1 Korintasve 13
“Dashuria Nuk Ligshtohet Kurrë”
Jezu Krishti tregoi dashuri të madhe çdo ditë të jetës së Tij në vdekshmëri. Në fund Ai e tregoi dashurinë e Tij të përsosur duke e flijuar jetën e Tij vullnetarisht për ne. Apostulli Pal shkroi me hollësi për dashurinë si ajo e Krishtit, ose dashurinë hyjnore, dhe arsyen përse ne duhet ta fitojmë atë. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë ta ndiesh dashurinë e pastër të Jezu Krishtit për ty dhe të të ndihmojë ta kërkosh dhuratën e dashurisë hyjnore për ta ndier atë dashuri për të tjerët.
Marrëdhëniet tona me të tjerët
Mendo për dikë me të cilin do të doje të kishe një marrëdhënie më të mirë.
-
Përse do të doje ta përmirësoje këtë marrëdhënie?
-
Çfarë ke bërë për ta ndihmuar marrëdhënien? Çfarë ka funksionuar? Çfarë nuk ka funksionuar?
-
Çfarë ndikimi mendon se mund të ketë në marrëdhënie shfaqja e dashurisë më të madhe?
Ndërsa studion kapitullin te 1 Korintasve 13, kërko mënyra se si mund t’i duash të tjerët ashtu siç i do Shpëtimtari. Kërko frymëzimin e Frymës së Shenjtë që të dish atë që mund të bësh për ta zbatuar në rrethanat e tua aktuale atë që po mëson.
Dashuria e pastër e Jezu Krishtit
Pasi u mësoi anëtarëve të Kishës në Korint për dhuntitë frymërore, Apostulli Pal tha se ai do t’u tregonte atyre “një udhë shumë më të lartë” të jetuari (1 Korintasve 12:31). Lexo vargjet te 1 Korintasve 13:1–3, duke kërkuar këtë udhë shumë më të lartë.
-
Çfarë di ti për dashurinë hyjnore që të ndihmon ta kuptosh përse është kaq e rëndësishme?
Libri i Mormonit mund të na ndihmojë ta kuptojmë më mirë rëndësinë e dashurisë hyjnore. Afër fundit të këtij anali të lashtë, Moroni përfshiu disa nga fjalët e atit të tij, Mormonit. Mormoni përvijoi elementet e dashurisë hyjnore dhe përkufizoi se çfarë është ajo (shih te Moroni 7:43–48).
Lexo te Moroni 7:46–47, duke kërkuar atë që mund të mësosh rreth dashurisë hyjnore.
-
Çfarë të vërtetash mëson rreth dashurisë hyjnore nga këto vargje?
Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha mësim:
“Dashuria hyjnore, ‘dashuria e pastër e Krishtit’ [Moroni 7:47], nuk është një veprim por një konditë ose gjendje. Dashuria hyjnore arrihet nëpërmjet një serie veprash që çojnë në kthimin në besim. Dashuria hyjnore është diçka që dikush bëhet.”
(Dallin H. Oaks, “The Challenge to Become”, Ensign, nëntor 2000, f. 34)
-
Si e plotëson pohimi i Presidentit Ouks kuptueshmërinë që ke për dashurinë hyjnore?
Si Pali në Dhiatën e Re, ashtu dhe Mormoni në Librin e Mormonit, përdorën fjalë dhe fraza të ngjashme për ta përshkruar dashurinë hyjnore. Duke i kuptuar fjalët e tyre, ne mund të dimë çfarë të bëjmë dhe në fund se si të bëhemi më të ngjashëm me Jezu Krishtin.
Shembulli i përsosur
Jezu Krishti është shembulli i përsosur i të gjitha përshkrimeve të dashurisë hyjnore. Duke përdorur atë që shkrove në ditarin tënd të studimit rreth dashurisë hyjnore, mendo për shembuj në shkrimet e shenjta kur Jezu Krishti e tregoi dashurinë e Tij të pastër në këtë mënyrë. Figurat vijuese mund të të ndihmojnë të bësh lidhjen mes Shpëtimtarit dhe frazave që studiove.
