Seminari
1 Korintasve 12


1 Korintasve 12

Dhuntitë Frymërore

Një grup të rinjsh dhe të rejash gëzojnë shoqërinë e njëri‑tjetrit teksa takohen së bashku në Paris të Francës.

Pali u shkroi shenjtorëve në Korint për t’i ndihmuar ata të kuptonin nevojën e tyre për të qenë të bashkuar në Krishtin. Ai dha mësim se nëse të gjithë anëtarët do t’i dallonin dhe përdornin dhuntitë frymërore që kishin marrë nga Zoti, ata mund të ishin si pjesët e shumta të trupit që punojnë së bashku njëzëri. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të dallosh dhuntitë frymërore që Zoti të ka dhënë për t’i bekuar të tjerët dhe për të forcuar Kishën e Tij.

Marrja e dhuntive

  • Cila është një dhuratë kuptimplotë që ti ke marrë?

  • Çfarë ndikimi pati kjo dhuratë në jetën tënde? Çfarë të lejoi ajo të bëje?

  • Çfarë ndien për personin i cili ta dha dhuratën?

Ndërsa studion kapitullin te 1 Korintasve 12, ti do të mësosh për dhuntitë frymërore që Ati Qiellor u jep fëmijëve të Tij. Kërko arsyen përse Ai i jep këto dhunti dhe kërko frymëzim nga Fryma e Shenjtë që të të ndihmojë të përcaktosh një dhunti që të është dhënë.

Zoti na jep dhunti frymërore

“Dhuntitë frymërore janë bekime ose aftësi që Perëndia ua jep fëmijëve të Tij nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë” (Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Spiritual Gifts” [“Dhuntitë Frymërore”], topics.ChurchofJesusChrist.org).

Mëso për dhuntitë frymërore duke lexuar te 1 Korintasve 12:3–11. (Kije parasysh që fjala “veç e veç” te vargu 11 do të thotë “individualisht” ose “një e nga një”.)

  • Cilat janë disa dhunti frymërore që renditen në këto vargje?

Ka shumë dhunti të ndryshme frymërore. Për të mësuar për të tjerat, lexo te Moroni 10:8–18; Doktrina e Besëlidhje 46:11–26 dhe pohimin vijues nga Plaku Marvin J. Ashton (1915–1994), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Portreti i Marvin J. Ashtonit.

“Më lejoni të përmend disa dhunti që nuk janë gjithmonë të dukshme ose të vlefshme për t’u përmendur, por që janë shumë të rëndësishme … : dhuntia e bërjes së pyetjeve; dhuntia e të mbajturit vesh; dhuntia e të dëgjuarit dhe e përdorimit të një zëri të qetë; dhuntia e të qenit në gjendje të vajtojmë; dhuntia e shmangies së grindjes; … dhuntia e kërkimit të asaj që është e drejtë; dhuntia e mosgjykimit; dhuntia e të shikuarit te Perëndia për udhërrëfim; … dhuntia e përkujdesjes ndaj të tjerëve; dhuntia e aftësisë për të përsiatur; dhuntia për të ofruar lutje; dhuntia e dhënies së një dëshmie të fortë”.

(Marvin J. Ashton, “There Are Many Gifts”, Ensign, nëntor 1987, f. 20)

  • Kë bekon Zoti me këto dhunti frymërore?

  • Çfarë të ndihmon kjo të kuptosh për Zotin?

Një e vërtetë që mund të dallosh, është se Zoti i jep çdo anëtari të Kishës së Tij të paktën një dhunti frymërore me të cilën t’i bekojë të tjerët.

Reflekto për dhuntitë frymërore me të cilat e ndien se Perëndia të ka bekuar. Nëse e ke të vështirë t’i dallosh dhuntitë e tua frymërore, merre parasysh të pyetësh një prind apo udhëheqës. Bekimi yt patriarkal mund të zbulojë edhe disa nga dhuntitë e tua frymërore.

