Lluka 15
Shëmbëlltyrat për Gjërat dhe Djalin e Humbur
Afër fundit të shërbesës së Shpëtimtarit në vdekshmëri, farisenjtë dhe skribët u ankuan për shoqërimin e Jezusit me tagrambledhësit dhe mëkatarët. Si përgjigje për ankesat e tyre, Jezusi dha mësim shëmbëlltyrat e deles së humbur, të monedhës së humbur dhe të djalit plëngprishës. Ky mësim mund të të ndihmojë të kuptosh dhe ndjesh se sa shumë Ati Qiellor dhe Jezu Krishti të duan dhe të vlerësojnë ty dhe gjithë të tjerët.
Çfarë vlere ka?
Në një shkallë nga 1 në 10, ku 1 është i ulët dhe 10 është i lartë, sa do ta donit çmimin për artikujt vijues?
-
Ëmbëlsira jote e parapëlqyer
-
Ëmbëlsira jote e parapëlqyer po të binte në dysheme
-
Ëmbëlsira jote e parapëlqyer nëse dikush do të shkelte mbi të
-
Një kartëmonedhë 200 lekë
-
Një kartëmonedhë 200 lekë po të binte në dysheme
-
Një kartëmonedhë 200 lekë nëse dikush do të shkelte mbi të
Gjej një çast për të përsiatur për mënyrën se si kjo veprimtari mund të lidhet me vlerën e individëve.
-
Si mund të krahasohet kjo analogji me saktësinë me të cilën e shohim vlerën tonë?
-
Përse mund të ndihemi ndonjëherë të tunduar të mendojmë për veten ose ta trajtojmë atë dhe të tjerët sikur ne ose ata janë me më pak vlerë?
Mendo si i trajton ata që mund të duhet të pendohen dhe përmirësohen, përfshirë veten tënde. Ndërsa e studion këtë mësim, kërko të vërteta rreth mënyrës se si ndihet Zoti kundrejt atyre që kanë nevojë të pendohen dhe si i trajton Ai ata.
Te Lluka 15 , Jezusi dha mësim tre shëmbëlltyra. Lexo te Lluka 15:1–2 , duke kërkuar situatën që e shtyu Shpëtimtarin t’i jepte mësim këto shëmbëlltyra. Vër re që tagrambledhësit ishin judenj që mblidhnin taksa për romakët dhe, rrjedhimisht, përgjithësisht urreheshin nga judenjtë e tjerë.
-
Çfarë të mësojnë këto vargje rreth Shpëtimtarit? Në çfarë mënyrash mund të jemi ndonjëherë si farisenjtë?
Jezu Krishti iu përgjigj ankesave të farisenjve dhe skribëve duke iu dhënë mësim për një dele të humbur, një monedhë të humbur dhe një bir të humbur.
Delja e humbur dhe monedha e humbur
Lexo apo shqyrto ose shëmbëlltyrën e deles së humbur ( Lluka 15:4–7 ) ose shëmbëlltyrën e monedhës së humbur ( Lluka 15:8–10), duke kërkuar fjalë ose fraza që tregojnë se si pronari i çdo historie e vlerësonte atë që kishte humbur.
-
Cilat fjalë ose fraza e tregojnë vlerën që pronari vendosi mbi atë që kishte humbur?
-
Në çfarë mënyrash delja ose monedha në këto shëmbëlltyra mund të përfaqësojnë individë?
-
Sipas këtyre vargjeve, si ndihen ata që ndihmojnë për të gjetur të humburit shpirtërisht kur një mëkatar pendohet? Si ndihet Ati Qiellor dhe Jezu Krishti?
-
Çfarë mësimesh mësove për Shpëtimtarin nga këto shëmbëlltyra?
Djali plëngprishës
Shëmbëlltyra e tretë te Lluka 15 njihet zakonisht si shëmbëlltyra e djalit plëngprishës (fjala plëngprishës do të thotë shpërdorues, i shkujdesur ose dorëlëshuar). Megjithatë, kjo shëmbëlltyrë tregon historinë e dy bijve, të cilit kishin që të dy nevojë për ndihmën e babait të tyre. Teksa studion, kërko të vërteta që zbulojnë mënyrën se si ndihet Ati Qiellor kundrejt të gjithë fëmijëve të Tij dhe si i trajton ata që kanë humbur shpirtërisht për çfarëdo arsye.
