarit, çfarë mendon se do të kishe ndier për shkak të veprimeve të Shpëtimtarit? Pse?
-
Duke parë listën që bëre, cilat fjalë ose fraza do të doje t’i zbatoje kur u shërben të tjerëve? (Nëse dëshiron, mund t’i shenjosh ose theksosh fjalët që janë më kuptimplota për ty.)
Në Kishë, shpesh veprimeve të tilla u referohemi si dhënie shërbese.
Vëllai Dejvid L. Bek, ish-President i Përgjithshëm i Të Rinjve, dha mësim:
“Të shërbesh do të thotë t’i duash të tjerët e të kujdesesh për ta. Do të thotë t’u përgjigjesh nevojave të tyre fizike dhe shpirtërore. E thënë thjesht, do të thotë të bësh atë që Shpëtimtari do të bënte po të ishte këtu.”
(Dejvid L. Bek, “Detyra Juaj e Shenjtë për të Shërbyer”, Liahona, maj 2013, f. 56)
-
Çfarë të bën përshtypje nga thënia e Vëllait Bek?
-
Duke marrë parasysh thënien e Vëllait Bek dhe fjalët që shenjove në listën tënde, sa mirë mendon se po u jep shërbesë të tjerëve?
Ti mund të kesh pyetje ose shqetësime rreth dhënies së shërbesës ndaj të tjerëve. Merr parasysh t’i mbash shënim këto në ditarin tënd të studimit dhe të kërkosh përgjigje teksa studion sot kapitujt te 1 Thesalonikasve 1–3. Nëse dëshiron, ti mund ta ftosh Shpirtin të të ndihmojë të kërkosh mënyra se si mund t’i bekosh dhe të ndikosh tek të tjerët teksa përpiqesh fort të japësh shërbesë ashtu siç dha Shpëtimtari Jezu Krisht. Mbaji shënim mendimet dhe përshtypjet e tua në mënyrë që të mund të veprosh me lutje në bazë të tyre.
Pali u jep shërbesë thesalonikasve
Gjatë udhëtimit të tij të dytë misionar, Apostulli Pal dhe shokët e tij misionarë patën sukses në predikimin ndaj popullit në Thesaloniki, por udhëheqësit judeas i nxorën ata me forcë nga qyteti (shih te Veprat e Apostujve 17:1–9). Pali mësoi më vonë se shenjtorët në Thesaloniki kishin qëndruar besnikë dhe po e shpërndanin mesazhin e ungjillit, edhe pse përjetuan përndjekje ngaqë e bënë këtë (shih te 1 Thesalonikasve 1:6–8). Pali shkroi letrën e tij të parë drejtuar thesalonikasve me mirënjohje për besimin e tyre dhe shpresën te Jezu Krishti (shih te 1 Thesalonikasve 1:2–3).
Lexo me kujdes vargjet te 1 Thesalonikasve 2:7–14; 3:9–13. Nëse dëshiron, mund t’i shenjosh fjalët dhe frazat që gjen, të cilat të kujtojnë dashurinë dhe kujdesin që Shpëtimtari do të kishte dhënë. Merre parasysh t’i shtosh përshtypjet e tua në listën tënde.
Bekimet e dhënies së shërbesës
Një e vërtetë që mund të mësojmë rreth dhënies së shërbesës nga këto vargje, është se teksa u japim shërbesë të tjerëve me dashuri, ne mund t’i ndihmojmë ata të bëhen ndjekës më të mirë të Jezu Krishtit (shih te 1 Thesalonikasve 2:10–14).
Dhënia e shërbesës me besim dhe dashuri
Ndonjëherë detyrat në Kishë do të të japin mundësi formale për të dhënë shërbesë. Më shpesh, ti do të kesh mundësi të japësh shërbesë gjatë ndërveprimeve të përditshme me pjesëtarët e familjes, miqtë dhe të tjerët.
Presidentja Xhin B. Bingham, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dha disa ide për mënyrën se si të japësh shërbesë ashtu siç dha Jezu Krishti. Shiko materialin filmik “Dhënia e Shërbesës Ashtu Siç e Jep Shpëtimtari” nga kodi kohor 0:45 deri në 1:54, ose lexo fjalët e Presidentes Bingham. Nëse dëshiron, mund t’i shtosh disa nga sugjerimet e saj në listën tënde të dhënies së shërbesës.
“Nganjëherë ne mendojmë se duhet të bëjmë diçka madhështore dhe heroike që të ‘llogaritet’ si shërbim ndaj të afërmve tanë. Sidoqoftë, veprime të thjeshta të shërbimit mund të kenë një ndikim të thellë tek të tjerët – si edhe te ne vetë. Çfarë bëri Shpëtimtari? Nëpërmjet dhuratave të Tij hyjnore të Shlyerjes dhe Ringjalljes … ‘asnjë tjetër nuk ka pasur një ndikim kaq të thellë mbi të gjithë ata që kanë jetuar dhe do të jetojnë ende në tokë’ [“Krishti i Gjallë”, ChurchofJesusChrist.org]. Por Ai gjithashtu u buzëqeshi njerëzve, bisedoi me ta, eci me ta, i dëgjoi, gjeti kohë për ta, i nxiti, u dha mësim, i ushqeu dhe i fali ata. Ai u shërbeu njëlloj familjes dhe miqve, të afërmve dhe të huajve, dhe i ftoi të njohurit dhe njerëzit e dashur që të gëzonin bekimet e pasura të ungjillit të Tij. Ato veprime ‘të thjeshta’ shërbimi dhe dashurie japin një model për dhënien e shërbesës sonë sot.”
