2 Korintasve 7
“Pikëllimi sipas Perëndisë”
Mund të jetë sfiduese të dimë nëse jemi penduar plotësisht. A ke pasur ndonjëherë vështirësi të kuptosh nëse je penduar plotësisht për diçka apo jo? Në letrën e tij të parë drejtuar korintasve, Apostulli Pal i qortoi disa nga shenjtorët korintas për mëkatimin nga ana e tyre. Për gëzimin dhe kënaqësinë e tij, Pali mori më pas lajmin që shenjtorët korintas kishin përjetuar pendim të vërtetë. Ky mësim mund të të ndihmojë të kuptosh një përbërës të rëndësishëm të pendimit të vërtetë dhe të ndihmon të vish më pranë Jezu Krishtit.
Pikëllimi sipas Perëndisë
Lexoje skenarin vijues. Në një intervistë për rekomandim tempulli për martesë, një e re i rrëfen peshkopit të saj disa mëkate të së kaluarës. Pas një diskutimi të mëtejshëm, peshkopi arrin të kuptojë se e reja nuk është penduar me të vërtetë për mëkatet e saj dhe se mëkatet e saj janë mjaft të rënda, duke e bërë të padenjë për një rekomandim tempulli. Peshkopi shpjegon se e reja do të duhet të presë për ta marrë rekomandimin derisa ajo të pendohet plotësisht. Atë e zë paniku, duke pretenduar se është penduar ngaqë nuk i ka përsëritur asnjë nga ato mëkate për një kohë të gjatë. Peshkopi shpjegon se thjesht ndalimi i të bërit mëkat nuk është një pendim i plotë dhe ai e fton atë që ta fillojë sinqerisht procesin e pendimit të vërtetë.
E reja i shpjegon peshkopit të saj se ajo është tepër e mërzitur ngaqë i ka njoftuar tashmë njerëzit e tjerë për martesën dhe ka bërë planet e dasmës. Ajo është e shqetësuar për sikletin e vonesës së planeve të saj për martesën dhe se si do t’i tregojë të fejuarit dhe prindërve të saj. Ajo pyet nëse ka ndonjë mënyrë që ajo të vazhdojë përpara me martesën siç është planifikuar dhe të vazhdojë të kalojë përmes procesit të pendimit më vonë.
-
Bazuar në përgjigjen e së resë ndaj peshkopit, për çfarë duket më shumë e shqetësuar ajo?
-
Përse mundet që përqendrimi i saj t’ia bëjë të vështirë të pendohet plotësisht?
Përsiat se çfarë nuk kupton plotësisht kjo e re rreth pendimit. Ndërsa e vazhdon këtë mësim, kërko një parim që do ta ndihmonte këtë të re. Përsiat gjithashtu nëse ky parim të duhet në pendimin tënd vetjak.
Pikëllimi sipas Perëndisë
Një nga qëllimet që Pali e shkroi letrën e tij të mëparshme drejtuar korintasve, ishte të nxiste individë të caktuar që të pendoheshin. Në letrën e tij pasuese, Pali i përgëzoi ata që i korrigjoi, për pendimin e tyre të sinqertë dhe u mësoi për një pjesë thelbësore të pendimit.
Lexo te 2 Korintasve 7:8–11, duke kërkuar idetë që jep Pali për pendimin, të cilat mund ta ndihmojnë të renë në këtë skenar. Ti mund të shikosh edhe materialin filmik nga Bibla “Godly Sorrow Worketh Repentance” [“Pikëllimi sipas Perëndisë Sjell Pendim”] (1:40) në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org dhe ta ndjekësh në shkrimet e tua të shenjta.
Për ide nga Libri i Mormonit rreth pikëllimit sipas Perëndisë, lexo vargjet tek Alma 36:12–13; 42:29.
-
Çfarë idesh fitove që do të ishin të dobishme për të renë në skenar?
-
Si do të ishin ato mësime të dobishme për ty?
Një e vërtetë që mund të kesh zbuluar, është se pikëllimi sipas Perëndisë çon në pendim të sinqertë.
-
Çfarë lloj pikëllimi tjetër përmendi Pali te vargu 10?
-
Çfarë vure re në këtë skenar që sugjeron atë lloj pikëllimi që e reja po ndiente?
Krijo dy kolona në ditarin tënd të studimit duke vizatuar një vijë deri në mes të një faqeje. Shkruaj Pikëllimi sipas Perëndisë në krye të njërës kolonë dhe Pikëllimi sipas Botës në krye të kolonës tjetër.
Shtoji mendimet e tua për pyetjet vijuese nën secilin titull.
-
Çfarë na mëson Pali te vargjet 8–10 rreth ndryshimit ndërmjet pikëllimit sipas Perëndisë dhe sipas botës?
-
Si mendon, çfarë ndryshimesh të tjera ka ndërmjet dy llojeve të pikëllimit?
Lexo pohimet vijuese dhe kërko ide të tjera për pikëllimin sipas Perëndisë dhe pikëllimin sipas botës. Shtoji këto ide në tabelën tënde.
Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha këtë përkufizim për pikëllimin sipas Perëndisë:
“[Trishtim sipas Perëndisë do të thotë] të ndiesh trishtim të thellë dhe brejtje të ndërgjegjes për sjelljen që ia shtoi dhimbjen dhe vuajtjen Shpëtimtarit, ndërsa shpirti ynë largon çdo mohim ose shfajësim. …
Mbase zgjimi më i madh i kësaj jete në kauzën për t’u bërë një bir ose bijë e Perëndisë me ndjeshmëri shpirtërore është të kuptuarit vetjak në mënyrë unike që pagesa e Jezu Krishtit për mëkatin është shumë e vërtetë dhe që vuajtja e Tij nuk është vetëm për gjithë të tjerët, por edhe për mua dhe ju! … Ndërsa e kuptojmë shpirtërisht se Ai ka vuajtur për mëkatet tona, ne ndiejmë trishtim nga ana jonë për dhimbjen e Tij. Ne e kuptojmë se është pjesë e planit të Atit tonë, por jemi të mahnitur me dhuratën që Ai po na ofron. Kjo habi, ky vlerësim, ky adhurim ndaj Shpëtimtarit, i cili e ka bërë këtë për ne, na ul në gjunjë ndërsa shpirti ynë mbushet me pikëllim sipas Perëndisë.”
(Neil L. Andersen, The Divine Gift of Forgiveness [2019], f. 149, 150)
Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, deklaroi sa vijon për pikëllimin sipas Perëndisë:
“Trishtimi sipas Perëndisë frymëzon ndryshim dhe shpresë nëpërmjet Shlyerjes. Trishtimi i botës na tërheq poshtë, na e shuan shpresën dhe na bind t’i dorëzohemi tundimit të mëtejshëm.
Trishtimi sipas Perëndisë çon në kthim në besim dhe në ndryshim të zemrës. Ai bën që ne ta urrejmë mëkatin dhe ta duam mirësinë. Na nxit që të ngrihemi në këmbë dhe të ecim në dritën e dashurisë së Krishtit. Pendimi i vërtetë ka të bëjë me shndërrimin, jo me torturimin apo mundimin. Po, keqardhja e ndier dhe brejtja e vërtetë e ndërgjegjes për mosbindjen, shpesh, janë hapa të dhembshëm e shumë të rëndësishëm në procesin e shenjtë të pendimit. Por kur faji na çon në neveritje të vetes ose na pengon të çohemi sërish, ai bëhet pengesë në vend që të japë shtysë për pendimin tonë.”
(Diter F. Uhtdorf, “Ti Mund t’ia Dalësh Tani!”, Liahona, nëntor 2013, f. 56)
Shiko materialin filmik “Repentance is a Process that Brings Peace” [“Pendimi Është një Proces që Sjell Paqe”] nga kodi kohor 0:00 deri në 1:39 për të parë se si e përshkruan një person përvojën e saj me pikëllimin sipas Perëndisë dhe se si e bekoi jetën e saj.
Mendo për një çast rreth përpjekjeve të tua për t’u penduar. Merre parasysh atë që Shpëtimtari ndjeu dhe përjetoi gjatë vuajtjes për mëkatet e tua. Çfarë mund të bësh për ta hapur më plotësisht zemrën tënde për të ndierë pikëllimin sipas Perëndisë dhe për ta ftuar fuqinë shëruese të Shpëtimtarit në jetën tënde? Merre parasysh ta shkruash përgjigjen tënde për këtë pyetje në një ditar vetjak ose bllok shënimesh.
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Si mund ta kuptoj më mirë ndryshimin ndërmjet pikëllimit sipas Perëndisë dhe pikëllimit sipas botës?
Ndërkohë që shërbente si një I Shtatëdhjetë Zonal, Plaku D. Çad Riçardson, shpalli:
“Një ndryshim kryesor ndërmjet [pikëllimit sipas Perëndisë dhe pikëllimit sipas botës] është burimi i tyre. Pikëllimi sipas botës nxitet nga Satani. Është pikëllimi se kapesh mat, i pamundësisë për të vazhduar në mëkat ose i kthimit kundër vetes me neveri ose përbuzje.
Nga ana tjetër, pikëllimi sipas Perëndisë është pikëllim i dhënë si dhuratë nga Perëndia për ata që janë të gatshëm ta marrin atë. Pikëllimi sipas Perëndisë na çon në pranimin e plotë të përmasave të mëkateve tona, por me dijeninë që ne mund të çlirohemi prej tyre.”
(D. Chad Richardson, “Forgiving Oneself”, Ensign, mars 2007, f. 32)
Në shtator 2019, revista New Era shtypi një diagram informativ të bazuar te mësimet e Plakut Diter F.Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, që mund t’ju ndihmojë të bëni më tej dallimin ndërmjet pikëllimit sipas Perëndisë dhe sipas botës. Gjeje këtu: Dieter F. Uchtdorf, “Godly Sorrow”, New Era, shtator 2019, f. 32–33.