Shkrimi në një copë letër me një stilolaps ose laps. 1. Përgjigju për pyetjet vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Çfarë ndien për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, duke e ditur që Ata të kanë bekuar me një dhunti frymërore?

  • Si mund të ndikojë njohuria se të është dhënë një dhunti frymërore në mënyrën se si e sheh identitetin tënd hyjnor?

  • Përse mendon se Perëndia i jep dhunti frymërore çdo anëtari të Kishës dhe jo vetëm disa anëtarëve?

Zoti do që ne ta bekojmë njëri-tjetrin

Lexo te 1 Korintasve 12:14–20 për të gjetur krahasimin që përdori Pali për të na ndihmuar të dallojmë rëndësinë e kontributeve tona individuale.

  • Me çfarë e krahason Pali Kishën në këtë fragment? Çfarë të mëson ky krahasim për dhuntitë frymërore?

  • Si je bekuar nga dhuntitë frymërore të të tjerëve?

Për të parë një shembull të dikujt i cili u tregoi të tjerëve për dhuntitë e veta frymërore, ti mund të shikosh materialin filmik “With All Your Heart” [“Me Gjithë Zemrën Tënde”] (3:26), në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org, që tregon për një të ri i cili u thirr të përdorte një dhunti nga Zoti që e kishte zbuluar vetëm së fundmi. Ndërsa e sheh, kushtoju vëmendje nxitjeve nga Fryma e Shenjtë mbi mënyrën se si ti mund t’i përdorësh dhuntitë e tua për të bekuar të tjerët.

2:3

With All Your Heart

One young man overcomes his fears while magnifying his calling.

Përsiat se si të kanë bekuar ty dhuntitë frymërore që të janë dhënë, dhe për mënyrën se si mund t’i përdorësh ato për të bekuar familjen, lagjen ose degën tënde dhe të tjerët. Ti mund të duash ta mbash shënim në ditarin tënd të studimit çdo mbresë nga Fryma e Shenjtë për dhuntitë e tua.

Shkrimi në një copë letër me një stilolaps ose laps. 2. Përgjigju për dy ose më shumë prej pyetjeve vijuese në ditarin tënd të studimit:

  • Si mendon, çfarë dëshiron Zoti që ti të kuptosh për veten dhe dhuntitë e tua frymërore?

  • Çfarë nxitjeje do t’i jepje dikujt i cili ndien sikur nuk ka dhunti frymërore?

  • Cila është dhuntia frymërore që ti dëshiron? Çfarë mund të bësh për ta kërkuar atë dhunti? (Zoti na ka ftuar t’i kërkojmë dhuntitë frymërore; shih te 1 Korintasve 12:31; 14:1; Doktrina e Besëlidhje 46:7–9.)

  • Cilat janë disa mënyra se si ti mund t’i përdorësh dhuntitë frymërore për t’i bekuar të tjerët? Si do të të ndihmojë kjo të bëhesh më i ngjashëm me Shpëtimtarin?

Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?

Si mund t’i përdor dhuntitë e mia frymërore për t’u shërbyer të tjerëve?

Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, tregoi se si ne mund ta ndjekim shembullin e Jezu Krishtit:

17:22

“You Are My Hands”

As disciples of Jesus Christ, our Master, we are called to support and heal rather than condemn.

Portreti zyrtar i Plakut Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i vitit 2006. U thirr si Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë më 3 shkurt 2008. Bëri portretin zyrtar në vitin 2008 duke e zëvendësuar portretin e bërë në vitin 2004.

“Kur mendoj për Shpëtimtarin, shpesh e përfytyroj Atë me duar të shtrira, duke i zgjatur për të ngushëlluar, shëruar, bekuar dhe dashur. Dhe Ai gjithmonë foli me njerëzit, kurrë me përçmim [ndaj njerëzve]. Ai e deshi të përulurin e të butin dhe eci mes tyre, duke u shërbyer e duke u ofruar shpresë e shpëtim. 