(Xhin B. Bingham, “Dhënia e Shërbesës ashtu siç e Jep Shpëtimtari”, Liahona, maj 2018, f. 104)
-
Çfarë të mësojnë fjalët e Motrës Bingham për dhënien e shërbesës siç e dha Jezu Krishti?
-
Përse mund të jetë e rëndësishme të mbash mend se dhënia e shërbesës mund të përmbushet përmes veprimeve të thjeshta të shërbimit?
Shqyrto listën tënde lidhur me domethënien e dhënies së shërbesës dhe shto ndonjë mendim tjetër nga ajo që ke mësuar sot. Përcakto dy ose tri fjalë që mund të të ndihmojnë të bëhesh më i ngjashëm me Jezu Krishtin teksa jep shërbesë.
Kërko me lutje ndihmën e Atit Qiellor për të ditur se kujt dëshiron Ai që t’i japësh shërbesë sot dhe mënyrën se si mund ta bësh këtë. Ti mund të kesh marrë tashmë nxitje nga Shpirti në bazë të të cilave mund të veprosh tani.
Nëse emri i një personi të caktuar nuk të vjen në mendje, merre parasysh të lutesh për ndihmën e Atit Qiellor për të dalluar një mundësi për të dhënë shërbesë dhe për të vepruar kur të të kujtohet. Mirëbeso se Ai do të të udhërrëfejë teksa përpiqesh fort të japësh shërbesë siç dha Shpëtimtari.
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Po nëse nuk jam i sigurt se si t’u jap shërbesë të tjerëve?
Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, vuri në dukje:
“Një njeri me zemër të mirë mund ta ndihmojë dikë që të rregullojë një gomë makine, të çojë një shok dhome te mjeku, të hajë drekë me dikë që është i trishtuar, ose t’i buzëqeshë dhe ta përshëndetë për t’ia lumturuar ditën.
Por një ndjekës i urdhërimit të parë [i cili e do Perëndinë me gjithë zemrën e tij] do t’u shtojë natyrshëm [veprime të tjera] këtyre veprimeve të rëndësishme të shërbimit, [duke] e inkurajuar personin që po ia del mirë në zbatimin e urdhërimeve dhe duke dhënë këshillë të urtë për ta forcuar besimin e dikujt i cili po devijon ose ka nevojë për ndihmë për t’u kthyer në rrugën e duhur në të cilën ka udhëtuar dikur.”
(Neil L. Andersen, “A Holier Approach to Ministering” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 10 prill 2018], f. 3, speeches.byu.edu)
Peshkopi W. Kristofer Uadell, i Peshkopatës Kryesuese, pohoi:
“Mund të vrasim mendjen se si të shërbejmë sa më mirë, por Zoti e di dhe nëpërmjet Shpirtit të Tij ne do të drejtohemi gjatë përpjekjeve tona … ndërsa përpiqemi fort të bëhemi mjete në duart e Zotit për t’i bekuar fëmijët e Tij. Ndërsa kërkojmë udhërrëfimin e Shpirtit dhe i mirëbesojmë Zotit, ne do të vendosemi në situata dhe rrethana ku mund të veprojmë e bekojmë – me fjalë të tjera, të japim shërbesë.”
(W. Kristofer Uadell, “Pikërisht siç Bëri Ai”, Liahona, maj 2019, f. 21)
Vëllai Dejvid L. Bek, ish-President i Përgjithshëm i Të Rinjve, na kujtoi:
“Shërbimi nuk është thjesht diçka që bëjmë – ai përcakton se cilët jemi.
Shërbeni çdo ditë. Mundësitë janë kudo rreth jush. Kërkojini ato. Kërkojini Zotit t’ju ndihmojë që t’i dalloni ato. Do të zbuloni se shumica [e tyre] janë veprime të vogla, të sinqerta që i ndihmojnë të tjerët të bëhen pasues të Jezu Krishtit.”
(Dejvid L. Bek, “Detyra Juaj e Shenjtë për të Shërbyer”, Liahona, maj 2013, f. 57)
Për më shumë ide ose shembuj rreth dhënies së shërbesës, shihni këtë artikull nga revista e Kishës:
-
“Qëllimi Që Do Ta Ndryshojë Dhënien e Shërbesës Sonë”, Liahona, janar 2019, f. 8–11
-
Eric B. Murdock, “Ministering As the Savior Did”, New Era, dhjetor 2018, f. 32–35
Nëse dëshiron, mund të shohësh edhe faqen “Kjo Është Dhënia e Shërbesës” në ChurchofJesusChrist.org.