Lluka 10:38–42
Përqendrimi i Jetës Sonë te Jezu Krishti
Kur Jezusi dha mësim në shtëpinë e Martës, Atij iu dha mundësi të jepte mësim rreth rëndësisë së bërjes së mësimeve të Tij një përparësi në jetën tonë. Ky mësim mund të të ndihmojë të mësosh të përcaktosh zgjedhje dhe veprimtari që do të të ndihmojnë ta bësh Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij qendrën e jetës sate.
Përparësitë
Çdo ditë, ne marrim shumë vendime rreth mënyrës se si ta përdorim kohën tonë.
Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha mësim:
“Prej shumicës prej nesh pritet të bëjë më shumë gjëra nga sa ka mundësi të bëjë. … Ne përballemi me shumë zgjedhje për mënyrën si do ta përdorim kohën tonë dhe burime të tjera.”
(Dallin H. Ouks, “Mirë, Më Mirë, Më e Mira”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 104.)
Mendo se cili nga pohimet e mëposhtme të përshkruan ty (mund të zgjedhësh më shumë se një)
-
Unë gjej kohë edhe për veprimtaritë shpirtërore, edhe për ato materiale.
-
Dua ta ndjek Shpëtimtarin por shpesh ndihem shumë i/e ngarkuar me detyra të tjera.
-
Jeta ime është e përqendruar te Jezu Krishti.
-
Nuk më intereson të gjej kohë për t’u afruar më shumë me Jezu Krishtin.
Gjatë këtij mësimi, do të mësosh rreth një ndodhie nga shkrimet e shenjta që na mëson rëndësinë e vënies së Jezu Krishtit në qendër të jetës sonë. Kushtoju vëmendje shtysave nga Fryma e Shenjtë që mund të të ndihmojnë të kuptosh si ta bësh Jezu Krishtin përparësinë tënde më të madhe.
Jezu Krishti i jep mësim Marisë dhe Martës
Kur Shpëtimtari udhëtoi drejt Betanisë, Ai vizitoi shtëpinë e një gruaje të quajtur Marta, një dishepulle besnike dhe e devotshme.
Lexo te Lluka 10:38–42 , duke i kushtuar vëmendje asaj që mëson nga shembulli dhe fjalët e Shpëtimtarit. Mund të jetë e dobishme të dish se fjalët krejt e zënë do të thotë e shqetësuar ose e ngarkuar.
-
Çfarë na mëson kjo ndodhi rreth Jezu Krishtit dhe dëshirave të Tij për ne?
-
Në çfarë mënyre ishte zgjedhja e Marisë e përshtatshme për këtë situatë?
Një e vërtetë që mund të mësojmë nga kjo ndodhi, është se zgjedhjeve që na sjellin më pranë Jezu Krishtit, duhet t’u jepet përparësia më e madhe në jetën tonë.
-
Pse mendon se Ati Qiellor dëshiron që ne ta vëmë Jezu Krishtin në qendër të jetës sonë?
Ndonëse Maria mund të ishte duke u shërbyer të tjerëve, ajo zgjodhi të mësonte nga Jezu Krishti, që ishte gjëja më e rëndësishme që mund të bënte në atë kohë (shih Lluka 10:42).
Presidenti Dallin H. Ouks shpjegoi se si të gjithë ne përballemi me zgjedhje të ngjashme:
“Thjesht se diçka është e mirë nuk është një arsye e mjaftueshme për ta bërë. Numri i gjërave të mira që mund të bëjmë, e tejkalon shumë kohën në dispozicion për t’i kryer ato. Disa gjëra janë më të mira se vetëm mirë dhe këto janë gjërat që duhet të marrin vëmendje me përparësi në jetën tonë.”
(Dallin H. Ouks, “Mirë, Më Mirë, Më e Mira”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 104.)
-
Cilat janë disa gjëra më pak të rëndësishme në jetën tënde që mund të të shpërqendrojnë nga Jezu Krishti?
-
Cilat janë disa zgjedhje që mund të bësh, të cilat do të të sjellin më pranë Jezu Krishtit?
-
Çfarë mund të të ndihmojë t’i bësh zgjedhjet më të rëndësishme përparësinë tënde më të madhe?
-
Çfarë bekimesh ke përjetuar nga bërja e përpjekjeve për ta përqendruar jetën tënde te Jezu Krishti?
Bëj një plan
1. Shëno sa vijon në ditarin tënd të studimit:
Bëj një listë të veprimtarive të tua të zakonshme ditore dhe përcakto se cilat veprimtari po të ndihmojë të vish më pranë Shpëtimtarit. Mendo rreth çdo gjëje që mund të shtosh ose heqësh në bazë të asaj që mësove dhe ndjeve sot. Bëj një plan specifik për atë që do të bësh për ta përqendruar më plotësisht jetën tënde te Shpëtimtari.