-
Si e tregoi Shpëtimtari dashurinë hyjnore në secilën nga këto situata?
-
Si e ke dëshmuar personalisht dashurinë e Shpëtimtarit për ty ose të tjerët?
-
Si ndikon të menduarit për dashurinë e Shpëtimtarit në ndjenjat e tua për Të?
Të jetuarit e një jete me dashuri hyjnore
Profeti Mormoni i përmbylli mësimet e tij mbi dashurinë hyjnore me një ftesë urgjente për të vepruar. Lexo te Moroni 7:48, duke e kërkuar këtë ftesë.
-
Cilat fjalë apo fraza të ndihmojnë të kuptosh atë që duhet për të marrë dhuratën e dashurisë hyjnore?
Gjatë gjithë jetës së Tij, Jezu Krishti tregoi se është e mundur të kesh dashuri hyjnore në çdo situatë. Përpiqu të përfytyrosh se çfarë ndikimi do të kishte në jetën tënde po ta ndiqje shembullin e dashurisë hyjnore të Shpëtimtarit në të gjitha situatat. Mendo për marrëdhënien e veçantë që e mendove në fillim të mësimit. Merre parasysh se si do të bekohej ajo marrëdhënie po të kishte më shumë dashuri hyjnore.
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Si mund të tregojmë dashuri hyjnore për të tjerët?
Plaku Marvin J. Ashton (1915–1994), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Dashuria hyjnore vjen kur jemi të mirë me njëri-tjetrin, kur nuk e gjykojmë apo kategorizojmë dikë tjetër, kur thjesht i besojmë për mirë njëri-tjetrit apo qëndrojmë të heshtur. Dashuria hyjnore është pranimi i ndryshimeve, dobësive dhe mangësive të dikujt; të qenit i duruar me dikë që na ka zhgënjyer; ose qëndresa ndaj shtysave për t’u ndier të fyer kur dikush nuk e trajton diçka ashtu si mund të kishim shpresuar. Dashuria hyjnore është të mos pranosh të përfitosh nga dobësia e një tjetri dhe të qenit të gatshëm për ta falur dikë që na ka prekur. Dashuri hyjnore do të thotë të shpresojmë më të mirën për njëri-tjetrin.”
(Marvin J. Ashton, “The Tongue Can Be a Sharp Sword”, Ensign, maj 1992, f. 19)
Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018) dha mësim për dashurinë hyjnore në mesazhin e tij në konferencën e përgjithshme “Dashuria Nuk Ligështohet Kurrë” (Liahona, nëntor 2010, f. 122–125). Nëse dëshironi, mund ta shikoni materialin filmik të këtij mesazhi, në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 15:05 deri në 17:22.
Përse dashuria hyjnore, dashuria e pastër e Jezu Krishtit, nuk ligështohet kurrë?
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Dashuria e vërtetë hyjnore … shfaqet përsosurisht dhe tërësisht te dashuria e pashtershme, themelore dhe shlyese e Krishtit për ne. … Është ajo dashuri hyjnore – dashuria e Tij e pastër për ne – pa të cilën ne nuk do të ishim asgjë, të pashpresë, me të gjithë burrat dhe gratë tepër të mjeruar. Vërtet, për ata që do të gjenden me bekimet e dashurisë së Tij në ditën e fundit – Shlyerjen, Ringjalljen, jetën e përjetshme, premtimin e përjetshëm – sigurisht që do të jetë mirë për ta. …
Jeta ka pjesën e vet të frikës dhe dështimeve. Ndonjëherë gjërat nuk i përmbushin pritshmëritë. Ndonjëherë njerëzit na lënë në baltë, ose ekonomitë apo bizneset, apo qeveritë na lënë në baltë. Por një gjë në kohë apo në përjetësi nuk na lë në baltë – dashuria e pastër e Krishtit.”
(Jeffrey R. Holland, Christ and the New Covenant [1997], f. 336–337)