1 Korintasve 10
Largimi nga Tundimi
A ke uruar ndonjëherë që të kesh rrugëdalje nga tundimet me të cilat përballesh? Apostulli Pal dha mësim një parim me vlerë që mund të na ndihmojë kur përballemi me tundimin. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të mbështetesh te Jezu Krishti për ta mposhtur tundimin.
Tundimi
Nëse është e mundur, siguro një magnet dhe një send metalik dhe mendo se si mund t’i përdorësh ata për të shpjeguar konceptin e bërjes ballë të tundimit.
Lexoje pohimin vijues nga Plaku Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ose shiko materialin filmik “Kërkojeni Krishtin në Çdo Mendim” nga kodi kohor 2:44 deri në 3:23, në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org.
“Duke folur metaforikisht, dorëzimi ndaj tundimit është si t’i afrosh një magneti një send metalik. Forca e padukshme e magnetit e tërheq sendin metalik dhe e mban të ngjitur fort. Magneti e humbet fuqinë e tij mbi të vetëm kur sendi metalik vendoset larg prej tij. Prandaj, ashtu si magneti është i paaftë të ushtrojë fuqi mbi një send metalik të vendosur larg, kur i bëjmë ballë tundimit, ai venitet dhe e humbet fuqinë e tij mbi mendjen e zemrën tonë dhe, si rrjedhojë, mbi veprimet tona.”
(Ulises Soares, “Kërkojeni Krishtin në Çdo Mendim”, Liahona, nëntor 2020, f. 83)
Ndërsa studion kapitullin te 1 Korintasve 10, dëgjoji nxitjet nga Fryma e Shenjtë që do të të ndihmojnë të dish se çfarë mund të bësh për t’u bërë ballë tundimeve me të cilat përballesh.
Një nga qëllimet e shkrimeve të shenjta është të na ndihmojë të mësojmë nga jeta dhe vështirësitë e atyre që i kanë kaluar më parë (shih te 1 Korintasve 10:6, 11; Mormoni 9:31). Siç është shënuar te 1 Korintasve 10, Pali përdori shembullin e kalimit të Detit të Kuq dhe udhëtimit të izraelitëve në shkretëtirë ndërsa u kujtoi korintasve mënyrat se si Zoti ishte me izraelitët në udhëtimin e tyre (shih te 1 Korintasve 10:1–4).
Vër re atë që bëri Zoti për izraelitët dhe titullin e përdorur për ta përshkruar Atë te vargu 4.
-
Çfarë mund të mësosh rreth Shpëtimtarit nga titulli që Pali përdori te vargu 4?
Pavarësisht nga mënyrat e mrekullueshme se si Zoti i mbështeti izraelitët, me raste ata iu nënshtruan tundimit. Lexo te 1 Korintasve 10:5–11, duke kërkuar tundimet që i shtynë izraelitët të largoheshin nga “shkëmbi [i tyre] frymëror”, Jezu Krishti.
-
Si mendon, në çfarë mënyrash rrethanat tona janë të ngjashme me ato të izraelitëve?
-
Cilat janë tundimet e zakonshme me të cilat përballen të rinjtë, që mund t’i bëjnë ata të largohen nga Shpëtimtari?
Mendo për tundimet me të cilat përballesh tani dhe se si ato kanë potencialin të të largojnë nga “Shkëmbi”, Jezu Krishti. Reflekto mbi atë se si do të ndikohej jeta jote po të ishe në gjendje t’i mposhtje këto tundime.
Shpëtimtari do të na ndihmojë që ta mposhtim tundimin
Kujto se të qenit i tunduar nuk është mëkat, kurse dorëzimi ndaj mëkatit është i tillë. Lexo te 1 Korintasve 10:12–14, duke kërkuar parimet që mund të të ndihmojnë ta mposhtësh tundimin.
Ti mund të kesh përcaktuar një parim siç është: Perëndia do të sigurojë një rrugëdalje nga tundimi, por ne duhet të zgjedhim të largohemi nga tundimi.
Nëpër të gjitha shkrimet e shenjta dhe nëpërmjet profetëve të Tij të sotëm, Shpëtimtari na ka mësuar se si ta mposhtim tundimin. Lexoji shkrimet e shenjta dhe pohimin profetik në vijim duke kërkuar atë që mund të bësh për t’u kthyer te Shpëtimtari dhe për t’u larguar nga tundimi. Nëse dëshiron, mund t’i lidhësh ato me vargjet te 1 Korintasve 10:12–14.
-
Hebrenjve 4:15–16 (Shënim: kryeprifti që i referohen në këto vargje është Jezu Krishti)
-
Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë:
“Besimi ynë te Jezu Krishti na sjell drejt pendimit dhe drejt zbatimit të urdhërimeve të Tij. Ne bindemi dhe i bëjmë ballë tundimit duke ndjekur nxitjet e Frymës së Shenjtë. Me kalimin e kohës natyra jonë do të ndryshojë. Ne do të bëhemi si një fëmijë i vogël, të bindur ndaj Perëndisë dhe më të dashur. Ai ndryshim, nëse bëjmë gjithçka që duhet për ta mbajtur atë, do të na kualifikojë për të gëzuar dhuratat që vijnë nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Atëherë do të jemi të sigurt mbi të vetmin shkëmb të sigurt.”
