Mateu 5:13–16
“Ju Jeni Drita e Botës”
Kush ka qenë një shembull i mirë për ty i të jetuarit me drejtësi? Si të ka afruar më pranë Perëndisë shembulli i tyre? Pas mësimdhënies së Lumturive, të cilat na ndihmojnë të kuptojmë natyrën dhe karakterin e Perëndisë, Jezu Krishti dha mësim se shembujt tanë të drejtë mund t’i bekojnë të tjerët. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë ta zbatosh këtë të vërtetë dhe të vlerësosh veprimet dhe qëndrimin tënd për ta pasqyruar më mirë dritën e Jezu Krishtit.
Kripa e tokës
Shpëtimtari përdorte shpesh krahasimet ose metaforat për të dhënë mësim ide të thjeshta me kuptime të thella. Ndërsa e studion këtë mësim, mendo rreth asaj se si objektet që përmendi Jezusi mund të të ndihmojnë ta kuptosh atë që Ai dha mësim.
Lexo te Mateu 5:13, duke kërkuar për atë se si i përshkroi Jezu Krishti dishepujt e Tij.
-
Si ndikon kripa në shijen e ushqimit?
-
Përveçse përdoret për të shtuar shijen e ushqimit tonë, për çfarë tjetër mund të përdoret kripa?
“Kripa është përdorur prej kohësh për të ruajtur [si lëndë konservuese], për të dhënë shije e pastruar. Kripa kishte edhe domethënie fetare për izraelitët. … Kur kripa bëhet e amësht, ajo bëhet e padobishme ose ‘nuk vlen për asgjë’ (Mateu 5:13). Kjo ndodh kur ajo përzihet me elemente të tjera ose ndotet prej tyre.”
(Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re [2019], f. 31)
Gjej një çast për të përsiatur në zemër se si ti, si kripa e tokës, ndihmon për të nxjerrë në pah më të mirën tek ata që ke përreth. Gjithashtu merr parasysh se me cilat tundime përballesh dhe si mund ta mbash veten të pastër. Nëse ke lejuar ndonjë papastërti në jetën tënde, ato mund të hiqen nëpërmjet dhuratës së pendimit që është në dispozicion përmes Jezu Krishtit.
Drita e Botës
Lexo te Mateu 5:14–16, duke kërkuar atë që pret Jezu Krishti nga ne si dishepuj të Tij.
-
Cili është një parim i së vërtetës që mund të përcaktosh nga Mateu 5:14–16?
Nga Mateu 5:14–16 mund të kesh përcaktuar një parim të ngjashëm me këtë: Shembulli ynë i drejtë mund t’i inkurajojë të tjerët që ta përlëvdojnë Atin Qiellor.
-
Çfarë mendon se do të thotë ta përlëvdosh Atin Qiellor?
Kur Shpëtimtari i ringjallur ishte me nefitët, Ai u mësoi atyre më shumë për dritën që dishepujt e Tij duhet të mbanin lart. Merre parasysh t’i bësh referenca kryq ose t’i lidhësh vargjet te Mateu 5:14–16 me vargjet te 3 Nefi 18:24–25.
Lexo te 3 Nefi 18:24–25, duke kërkuar dritën që dishepujt e vërtetë duhet të mbanin lart.
-
Si ndikojnë mësimet e Shpëtimtarit tek 3 Nefi 18:24–25 në kuptueshmërinë tënde për vargjet te Mateu 5:14–16?
Jezu Krishti është Drita e vërtetë e Botës dhe ndërsa e ndjekim Atë dhe bëhemi më shumë si Ai, ne e pasqyrojmë dritën që Ai na jep. (Shih te Gjoni 1:4, 9; 8:12; Doktrina e Besëlidhje 50:24; 93:2.)
Simbolizmi që përdori Shpëtimtari
Pyetjet e mëposhtme mund të të ndihmojnë të mendosh më thellë në lidhje me simbolizmin që përdori Shpëtimtari te Mateu 5:14–16.
Lexo pohimin vijues nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, duke kërkuar atë që mund të mësosh rreth dritës së Jezu Krishtit.
