2 Korintasve 13
“Analizoni Veten Tuaj a Jeni në Besim”
Udhëheqësit në mbretërinë e Perëndisë shpesh kanë qenë shënjestër kritikash. Gjatë kohës së Dhiatës së Re, disa anëtarë të Kishës në Korint ishin bërë kritikë ndaj Palit. Ai u përgjigj duke i ftuar ata ta analizonin lidhjen e tyre me Krishtin. Ky mësim mund të të ndihmojë ta mposhtësh tundimin për t’i kritikuar të tjerët, duke përfshirë udhëheqësit e Kishës, duke analizuar besnikërinë tënde ndaj Zotit.
Pyetje të sinqerta apo kritika?
-
Cilët janë disa shembuj se si njerëzit sot mund të jenë kritikë ndaj udhëheqësve të Kishës?
-
Cili është ndryshimi ndërmjet pasjes së pyetjeve ose shqetësimeve të sinqerta për diçka që një udhëheqës i Kishës dha mësim apo tha dhe kritikave ndaj atij personi?
Në përgjithësi, të kritikosh dikë do të thotë ta gjykosh atë negativisht, duke vënë në dukje fajet ose gabimet e tij. Në shkrimet e shenjta, kritika mund t’i referohet të folurit dashakeq ose murmuritjes kundër dikujt.
Është e mundur t’i dallosh të metat ose dobësitë te të tjerët pa qenë kritik. Ne tregohemi kritikë kur flasim apo shkruajmë për të tjerët në një mënyrë gjykuese ose negative.
-
Pse është e rëndësishme ta mposhtim tundimin për t’i kritikuar të tjerët, përfshirë edhe udhëheqësit e Kishës?
Ndërsa e studion kapitullin te 2 Korintasve 13, kërko se si ne mund ta shmangim të qenit kritikues, sidomos ndaj atyre që Zoti i ka thirrur për të drejtuar në Kishën e Tij.
Kritika, të folurit dashakeq dhe murmuritja
Me sa duket, disa nga shenjtorët në Korint ishin kritikë të hapur ndaj Palit (shih te 2 Korintasve 10:10; 12:10–15). Te 2 Korintasve 13:1–2, Pali u bëri thirrje atyre për pendim me një gjuhë të ashpër.
Lexo te 2 Korintasve 13:3, duke kërkuar atë për të cilën disa anëtarë të Kishës në Korint po kërkonin provë nga Pali. Kërkesa e këtyre njerëzve për të parë prova që Pali po fliste me të vërtetë për Krishtin, mund të jetë provë e shtuar që njerëzit po e kritikonin hapur atë. Lexoje pohimin vijues nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, duke kërkuar mënyrën se si bërja e kritikave ndaj udhëheqësve tanë mund të na ndikojë.
“Presidenti Xhorxh Q. Kenon dha një paralajmërim që po ua them si të ishte nga ana ime. Unë besoj se ai tha të vërtetën: ‘… Askush … nuk mund të flasë keq për të vajosurit e Zotit dhe nuk mund të gjejë faj tek autoriteti i Perëndisë në tokë pa shkaktuar pakënaqësinë e Tij. Shpirti i Shenjtë do të tërhiqet nga një njeri i tillë dhe ai do të shkojë në errësirë. Ngaqë kjo është pasoja, a nuk e shihni se sa e rëndësishme është që ju duhet të jeni të kujdesshëm?’”
(Henri B. Ajring, “Fuqia e Besimit Mbështetës”, Liahona, maj 2019, f. 59)
Lexo te 1 Nefi 2:12–13, 16, 19–21. Krahaso murmuritjet e Lamanit dhe Lemuelit kundër Lehit dhe Zotit me veprimet besnike të Nefit.
Shmangia e kritikave
Lexo te 2 Korintasve 13:5–6, duke kërkuar këshillën që Pali u dha shenjtorëve korintas të cilët dyshuan nëse Zoti foli nëpërmjet tij. Mund të jetë e dobishme të dish se i përjashtuar është dikush që nuk është i denjë ose ka dështuar në një provë.
Bazuar në atë që Pali dha mësim, përfundoje pohimin vijues: Në vend që t’i kritikojmë udhëheqësit e Kishës, ne duhet të …
Nga vargu te 2 Korintasve 13:5 ti mund të kesh përcaktuar një parim si ky:
Në vend që t’i kritikojmë udhëheqësit e Kishës, ne duhet të analizojmë besnikërinë tonë ndaj Zotit.
Presidenti Ajring tha sa vijon rreth qëndrimit tonë ndaj atyre të cilët Zoti i thërret për të shërbyer. Shih se si fjalët e tij e përforcojnë atë që Pali dha mësim te 2 Korintasve 13:3, 5:
“Do besim për të mirëbesuar se [Jezu Krishti] i njeh njerëzit që i thërret, në mënyrë të përsosur, si aftësitë e tyre, edhe potencialin e tyre, dhe kështu që nuk bën gabime rreth atyre që thërret.