Kjo është ajo çka Ai bëri gjatë jetës së Tij në vdekshmëri; është ajo çka do të ishte duke bërë nëse do të jetonte mes nesh sot; dhe është ajo çka ne duhet të jemi duke bërë si dishepuj të Tij dhe anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. … 

Kur ndjekim shembullin e Tij të përsosur, duart tona mund të bëhen duart e Tij; sytë tanë, sytë e Tij; zemra jonë, zemra e Tij.”

(Diter F. Uhtdorf, “Ju Jeni Duart e Mia”, Liahona, maj 2010, f. 68)

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Portreti zyrtar i Plakut Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i vitit 2020.

“Ne marrim dhunti frymërore në mënyrë që të bekojmë njerëz të tjerë. Nëse dëshira jonë është të marrim një dhunti sepse e duam atë, me siguri nuk kemi për ta marrë atë. Ndërsa përpiqemi t’u shërbejmë të tjerëve në përputhje me mësimet e Jezu Krishtit, atëherë ne bekohemi me dhunti frymërore dhe kapacitet të shtuar që e bën të mundur shërbimin.”

(David A. Bednar, në “Understanding Heavenly Father’s Plan”, ChurchofJesusChrist.org/prophets-and-apostles/unto-all-the-world/understanding-heavenly-fathers-plan)

Çfarë mund të bëj nëse nuk e ndiej se kam një dhunti frymërore të rëndësishme?

Këshilla nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, mund të gjendet në materialin filmik “Songs Sung and Unsung” [“Këngë të Kënduara e Të Pakënduara”] (nga kodi kohor 0:57 deri në 2:57). Ky material filmik është në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org.

2:56

“Songs Sung and Unsung”

When you’re feeling low and your days are difficult, remember, “the Savior hears the songs you cannot sing. ”Don’t give up. “Believe in yourself and believe in Him.”

Plaku Xhon C. Pingri i Riu, i Të Shtatëdhjetëve, tregoi shembullin e një motre e cila mësoi se kishte një dhunti frymërore të cilën nuk e kishte vënë re:

Portreti Zyrtar i Plakut Xhon C. Pingri i Riu. Fotografuar në mars 2017.

“Një ditë, një motër e shkurajuar u përgjërua: ‘Zot, cila është shërbesa ime vetjake?’ Ai u përgjigj: ‘Trego vëmendje ndaj të tjerëve’. Ajo ishte një dhuratë shpirtërore! Që atëherë, ajo ka gjetur gëzim ndërsa ka treguar vëmendje ndaj atyre që harrohen rëndom, dhe Perëndia ka punuar përmes saj për të bekuar shumë njerëz. Ndërkohë që disa dhurata shpirtërore mund të mos jenë të shquara sipas standardeve të botës, ato janë thelbësore për Perëndinë dhe punën e Tij.”

(Xhon C. Pingri i Riu, “Unë Kam një Punë për Ty”, Liahona, nëntor 2017, f. 33–34)

Çfarë duhet të bëj kur nuk ndihem në lartësinë e duhur për detyrat e Kishës?

Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, dha mësim:

Portreti zyrtar i Plakut Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i vitit 2006. U thirr si Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë më 3 shkurt 2008. Bëri portretin zyrtar në vitin 2008 duke e zëvendësuar portretin e bërë në vitin 2004.

“Ju mund të ndieni se atje ka të tjerë që janë më të aftë ose më me përvojë, që mund të plotësojnë më mirë se ju thirrjet dhe detyrat tuaja, por Zoti ju ka dhënë juve përgjegjësitë tuaja për një arsye. Mund të ketë njerëz dhe zemra që vetëm ju mund t’u afroheni dhe t’i prekni. Ndoshta askush tjetër nuk do të mund ta bëjë atë pikërisht në të njëjtën mënyrë.”

(Diter F. Uhtdorf, “Ngrini Atje ku Ndodheni”, Liahona, nëntor 2008, f. 56)