(Henry B. Eyring, “As a Child”, Liahona, maj 2006, f. 16)
-
Çfarë mësove nga këto shkrime të shenjta dhe ky pohim që të jep shtysën të drejtohesh te Shpëtimtari për t’iu larguar tundimit?
-
Cilat janë disa mënyra se si Perëndia do të sigurojë një rrugëdalje nga tundimi?
-
Çfarë mund të bëjmë për t’i dalluar dhe përdorur rrugëdaljet që siguron Perëndia?
Plotëso dy ose më shumë nga sa vijon:
-
Rishkruaje vargun te 1 Korintasve 10:14, duke vendosur emrin tënd pas frazës “të dashurit e mi” dhe zëvendësoje fjalën “idhujtaria” me një tundim me të cilin po përballesh.
-
Mbaj shënim një përvojë në të cilën Shpëtimtari të ka ndihmuar t’i largohesh tundimit. Si mund të të ndihmojë kjo përvojë t’u largohesh tundimeve të tua të tanishme?
-
Mbaj shënim hapa të veçantë që do të ndërmarrësh për t’u mbështetur te Jezu Krishti dhe për t’i bërë ballë tundimit me të cilin po përballesh.
Përgjigju për pyetjet vijuese. Nuk është nevoja që t’i tregosh tundimet e tua të veçanta.
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Si mund të më ndihmojnë Jezu Krishti dhe Fryma e Shenjtë që ta mposht tundimin?
Plaku Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Lufta kundër tundimit kërkon një jetë të tërë zelli dhe besnikërie. Por ju lutem ta dini se Zoti është gati të na ndihmojë në përpjekjet vetjake dhe na premton bekime të mrekullueshme nëse durojmë deri në fund. …
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, unë dëshmoj se kur mbështetemi mbi shkëmbin e shpëtimit, Shpëtimtarin e shpirtrave tanë, … aftësia jonë për t’i kontrolluar mendimet tona do të rritet shumë. Mund t’ju siguroj se pjekuria jonë shpirtërore do të rritet me një ritëm të shtuar, duke e ndryshuar zemrën tonë, duke na bërë më shumë si Jezu Krishti. Përveç kësaj, ndikimi i Frymës së Shenjtë do të jetë më i thellë dhe i vazhdueshëm në jetën tonë. Atëherë, tundimet e armikut, pak nga pak, do ta humbasin fuqinë e tyre mbi ne, duke sjellë si rezultat një jetë më të lumtur, më të dëlirë e më të përkushtuar.
Për ata që, për çfarëdo arsye, bien në tundim dhe po kryejnë veprime të padrejta, ju siguroj se ka një mënyrë për t’u kthyer, se ka shpresë në Krishtin.”
(Ulises Soares, “Kërkojeni Krishtin në Çdo Mendim”, Liahona, nëntor 2020, f. 83, 84)
Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Një parim i përparimit të përjetshëm është që ushtrimi i vetëkontrollit dhe i të jetuarit me drejtësi e forcon aftësinë tonë për t’i bërë ballë tundimit. Kjo është e vërtetë si në çështjet shpirtërore dhe në çështjet tokësore. …
Si pjesë e planit hyjnor të Perëndisë, ne jemi bekuar me dhuratën e Frymës së Shenjtë. … Ai është gjithashtu një zë paralajmërimi kundër së ligës dhe një zë mbrojtës kundër rrezikut. Teksa lundrojmë në detet e jetës, ndjekja e mbresave të Frymës së Shenjtë është thelbësore. Shpirti do të na ndihmojë t’i shmangim tundimet e rreziqet dhe do të na ngushëllojë e drejtojë përmes sfidave.”
(Kuentin L. Kuk, “Të Rregullt dhe Sipas Modës së Bristolit: Jini të Denjë për në Tempull – në Kohë të Mira dhe në Kohë të Këqija”, Liahona, nëntor 2015, f. 41, 42)
Si mund të përgatitem që më herët për t’i shpëtuar tundimit?
Presidenti Spenser W. Kimball (1895–1985), dha mësim:
“Vendimet e drejta janë më të thjeshta për t’u marrë kur ne i marrim ato shumë më herët, duke pasur në mendje objektivat përfundimtarë; kjo na kursen ankthin e tepërt [gjatë çasteve të vendimit], kur ne jemi të lodhur dhe të tunduar së tepërmi. …
Zhvilloni vetëdisiplinën, në mënyrë që të mos ju duhet të vendosni dhe rivendosni vazhdimisht atë që do të bëni kur të përballeni me po të njëjtin tundim herë pas here. Për disa gjëra ju duhet të vendosni vetëm një herë! …
Koha për të hequr dorë nga mënyrat e liga është përpara se ato të fillojnë. Sekreti i një jete të mirë qëndron te mbrojtja dhe parandalimi. Ata që i jepen së ligës, janë zakonisht ata që e kanë vendosur veten e tyre në një pozitë të cenueshme.”
(Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 108–109)