Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 8
Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë t’i vlerësosh synimet që ke vendosur dhe rritjen vetjake që ke përjetuar gjatë studimit tënd të Dhiatës së Re.
Të bëhesh një dishepull i Jezu Krishtit
-
Nëse do të mund të udhëtoje drejt një vendi të ri, ku do të doje të shkoje?
-
Përse do të ishte e rëndësishme që gjatë udhëtimit të vlerësosh nëse je ende në drejtimin e duhur? Çfarë mund të ndodhë nëse nuk je në atë drejtim?
Është e rëndësishme ta vlerësojmë edhe udhëtimin tonë shpirtëror. Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim për rëndësinë e punës për të arritur synimet shpirtërore dhe më pas shtoi:
“Kam zbuluar se, që të qëndroj i përqendruar … , unë duhet të gjej kohë rregullisht që ta pyes veten time: ‘Si po ia kalon?’
Është si të kesh një intervistë personale, vetjake me veten tënde. …
Gjatë javëve të ardhshme, gjeni kohë t’i rishikoni synimet e jetës suaj e planet tuaja dhe sigurohuni që ato të përputhen me planin madhështor të Atit tonë Qiellor për lumturinë tonë. Nëse keni nevojë të pendoheni e të ndryshoni, atëherë merreni parasysh ta bëni këtë gjë tani. …
Dëshmoj se nuk ka synim më të madh në vdekshmëri sesa të jetojmë përjetësisht me Prindërit tanë Qiellorë dhe Shpëtimtarin tonë të dashur, Zotin Jezu Krisht. Por ky është më shumë sesa thjesht synimi ynë është synimi i Tyre gjithashtu. Ata kanë një dashuri të përsosur për ne, më të fuqishme madje sesa ne mund të fillojmë ta kuptojmë. Ata janë tërësisht, plotësisht, përjetësisht në përputhje me ne. Ne jemi vepra e Tyre. Lavdia jonë është lavdia e Tyre. Më shumë se çdo gjë tjetër, Ata duan që ne të shkojmë në shtëpi.”
(M. Rasëll Ballard, “Të Kthehemi dhe të Marrim”, Liahona, maj 2017, f. 64, 65)
Gjej disa minuta për t’i bërë vetes pyetjet vijuese, sikur të kesh një intervistë personale, vetjake me veten. Merre parasysh t’i shkruash përgjigjet e tua në ditarin tënd të studimit.
-
Çfarë kam bërë kohët e fundit për të fituar një dëshmi për të vërteta të veçanta nëpërmjet Frymës së Shenjtë? Çfarë po mësoj rreth marrjes së zbulesës nëpërmjet Frymës së Shenjtë? (Ti mund të kesh gjetur pak kohë për ta marrë parasysh këtë gjatë studimit të kapitullit te 1 Korintasve 2.)
-
Cilat synime kam caktuar për t’u afruar më pranë Shpëtimtarit dhe për t’u bërë dishepulli i Tij? Çfarë suksesesh po përjetoj? Me çfarë pengesash përballem? Çfarë duhet të bëj për të kërkuar ndihmën e Zotit dhe për të vazhduar të përparoj në udhëtimin tim shpirtëror?
Shpjegimi i hirit të Jezu Krishtit
Për të të ndihmuar ta vlerësosh kuptueshmërinë tënde për një të vërtetë të rëndësishme të ungjillit që ke studiuar kohët e fundit, bëj veprimtarinë në vijim:
Përfytyro sikur misionarët janë vënë në kontakt me ty. Ata po i japin mësim dikujt të moshës sate që e ka të vështirë ta kuptojë hirin e Jezu Krishtit. Misionarët të kanë kërkuar që t’i shoqërosh në takimin e tyre mësimor të radhës që ti të mund të tregosh atë që di për hirin e Shpëtimtarit dhe mënyrën se si ndjekja e Jezu Krishtit e ka bekuar jetën tënde.
Gjej një çast për të kërkuar në shkrimet e shenjta për të gjetur vargje dhe të vërteta që mund të ndihmojnë. Leximi i disa prej vargjeve vijuese mund të jetë i dobishëm:
-
Romakëve 4:16 (përfshirë Përkthimin prej Joseph Smith‑it)
Rritja e dëshirës tënde për të qenë i bashkuar në Krishtin
Uniteti ishte një tjetër koncept i rëndësishëm në letrat e Palit drejtuar romakëve dhe korintasve.
Kërko udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë që të të ndihmojë të dish mënyrat se si Zoti do të donte që të jesh më i bashkuar me të tjerët në Krishtin. Gjithashtu, kërko zbulesë për mënyrën se si të mposhtësh çdo sfidë me të cilën mund të përballesh.
Vazhdo të ecësh përpara në udhëtimin tënd shpirtëror për t’iu afruar më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Dije se Ata të duan dhe janë gati të të ndihmojnë në përpjekjet e tua.