Kolosianëve 1–2
“Duke Pasur Rrënjë dhe Duke u Ndërtuar në Të”
Ashtu sikurse ka forca natyrore që mund ta çrrënjosin ose shkatërrojnë një pemë, ka edhe forca që përpiqen ta çrrënjosin secilin prej nesh nga themelet tona shpirtërore te Jezu Krishti (shih te Helamani 5:12). Pali e shkroi letrën e tij drejtuar kolosianëve për shkak se besimi i tyre kërcënohej nga mësimet dhe praktikat e rreme. Ky mësim mund të të ndihmojë t’i dallosh forcat që e kërcënojnë besimin tënd dhe mënyrat se si mund të jesh më i patundur te Jezu Krishti.
Ku ngjason ti me një pemë?
Pali e përdori simbolin e pemës për t’i ndihmuar shenjtorët në Kolos të shihnin më qartë rëndësinë e marrëdhënies së tyre me Jezu Krishtin. Ai e përdori atë edhe për t’i forcuar ata kundër mësimeve dhe praktikave të rreme që po e kërcënonin besimin e tyre te Jezu Krishti. Kërko frymëzim nga Fryma e Shenjtë për t’i kuptuar më mirë fjalët e Palit dhe për t’u përpjekur për t’i zbatuar ato.
Frytet e pemës
Mendo për frutën që vjen nga pema që vizatove, dhe arsyen përse e pëlqen atë.
Lexo te Kolosianëve 1:10–22. Kërko “frytet” (ose bekimet) që përshkruan Pali dhe mendo rreth arsyes përse ti i dëshiron këto fryte. Vizato fruta në pemën tënde dhe emërtoji sipas mësimeve të Palit.
-
Cilat fryte ose bekime përcaktoi Pali?
-
Cilin prej këtyre fryteve po shijon aktualisht?
-
Cilin dëshiron të shijosh? Pse?
Shkruaje thënien vijuese në ditarin tënd të studimit dhe përfshiji përgjigjet e tua për pyetjen e mëparshme në hapësirën e parë bosh:
-
Nëse dëshiroj , unë duhet të .
Lexo te Kolosianëve 1:23, duke kërkuar atë që Pali tha se na kërkohet për t’i marrë këto fryte. Plotësoje hapësirën e dytë bosh me atë që gjen.
-
Si është të “qëndro[sh] në besim me themel dhe [i] patundur”? (Kolosianëve 1:23.)
-
Çfarë di ti rreth Jezu Krishtit që të nxit të vazhdosh të qëndrosh me themel dhe i patundur në Të?
-
Cilat të vërteta të tjera rreth Tij gjete në këto vargje që e rritin vetëbesimin ose dëshirën tënde për të qenë me themel dhe i patundur në Të?
Lexo te Kolosianëve 2:6–7, duke kërkuar atë që Pali dha mësim rreth rrënjëve të pemës sonë. Emërtoje tokën rreth pemës tënde në bazë të asaj që ai thotë.
-
Ku na mësoi Pali se duhet t’i mbjellim rrënjët tona?
-
Si mendon, çfarë do të thotë të jesh “[i] rrënj[osur]” në Krisht?
-
Në ç’mënyrë rrënjosja e vetes në Jezu Krisht na ndihmon të jemi me themel dhe të patundur? Si shfaqet kjo?
Mendo për dikë që njeh, i cili demonstron të qenit me themel, i patundur dhe i rrënjosur në Krisht.
Në vijim janë dy shembuj të njerëzve të rrënjosur në Krisht. Presidenti i Përgjithshëm i Të Rinjve, Presidenti Stiven J. Land, dha një shembull të djalit të tij të sëmurë rëndë që vazhdoi t’i përmbushte me besnikëri detyrat e tij të priftërisë. Nëse është e mundur, shiko materialin filmik “Gjetja e Gëzimit në Krisht” nga kodi kohor 0:09 deri në 3:57 për ta dëgjuar këtë histori.
Vëllai M. Xhozef Brof, i cili shërbeu në Presidencën e Përgjithshme të Të Rinjve, tregoi një histori për vajzën e tij adoleshente që i duroi me besnikëri sfidat e zhvendosjes në një zonë të re dhe zgjodhi për të shërbyer në një mision. Nëse është e mundur, shiko materialin filmik “Ngrijeni Kokën dhe Gëzohuni” nga kodi kohor 5:48 deri në 7:48 për ta dëgjuar këtë ndodhi.
Vizato rrënjë të thella dhe të forta për pemën tënde. Emërtoji disa nga rrënjët me cilësi që i kanë këta njerëz ose veprime që i ndërmarrin ata, që ti e ndien se i lidhin fort me Jezu Krishtin.
Shqyrto vargjet te Kolosianëve 1:23; 2:6–7. Më pas lexo te Kolosianëve 2:8, 12 dhe thënien vijuese nga Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë. Emërtoji rrënjët e pemës tënde me mënyra të tjera se si ne mund ta lidhim më fort veten me Shpëtimtarin.
“Ne duhet të kërkojmë që të jemi të rrënjosur dhe të kthyer në besim me vendosmëri tek ungjilli i Jezu Krishtit (shih [te] Kolosianëve 2:6–7). Ne e arrijmë këtë kthim në besim me anë të lutjes, me anë të leximit të shkrimeve të shenjta, me anë të shërbimit dhe me anë të marrjes së sakramentit rregullisht që gjithnjë të kemi Shpirtin e Tij me ne. Ne gjithashtu duhet ta kërkojmë atë ndryshim të madh të zemrës (shih [tek] Alma 5:12–14) që i zëvendëson dëshirat e liga dhe shqetësimet vetëdashëse me dashurinë e Perëndisë dhe dëshirën për t’i shërbyer Atij dhe fëmijëve të Tij.”