Kjo mund t’i shkaktojë një buzëqeshje apo tundje koke disave në këtë auditor – si atyre të cilët mendojnë se vetë thirrja e tyre për të shërbyer mund të ketë qenë një gabim, gjithashtu edhe atyre të cilëve u vijnë në mendje njerëz që njohin, të cilët u duken jo të përshtatshëm për pozicionin e tyre në mbretërinë e Zotit. Këshilla ime është që t’i shtyni gjykime të tilla derisa të mund ta shihni më mirë atë që sheh Zoti. Gjykimi që duhet të bëni, në vend të asaj, është se ju e keni aftësinë të merrni zbulesë dhe të veproni sipas saj pa frikë.”
(Henri B. Ajring, “Zoti e Udhëheq Kishën e Tij”, Liahona, nëntor 2017, f. 82)
Analizoje veten
Kur intervistohemi për rekomandimin e tempullit, ne na pyetin nëse i mbështetim udhëheqësit e Kishës. Presidenti Ajring sugjeroi disa pyetje që mund të na ndihmojnë të përgatitemi për t’u përgjigjur për këtë. Kërko frymëzimin e Shpirtit të Shenjtë ndërsa i përsiat këto pyetje.
“Mund t’ju jetë kërkuar, ose do t’ju kërkohet, nëse do ta mbështetni peshkopin tuaj, presidentin tuaj të kunjit, Autoritetet e Përgjithshme dhe Drejtuesit e Përgjithshëm të Kishës. …
… Ju mund të përgatiteni duke i bërë vetes pyetje si vijueset:
A kam menduar ose folur për dobësinë njerëzore te njerëzit që kam premtuar t’i mbështet?
A kam kërkuar provë që Zoti po i udhëheq ata?
A e kam ndjekur vazhdimisht dhe besnikërisht udhëheqjen e tyre?
A kam folur për provën që mund ta shoh, se ata janë shërbëtorët e Perëndisë?
A lutem për ta rregullisht me emër dhe me ndjenja dashurie?
Për shumicën prej nesh, këto pyetje do të çojnë drejt një ngurrimi dhe një nevoje për t’u penduar.”
(Henri B. Ajring, “Fuqia e Besimit Mbështetës”, Liahona, maj 2019, f. 59)
Nëse këto pyetje “çojnë drejt një ngurrimi”, lutu dhe shkruaj rreth asaj që mund të bësh për t’u penduar dhe për të ndryshuar.
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Cili është rreziku i të qenit kritik ndaj atyre që Zoti thërret?
Profeti Jozef Smith (1805–1844) dha mësim:
“[Nëse një] njeri … ngrihet për të dënuar të tjerët, … gjen të meta tek Kisha, duke thënë se ata po ndjekin rrugë të gabuar, ndërsa ai vetë është i drejtë, atëherë ta dini me siguri, se ai njeri po ecën me shpejtësi në rrugën drejt braktisjes; dhe nëse nuk pendohet, do të bjerë në braktisje, ashtu si Perëndia jeton”.
(Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 339)
A është mirë të kesh pyetje?
Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, dha mësim:
“A është mirë të kemi pyetje mbi Kishën apo doktrinën e saj? Miqtë e mi të dashur, ne jemi njerëz që bëjmë pyetje, sepse e dimë që kërkimi çon tek e vërteta. …
… Disa mund të ndihen në siklet ose të padenjë sepse kanë pyetje zhbiruese në lidhje me ungjillin, por ata nuk duhet të ndihen ashtu. Bërja e pyetjeve nuk është një shenjë dobësie; është një pararendëse e rritjes. …
Mos kini frikë; bëni pyetje. Jini kureshtarë, por mos dyshoni! Gjithmonë kapuni fort te besimi dhe te drita që tashmë keni marrë. Ngaqë nuk shohim përsosurisht në vdekshmëri. Jo çdo gjë do të ketë kuptim pikërisht tani.”
(Dieter F. Uchtdorf, “The Reflection in the Water” [takim shpirtëror i Sistemit Arsimor të Kishës për të rinjtë në moshë madhore, 1 nëntor 2009], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org)
A janë profetët të pagabueshëm?
Sheri Dju, ish-këshilltare në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, tha:
“Disa njerëz ngatërrohen me pyetjen: Por, a janë të pagabueshëm profetët, shikuesit dhe zbuluesit? Kjo është pyetja e gabuar. Pyetje më e mirë është: Kush janë saktësisht profetët? Ata janë mbajtësit e caktuar të çelësave të priftërisë që autorizojnë fuqinë e Zotit të shpërndahet në mbarë tokën. Ata mund të mos jenë të përsosur. Por ata janë udhëheqësit më të frymëzuar në tokë dhe motivi i tyre i vetëm është krejtësisht i pastër: të na ndihmojnë të kthehemi në shtëpi, duke na drejtuar te Jezu Krishti.”
(Sheri Dew, “Prophets” [takim shpirtëror i UBJ–Pathway Mbarëbotëror, 13 korrik 2021], f. 2, byupathway.org/speeches)