Lexo te Lluka 15:11–32, duke përfytyruar që ati në këtë rrëfim përfaqëson Atin Qiellor. Merr parasysh t’i shenjosh fjalët ose frazat që zbulojnë se si ndihet Ai kundrejt fëmijëve të Tij.
Kujto se si farisenjtë e kritikuan Shpëtimtarin që i pranoi mëkatarët dhe hëngri me ta.
-
Si mendon, çfarë shpresonte Shpëtimtari që farisenjtë të mësonin nga kjo shëmbëlltyrë?
-
Si mendon, çfarë është më e rëndësishme që ti ta kuptosh dhe ta mbash mend në këtë shëmbëlltyrë? Përse?
Një e vërtetë që mësojmë nga kjo shëmbëlltyrë është që Ati Qiellor i vlerëson dhe i do të gjithë fëmijët e Tij dhe po pret krahëhapur që t’i mirëpresë të gjithë ata që do të kthehen tek Ai.
-
Si mund të zbatohen shëmbëlltyrat te Lluka 15 për ata që janë të humbur shpirtërisht për shkak të mëkatit si edhe për ata që mund të ndihen ndryshe, të pavlerësuar ose të pavënëre?
1. Plotësoje veprimtarinë vijuese dhe përgjigjju pyetjes më poshtë në ditarin tënd të studimit.
Dallimi i vlerës sime si individ
Merr parasysh që, në një faqe në ditarin tënd të studimit, të bësh një vizatim të thjeshtë të një bariu që mban një dele ose një babai që përqafon djalin e tij. Përdore hapësirën rreth këtij vizatimi për të shënuar sa më poshtë:
-
Fjalë ose fraza (duke përfshirë ato nga Lluka 15) që të kujtojnë se sa i dashur je ti dhe gjithë të tjerët për Atin Qiellor, edhe kur ti dhe të tjerët duhet të pendoheni.
-
Mënyrat se si mund t’i trajtosh me dhembshuri ata që duhet të pendohen, përfshirë veten tënde.
-
Ndërsa mendon për mënyrën se si e trajton veten dhe personat rreth teje, si dëshiron ta zbatosh atë që mësove sot?
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Lluka 15:7 . Çfarë nënkuptoi Zoti me anë të shprehjes “nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen”?
Jozef Smithi dha mësim se një mënyrë për të interpretuar shëmbëlltyrën e deles së humbur është të krahasoni nëntëdhjetë e nëntë delet me farisenjtë dhe saducenjtë që nuk mendonin se duhet të vinin te Jezu Krishti dhe të pendoheshin (shih History, 1838–1856 [Manuscript History of the Church], vëllimi D-1, 1459, josephsmithpapers.org).
Përse është kaq e rëndësishme t’i kërkoni, gjeni dhe ushqeni ata që kanë humbur?
Presidenti M. Rasëll Ballard, President veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Çdo shpirt është shumë i çmuar për Atin tonë Qiellor. Ne nuk duhet të harrojmë kurrë se nëpërmjet Shlyerjes, Zoti Jezu Krisht pagoi një çmim të madh për shëlbimin e secilit prej nesh. Vuajtja e Tij nuk duhet të jetë e kotë ngaqë ne nuk arrijmë t’i ushqejmë dhe mësojmë ata që po mundohen të jenë aktivë në Kishë.”
(M. Russell Ballard, “Are We Keeping Pace?” Ensign, nëntor 1998, f. 8.)
Lluka 15:12–13 . Çfarë nënkuptoi djali kur tha: “Më jep pjesën e pasurisë që më takon”?
Sipas zakoneve të kohës së Shpëtimtarit, një djalë e merrte trashëgiminë e tij vetëm pasi i vdiste i ati. Nëse një djalë e kërkonte trashëgiminë e tij përpara vdekjes së të atit (shih Lluka 15:12–13), kjo do të ishte një fyerje e madhe. Kërkesa e djalit do të ishte parë si një mohim ndaj atit të tij, shtëpisë së tij, edukimit të tij dhe madje e gjithë komunitetit të tij.
(New Testament Student Manual [2018], ChurchofJesusChrist.org)