(Dallin H. Ouks, “Shëmbëlltyra e Mbjellësit”, Liahona, maj 2015, f. 35)
-
Si do të ishte jeta jote ndryshe nëse do të ishe me themel më të fortë dhe më i patundur në Krisht?
Shumë njerëz mund të bëjnë zgjedhje që mund t’i thellojnë rrënjët e tyre në Krisht, por mënyra se si ata vazhdojnë më tej me ato zgjedhje nuk prodhon në fakt rezultate kuptimplota. Për shembull, dikush mund t’i lexojë shkrimet e veta të shenjta çdo ditë, por mos të gjejë kohë për t’i përcaktuar, përsiatur dhe zbatuar të vërtetat nga shkrimet e shenjta. Përsiat për vazhdimësinë e zgjedhjeve të tua dhe nëse të duhet të bësh ndryshime.
Përballimi i forcave që çrrënjosin
Ashtu sikurse ka forca natyrore që mund ta çrrënjosin ose shkatërrojnë një pemë, ka edhe forca që përpiqen të na çrrënjosin nga themelet tona shpirtërore te Jezu Krisht.
Vizato rreth pemës tënde erëra dhe stuhi që mund ta çrrënjosin pemën tënde. Emërtoji këto erëra dhe stuhi me forcat që mund të të çrrënjosin shpirtërisht nga të qenit me themel dhe i patundur te Jezu Krishti. Nëse dëshiron, mund të lexosh te Kolosianëve 2:4, 8 për të parë disa nga forcat që po përjetonin shenjtorët në Kolos.
-
Si mund të të ndihmojnë rrënjët që përcaktove sot, të marrësh fuqinë e Shpëtimtarit për të qëndruar i fortë kundër forcave që përcaktove?
Nëse është e mundur, shiko materialin filmik “Vorbullat e Erërave Shpirtërore” (2:24). Kërko mënyrën se si të qenit me themel dhe i patundur në Krisht mund të të ndihmojë.
Kërko ndihmën e Atit Qiellor nëpërmjet Frymës së Shenjtë për të përcaktuar atë që po bën mirë dhe atë që mund të bësh më mirë për t’u bërë me themel më të fortë dhe më i patundur te Jezu Krishti. Shkruaji mendimet dhe përshtypjet e tua në ditarin tënd të studimit dhe zotohu t’i ndjekësh deri në fund.
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Përse është e nevojshme të jemi të rrënjosur në Krisht?
Plaku Nil A. Maksuell (1926–2004), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:
“Ngjarjet dhe rrethanat në ditët e fundit e bëjnë të domosdoshme që ne si anëtarë të Kishës të bëhemi me themel më të fortë, më të rrënjosur, më të vendosur dhe më të patundur (shih Kolosianëve 1:23; 2:7; 2 Pjetër 1:12). Jezusi u tha dishepujve të Tij: ‘Prandaj, vendoseni këtë në zemrën tuaj, që ju do t’i bëni gjërat që do t’ju mësoj dhe urdhëroj’ [Joseph Smith Translation, Luke 14:28]. Nëse nuk jemi të patundur, turbullira do të jetë e fortë. Nëse jemi të patundur, nuk do të jemi ‘të lëkundur dhe të transportuar’ [Efesianëve 4:14], qofshin murmuritje, doktrina të rreme ose me anë të mënyrave të sjelljes dhe intelektit të botës. …
Megjithatë, nuk mund të jemi të patundur për të bërë atë që Jezusi ka urdhëruar veçse nëse fillimisht të jemi të patundur në lidhje me Të. … Prandaj, detyra jonë është të ‘pajtoh[emi] me vullnetin e Perëndisë dhe jo me vullnetin e … mishit’ (2 Nefi 10:24).”
(Neal A. Maxwell, “Overcome … Even As I Also Overcame”, Liahona, maj 1987, f. 70)
Mund të shikosh gjithashtu materialin filmik “Të Gjejmë Strehë nga Stuhitë e Jetës” nga kodi kohor 0:00 deri në 3:49 për të parë Plakun Rikardo P. Himenez të ofrojë ide të tjera.
Kolosianëve 2:13–15. Çfarë mësimi u dha Pali shenjtorëve në Kolos rreth simbolikës së Kryqëzimit të Shpëtimtarit?
Pali u kujtoi shenjtorëve në Kolos se Perëndia i kishte falur ata (shih Kolosianëve 1:14, 20, 22). Simbolika që përdori Pali te Kolosianëve 2:14–15, thekson mënyrën se si Shlyerja e Krishtit bën të mundur që të marrim falje për mëkatet tona. Në kohën e Palit ishte zakon që romakët të shkruanin në një afishe krimet e kryera nga një person i dënuar. Kur keqbërësi kryqëzohej, edhe afishja gozhdohej në kryq që të gjithë kalimtarët ta shihnin (shih te Gjoni 19:19–22). Pali e përdori këtë simbolikë te vargjet 13–15 për t’u mësuar kolosianëve se ata ishin falur. Ishte sikur një listë e të gjitha akuzave dhe padive shpirtërore kundër shenjtorëve kolosianë të ishte vendosur në një afishe dhe të ishte gozhduar në kryq. Këto u fshinë ose u hoqën nëpërmjet Kryqëzimit të Jezu Krishtit.