“Sa herë e ktheni zemrën te Perëndia në lutje të përulur, ju e përjetoni dritën e Tij. Sa herë e kërkoni fjalën dhe vullnetin e Tij në shkrimet e shenjta, drita rritet në shkëlqim. Sa herë vini re dikë në nevojë dhe e sakrifikoni rehatinë tuaj vetjake për të ndihmuar me dashuri, drita rritet dhe shtohet. Sa herë që e flakni tundimin dhe zgjidhni pastërtinë, sa herë që kërkoni apo jepni falje, sa herë që dëshmoni me guxim për të vërtetën, drita e dëbon errësirën dhe tërheq të tjerë që po e kërkojnë gjithashtu dritën e të vërtetën.”
(Diter F. Uhtdorf, “Mbajtës të Dritës Qiellore”, Liahona, nëntor 2017, f. 80)
-
Si mendon se lidhet ky pohim me vargjet Mateu 5:14–16?
Kujto se Jezusi na mësoi të ishim “kripa e tokës” dhe “drita e botës” menjëherë pasi dha mësim për Lumturitë – karakteristikat si të Krishtit që na ndihmojnë të bëhemi më shumë si Ai (shih te Mateu 5:3–12).
Fakultative: Dëshiron të Mësosh më Shumë?
Si e ndikojnë veprimet e mia shijen time si kripë e tokës?
Presidenti Xhejms E. Faust (1920–2007), i Presidencës së Parë, dha mësim:
“Ushqyesit shpirtërorë, të cilët na mbajnë shpirtërisht të shëndetshëm, mund ta humbasin fuqinë dhe forcën e tyre nëse nuk jetojmë të denjë për udhërrëfimin hyjnor për të cilin kemi nevojë. … Ne duhet t’i mbajmë mendjet dhe trupat tanë të pastër nga të gjitha format e varësisë dhe të ndotjes. Ne kurrë nuk do të zgjidhnim që të hamë ushqim të prishur ose të ndotur. Në po të njëjtën mënyrë përzgjedhëse, ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos lexojmë apo shikojmë diçka që nuk ka shije të mirë. Pjesa më e madhe e ndotjes shpirtërore që ndodh në jetën tonë vjen përmes internetit, lojërave kompjuterike, emisioneve televizive dhe filmave që janë shumë sugjestionues ose që portretizojnë në mënyrë grafike cilësitë më të pavlera të njerëzimit. Duke qenë se jetojmë në një mjedis të tillë, ne duhet ta rritim forcën tonë shpirtërore.”
(Xhejms E. Faust, “Ushqyesit Shpirtërorë”, Konferenca e Përgjithshme, tetor 2006, f. 77)
Si mund ta rrit dritën time?
Presidenti Henri B. Ajring dha mësim:
“Sa herë që zgjidhni të përpiqeni të jetoni më shumë si Shpëtimtari, ju do ta keni dëshminë tuaj të forcuar. Ju do të arrini në kohë që ta dini vetë se Ai është drita e botës. Ju do të arrini të ndieni dritën që rritet në jetën tuaj. Ajo nuk do të vijë pa përpjekje. Por ajo do të vijë kur dëshmia juaj rritet dhe ju zgjidhni ta ushqeni atë. Këtu është premtimi i sigurt nga Doktrina e Besëlidhjet: ‘Ajo që është prej Perëndisë, është dritë; dhe ai që merr dritë e vazhdon në Perëndinë, merr më shumë dritë; dhe ajo dritë shkëlqen gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë’ [Doktrina e Besëlidhje 50:24]. Ju do të jeni një dritë për botën ndërsa ju e ndani dëshminë tuaj me të tjerë. Ju do të pasqyroni te të tjerët dritën e Krishtit në jetën tuaj. Zoti do të gjejë mënyra që ajo dritë të prekë ata që ju i doni.”
(Henri B. Ajring, “Një Dëshmi e Gjallë”, Liahona, maj 2011, f. 128)
Presidenti Tomas S. Monson dha mësim:
“Secili prej nesh erdhi në tokë duke iu dhënë Drita e Krishtit. Kur e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit dhe jetojmë siç jetoi Ai dhe siç na mësoi Ai, ajo dritë do të digjet brenda nesh dhe ne do ta ndriçojmë udhën për njerëz të tjerë.”
(Tomas S. Monson, “Jini një Shembull dhe një Dritë”, Liahona, nëntor 2015, f. 86)