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Si përpiqet Satani të na pengojë ta përdorim kohën tonë me mençuri?
Presidenti Stiven W. Ouen, ish-President i Përgjithshëm i Të Rinjve, pohoi:
“Kundërshtari do të përpiqet t’ju bindë se ushqyerja shpirtërore nuk është e nevojshme ose, me dredhi, se ajo mund të presë. Ai është mjeshtri i shpërqendrimit dhe autori i zvarritjes së gjërave. Ai do të sjellë në vëmendjen tuaj gjëra të tjera që duken të ngutshme, por që, në të vërtetë, nuk janë aq të rëndësishme. Ai do që ju të ʻkujdese[ni] për [kaq] shumë gjëraʼ sa të lini pas dore ʻatë gjë [që] është e nevojshmeʼ [ Lluka 10:41–42 ].
(Stiven W. Ouen, “Jini Besimplotë, Jo Besimpakë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2019, f. 13.)
Plaku Riçard G. Skot (1928–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, pohoi:
“A ka kaq shumë gjëra magjepsëse, emocionuese për të bërë ose kaq shumë sfida që ushtrojnë trysni mbi ju, saqë është e vështirë të qëndroni të përqendruar tek ajo që është thelbësore? Kur gjërat e botës jua pushtojnë mendjen, shumë shpesh gjërat e gabuara marrin përparësinë më të madhe. Atëherë është e lehtë ta harrosh qëllimin themelor të jetës. Satani ka një mjet të fuqishëm për ta përdorur kundër njerëzve të mirë. Ai është shpërqendrimi. Ai do të donte që njerëzit e mirë ta mbushnin jetën me ʻgjëra të miraʼ, kështu që nuk ka vend për ato që janë thelbësore. A jeni zënë në atë kurth në mënyrë të pandërgjegjshme?”
(Richard G. Scott, “First Things First”, Ensign, maj 2001, f. 7.)
Cilat janë disa rreziqe të gjykimit të zgjedhjeve të një tjetri?
Presidentja Boni D. Parkin, ish-Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, pohoi:
“Kërkesa e Martës për ndihmë ishte një gjykim i pashprehur, por i dukshëm: ʻUnë kam të drejtë, ajo e ka gabimʼ.
A e gjykojmë ne njëra-tjetrën? A e kritikojmë njëra-tjetrën për zgjedhjet tona individuale, duke menduar se ne dimë më mirë, kur në fakt rrallë i kuptojmë rrethanat unike të njëra-tjetrës apo edhe frymëzimet individuale? … Gjykime të tilla … na e grabitin pjesën më të mirë, atë dashurinë e pastër të Krishtit.
Ne gjithashtu nuk e vëmë re atë pjesë më të mirë kur e krahasojmë veten me të tjerët. Flokët e saj janë më të bukur, këmbët e mia janë më të shëndosha, fëmijët e saj janë më të talentuar, kopshti i saj është më pjellor – motra, ju e dini vetë. Thjesht nuk mund ta bëjmë këtë. Motra, ne nuk mund tʼia lejojmë vetes të ndihemi jo në lartësinë e duhur duke u përqendruar në atë që nuk jemi në vend që të përqendrohemi në atë që jemi!”
(Bonnie D. Parkin, “Choosing Charity: That Good Part”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 105.)
Si mund të zgjedh mes dy zgjedhjeve që nuk janë në thelb të këqija?
Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, pohoi:
“Ndërsa marrim parasysh zgjedhje të ndryshme, duhet të kujtohemi se nuk mjafton që diçka të jetë e mirë. Zgjedhje të tjera janë më të mira dhe disa të tjera janë më të mirat. …
Vrisni mendjen si e përdorim kohën tonë në zgjedhjet që bëjmë për të parë televizor, për të luajtur me [lojëra kompjuterike], për të lundruar në internet apo për të lexuar libra ose revista. Natyrisht është mirë të shohësh zbavitje të dobishme ose të marrësh informacion interesant. Por jo çdo gjë e këtij lloji e vlen atë pjesë të jetës sonë që japim për ta marrë atë. Disa gjëra janë më të mira dhe të tjera janë më të mirat. …
… Duhet të heqim dorë nga disa gjëra të mira, që të mund të zgjedhim të tjera që janë më të mira ose më të mirat, sepse zhvillojnë besim tek Zoti Jezu Krisht dhe forcojnë familjet tona.”
(Dallin H. Ouks, “Mirë, Më Mirë, Më e Mira”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 104–105, 107.)